BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë zj. Elisabeta Gjoni, në Konferencën e Bankës së Shqipërisë “Modernizimi i sistemeve të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri”

Data e publikimit: 21.06.2018

 

Mirëmëngjesi,

Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen në konferencën mbi modernizimin e pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri. Banka e Shqipërisë ndjehet e nderuar me praninë e përfaqësuesve nga Banka Qendrore Evropiane, Banka Botërore, Banka e Italisë, e Kosovës e Serbisë, e operatorëve dhe ofruesve të shërbimeve në fushën e pagesave, të mirënjohur në tregun ndërkombëtar, përfaqësuesve të industrisë bankare e të pagesave në Shqipëri, autoriteteve shtetërore dhe personalisht të Guvernatorit dhe të Zëvendëskryeministres zj. Senida Mesi.

Konferenca zhvillohet vetëm një ditë pas mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, ku anëtarët e tij ndërmorën angazhime të rëndësishme për zhvillimin e pagesave dhe përfshirjen financiare. Produkti kryesor ishte miratimi i Strategjisë së zhvillimit të pagesave me vlerë të vogël, 2018-2023.

498 DSC4664-2

Sistemi i pagesave me vlerë të vogël është një komponent jetësor i tregjeve financiare, i ekonomisë në përgjithësi, por dhe i çdo qytetari si përdorues fundor. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë e vendos si prioritet modernizimin e pagesave me vlerë të vogël.

Bankat kanë dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin e pagesave deri më sot, duke investuar shumë për platforma të reja teknologjike, instrumente moderne pagesash, karta nga emrat më të mirënjohur në tregun ndërkombëtar. Gjatë viteve të fundit, rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luajnë dhe institucionet financiare jobanka, duke përqafuar zgjidhje inovative. Autoritetet shtetërore kanë zhvilluar e iniciuar platforma elektronike për shërbimet e pagesave publike si taksat etj.

Progresi është i dukshëm, po të krahasohemi me 10-20 vite më parë, por referencat tona janë vizionare: janë vendet ku ne aspirojmë të integrohemi dhe arritja e një shoqërie gjerësisht të përfshirë financiarisht, ku përdorimi i instrumenteve elektronike të pagesave të jetë pjesë e përditshmërisë.

Bazuar në këtë vizion, Banka e Shqipërisë ka vendosur në fokus modernizimin e pagesave me vlerë të vogël, për të sjellë një ndryshim të prekshëm.

Në bashkëpunim dhe me të gjithë aktorët e tregut dhe ekspertizën e çmuar të Bankës Botërore, si dhe mbështetur nga fondet e SECO-s, Banka e Shqipërisë finalizoi një sërë analizash dhe studimesh mbi gjendjen e pagesave në Shqipëri; përmend këtu vetëm 3 raporte kryesore (të publikuara në faqen tonë të internetit):

  1. i ashtuquajturi projekti PAFI, mbi analizimin e tregut për përfshirjen financiare, i zbatuar dhe në një sërë vendesh të tjera të cilat synonin reformimin e sistemeve të pagesave me vlerë të vogël dhe nxitjen e përfshirjes financiare;
  2. raporti i tregut të remitancave si komponent përbërës i sistemeve me vlerë të vogël;
  3. studimi mbi matjen e kostove të instrumenteve të pagesave, i cili jo vetëm identifikon kostot për secilin instrument, duke identifikuar cash-in si mjetin më të kushtueshëm për ekonominë shqiptarë, por parashikon dhe skenarë zëvendësimi me instrumente të ndryshme inovative, të cilat reduktojnë këto kosto.

Gjetjet nga analizimi i tregut, identifikimi i nevojave dhe hapësirave për ndërhyrje, u materializuan në një strategji kombëtare për reformimin e sistemeve të pagesave me vlerë vogël, për vitet 2018-2023.

Strategjia synon që përmirësimet në tregun e pagesave me vlerë të vogël t’u japin qytetarëve shqiptarë më shumë mundësi zgjedhjeje për të kryer transaksionet e tyre të përditshme, në mënyrë të lehtë dhe me kosto efektive, duke mbështetur objektivin për një përfshirje më të gjerë financiare.

Strategjia përcakton objektiva konkretë e të matshëm, si për shembull dyfishimin e popullsisë që zotëron një llogari bankare (nga 38% në 2014, në 70% në vitin 2022), apo rritjen e numrit të pagesave elektronike për frymë nga 4.3 në 2016, në 10 në vitin 2022 (rritje 130%).

Strategjia synon përmirësime ligjore dhe rregullative, të cilat i hapin rrugë nismave novative dhe zhvillimit të tyre në kushte të një konkurrence të paanshme e të hapur. Në këtë angazhim, Banka e Shqipërisë përfundoi hartimin e projektligjit “Për shërbimet e pagesave në Republikën e Shqipërisë”. Miratimi dhe zbatimi nga tregu i këtij ligji, vlerësohet se do të ketë një kontribut thelbësor për krijimin e shërbimeve me kosto të ulëta dhe lehtësisht të aksesueshme nga publiku i gjerë nëpërmjet nxitjes së konkurrencës dhe inovacionit, e mbështetur gjithashtu me një regjim prudencial nga pikëpamja e mbrojtjes së konsumatorit. Tematikë kjo e seancës së parë të konferencës.

Strategjia synon edhe përmirësime infrastrukturore. Në këtë këndvështrim, parashikohen një sërë masash për nxitjen e ndërveprimit midis aktorëve të ndryshëm nga pikëpamja infrastrukturore, me qëllim reduktimin e kostove sidomos për përdoruesit fundorë.

Krijimi i një platforme kombëtare për procesimin e pagesave me kartë vlerësohet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e kostove të larta e përmirësimin e praktikave aktuale të procesimit të kartave, si rrjedhojë e cikleve të tejzgjatura dhe përfshirjes së shumë aktorëve në proces. Një platformë e tillë, mbështet dhe shërbime inovative si pagesat me celular dhe e-wallet.

Banka e Shqipërisë po hulumton mundësitë e zhvillimit të instant payment edhe në tregun tonë. Zbatimi i një projekti të tillë vlerësohet të ketë impakt të drejtpërdrejtë në përfshirjen financiare e në ofrimin e shërbimeve me kosto të ulëta. Ndaj ju ftoj të gjithëve, të jeni mjaftueshëm aktivë në diskutime për të përfituar sa më shumë nga përvoja e vendeve të tjera dhe për të analizuar mundësitë e prezantuara nga ofruesit e shërbimeve, të ftuar për këtë tematikë në seancën e pasdites.

Për më shumë, vëmendje të veçantë nga pikëpamja e përfshirjes financiare, strategjia i kushton dhe krijimit të konceptit të llogarisë “bazike” me kosto të ulëta me qëllim përfshirjen financiare të të gjitha shtresave të popullsisë, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike.

Së fundi, por jo më pak i rëndësishëm, është inovacioni në shërbimet shtetërore. Nismat të cilat dixhitalizojnë dhe automatizojnë shërbimet publike, kërkojnë koordinim dhe akses të platformave elektronike të të dhënave të ndryshme si të qytetarëve, të adresave, të pagesave, në funksion të këtyre shërbimeve.

Çdo zhvillim duhet shoqëruar me edukimin financiar të popullsisë si kusht i suksesit.

Diskutimet e kësaj konference do të sjellin në tavolinë këndvështrime të aktorëve të ndryshëm dhe vendeve të ndryshme (si të rregullatorëve, ashtu dhe të zhvilluesve apo ofruesve të shërbimeve, të autoriteteve dhe ekspertëve) dhe mendoj se kjo do të iluminojë tematikat kyçe të modernizimit të sistemeve të pagesave me vlerë të vogël në Shqipëri.