BANKA E SHQIPËRISË

Gjendja e sistemit bankar dhe sfidat në të ardhmen
Fjala e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë, z. Fatos Ibrahimi, në European Finance Convention, Tiranë, 14-15 shtator 2007

Data e publikimit: 14.09.2007

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Do të doja të shprehja jo vetëm kënaqësinë time për pjesëmarrjen në këtë samit, por edhe të paraqes disa nga zhvillimet kryesore që kanë ndodhur në një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, në sistemin bankar.

Në këtë diskutim do të ndalem në dy çështje kryesore:

Së pari, hapat kryesorë që ka ndjekur reforma në fushën bankare, duke trajtuar problematikën që lidhet me bankat tregëtare si dhe zhvillimet financiare të sistemit në vitet e fundit.

Së dyti, aspiratat e ekonomisë shqiptare për thithjen e investimeve të huaja direkte, rëndësia e tyre në sistemin tonë financiar dhe implikimet e rritjes së IHD-ve në të ardhmen.

1) Ecuria e sistemit bankar shqiptar.

Reforma në fushën bankare, ishte pjesë e reformave strukturore që ndërmorrën autoritetet shqiptare pas vitit 1992 dhe që synonin, krahas stabilizimit makroekonomik, transformimin e ekonomisë shqiptare në një ekonomi tregu, nëpërmjet privatizimit të ekonomisë, krijimit të institucioneve financiare dhe institucioneve të mbrojtjes sociale.

Me kalimin në ekonominë e tregut, Shqipëria ka përjetuar një proces të vazhdueshëm të konsolidimit të sektorit bankar. Në pjesën më të madhe të viteve '90, ky proces ishte relativisht i ngadaltë si pasojë e zhvillimeve në tregjet financiare informate, të cilat kishin infektuar zhvillimin ekonomik e financiar të vendit. Përqindjet e larta të interesit të ofruara nga këto tregje mbanin pezull efektivitetin e politikës monetare në drejtimit të normës së interesit. Përveç kësaj, probleme të tjera si për shembull, përqendrimi i lartë i depozitave dhe kredive në tre bankat shtetërore, humbjet operacionale të tyre si rezultat i rritjes së portofolit të kredive me probleme, të favorizuara nga një kuadër rregullator i pazhvilluar dhe jokoherent i mbikëqyrjes, ishin bërë pengesë për shtrirjen e reformave në sektorin bankar.

Procesi i konsolidimit të sistemit bankar që mori hov pas kësaj periudhe, karakterizohet nga reduktimi i peshës së bankave shtetërore, privatizimi gradual i tyre si dhe rritja e ndjeshme e numrit të bankave private nga 4 që operonin në vitin 1997, në 17 banka në vitin 2006. Në këtë drejtim, banka qendrore është treguar tepër e kujdesshme në përzgjedhjen dhe licencimin e bankave private. Gjatë kësaj periudhe u licencuan edhe tre banka me kapital tërësisht shqiptar.

Pavarësisht nga shtimi i numrit të bankave tregtare në vend, zgjerimi i aktivitetit bankar deri në vitin 2003 ka rezultuar i kujdesshëm duke iu përmbajtur zhvillimit ekonomik të vendit. Gjatë periudhës 1998-2003, mjetet totale të sektorit bankar janë rritur mesatarisht me 13 për qind në vit, në harmoni me rritjen e PBB-së nominale gjatë kësaj kohe. Megjithatë, në tre vitet e fundit 2004-‘06 vihet re një zgjerim akoma më i vrullshëm i mjeteve bankare me 67 për qind, shifër kjo 2-3 herë më e lartë se rritja kumulative e PBB-së nominale. Si rezultat i rritjes së besimit në sistemin bankar vendas, madhësia e tij në raport me PBB-në në vitin 2006 është ngritur në nivelin prej 70 për qind, raport ky tashmë i krahasueshëm me ato të vendeve të Evropës Qendrore-lindore.

Një situatë e kënaqshme paraqitet edhe përsa i përket kredisë bankare ndaj sektorit privat dhe individëve. Norma e rritjes së saj ka tejkaluar vazhdimisht ritmin e zgjerimit të mjeteve bankare. Gjatë viteve të fundit, kredia private është përmirësuar ndjeshëm duke shënuar një rritje kumulative prej 175 për qind për periudhën 2005-‘06, rritja më e lartë në rajon dhe në vendet e Evropës Qendrore-lindore. Një karakteristikë mbështetëse në favor të bankave kredituese të huaja është zgjedhja e lirë e monedhës së kreditimit, ku gati 3/4 e huasë totale janë dhënë në monedhë të huaj.

Deri tani mund të gjykojmë se oferta e kredisë është në nivele prudente, pasi portofoli i kredive me probleme edhe pse ka pësuar një ngritje modeste në 3.1 për qind të kredisë bruto në vitin 2006, flet për një ekspozim të kufizuar të sektorit bankar ndaj rrezikut të mospagesave në kohë. Por, megjithë përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së aktiveve dhe ecurisë financiare të bankave tregëtare, shtrirja e kredidhënies ndaj sektorit privat dhe individëve mbetet akoma e ulët në raport me PBB-në - rreth 21.3 për qind në vitin 2006, krahasuar me 49 për qind në Evropën Qendrore-lindore - që tregon për kapacitete të tjera të pashfrytëzuara të shërbimeve bankare në ekonominë shqiptare.

2) Legjislacioni bankar.

Gjatë këtyre viteve është punuar edhe për të bërë përmirësimet në legjislacionin për sistemin financiar. Këto përmirësime u diktuan nga nevoja e adoptimit të direktivave evropiane në këtë fushë, si dhe të parimeve të Bazelit për një mbikëqyrje efektive. Ky proces u finalizua me sukses me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë të ligjit nr. 9662 "Për bankat në Republikën e Shqipërisë". Krahasuar me legjislacionin që zëvendësoi, ligji i ri është më i plotë dhe më i saktë në disa elemente të tij, duke futur koncepte të reja në përputhje me direktivën evropiane 83/349 dhe direktiva të tjera të rëndësishme. Ai parashikon ndryshime në mënyrën e licencimit të veprimtarive sipas nivelit të kapitalit, në mbikëqyrjen e konsoliduar etj.. Gjithashtu, "administrimi i rrezikut" që më parë trajtohej përmes disa rregulloreve, tashmë është përmbledhur në një kapitull të veçantë të këtij ligji.

3) Investimet e huaja direkte dhe sistemi financiar shqiptar.

Investimet e huaja vlerësohen shumë të rëndësishme për vendet në zhvillim, pasi ato ndikojnë pozitivisht në situatën makroekonomike, teknologjike dhe institucionale të vendeve pritëse. Përvoja e gjerë gjatë dekadave të fundit tregon se prania e IHD financiare përmirëson shëndetin e sistemit financiar vendas, nëpërmjet administrimit më të mirë të rrezikut të portofolit dhe alokimin më eficient të fondeve për kredi. Gjithashtu, sjellja e risive teknologjike nga IHD financiare ndikon në rritjen e nivelit të konkurrencës dhe të eficiencës në sistemin bankar, duke rritur numrin e produkteve dhe të shërbimeve të tyre. Përveç këtyre efekteve pozitive, prania e bankave të huaja në vend sjell përmirësime edhe në kuadrin institucional, duke nxitur aplikimin e standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit, raportimit dhe kontrollit, gjë që ndihmon jo vetëm në vendimmarrjen e bankave tregtare, por edhe të bankës qendrore.

Prandaj, IHD-të pritet që të ndikojnë jo vetëm në nxitjen e aktivitetit prodhues të vendit, por në të njëjtën kohë të kenë efekte të drejtpërdrejta dhe të tërthorta edhe në sistemin financiar shqiptar. Në mënyrë direkte, firmat e huaja prodhuese do të kenë nevojë për transferta dhe shërbime financiare (pagesa të pagave nëpërmjet rrjeteve ATM, POS) të cilat do të kryhen nga sistemi financiar vendas. Kompanitë ndërkombëtare të cilat investojnë në vend do të shfrytëzojnë burimet kredituese të bankave vendase për të shmangur rreziqet nga kursi i këmbimit dhe normat e interesit.

Sistemi bankar shqiptar ka pasur zhvillime të shumta lidhur me pronësinë e tij. Që prej krijimit të tij, mbizotërimi i bankave në pronësi të Shtetit Shqiptar ka ardhur duke u zvogëluar dhe mjetet e bankave të huaja sot përbëjnë mbi 90 për qind të sistemit bankar.

Rritja e numrit të bankave të huaja në sistem është favorizuar edhe nga fakti që investime të tilla në Shqipëri nuk janë penalizuar; kriteret për të hapur një bankë janë të ngjashme si për bankat e huaja, edhe për ato me kapital vendas.

Pronësia aktuale është e larmishme dhe numëron investitorë të huaj nga Austria, Italia, Greqia, SHBA, Turqia, Gjermania, Bullgaria, Malajzia e disa vende arabe. Bankat greke janë të pranishme në treg që nga viti 1996, po kështu edhe investimi gjerman dhe italian. Ndërkohë, prania e këtij të fundit është rritur rishtasi në mënyrë të konsiderueshme, duke u bërë një nga aktorët më të rëndësishëm të tregut. Investimet dominuese mund të konsiderohen ato të Austrisë, pronësia e të cilave ka ardhur si rezultat i përvetësimit të bankës më të madhe vendase me kapital shtetëror.

Prania e hershme e bankave të huaja në sistemin bankar shqiptar ka ndikuar në ngritjen e një sistemi bankar stabël dhe rritjen e qëndrueshme të tij. Pavarësisht goditjeve të pësuara në vitin 1997 apo krizës së panikut të vitit 2002, në asnjë rast performanca e sistemit nuk ka qenë burim i krizës apo destabilitetit. Më përpara, bankat e huaja janë treguar konservatore në shtrirjen gjeografike të aktivitetit të tyre; por hyrja në treg e Bankës Raiffeisen i ka shtyrë ato të jenë më aktive, çka duket qartë në shumëllojshmërinë e produkteve të ofruara në treg, rritjen e agresivitetit në kredidhënie, si dhe në ndjekjen e strategjive të qarta për të rritur ose ruajtur pjesën e tyre të tregut.

Sidoqoftë, përfitimet ekonomike nga prania e bankave të huaja nuk kanë arritur ende në masën e duhur. Mbetet akoma larg asaj që do të dëshironim, cilësia e informacionit si për publikun e gjerë, ashtu dhe për bankën qendrore, ulja e kostos së ndërmjetësimit, përmirësimi i mëtejshëm i administrimit të rrezikut, si dhe njësimi i sistemeve të kontabilitetit dhe raportimit financiar.

Tani, le të ndalemi shkurtimisht në marrëdhënien e mundshme financiare midis sistemit bankar shqiptar dhe fluksit të investimeve të huaja prodhuese. Sigurisht që, ndikimi pozitiv në rritjen ekonomike që kanë investimet e huaja direkte varet shumë nga rrethanat në vendet pritëse të tyre. Kjo kërkon si parakusht të rëndësishëm një shkallë të konsiderueshme të zhvillimit të sistemit financiar. Një sistem financiar i zhvilluar përmirëson eficiencën e alokimit të burimeve dhe në këtë kontekst, përmirëson më tej kapacitetin absorbues të vendit ndaj hyrjes së IHD-ve.

Hyrja e investitorëve të huaj do të drejtojë përqendrimin e segmenteve të tregut drejt bizneseve të mëdha. Impakti i tyre së bashku me aftësinë kredituese të tregut tonë bankar, mendohet të jetë prova vendimtare për suksesin e tyre në Shqipëri.

Konkretisht, rrethanat në Shqipëri janë të tilla që tregu ka shpërndarje jo normale të totalit të mjeteve midis bankave. Po përmendim bankat sepse sistemi financiar, për nga totali i mjeteve zotërohet në mbi 90 për qind nga sistemi bankar. Institucionet e tjera financiare jo bankare luajnë një rol shumë më të vogël se bankat tregtare. Përsa i përket këtyre të fundit, në treg gjenden emra kontribuesish (bankash) cilësorë. Prania e tyre, në realitet, shërben si një faktor tërheqës në favor të thithjes së IHD-ve.

Por nga ana tjetër, përqendrimi i aseteve dhe kredive bankare në pak banka tregëtare mbart rreziqet që të krijojë një situatë oligopolistike, ku pak lojtarë kanë në dorë kushtet për kredi të reja. Kjo do të vinte në vështirësi dhe do të rriste koston e investimeve qofshin këto në sektorin publik, privat apo atë familjar. Pavarësisht se deri në këto momente nuk janë vërejtur fenomene të manipulimit të çmimeve dhe ushtrimit të pozitave dominuese në treg, e vlerësoj të nevojshme nxitjen e një procesi gjallërimi të elementeve të tregut financiar, në përgjithësi. Ky treg ka nevojë për angazhimin real në ndërmjetësimin eficient të burimeve financiare në të gjitha segmentet e tij. Institucionet financiare jo banka duhet të bëhen më aktive, duke zgjeruar aktivitetin në segmentet e tregut në të cilat ato operojnë. Në lidhje me sistemin bankar, Banka e Shqipërisë e vlerëson shumë të rëndësishëm rigjallërimin e disa institucioneve, aktiviteti i të cilave përbën një pjesë të vogël të tregur bankar. Këto institucione duhet të bëhen më aktive, duke marrë më shumë përgjegjësi në përputhje me planet e tyre të biznesit, të gjejnë forma të reja organizimi e bashkëpunimi ndërmjet tyre, për të rritur konkurrencën dhe të sigurojnë një rishpërndarje më të drejtë të aktivitetit bankar në tregun tonë.

4) Sfidat e sistemit në të ardhmen.

Disa sektorë të ekonomisë si bujqësia, ende vazhdojnë të kreditohen pak ose aspak. Kontributi i kreditit bankar në investime prodhuese është ende i ulët dhe për më tepër, duke konsideruar peshën e lartë që zë kredia në mbështetje të aktivitetit tregtar, mund të dilet në konkluzionin se pjesa më e madhe e kredisë shkon për financimin e importeve. Po kështu, shkalla e përdorimit të sistemit bankar nuk është në parametrat që përcaktohen nga objektivat për zhvillimin ekonomik të vendit. Për më tepër, shkalla e përdorimit të cash-it në ekonomi është tepër e lartë. Së bashku, këto fenomene nxisin informalitetin dhe reduktojnë eficiencën e politikës monetare. Është detyrë dhe përgjegjësi e sistemit financiar që në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe me autoritetet e tjera shtetërore, të bëjë të gjitha përpjekjet për të mundësuar zgjidhjen e këtyre problemeve.

Në përfundim do të thosha se:
Si rezultat i reformave të ndërmarra, sistemi bankar shqiptar, si pjesa më dinamike e sistemit financiar ka shënuar progres të vazhdueshëm gjatë viteve të fundit. Ky progres është fryt i vizionit të qartë dhe seriozitetit me të cilin e kanë trajtuar autoritetet shqiptare reformimin e sektorit bankar, bashkëpunimit të frytshëm që kanë patur këto autoritete me institucionet financiare ndërkombëtare si FMN e BB për hartimin e strategjive afatmesme e më tej, për zhvillimin e këtij sektori si një sektor jetik i ekonomisë së tregut, si dhe i sfidave të shumta me të cilat ai është ndeshur gjatë këtyre viteve.

Sistemi bankar shqiptar paraqitet i sigurtë, i shëndoshë, në një proces reformimi e konsolidimi të vazhdueshëm duke kaluar në një fazë cilësisht të re, e cila do t'i ofrojë biznesit dhe klientelës së bankave një shërbim bankar modern, që synon arritjen e niveleve dhe standardeve të bankave perëndimore.

Gjithashtu, në lidhje me aspiratat e ekonomisë shqiptare dhe strategjitë për hapjen e mëtejshme të saj ndaj investitorëve të huaj, gjykojmë se këto ndërmarrje do të kenë një ndikim pozitiv në fushën makroekonomike, teknologjike dhe institucionale të vendit.

Shkalla e zhvillimit të sistemit bankar dhe flukset e IHD-ve në ekonomi janë faktorë që ndikojnë njëri-tjetrin në mënyrë të dyanshme. Kështu, në qoftë se Shqipëria arrin të tërheqë flukse të qëndrueshme dhe afatgjata IHD në vitet e mëvonshme, kjo do të ndikojë edhe në zhvillimin e mëtejshëm të sistemit financiar, duke rritur kërkesën për produkte bankare si nga firmat e huaja, ashtu edhe nga ato vendase.