BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Guvernatorit z. Ardian Fullani në konferencën me temë “Konkurrenca kundrejt marrjes përsipër së rrezikut nga sektori bankar në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore”, Prishtinë

Data e publikimit: 08.10.2012

 

Të nderuar guvernatorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Takimet e rregullta rajonale janë një mundësi e mirë për të diskutuar mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në vendet tona. Ato shërbejnë për të evidentuar ngjashmëritë dhe ndryshimet mes njëri-tjetrit, si dhe politikat ekonomike e financiare e nevojshme për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshemi.

Vendndodhja gjeografike dhe marrëdhëniet ekonomike me të njëjtët partnerë, përbëjnë faktorë që kanë mundësuar zhvillime të ngjashme ekonomike dhe financiare në vendet tona. Ato kanë përcaktuar natyrën dhe madhësinë e  kontaminimit (ndikimit) prej krizës ekonomike globale dhe asaj në Eurozonë në veçanti.

Vlerësimi i ndikimit mbi vendet tona, ka qenë shpesh çështja kryesore e diskutimit në këto takime. Vështirësitë makrofinanciare dhe paqartësitë që shoqërojnë Eurozonën e bëjnë krizën aktuale evropiane të jetë në fokusin kryesor edhe të këtij takimi.

Veprimet aktuale dhe angazhimet e Bankës Qendrore Evropiane kanë plotësuar gamën e instrumenteve që autoritetet evropiane mund të përdorin për të mbështetur tregjet dhe institucionet financiare. Megjithatë, investitorët janë në pritje të vendimeve shtesë më të harmonizuara dhe më të fuqishme politike. Situata ekonomike, veçanërisht në Greqi dhe në Spanjë, mbetet e vështirë, ndërkohë që Portugalia dhe Italia kanë ndërmarrë programe të tjera të konsolidimit fiskal. Papunësia në Bashkimin Evropian dhe në Eurozonë ka arritur nivele rekord, veçanërisht tek të rinjtë.

Rritja ekonomike është e dobët, e përqendruar kryesisht në vendet që janë në qendër të Eurozonës.

Vendet tona janë ndikuar nga kjo situatë për arsye objektive. Marrëdhëniet tregtare, lëvizjet e kapitalit dhe të fuqisë punëtore, si dhe ato të sistemit financiar, janë kanalet përmes të cilave këto probleme janë përçuar në ekonomitë tona. Forma, madhësia dhe shtrirja e këtij ndikimi, kanë evoluar përgjatë 4 viteve të fundit.

Aktualisht ndikimi shfaqet në rënien e kërkesës së brendshme, në uljen e ritmit të rritjes ekonomike, në rënien e të ardhurave të disponueshme, në humbjen e besimit dhe në rënien e optimizmit të shprehur në rritjen e kursimeve.

Rrjedhimisht këto zhvillime e kanë zhvendosur fokusin e politikave ekonomike drejt aktivitetit ekonomik dhe ringjalljes së optimizmit me qëllim favorizimin e investimeve dhe konsumit. Ndërkohë, nga ana tjetër, kërkohet me çdo kusht ruajtja e stabilitetit financiar të ekonomisë, duke krijuar në këtë mënyrë një binom prioritetesh që kushtëzojnë njëri- tjetrin dhe kërkojnë një zgjidhje të njëhershme.

Ekonomia shqiptare është duke u përballur gjithnjë e më shumë me sfidën e rritjes ekonomike. Ndonëse ajo zhvillohet në kushtet e një stabiliteti të konsoliduar makroekonomik dhe në prani të themeleve të shëndosha financiare, kërkesa agregate ka qenë e zbehtë gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2012. Kërkesa e brendshme dhe ajo e huaj vuajnë nga pasiguria e lartë, nga kushtet relativisht të shtrënguara të financimit dhe nga hapësirat e pakta për politika stimuluese diskrecionare.

Në kontekstin e brendshëm, ekonomia vijon të përballet me një nivel relativisht të ulët konsumi dhe investimesh private, si dhe me një stimul të munguar të sektorit publik, si pasojë e orientimit në rritje të politikës fiskale drejt ruajtjes së qëndrueshmërisë afatgjatë të borxhit publik.

Nga ana tjetër, sistemi bankar dhe financiar i vendit mbetet i shëndetshëm, likuid dhe treguesit e kapitalit paraqiten në nivel relativisht të kënaqshëm. Aktiviteti i sektorit bankar, vijon të mbështetet në mënyrë të fuqishme prej rritjes së depozitave të publikut.

Bankat kanë fuqizuar pozicionin e tyre të kapitalit, për të forcuar qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve të veprimtarisë bankare. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të muajit qershor 2012, shënoi vlerën 15.6%. Megjithatë, zhvillimet e kredisë mbeten një problem që ndikohet nga ecuria e aktivitetit ekonomik dhe pritjet për të ardhmen. 

Ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe rënia e kërkesës për investime dhe konsum nga bizneset dhe familjet janë përcaktuesit e ritmit të kreditimit të sektorit privat dhe cilësisë së kredisë. Nga ana e tyre, bankat kanë rritur dukshëm kujdesin në procesin e kreditimit.

Stress- test-et periodike ose ndryshe provat e rezistencës tregojnë se sektori bankar është i qëndrueshëm dhe mund të përballojë edhe zhvillime më të pafavorshme për sa i takon ecurisë së ekonomisë. Sidoqoftë, jemi të ndërgjegjshëm që sfidat me të cilat ballafaqohet veprimtaria bankare janë të vështira.

Përveç rigjallërimit të aktivitetit ekonomik dhe besimit në të ardhmen, për përmirësimin e cilësisë së kredisë nevojitet plotësimi i kuadrit ligjor, i cili mundëson dhe lehtëson ekzekutimin e kolateralit. Shitja  e aktiveve të këqija në treg me vlerën e tyre reale është pikënisja e procesit të korrektimit financiar e pasuror në bilancet e sektorit privat dhe sistemit financiar.

Pastrimi i bilanceve do të çojë në nxitjen e aktivitetit ekonomik përmes investimeve e konsumit, duke siguruar përmirësimin e qëndrueshëm të cilësisë së kredisë.

Aktualisht, ndikimi i ndërsjellë i aktivitetit ekonomik me kredinë dhe cilësinë e saj përbën edhe problemin kryesor me të cilin përballet politika monetare. Eficienca e ndërhyrjeve të njëpasnjëshme për uljen e normës së interesit është zbehur nga pritjet negative.

Rrjedhimisht efektet në kërkesën e brendshme të bizneseve e familjeve për investime dhe konsum nuk janë në nivelin e dëshirueshëm. Pavarësisht këtyre problemeve, rritja ekonomike mbetet në territor pozitiv megjithëse nën potencial. Sipas vlerësimeve tona, rritja do të jetë pozitive edhe në të ardhmen. Ndërkohë pritjet e operatorëve ekonomikë dhe financiarë për ecurinë e inflacionit mbeten të ankoruara pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë.

Situata e mirë e likuiditetit dhe kapitalizimit në sektorin bankar, si dhe stabiliteti i treguesve makroekonomikë, kanë mundësuar harmonizimin e politikave ekonomike për ruajtjen e statuskuosë.

Nëse situata vijon të mbetet e njëjtë, në horizontin e parashikueshëm të kohës, atëherë politika monetare mund të mbetet akomoduese për të njëjtën periudhë. Rigjallërimi i  kërkesës së brendshme dhe rritja ekonomike lidhen më tej me pritjet të cilat ndikohen edhe prej situatës së partnerëve tanë.

Politika fiskale ka synuar konsolidimin fiskal dhe ka vijuar përpjekjet për dhënien e stimujve të nevojshëm fiskalë në mënyrë të kujdesshme.

Aktualisht, nëse procesi i privatizimit përfundon në mënyrë të suksesshme, atëherë mundësitë fiskale për nxitjen e rritjes ekonomike dhe përmbysja e pritshmërive negative janë të konsiderueshme.

Mënyra e përdorimit të të ardhurave nga privatizimi duhet të mbështesë jo vetëm objektivat afatshkurtër të rritjes ekonomike, por gjithashtu të ndikojë edhe pritshmëritë e operatorëve ekonomikë për një rritje të qëndrueshme të ekonomisë në të ardhmen. Kjo e fundit mund të realizohet nëpërmjet përdorimit të të ardhurave shtesë për uljen e nivelit të borxhit dhe mbështetjen e reformave për ndryshimet strukturore në ekonomi.

Të nderuar pjesëmarrës,

Aktualisht, konstatoj se ndërtimi i strategjive të zhvillimit afatgjatë me karakter të theksuar kombëtar përbën një problem të rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme të rajonit tonë në afatin e gjatë. Mungesa e këndvështrimit rajonal në këto strategji nuk e favorizon suksesin individual të ekonomive të vogla në ekonominë globale.

Është e nevojshme që procesi i lidhjes dhe integrimit të infrastrukturës të transportit të vazhdojë me integrimin e strategjive të zhvillimit, tregjeve të kapitalit, të punës dhe lëndëve të para dhe infrastrukturës energjetike. Ekonomitë tona janë të cenueshme dhe të ndikuara nga zhvillimet globale sepse janë ekonomi të vogla në një rajon ekonomik të fragmentuar dhe të varur nga prurjet valutore në formën e investimeve të huaja, eksporteve dhe dërgesave nga emigrantët.

Rritja e madhësisë së tregut, lehtësia e lëvizjes së faktorëve të prodhimit (kapitali, fuqia punëtore, lëndët e para), integrimi i sistemeve financiare dhe atyre të pagesave, integrimi e bashkërendimi i kurrikulave shkencore e arsimore dhe trajtimi i sfidave nga një këndvështrim rajonal do ta bëjë rajonin një hapësirë ekonomike tërheqëse dhe të integruar. Ky integrim do të evidentojë avantazhet krahasuese rajonale, duke rritur njëkohësisht konkurrueshmërinë e secilës prej ekonomive në veçanti.

Për rrjedhojë, integrimi do ta konvertojë tendencën e rajonit për t’u ndikuar negativisht nga zhvillimet globale në një mundësi, në një ndikim pozitiv, për të arritur rritje të lartë e të qëndrueshme ekonomike në afatin e gjatë.
Faleminderit!