BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë Minxhozi në ceremoninë e hapjes së Javës së Parasë 2019

Data e publikimit: 25.03.2019

 

E nderuar Zëvendësministre e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve,

I nderuar Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave,

Të dashur nxënës, studentë e mësues, miq të vjetër e të rinj të Bankës së Shqipërisë,

Në këtë ditë të parë të Javës Globale të Parasë, për vendin tonë ju uroj mirëseardhjen në godinën qendrore, të Bankës së Shqipërisë dhe ju falënderoj për pjesëmarrjen dhe angazhimin në aktivitetet tona të përbashkëta.

Viti 2019 shënon vitin e 12 të përfshirjes të Bankës së Shqipërisë, në përpjekjen për edukimin financiar të publikut në përgjithësi dhe  me fokus të veçantë tek më të rinjtë. Ky është gjithashtu viti i 6 - të i angazhimit të Bankës së Shqipërisë si organizatore e Javës së Parasë.

Kjo festë është kthyer tashmë në një takim të përvitshëm të të gjithë aktorëve të interesuar në këtë fushë sa të bukur e të rëndësishme, aq dhe të ndërlikuar e sfiduese. Natyrshëm, Banka e Shqipërisë, si shumica e bankave qendrore në botë, ka marrë pozicion pro aktiv në përpjekjet për rritjen e kulturës financiare. Ky angazhim përputhet plotësisht me frymën e transparencës ndaj publikut e të rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të tij mbi çështje ekonomike e financiare që ndikojnë në jetën e përditshme të gjithsecilit.

Gjatë këtyre 12 viteve, me mbështetjen e Ministrisë të Arsimit të Rinisë dhe Sporteve dhe të Shoqatës Shqiptare të Bankave  janë krijuar e zbatuar projekte të panumërta edukative. Ato u janë drejtuar grup-moshave të ndryshme, duke filluar nga trajnimet e mësuesve dhe të gazetarëve, broshurat drejtuar publikut të gjerë, deri tek programet dedikuar shkollave të mesme si libri “Financat personale në duar tuaja”, paketa mësimore për klasat fillore, si dhe aplikacionet mbi paranë.

Muzeu i Bankës së Shqipërisë është pasqyra më e mirë e përpjekjeve tona për të rritur njohuritë për paranë. Hapësira shume funksionalë e Muzeut i ofron vizitorit një platformë që i ndihmon të mësojë mbi historinë monetare të vendit, funksionet dhe rëndësinë e bankës qendrore, si dhe të pasurojë kulturën e tij financiare.

Java e Parasë është një festë mbarë botërore e ndërtuar për të frymëzuar fëmijët dhe të rinjtë për të mësuar rreth çështjeve të parasë, mjeteve të jetesës dhe sipërmarrjes, duke u bërë kështu qytetarë të përgjegjshëm dhe të aftë financiarisht në të ardhmen.

Duke filluar nga dita e sotme e deri në datën 31 mars 2019, në plot 169 vende të globit, do të festohet Java e Parasë. Këtë vit, me iniciativë të “ Child and Youth Finance International” dhe me mbështetjen e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), është siguruar angazhimi i mbi 53.000 institucioneve dhe organizatave anembanë globit dhe përfshirjen e mbi 32 milionë fëmijëve dhe të rinjve.

Tema ndërkombëtare e këtij viti, rreth së cilës të gjithë partnerët organizojnë aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukative, është “Mëso. Kurse. Fito”.

Ne si pjesëmarrës aktiv në veprimtaritë e kësaj Jave kemi zgjedhur të fokusohemi tek edukimi i të rinjve për të mënjanuar përdorimin e gabuar të termave “lek i ri” dhe “lek i vjetër” në marrëdhëniet tona të përditshme financiare.

Motoja jonë për këtë vit është “Tepër i ri për të folur me Lekë të vjetër!”.

Kjo është edhe tematika e shumicës së konkurseve tona. Me këtë rast duke i falënderuar në emër të Bankës së Shqipërisë të gjithë pjesëmarrësit i inkurajoj ata të bëhen pjesë aktive e përpjekjeve për të mënjanuar këtë terminologji të gabuar.

Edhe këtë vit, Banka e Shqipërisë, me mbështetjen e përhershme të Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe me ndihmën të vyer të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, do të organizojnë aktivitete të larmishme për t’i ndërgjegjësuar fëmijët dhe të rinjtë mbi këtë çështje që na prek të gjithëve. Kështu, gjatë javës do të organizojmë leksione, konkurse, vizita në banka dhe në Muzeun e BSH, me synim përfshirjen e një numri sa më të madh nxënësish dhe studentësh.

Si në çdo aktivitet tjetër edukues të Bankës së Shqipërisë, në konkurset tona vlerësohet dhe inkurajohet frymëzimi, origjinaliteti dhe të menduarit pro aktiv.

Punët pjesëmarrëse në konkurset tona, fituesit e të cilave i kemi sot në sallë, i përmbajnë të gjitha këto karakteristika. Gjej rastin t’i përgëzoj personalisht për punimet e shumta dhe cilësore të paraqitura gjate fazës së konkurrimit. Puna dhe angazhimi i tyre janë burim frymëzimi i përhershëm për Bankën e Shqipërisë, për të sjellë projekte gjithnjë e më ambicioze.

Konkurset me projekte për klasat VI, me fotomontazhe për klasat IX dhe me video për shkollat e mesme, edhe këtë vit, kanë pasur pjesëmarrje të lartë, me rreth 340 nxënës nga 40 shkolla.

Një falënderim shkon për mësuesit dhe pedagogët, përkushtimi dhe pasioni i të cilëve përbën elementin kyç, të domosdoshëm për realizimin e të gjitha projekteve tona.

Në fund dëshiroj t’ju falënderoj të gjithëve për angazhimin e deritanishëm, si dhe t’i ftoj institucionet pjesëmarrëse të vijojmë bashkëpunimin edhe në të ardhmen, për të çuar përpara përpjekjet tona për edukimin financiar të fëmijëve dhe të rinjve, duke ndikuar kështu të gjithë shoqërinë shqiptare.