BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e Zëvendësguvernatorit të Bankës së Shqipërisë Prof. Assoc. Dr. Fatos Ibrahimi, aktivitetet bankare dhe financiare në Shqipëri dhe Evropën Juglindore

Data e publikimit: 16.05.2008

 

I nderuar z. Ministër,
Të nderuar pjesëmarrës
,

Është kënaqësi të marr pjesë në këtë forum kaq të rëndësishëm promovues dhe të paraqes disa nga zhvillimet kryesore të sistemit bankar në Shqipëri, si një nga sektorët me zhvillimin më të shpejtë dhe me kontribut pozitiv në rritjen e qëndrueshme ekonomike disa vjeçare dhe në stabilitetin makroekonomik të vendit.

Aktiviteti financiar në Shqipëri ashtu si edhe në vendet e tjera të Evropës Juglindore, gjatë këtyre viteve të fundit ka njohur zhvillime të konsiderueshme dhe të rëndësishme.

Një nga tiparet kryesore të vëna re është se aktiviteti financiar në Shqipëri mbizotërohet nga aktiviteti bankar, ndërsa aktiviteti jobankar mbetet tepër i kufizuar. Në fund të vitit 2007, totali i aktiveve të sistemit bankar përbënte rreth 96.8% të totalit të aktiveve të të gjithë sistemit financiar, ndërsa ato të sistemit jobankar vetëm 3.2%. Për rrjedhojë është evidentuar nevoja për të reformuar sistemin financiar jobankar dhe për të mundësuar një mbikëqyrje sipas praktikave më të mira të tij. Këtij qëllimi i shërbeu edhe ngritja e Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare, në vitin 2006. Zhvillimi i ndërmjetësve financiarë jobankarë dhe tregjeve të kapitalit, do të ofronte mënyra alternative financimi dhe do të ndikonte pozitivisht në rritjen e eficiencës dhe konkurrencës së sistemit financiar.

Një tjetër tendencë e rëndësishme është se shkalla e ndërmjetësimit bankar në Shqipëri ka njohur rritje të konsiderueshme vitet e fundit, por është e ulët në krahasim me atë të vendeve të Eurozonës. Totali i aktiveve të sistemit bankar ndaj PBB-së në Shqipëri ishte përkatësisht 76%, 69% dhe 60% në fund të viteve 2007, 2006 dhe 2005 respektivisht. Ky tregues për Shqipërinë është afër mesatares për vendet e Evropës Juglindore, por mbetet shumë larg mesatares për vendet e Eurozonës ku vlera arrin në rreth 240%. Rritja e ndërmjetësimit bankar vihet re edhe në shtimin e llojshmërisë së produkteve financiare, në mbulimin më të madh gjeografik dhe në rritjen e shpejtë të kredisë.

Rritja e shpejtë e kredisë përbën një çështje tepër të rëndësishme dhe mjaft delikate për sistemin bankar, prandaj do të doja të ndalesha pak më gjatë për të shpjeguar se cilët janë faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje kaq të vrullshme këto 4-5 vitet e fundit, çfarë ndikimesh ka ajo në rritjen ekonomike në përgjithësi dhe në stabilitetin e sistemit financiar në veçanti?

Teprica e kredisë në Shqipëri ka shfaqur norma të larta rritjeje vjetore: 48%, 55% dhe 82% gjatë viteve 2007, 2006 dhe 2005 respektivisht. Në këtë mënyrë Shqipëria është evidentuar si një nga vendet me rritjen më të lartë të kredisë gjatë këtyre tre viteve të fundit. Gjithsesi, teprica e kredisë ndaj PBB-së në Shqipëri për vitin 2007 ishte 30% dhe për vitin 2006 ishte 22%, duke qenë e ulët në krahasim me atë të Eurozonës. Studimi "Bankingu në Evropën Juglindore" nga ekipi kërkimor i Deutsche Bank, ndërmjet të tjerave, vlerëson se cili duhet të ishte niveli ekuilibër i kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së për disa vende të rajonit, në rast se do të ishte arritur konvergjenca me atë të Eurozonës. Sipas këtij studimi, ky nivel për Shqipërinë duhet të ishte rreth dy herë më i lartë se niveli aktual.

Në këtë aspekt, rritja e shpejtë e kredisë, nga njëra anë, shpjegohet si një proces i nevojshëm konvergjence që ndihmon rritjen ekonomike të mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe nga fakti se llogaritet mbi një bazë fillestare tepër të ulët. Nga ana tjetër, komentohet si një fenomen i rrezikshëm si për stabilitetin e çmimeve nëpërmjet ndikimit në kërkesën agregate, ashtu edhe për stabilitetin financiar nëpërmjet shpalosjes së çmimeve të paqëndrueshme për asete të ndryshme. Rritja e shpejtë e kredive në shumë vende është shoqëruar me një rritje tullumbace të çmimeve të aseteve të ndryshme, si për shembull të çmimeve të pasurive të paluajtshme, të cilat më pas kanë shpërthyer dhe kanë ndikuar negativisht vlerën e kolateralit dhe cilësinë e kredive të emetuara ndaj tyre. Rasti më i freskët i pasojave të këtij fenomeni është kriza e tregut "sub-prime" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila ende nuk i ka shterur pasojat e veta negative dhe kontaminuese edhe për vendet e tjera. Kjo krizë duke u shfaqur si një krizë likuiditetesh, me ndikime të drejtpërdrejta në tregjet e kapitalit e shoqëruar me krizën e produkteve ushqimore, si dhe me rritjen e shpejtë të çmimit të naftës ka shtruar mjaft pikëpyetje për perspektivat e zhvillimit të ekonomisë botërore. Banka e Shqipërisë vlerëson që situata e vështirë që po kalojnë tregjet financiare ndërkombëtare përfaqëson një element të ri rreziku për sistemin financiar shqiptar. Por, për aq kohë sa ajo nuk shndërrohet në një krizë financiare globale me pasoja në ekonominë reale botërore dhe veçanërisht atë evropiane, do të jetë relativisht e pandjeshme për tregun e brendshëm. Në mbështetje të këtij konkluzioni është zhvillimi relativisht i ulët i tregut të brendshëm financiar dhe mungesa e produkteve të sofistikuara siç janë instrumentet derivateve, të cilat mungojnë në portofolet e bankave tona. Në këtë konkluzion ndikojnë gjithashtu edhe nevojat relativisht të ulëta që paraqesin institucionet financiare shqiptare për t'u financuar në tregun ndërkombëtar, pasi ende ka hapësira për burime të brendshme financimi.

Në këto kushte, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë kontrollit të cilësisë së portofolit të kësaj kredie. Për rrjedhojë, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të tepricës së kredive (bruto) ka shfaqur nivele të ulëta por me një tendencë rritëse, duke qenë 3.4%, 3.1% dhe 2.3% për vitet 2007, 2006 dhe 2005 respektivisht. Masat më të fundit në këtë drejtim janë edhe hyrja në fuqi e ligjit të ri "Për bankat në Republikën e Shqipërisë" në qershor 2007 dhe miratimi i rregulloreve të reja e ndryshimi i atyre ekzistuese, që vënë theksin në një mbikëqyrje më efektive, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian dhe parimet e Komitetit të Bazelit. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë realizoi vënien në funksionim të Regjistrit të Kredive, në janar 2008. Duke ofruar një instrument tepër të rëndësishëm për thellimin e analizës dhe uljen e rrezikut të kredive nga ana e bankave.

Nëse do të flasim për strukturën e kredisë, ajo ka pësuar ndryshime në vitet e fundit si përsa i përket sektorëve të ekonomisë, maturimit apo edhe valutës. Vlen për t'u përmendur se pavarësisht ndryshimeve, disa tipare janë mbizotëruese për një kohë të gjatë në sistemin, bankar shqiptar. Me gjithë zhvillimet pozitive në drejtim të rritjes së kreditimit ndaj individëve, bankat vazhdojnë të kenë bizneset si segmentin më të preferuar të tyre, ku teprica e kredisë për këta të fundit përbën rreth 63% të kredive të sistemit në fundin e vitit 2007. Kështu, sektorët më të kredituar janë tregtia, industria përpunuese dhe ndërtimi, ndërsa kreditimi për një nga sektorët më të rëndësishëm, atë të bujqësisë, mbetet i kufizuar. Kreditimi në valutë është një tjetër karakteristikë e vendeve të Evropës Juglindore dhe Shqipërisë. Pavarësisht se pesha e kredisë në lekë është rritur gjatë këtyre viteve të fundit, ajo mbetet përsëri e ulët. Nga pikëpamja e maturimit, sistemi bankar po karakterizohet nga një zhvendosje drejt kredisë afatmesme e sidomos asaj afatgjatë, pasojë kjo edhe e rritjes së kërkesave për këto lloj kredish, në kuadrin e shumllojshmërisë së produkteve që bankat ofrojnë tashmë.

Kërkesa për blerjen dhe ndërtimin e shtëpive (sidomos për metropolet ku përqendrimi i popullsisë është i lartë) ka ardhur vazhdimisht në rritje, e shoqëruar kjo me një rritje edhe të kërkesës për kredi, për pasuri të paluajtshme. Ky produkt konsiderohet tashmë si një nga llojet e kredive, me interes si për bankat, ashtu edhe për klientët. Pesha e kësaj kredie ka ardhur në rritje dhe në tremujorin e parë të vitit 2008 përbënte rreth 24 për qind të portofolit të kredive të sistemit bankar shqiptar. Gjithsesi, vlen të përmendet se ndërsa vendet e Evropës Qendrore Lindore arrijnë nivele dyshifrore të raportit të kredive për pasuri të paluajtshme me PBB-në, vendet e rajonit përfshirë edhe Shqipërinë, janë në nivele shumë më të ulëta. Për vendin tonë kjo shifër llogaritet afërsisht 7 për qind, e krahasueshme me vendet e tjera të Evropës Juglindore.

Një tjetër tipar i evidentuar në sistemin bankar shqiptar dhe në ato të shumicës së vendeve të Evropës Juglindore është kostoja e lartë e ndërmjetësimit, e cila ka ardhur vazhdimisht në rritje, megjithëse ritmi i rritjes është ngadalësuar. Ky marzh i lartë i referohet rritjes së investimeve të bankave në aktive me rrezik më të lartë dhe ndryshimit të strukturës së depozitave në favor të atyre në valutë, me norma më të ulëta interesi. Sipas një studimi të FMN-së, mendohet se këto kosto të larta ndërmjetësimi pengojnë zhvillimin ekonomik të rajonit dhe flasin për një mungesë eficience. Ndryshimi i ambientit të biznesit nëpërmjet reformave institucionale dhe nxitja e konkurrencës midis bankave, zhvillimi i sektorit jobankar, do të ishin hapat e përshtatshëm për rritjen e eficiencës dhe uljen e kostove të ndërmjetësimit financiar.

Tendencë pozitive përbën edhe rritja e rolit dhe interesit të grupeve të mëdha financiare për të hyrë në tregun bankar shqiptar dhe në atë të Evropës Juglindore. Aktualisht, në tregun bankar shqiptar operojnë aktorë austriakë (Raiffeisen Bank), italianë (San Paolo Imi), francezë (Societe Generale), turq, grekë, bullgarë, arabë etj.. Investimet e huaja vlerësohen shumë të rëndësishme për vendet në zhvillim, pasi ato ndikojnë pozitivisht në situatën makroekonomike, teknologjike dhe institucionale të vendeve pritëse. Përvoja e gjerë gjatë dekadave të fundit tregon se IHD-të (Investimet e Huaja Direkte) financiare, përmirësojnë shëndetin e sistemit financiar vendas, nëpërmjet administrimit më të mirë të rrezikut të portofolit dhe alokimin më eficient të fondeve për kredi. Gjithashtu, sjellja e risive teknologjike nga IHD-financiare ndikon në rritjen e nivelit të konkurrencës dhe të eficiencës në sistemin bankar, duke rritur numrin e produkteve dhe të shërbimeve të tyre. Përveç këtyre efekteve pozitive, prania e bankave të huaja në vend sjell përmirësime dhe në kuadrin institucional duke nxitur aplikimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, raportimit dhe kontrollit gjë që ndihmon jo vetëm në vendimmarrjen e bankave tregtare, por edhe të Bankës Qendrore.

Prania e hershme e bankave të huaja në sistemin bankar shqiptar ka ndikuar në ngritjen e një sistemi bankar të qëndrueshëm. Pavarësisht goditjeve të pësuara në vitin 1997 apo krizës së panikut në vitin 2002, në asnjë rast performanca e sistemit nuk ka qenë burim i krizës apo destabilitetit.

Sidoqoftë, përfitimet ekonomike nga prania e bankave të huaja nuk kanë arritur ende në masën e duhur. Mbeten ende larg asaj që do të dëshironim, përsa i përket rritjes së cilësisë së informacionit si për publikun e gjerë, ashtu dhe për Bankën Qendrore, uljen e kostos së ndërmjetësimit, përmirësimin e mëtejshëm të administrimit të rrezikut si dhe njehsimin e sistemeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar.

Rol tepër të rëndësishëm kanë luajtur edhe institucionet financiare ndërkombëtare, si për shembull FMN-ja, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane për Investime etj., si në drejtim të asistencës dhe promovimit të sistemit financiar, ashtu edhe në drejtim të ndërmjetësimit të financimeve dhe investimeve, përsëri në mbështetje të rritjes ekonomike dhe qëndrueshmërisë së llogarisë korente.

Tema e sotme ofron një mundësi të mirë për të komentuar shkurtimisht mbi sigurinë dhe rreziqet e sistemit bankar. Indikatori i mjaftueshmërisë së kapitalit për sistemin bankar ka qenë 17.1%, 18.1% dhe 18.6% për vitet 2007, 2006 dhe 2005 respektivisht, duke qenë mbi nivelin 12% të kërkuar nga kuadri rregullator. Pavarësisht ekzistencës së një tendence afatgjatë të rënies së këtij indikatori, norma e rënies këto tre vitet e fundit është më e vogël se gjatë viteve të mëparshme. Gjithashtu, sistemi bankar në Shqipëri gëzon indikatorë të kënaqshëm të përfitueshmërisë. Për vitet 2007, 2006 dhe 2005 respektivisht, kthimi nga aktivet mesatare ka qenë 1.57%, 1.36% dhe 1.4%, ndërsa kthimi nga kapitali ka qenë 20.74%, 20.17% dhe 22.24%.

Nga ana tjetër, ekzistojnë edhe rreziqe që nevojitet të trajtohen me vigjilencën e duhur. Rritja e shpejtë e kredisë, për të cilën u shpreha edhe pak më sipër, nevojitet të monitorohet me kujdes përsa i përket cilësisë së saj dhe kjo përbën edhe një nga fokusimet aktuale të Bankës së Shqipërisë. Gjithashtu, një rrezik tjetër është edhe ai nga kursi i këmbimit. Teprica e kredisë është 72.5% në valutë, ndërsa të ardhurat e sektorit privat dhe individëve janë kryesisht në lekë. Për rrjedhojë, një zhvlerësim i mundshëm i lekut, i nxitur prej nevojës për reduktimin e deficitit tregtar, do të ndikonte negativisht aftësinë paguese të kredimarrësve në valutë dhe më tej cilësinë e këtyre kredive. Së fundmi, edhe dinamika e pafavorshme e çmimeve të burimeve energjitike, lëndëve të para dhe produkteve ushqimore, rrit presionet inflacioniste dhe mund të ndikojë sistemin financiar, si pasojë e shtrëngimit të kushteve monetare dhe financiare të brendshme apo të jashtme.

Në përfundim do të thoja se, si rezultat i reformave të ndërmarra sistemi bankar shqiptar, si pjesa më dinamike e sistemit financiar ka shënuar progres të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit. Ky progres është fryt i vizionit të qartë dhe seriozitetit me të cilin e kanë trajtuar autoritetet shqiptare reformimin e sistemit bankar, bashkëpunimit të efektshëm që kanë patur këto autoritete me institucione financiare ndërkombëtare si FMN e BB, për hartimin e strategjive afatmesme e më tej, për zhvillimin e këtij sektori si një sektor jetik i ekonomisë së tregut, si dhe i sfidave të shumta me të cilat ai është ndeshur gjatë këtyre viteve.

Ju faleminderit.