BANKA E SHQIPËRISË

Fjala e hapjes në Konferencën e Parë Kombëtare ''Informacioni statistikor në Shqipëri'', Tiranë, 2-3 dhjetor 2000.

Data e publikimit: 02.12.2000

 

Nëse bota do të zvogëlohej aq sa një fshat dhe popullsia e botës do të reduktohej në 100 banorë, duke ruajtur të gjitha raportet që ekzistojnë sot, atëherë:

  • Fshati do të kishte 57 aziatikë, 21 europianë, 14 banorë nga Hemisfera Perëndimore, jug dhe veri së bashku, 8 afrikanë.
  • Në fshat do të ishin 52 femra dhe 48 meshkuj.
  • Prej banorëve të fshatit 70 do të ishin me ngjyrë dhe 30 të bardhë.
  • Besimi i tyre do të ishte për 30 vetë i krishter dhe për 70 të tjerët jo i krishter.
  • Vetëm 6 banorë të fshatit do të posedonin 59 për qind të të gjithë pasurisë së kësaj bote dhe të gjashtë do të ishin nga Shtetet e Bashkuara.
  • 80 vetë do të banonin në shtëpi me kushte nën standard.
  • Më e trishtueshme, 70 banorë nuk do të dinin të lexonin, 50 vetë do të vuanin nga të ushqyerit keq dhe 1, vetëm 1, do të kishte arsim të lartë. Po ashtu, vetëm 1 person do të kishte kompjuter.
  • Në fshat do të kishte 1 person afër vdekjes, por edhe 1 afër lindjes.

Mirëmëngjes,

Sapo ju lexova këtë informacion statistikor të fushës së demografisë. Informacioni i këndshëm, megjithëse në vështrimin e parë, ngjan me një tablo të trishtueshme të realiteteve të sotme të demografisë globale, paraqet situatën në të cilën gjendet sot popullsia e botës, raportet midis grupeve racore, fetare, situatën e pronësisë, të të ushqyerit, nivelin arsimor dhe ndryshimin e popullsisë. Mbi bazën e këtij informacioni mund të merren vendime edhe për të ardhmen në përmirësim të këtyre raporteve. Me këto fjali do të fillonte çdo koment mbi këto statistika demografike të paraqitura. Por, sot jemi mbledhur jo për të diskutuar apo për të komentuar statistikat demografike, as statistikat fiskale apo monetare e bankare.

Në këto dy ditë do të mbahet konferenca "Informacioni statistikor në Shqipëri", të cilën kam nderin të çel. Diskutimet do të përqendrohen në gjendjen e informacionit statistikor në vendin tonë. Konferenca "Informacioni statistikor në Shqipëri" është e para e këtij lloji, që organizohet si një bashkëpunim i Bankës së Shqipërisë me Institutin e Statistikave. Më lejoni t'ju falenderoj, në emër të të dy institucioneve për pjesëmarrjen tuaj dhe për interesin e treguar. Të shpresojmë që edhe organizuesit e kësaj konference nuk do t'ju zhgënjejnë.
Përse u organizua një konferencë për statistikat, në një kohë kur ekonomia shqiptare mund të ketë probleme të tjera edhe më të rëndësishme? Përse Banka e Shqipërisë është në qendër të një aktiviteti mbi statistikat dhe jo të një konference mbi inflacionin apo kursin e këmbimit ? Çfarë kontributi do të sigurojë kjo konferencë për zhvillimin e statistikave ?

Përgjigjen e këtyre pyetjeve e gjeta duke shfletuar revistën "The Economist" në të cilën lexova : "Statistikat mund të jenë më të këqija edhe se vetë gënjeshtrat. Por, për bankierët qendrorë ato janë njësoj siç janë faktet për gjykatësit".

Të kesh statistika, madje statistika të mira, është një kusht themelor për hartimin e politikave të duhura makroekonomike dhe financiare.

Ky është një konkluzion i arritur prej kohësh prej të tjerëve dhe i provuar në saktësinë e tij. Në Shqipëri, kemi një sistem grumbullimi, përpunimi dhe raportimi të dhënash ende të pazhvilluar. Gjendja e statistikave, në përgjithësi, vlerësohet e mjerueshme. Problemet e statistikave kanë të bëjnë me mungesën totale të një apo disa kategorive statistikore, ekzistencën e statistikave të varfra, raportimin e të dhënave jocilësore dhe me mjaft vonesë që shpesh janë edhe kontradiktore si dhe publikimin minimal të tyre.

Kjo gjendje e informacionit statistikor pengon të kuptuarin e ekonomisë së vendit, pengon analizimin e saktë e të plotë të saj, bën të pamundur kryerjen e parashikimeve si dhe kompromenton procesin vendimmarrës. Në këtë lloj situate institucionet shqiptare, sidomos ato që merren me ekonominë, janë në pozita të vështira për të përmbushur detyrat e tyre.

Nëse do të shprehesha në mënyrë figurative, si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, do të thoja se nuk jam plotësisht i bindur nëse në vendimet për politikën monetare ky institucion ka vepruar si "një gjykatës i drejtë dhe i paanshëm që merr vendim mbi bazën e fakteve të vërteta e të plota". Faktet që servir sistemi statistikor që aktualisht "qëndron në këmbë" në Shqipëri nuk janë garanci për marrje vendimesh të drejta.
Kjo gjendje dhe vështirësitë që hasim përditë si prodhues dhe përdorues statistikash u konkretizuan në idenë e përbashkët të Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it për të organizuar një konferencë që të trajtojë këtë problem. Askush nuk duhet të mendojë se organizimi i konferencës do të çojë në zgjidhjen e të gjitha problemeve që po hasim. Qëllimi i saj është të sensibilizojë opinionin mbi rëndësinë që kanë statistikat për një shtet, një institucion, një biznes, një familje madje edhe për një individ. Konferenca kërkon të tërheqë vëmendjen e të gjitha grupeve që, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë nevojë për statistikat mbi gjendjen e tyre dhe të shpjegojë se sa e dobishme është të investohet për zhvillimin e tyre.

Për këtë arsye, siç do të paraqitet gjatë dy ditëve të konferencës, referuesit do të trajtojnë gjerësisht problemet që ekzistojnë në këtë fushë. Është po për këtë arsye që edhe auditori i konferencës është i gjerë dhe përfshin qeveritarë, institucione shtetërore, përfaqësues biznesi apo akademikë.

Statistikat në Shqipëri në këto vite kanë patur zhvillim të konsiderueshëm dhe kjo nuk mund të mohohet. Sidomos të rëndësishme janë përpjekjet për përafrimin e tyre me standardet ndërkombëtare. Për të arritur këtë janë hartuar dhe zbatuar mjaft projekte. Të tjera janë në proces zbatimi apo hartimi. Mjafton të përmend faktin që Shqipëria është zgjedhur prej FMN-së si një vend pilot për zbatimin e Sistemit të Shpërndarjes së të Dhënave të Pëgjithshme dhe ka marrë vlerësime pozitive për ecurinë e deritanishme të zbatimit të këtij sistemi. Por, më lejoni që sot të përqendrohem në disa mangësi që ende ka sistemi statistikor në vendin tonë.

Shqipërisë i mungon sistemi i llogarive kombëtare. Një pjesë e të dhënave të raportuara, përfshi PPB, janë vlerësime dhe jo matje faktike.
Metodologjitë e përdorura për matjen e disa treguesve janë ose të pasakta ose të vjetëruara. Mjafton të përmend matjen e IÇK.
Informacioni statistikor është i cunguar në kohë dhe në fushat që ai mbulon. Për shembull, sektori privat në pjesë të konsiderueshme të tij nuk raportohet dhe për pasojë nuk ka të dhëna për të. Një pjesë e madhe e ekonomisë mbetet e paevidentuar. Këtij kufizimi i shtohen seritë kohore, që datojnë në fillim të viteve '9
Informacioni statistikor ende ka mbetur "i mbyllur në kasaforta". Mjaft të dhëna apo tregues nuk publikohen. Edhe ato që publikohen arrijnë me vonesë tek përdoruesit e tyre ose janë privilegj i një numri të kufizuar përdoruesish.
Shkalla e shkëmbimit të informacionit statistikor është e ulët. Duke thirrur në ndihmë shprehjet matematikore do të thoja se "Ky pohim është i vërtetë për subjekte publike dhe private, për institucione shtetërore dhe individë. Me fjalë të tjera, ky pohim vërtetohet në të gjithë bashkësinë.". Nuk e teproj kur them se ka institucione shtetërore, të cilat refuzojnë të japin të dhëna edhe kur ato nuk klasifikohen si të dhëna sekret. Nga ana tjetër, ka mosbesim të sektorit privat dhe të individëve në deklarimin e të dhënave, që kërkohen prej INSTAT-it apo institucioneve, që ligji ua jep këtë të drejtë. Po ashtu edhe bashkëpunimi i tyre në vrojtimet statistikore, kur garantohet ruajtja e konfidencialitetit, është minimal.
Të gjitha këto mangësi të renditura më sipër kufizojnë vizionin tonë për gjendjen e ekonomisë së vendit, pasi lënë jashtë pjesë të tëra të saj. Por, ato ofrojnë dhe një pamje relativisht të shtrembëruar edhe për pjesën që arrijnë të matin. Për fat të keq, prej kësaj situate dëmtohemi të gjithë.

Së pari, Qeveria dhe institucionet publike nuk sigurojnë dot informacionin e nevojshëm për vlerësim të plotë e të saktë dhe për marrje vendimesh sa më të drejta e të dobishme.

Së dyti, biznesi privat ballafaqohet me vendime që mund të jenë të dëmshme për të, por, njëkohësisht, edhe ai vetë nuk ka në dorë mjetet që e ndihmojnë të analizojë dhe të zhvillojë sipërmarrje të suksesshme.

Së fundi, çdo familje, e madje çdo individ, kufizohet në aktivitetin e tij për shkak të mungesës së infomacionit duke humbur mjaft mundësi.

Mund të numërojmë mjaft mangësi dhe dëme të tjera. Referuesit në këtë konferencë do të krijojnë një vizion më të plotë e më të qartë. Ata, gjithashtu, do të rendisin dhe propozime racionale e të dobishme për të përmirësuar këtë situatë. Unë dua të ndalem në tre elemente, të cilat i besoj si të rëndësishme në përmirësimin e statistikave:
Investim në fushën e statistikave. Jemi familjarizuar me kërkesat për rritje investimesh të huaja, rritje investimesh private apo publike. Këtë herë kërkohet investim serioz, sidomos i Qeverisë, në fushën e statistikave. Zhvillimi i tyre ka nevojë të përfshihet në listën e prioriteteve.
Transparencë në raportimin e informacionit statistikor. Më tepër të dhëna ka nevojë të publikohen dhe të raportohen. Këto të dhëna duhet të vihen në dispozicion të më shumë përdoruesve.
Edukim i subjekteve ofruese të informacionit. Individët, bizneset, institucionet dhe çdo subjekt tjetër kanë nevojë të kuptojnë se nuk dëmtohen nga deklarimi i informacionit. Përkundrazi, vullneti për të bashkëpunuar në shkëmbimin e informacionit ndihmon atë dhe të tjerët për vendime më të mira.
Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj, ju ftoj të reflektoni për këto çështje dhe të diskutojmë për të ofruar mendime dhe propozime sa më racionale për zhvillimin e statistikave. Çdo kontribut i juaji është i mirëpritur dhe i dobishëm.

Ju faleminderit !