BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e Zëvendësguvernatores së Parë të Bankës së Shqipërisë, zj. Elisabeta Gjoni në prezantimin e projektit Greenback 2.0 për Shqipërinë, si vend pritës i remitancave

Data e publikimit: 21.03.2018

 

Shkëlqesia juaj z. Graf,

Të nderuara zj. Jaeger, Pereira dhe Dashi,

Të nderuar përfaqësues të bankave, institucioneve të shërbimeve të pagesave, të pushtetit lokal dhe shoqërisë civile,

Është një kënaqësi e veçantë për mua të hap këtë aktivitet mbi prezantimin e projektit GreenBack.

Ky projekt është një hap i mëtejshëm i bashkëpunimit tejet të frytshëm të Bankës së Shqipërisë me Bankën Botërore në fushën e pagesave, i mundësuar nga fondet e qeverisë zvicerane.

Një iniciativë e Bankës Botërore në mbështetje të dërgesave të emigrantëve, GreenBack synon rritjen e efikasitetit të tregjeve të remitancave, kryesisht nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe edukimit financiar. Deri tani, projekti në fjalë është zbatuar në një sërë vendesh dërguese të remitancave, ndërsa tani ai zbatohet edhe në një vend pritës të remitancave, siç është vendi ynë.

E gjej me vend të theksoj se remitancat dhe rëndësia e tyre për ekonominë shqiptare kanë qenë gjithnjë në fokusin e Bankës së Shqipërisë. Efekti i këtyre flukseve është vlerësuar se ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, si nga pikëpamja makroekonomike, ashtu edhe nga këndvështrimi i familjeve dhe mirëqenies së tyre.

Më konkretisht, në Shqipëri më shumë se 1/3 e familjeve (rreth 32%) janë pritëse remitancash, të cilat vlerësohet të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre, duke financuar konsumin kryesisht për të mira të domosdoshme, edukim dhe shëndetësi, si dhe në një farë mase në investime. Remitancat kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në reduktimin e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies së këtyre familjeve. Në nivel global, vlerësohet se një rritje e remitancave me 10% ndikon në zbutjen e varfërisë me 3.5%.

Për zbatimin e projektit GreenBack është përzgjedhur Berati, si një nga qytetet me flukse të larta dërgesash nga emigrantët, në kuadër të mbështetjes së remitancave dhe të përdorimit të tyre nga familjet. Në rast të një impakti pozitiv nga zbatimi i këtij projekti pilot, kjo eksperiencë fare mirë mund të shtrihet edhe në qytete apo rajone të tjera pritëse, duke zgjeruar efektin në nivel kombëtar.

Projekti GreenBack, siç do të shpjegohet nga kolegët e Bankës Botërore, bën një adresim kompleks të remitancave, në këndvështrimin e pagesave, infrastrukturës teknike, përfshirjes financiare, strukturës së tregut, mbrojtjes së konsumatorëve, uljes së varfërisë - pra në kuadrin social, ekonomik dhe teknologjik. Për këtë arsye, vlen të theksohet se zbatimi me efikasitet i këtij projekti kërkon një angazhim dhe bashkëpunim të ngushtë midis aktorëve të ndryshëm. Për sa më sipër, gjej rastin të falënderoj gatishmërinë e një sërë institucionesh për përfshirjen e tyre, si në nivel rajonal ashtu edhe qendror, si dhe të inkurajoj vijimin e bashkëpunimit deri në përfundimin e projektit.

Një rol kyç kanë bankat dhe institucionet e tjera që operojnë në fushën e pagesave, të cilat i ftoj të jenë sa më aktive dhe kreative në lidhje me shërbimet e ofruara në treg. Nga përvoja ndërkombëtare vlerësohet se remitancat mund të shërbejnë si një mjet i rëndësishëm për zgjerimin e përfshirjes financiare të popullsisë, dhe si rrjedhim në nxitjen e aktivitetit ndërmjetësues, duke krijuar potenciale të reja për aktivitetin tuaj.

Do të veçoja këtu dhe rëndësinë që kanë kostot në dërgimin e remitancave. Ndikimi i këtyre kostove është evidentuar nga një sërë organizatash ndërkombëtare, të cilat po ndërmarrin hapa konkretë, me qëllim reduktimin e tyre. Më konkretisht, në vitin 2009 G8 dhe më vonë G20, me qëllim nxitjen e dërgesave të emigrantëve, vendosën si objektiv reduktimin e kostove të dërgimit të remitancave në nivel global në 5%, ndërkohë që në vitin 2016, Kombet e Bashkuara, në kuadër të zhvillimit të qëndrueshëm, kanë ndërmarrë një objektiv tejet ambicioz, i cili synon reduktimin e këtyre kostove në 3% në 2030, dhe eliminimin e korridoreve të remitancave me kosto mbi 5%. Reduktimi i kostove për dërgesat e emigrantëve duhet të përbëjë një prioritet edhe për ne. Nga analizimi i të dhënave të disponueshme rezulton se kostot për dërgimin e remitancave në Shqipëri janë mbi 8%, duke arritur edhe në 14% për korridore të caktuara, nivele këto shumë më të larta krahasuar me objektivat e sipërcituara, por dhe me mesataren e rajonit.

Ndërkohë, nga ana e Bankës së Shqipërisë, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet përmirësimeve rregullative dhe ligjore, të cilat do të identifikohen gjatë zbatimit të këtij projekti, si dhe nëpërmjet rolit katalizator, duke mbështetur edukimin financiar dhe promovimin e projekteve të ndryshme që mund të kontribuojnë në arritjen e këtyre synimeve.

Duke mos dashur të shkoj më tej në lidhje me projektin GreenBack, i cili në vijim do të elaborohet me detaje në prezantimet e përfaqësuesve të Bankës Botërore, dua ta mbyll fjalimin tim duke shprehur falënderimin e Bankës së Shqipërisë për Bankën Botërore, për bashkëpunimin tejet të frytshëm në fushën e pagesave, ku mund të përmendim një sërë analizash dhe raportesh në kuadër të përfshirjes financiare, të cilat u materializuan në: hartimin e një projektstrategjie kombëtare për sistemet me vlerë të vogël; studimin e kostove të instrumenteve të pagesave në Shqipëri; hartimin e ligjit “Për shërbimet e pagesave”; vlerësimin e sistemeve të operuara nga Banka e Shqipërisë; dhe së fundmi, në analizimin dhe adresimin e boshllëqeve dhe nevojave të tregut të remitancave në nivel kombëtar.

Materializimi i këtyre projekteve, përfshirë projektin pilot GreenBack që do të implementohet në qytetin e Beratit, është bërë i mundur falë mbështetjes financiare me fonde të qeverisë zvicerane, SECO. Gjej rastin të shpreh vlerësimet tona më të larta për këtë asistencë dhe një falënderim të veçantë për Ambasadorin e Zvicrës, Shkëlqesinë e tij z. Graf, që me prezencën e tij tepër aktive dhe mbështetjen vazhdueshme, duke ndjekur nga afër ecurinë e projekteve, ka kontribuuar personalisht në mbarëvajtjen e tyre.