BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë Minxhozi në Samitin II të Diasporës Shqiptare

Data e publikimit: 04.03.2019

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një ditë shumë e shënuar kjo e sotmja, kur jemi mbledhur për të shkëmbyer mendime mbi rrugët dhe mënyrat se si shqiptarët, kudo që ata jetojnë, të kenë mirëqenie e zhvillim ekonomik.

Ka ardhur një moment në historinë tonë ekonomike, kur përpjekjet individuale të secilit nga ne për të siguruar mirëqenie të konsiderohen edhe si përpjekje shoqërore që synojnë njëherazi edhe pasurimin e zhvillimin e kombit tonë.

DSC 3177 - Copy 498

Forume si ky - ku shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të globit mblidhen bashkë, diskutojnë dhe shohin se duke punuar për veten dhe familjen e tyre, ndihmojnë edhe në përparimin e kombit - janë shenja të rritjes së ndërgjegjes kombëtare dhe të civilizimit tonë modern.

Shqipëria ka një diasporë mjaft të gjerë, e cila është e pranishme në të gjitha kontinentet dhe që në vitin 2017 vlerësohet të ishte 1.15 milionë banorë, ose sa rreth 40% e popullsisë që aktualisht jeton brenda vendit.

Një nga karakteristikat e diasporës shqiptare është se ajo është tepër e lidhur ekonomikisht me vendin e origjinës, duke kontribuuar në rritjen e transfertave financiare nga jashtë.

Këto transferta janë në formën e: 

  • dërgesave nga emigrantët, të cilat janë transferta neto pa kundërshpërblim nga jashtë vendit dhe si të tilla llogariten në bilancin e pagesave në rreth 600 milionë euro në vit, gjatë periudhës 2013-2017, shifër kjo e barabartë me 5.7% të PBB-së së vendit;
  • të ardhurave të gjeneruara nga emigracioni sezonal në formën e të punësuarve të përkohshëm. Kjo kategori krijon të ardhura në formën e “të ardhurave parësore nga puna”, mesatarisht 250 milionë euro në vit, për periudhën 2013-2017;
  • nëse shtohen edhe të ardhurat e tjera jo të lidhura me punën, transfertat totale nga emigracioni permanent dhe sezonal (remitancat) arrijnë në rreth 1 miliard euro në vit, ose rreth 9.0% ndaj PBB-së nominale.

Megjithëse rëndësia e remitancave, si në formën e nivelit të flukseve ashtu edhe në terma të raportit ndaj PBB-së, është më e ulët krahasuar me peshën e tyre në mesin e viteve 2000, përsëri rritja vjetore e këtij treguesi ka rezultuar e rregullt gjatë viteve të fundit, me një ritëm mesatar prej 3% për të gjithë periudhën 2015-2017.

Me veprimtarinë e saj ekonomike, diaspora e ndikon pozitivisht ekonominë shqiptare në dy aspekte.

Aspekti i parë janë remitancat dhe forma të tjera të transfertave që diaspora sjell në Shqipëri. Këto kanë një rol të dukshëm në kërkesën agregate të vendit, si në financimin e konsumit familjar, ashtu dhe në gjenerimin e kursimeve, të cilat shërbejnë për financimin e investimeve.

Ndikimi i tyre në rritjen ekonomike të Shqipërisë ka qenë ciklik.

  • Për periudhën 2009-2013, ky ndikim rezultoi negativ me 0.4%, sepse periudha korrespondon me fazën e goditjes që pësuan ekonomitë evropiane pas krizës.
  • Më pas, veçanërisht në vitin 2014, u vu re një rritje e lartë e transfertave nga remitancat, si pasojë e tendencës së emigrantëve për të tërhequr paratë nga bankat evropiane (veçanërisht nga bankat në Greqi) dhe dërgimin e tyre si depozita në Shqipëri.
  • Aktualisht, në periudhën 2015-2017, kontributi i remitancave vlerësohet në 0.2% të rritjes ekonomike.

Megjithëse rëndësia e remitancave në rritjen ekonomike ka shënuar rënie gjatë viteve, në linjë dhe me fuqizimin e faktorëve të brendshëm të rritjes, ato mbeten një element i rëndësishëm i të ardhurave të disponueshme dhe si rrjedhojë, një përcaktues i ecurisë së konsumit në vend. Remitancat kanë një rol të rëndësishëm në zbutjen e varfërisë dhe të problemeve sociale për shtresa të ndryshme të shoqërisë.

Aspekti i dytë është ndikimi pozitiv në dinamikat e tregut të punës. Eksporti i fuqisë punëtore (emigrimi) tenton të nxitë rritjen e pagave në vend, nëpërmjet balancimit më të mirë të kërkesës dhe ofertës për punë. Nga ana tjetër, diversifikon ofertën e vendit për punë të kualifikuar.

Me gjithë rritjen e madhësisë së dërgesave nga jashtë dhe ndikimin në rritje të kontributit të remitancave në rritjen ekonomike të Shqipërisë, sigurisht që ka ende shumë për të bërë në mënyrë që të rritet roli i diasporës dhe të krijojë më shumë mundësi në përdorimin më të mirë ekonomik të kursimeve të tyre, por edhe të ndihmojnë në rritjen e ekonomisë shqiptare.

Volumet e remitancave janë të vështira për t’u matur saktësisht, për shkak të kanaleve të shumta formale dhe joformale përmes të cilave ato rrjedhin. Sistemi ynë bankar ende nuk lehtëson aksesin dhe përdorimin në distancë të llogarive bankare për emigrantët, që ata të mund të operojnë lehtësisht me to nga vendet e origjinës; kostot e transaksioneve bankare janë më të larta dhe shpesh procedurat bankare perceptohen si më të komplikuara. 

Këta faktorë bëjnë që vetëm 4% e dërgesave të hyjnë në Shqipëri përmes kanaleve bankare, 57% përmes institucioneve financiare jobanka dhe 39% në formën e parave cash.

Rezultati ekonomik është që disbursimi i remitancave, në masën 96%, kryhet në cash, dhe kjo formë pagese dobëson efektin multiplikator të kontributit të tyre në rritjen ekonomike.

Si rregullator i sistemit bankar dhe atij të pagesave, Banka e Shqipërisë është e angazhuar fort për të nxitur dhe lehtësuar transferimin e remitancave në ekonominë e Shqipërisë:

  • së pari, duke modernizuar procedurat dhe duke lehtësuar kostot e transferimit të remitancave. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, është përfshirë në një projekt për formalizimin e fluksit hyrës të dërgesave nga jashtë përmes kanaleve bankare, së bashku me efektin shoqërues në reduktimin e kostove të këtyre dërgesave, përfshirjen financiare e deri në reduktimin e cash-it në ekonomi.

Në këtë kuadër, në vitin 2017 është realizuar një studim i përqendruar për sistemin e pagesave me vlerë të vogël, pjesë e të cilit janë edhe remitancat. Gjetjet u përdorën si bazë për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Reformimin e Tregut të Sistemeve të Pagesave me Vlerë të Vogël në Shqipëri.

Për më tepër, Banka e Shqipërisë ka hartuar projektligjin e ri për shërbimet e pagesave me vlerë të vogël, i cili përfshin edhe tregun e remitancave. Ky ligj do ta përafrojë sistemin tonë të pagesave me direktivën PSD2 të BE-së dhe synon të nxisë krijimin e një sistemi novator të pagesave në Shqipëri, të ulë pagesat në cash dhe të krijojë kushte të përshtatshme për zgjerimin e konkurrencës, transparencës dhe të sigurisë në sistemin e pagesave;

  • së dyti, duke synuar të zhvillojë e të diversifikojë më tej instrumentet e kursimit dhe instrumentet e tregut të kapitalit, për rritjen e interesit të depozitimit të kursimeve në Shqipëri, të shqiptarëve që jetojnë jashtë saj.

Ju faleminderit!