BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë në Forumin e 10-të Ekonomik të Vjenës

Data e publikimit: 07.05.2014

 

Përfytyro të ardhmen: Për një bashkëpunim më të mirë ekonomik. Përgjegjësitë e Dhomave të Tregtisë dhe Bankave

Të nderuar Zonja dhe Zotërinj!

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës në Forumin Ekonomik të Vjenës!

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të flas para një forumi kaq konstruktiv dhe të rëndësishëm ekonomik, për të diskutuar çështje të zhvillimit ekonomik që prekin të tashmen dhe të ardhmen e ekonomive tona.

Tema e këtij forumi është shumë e rëndësishme për ekonomitë e Evropës Juglindore. Ajo krijon mjedisin e duhur për shqyrtimin e problemeve me të cilat përballen ekonomitë tona gjatë krizave. Padyshim që mund të nxjerrim disa mësime nga çka kemi përjetuar gjatë viteve të fundit, që pasuan krizën financiare dhe ekonomike. Këto diskutime dhe harmonizimi i politikave do të na ndihmojnë të projektojmë një strukturë të fortë e të bashkërenduar për të ardhmen afatgjatë të ekonomive tona.

Është veçanërisht e rëndësishme që të konvergojmë së bashku këtu në Vjenë dhe të diskutojmë çështjen e bashkëpunimit, pasi një prej rezultateve (mësimeve) të dukshme të zhvillimeve në vitet e fundit është që zhvillimet ekonomike, sidomos për ekonomitë e vogla dhe të hapura të rajonit të Evropës Juglindore, nuk janë më të natyrës lokale dhe rajonale. Ashtu sikurse gripi, ato nuk bëjnë dallime dhe janë tejet të transmetueshme nga një ekonomi në tjetrën, nga një sektor i ekonomisë në një tjetër.

Më e rëndësishmja, ekonomitë evropiane dhe sistemet e tyre financiare, ndër të cilat sistemi financiar austriak gëzon një pjesë domethënëse në treg, përkufizojnë globalizimin për rajonin dhe janë, në masë të madhe, përcaktues të rëndësishëm për suksesin apo dështimin e këtyre ekonomive. Duke patur parasysh peshën e madhe që kanë grupet financiare evropiane, ato luajnë dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në përcjelljen e goditjeve globale në rajon. Ajo që është më e rëndësishme është se ato kanë një rol domethënës në transmetimin e goditjeve nga masat legjislative dhe rregullatore të ndërmarra nga autoritetet monetare dhe mbikëqyrëse evropiane. Përmasa është e tillë që edhe një ndryshim i thjeshtë në planet e ardhshme të biznesit të një institucioni të vetëm financiar në Evropë mund të shndërrohet në goditje të vërteta për ekonomitë e rajonit.

Gjatë krizës, por edhe më pas, u bë e dukshme se rritja e rrezikut dhe pasigurive i shtoi nxitësit për tërheqjen e bankave nga ekonomitë evropiane në zhvillim. Ndonëse kjo u parandalua më së shumti për shkak të rritjes së bashkëpunimit nëpërmjet institucioneve të tilla si Nisma e Vjenës, shqetësimet, nga këndvështrimi ynë, nuk janë shuar plotësisht. Në këtë drejtim, plani i biznesit i grupeve të vendosura në BE mund të luajë potencialisht një rol të rëndësishëm në lidhje me natyrën dhe rezultatet e këtij bashkëpunimi. Kriza vuri në dukje disa dobësi në modelin e rritjes të adoptuar nga ekonomi në zhvillim të Evropës Juglindore. Nga ana tjetër, është po aq e vërtetë që, deri diku, kjo sjellje u inkurajua edhe nga strategjitë e zhvillimit të grupeve financiare në rajon, pasi është e vërtetë që ka patur edhe disa dobësi në bashkërendimin dhe bashkëpunimin midis institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian, të tilla si politikat monetare (BQE), politikat fiskale (të vendeve anëtare) dhe mosekzistenca e një mekanizmi specifik (të tillë si fondi i ndihmës për dalje nga kriza) për të mbrojtur Bashkimin Evropian gjatë kohëve të vështira ekonomike.

Kjo konferencë i vlerëson këto mësime, ndërkohë që njeh dhe pranon rëndësinë e bashkërendimit nëpërmjet bashkëpunimit të ndërsjellë në nivel institucional shumëdimensional midis vendeve të rajonit si dhe me vendet partnere të përbashkëta. Ne, në rajon, shpresojmë që partnerët tanë të huaj të ndajnë të njëjtat pikëpamje.

Ekonomia e Shqipërisë dhe tregu i saj financiar kanë karakteristika të përbashkëta me ekonomitë e tjera në rajon. Partnerët tanë kryesore për shkëmbime tregtare dhe financiare janë pjesë e ekonomive të BE-së. Për këtë arsye, zhvillimet në BE përcillen drejtpërdrejt apo tërthorazi dhe luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike në Shqipëri. Mbështetja jonë te BE jo vetëm që ka ndikuar mbi zhvillimet tona ekonomike por edhe ka kufizuar efektet e masave të politikave.

Në sektorin financiar shqiptar veprojnë disa grupe bankare evropiane. Këto grupe kanë sjellë në tregun shqiptar ekspertizë dhe përvojë të gjerë dhe të vlefshme, duke luajtur, kështu, një rol kyç në integrimin financiar të ekonomisë shqiptare në Bashkimin Evropian. Megjithatë, rregullat mbikëqyrëse të BE-së dhe kërkesat për grupet financiare evropiane në lidhje me rrezikun, së bashku me qasjen në të cilën ato zbatohen, po vendosin shtrëngesa domethënëse mbi ekonomitë tona dhe eficiencën e politikës monetare për të reaguar ndaj zhvillimeve ekonomike. Të përballur me kërkesa të reja dhe të shtrënguara për kapital dhe për rrezikun, bankat po përpiqen të përmbushin detyrimin duke përshtatur planet e tyre të ardhme për biznesin si dhe përmasën dhe përbërjen e bilanceve të tyre në ekonomitë e rajonit tonë.

Këto rregullime më të shtrënguara që u miratuan nga Autoriteti Evropian i Mbikëqyrjes dhe ai Bankar dhe që u zbatuan, për rrjedhojë, nga bankat mëma janë shoqëruar tashmë me ulje të nivelit të kreditimit në ekonomi. Nga kërkimet tona, tregohet se shtrëngimi i mëtejshëm i kreditimit, për shkak të reformave ligjore që po ndërmerren, mund të sjellë një efekt të rëndësishëm jo vetëm mbi aktivitetin ekonomik, por edhe mbi cilësinë e aseteve të bankave tregtare, në veçanti në situatën e kredive me probleme. Përkeqësimi i aktivitetit ekonomik do të vijonte kryesisht në të njëjtën mënyrë, duke çuar në përkeqësimin e raportit të kredive me probleme, në fitime më të ulëta të bankave dhe kufizime më të mëdha të kapitalit, së bashku me rritje më të ngadaltë. Ky kanal i dytë shihet, ndonëse në mënyrë të debatueshme, si më i rrezikshëm, ku kërkimi empirik tregon se elasticitetet janë pothuajse dy herë më të mëdha për një goditje të një përmase të tillë. 

Këto rregullime po vendosin vështirësi domethënëse mbi ekonomitë tona. Në mënyrë më të drejtpërdrejtë, kemi vërejtur një ulje të ndërmjetësimit financiar, që vjen për shkak të procedurave të shtrënguara të huadhënies madje edhe për ekonomi apo sektorë që kanë patur ecuri të mirë gjatë krizës. Si rrjedhojë, kjo u reflektua në frenim të investimeve dhe ulje të dinamikës së ekonomisë shqiptare, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Për më tepër, praktikat aktuale të biznesit dhe orientimi i politikave po vendosin pengesa domethënëse në eficiencën e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare, dhe aftësinë e autoriteteve për t'i dhënë ekonomisë stimulin aq të nevojshëm.

Është e kuptueshme që bankat do të duhet të jenë të kujdesshme, prudente dhe të përgjegjshme duke patur parasysh gjendjen aktuale të kredive me probleme. Megjithatë, ato duhet të konsiderojnë edhe faktin që kreditimi dhe ndërmjetësimi financiar janë të rëndësishëm për rritjen, e cila mund të përmirësojë aftësinë e agjentëve ekonomikë për të shlyer kreditë. Kjo është e vërtetë sidomos për sektorë të veçantë si bujqësia dhe agrobiznesi, të cilët deri tani nuk kanë përfituar nga zgjerimi i kreditimit, po që kanë potencial të madh e të pashfrytëzuar për rritje.

Koha e një modeli të rritjes ekonomike të nxitur kryesisht nga konsumi vendas tashmë ka ikur. Bankat, selitë e tyre qendrore dhe autoritetet mbikëqyrëse në vendet evropiane të origjinës duhet të punojnë së bashku me autoritetet e vendeve pritëse për të zhvilluar një model afatgjatë dhe të qëndrueshëm të rritjes ekonomike. Ky model i ri nevojitet të mbështetet te investimet në sektorë produktivë të ekonomisë. Produktet dhe shërbimet tona duhet që të jenë jo vetëm konkurruese në tregun vendas, por edhe të ofrojnë avantazhe krahasuese edhe në tregjet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian. Është e qartë se bashkëpunimi është e vetmja zgjedhje për të ardhmen.

Për më shumë se 15 vjet, procesi i integrimit evropian, në tërë dimensionin e tij politik, ekonomik dhe financiar ka qenë forca shtytëse për prosperitetin ekonomik dhe social të rajonit të Evropës Juglindore. BE-ja përfaqëson partnerin tonë tregtar kryesor, një pjesë të madhe të IHD-ve, dhe investitorin më të madh në sistemin bankar. Vendet tona kanë bërë reforma strukturore dhe kanë përshtatur kuadrin rregullator, legjislativ dhe institucional për t'iu përshtatur këtyre partneriteteve.

Udhëhequr nga procesi i integrimit evropian, vendet e rajonit kanë nënshkruar, gjithashtu, marrëveshje dypalëshe për tregtinë e lirë midis tyre. Studimet tona në Bankën e Shqipërisë tregojnë se këto marrëveshje të tregtisë së lirë kanë patur ndikim pozitiv mbi flukset tregtare midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, këto studime sugjerojnë se flukset tregtare midis vendeve të Ballkanit Perëndimor janë nën potencial. Qëllimi i marrëveshjeve dypalëshe për tregtinë e lirë është të krijojë një zonë rajonale të tregtisë së lirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Autoritetet në vendet e Evropës Juglindore kanë treguar shenja të bashkëpunimit të vazhdueshëm rajonal; megjithatë, ato duhet të bëjnë përpjekje shtesë për të unifikuar dhe harmonizuar kuadrin ligjor, rregullator dhe infrastrukturor të tyre. Këto përpjekje duhet të mbështeten nga një angazhim i qartë i grupeve financiare nga BE-ja në ekonomitë e vogla e të hapura të rajonit. Zhvillimet në tregjet rajonale për produkte dhe faktorë, investimet në arsimim dhe përmirësimi i kapitalit njerëzor, shfrytëzimi i ekonomive të shkallës dhe avantazhet krahasuese do të varen nga disponueshmëria e kredisë dhe investimet dhe mbështetja financiare e sistemit bankar. Në këtë aspekt, grupet financiare të vendosura në BE do të jenë faktorë tejet të rëndësishëm për ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis ekonomive të rajonit dhe shndërrimin e saj në një ekonomi më të madhe, më të integruar, më konkurruese, më fitimprurëse dhe të begatë, duke çuar në një të ardhme ekonomike të begatë nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik. Në këtë drejtim, do të inkurajoja grupet e huaja që ta shohin rajonin nga ky këndvështrim dhe jo sipas vendeve individualisht, kur marrin në konsideratë të ardhmen e tyre në rajon. Nuk ka nevojë të themi që çdo politikë që kufizon angazhimin dhe ekspozimin e grupeve financiare nga BE-ja në rajon nuk e mbështet bashkëpunimin ekonomik midis vendeve tona. Për më tepër, krijon një mjedis ekonomik të pafavorshëm dhe një të ardhme më pak të begatë për të gjitha ekonomitë e rajonit.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor ofron mundësi të mëdha dhe perspektivë për fitim për korporatat dhe grupet financiare që vijnë nga BE-ja. Harmonizimi i reformave të përmendura më lart do të krijojë një mjedis edhe më tërheqës për subjekte të ndryshme private të interesuara për të investuar në rajonin tonë. I ftoj grupet financiare nga BE-ja ta shohin rajonin në këtë këndvështrim.

Institucionet dhe grupet financiare evropiane duhet të mbështesin dhe të bëhen një forcë pozitive për lehtësimin, zbutjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit ekonomik rajonal, që do të çojë në një të ardhme më të begatë dhe proces më të shpejtë të integrimit evropian të rajonit. 

Ju faleminderit për vëmendjen!