BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala e z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, në Samitin e Ministrave të Financave dhe Guvernatorëve të Rajonit me temë “E ardhmja financiare e rajonit”, Becic, Mali i Zi, 14 qershor 2013

Data e publikimit: 19.06.2013

 

Të nderuar Ministra të Financave,

Të nderuar Guvernatorë,


Kriza që po kalojmë, duke qenë kaq e thellë dhe e tejzgjatur, do të lërë gjurmë në ekonominë në përgjithësi dhe bankingun qendror në veçanti. Deri te Recesioni i Madh, politika monetare jetonte në një botë që mund të quhet “epoka e shënjestrimit të inflacionit”. Për këdo që i ka ndjekur diskutimet rreth politikës optimale të bankës qendrore që në fillimet e krizës, është e qartë se tashmë vlefshmëria e qasjes së mëparshme është vënë në pikëpyetje. Në shumë mënyra, shënjestrimi i inflacionit e thjeshtonte punën e bankës qendrore, për aq kohë sa banka qendrore e zbatonte politikën e saj në mënyrë korrekte. Banka qendrore, e parë nga publiku si institucion i pavarur, duhej të angazhohej në mënyrë të besueshme për objektivin e shpallur të inflacionit, me qëllim ankorimin e pritjeve afatmesme për inflacionin. Vetëpërmbushja e pritshmërive të agjentëve ekonomikë dhe të çmimvënësve do të ndihmonte në transmetimin e objektivave të politikës monetare.

Për fat të keq, siç është treguar kohët e fundit, kjo qasje rigoroze e politikës monetare ka disa mangësi. Për shkak të përqendrimit në çmimet e konsumit, kësaj qasjeje i mungonte pikërisht lëvizja e çmimeve të mjeteve në përgjithësi. Përshkallëzimi i çmimeve të mjeteve dhe shpërthimi i papritur i tyre ndikoi ndjeshëm në sjelljen dhe bilancet e agjentëve ekonomikë dhe sfidoi stabilitetin e sistemit financiar. Në këtë aspekt, koncepti i stabilitetit financiar u konsiderua si produkt plotësues i stabilitetit monetar.

Ekonomistët besonin se stabilizimi i çmimeve të konsumit do të çote drejt një sjelljeje të qëndrueshme dhe të parashikueshme të mjeteve financiare. Kriza na kujton dhimbshëm se kjo nuk është domosdoshmërish e vërtetë. Sjellja në tregjet financiare nuk është gjithmonë racionale dhe mungesa e besimit në këto tregje mund të përkeqësohet vazhdimisht, duke tronditur të gjithë ekonominë.

Fatmirësisht, Banka e Shqipërisë miratoi një politikë më konservatore, duke i trajtuar njëkohësisht çështjet e politikës monetare dhe të stabilitetit financiar, e duke i kushtëzuar proceset vendimmarrëse të njërit nga tjetri. Për rrjedhojë, kriza dha ndikim të drejtpërdrejtë, por të pakonsiderueshëm, në sistemin financiar.

Pavarësisht kësaj qasjeje, sistemi bankar u përball menjëherë me vështirësi të formës së tërheqjes së depozitave, nën ndikimin indirekt të frikës dhe pritshmërive irracionale. Probleme likuiditeti ranë mbi tregun e kredive dhe më pas mbi ekonominë reale dhe sektorin e jashtëm.

Banka e Shqipërisë reagoi me shpejtësi ndaj kësaj klimë ekonomike në ndryshim. U injektua likuiditet i bollshëm në sistemin tonë bankar dhe u zbatuan rregulla rigoroze për transferimin e fondeve. Megjithatë, ndryshe nga shumë vende të tjera ku politika monetare u përdor fillimisht për të rritur kërkesën agregate, në Shqipëri, politika monetare qëndroi në të njëjtin kah, duke lënë vend për një politikë fiskale ekspansioniste.

Për shkak të një periudhe relativisht të gjatë konsolidimi, politika fiskale gjatë shpërthimit të krizës kishte hapësira të bollshme për manovrim dhe për ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi. Reagimi i politikë sonë u kushtëzua nga çështjet e stabilitetit financiar, me gjykimin se ulja e normës së interesit do të përshpejtonte tërheqjen e depozitave nga sistemi bankar.

Banka e Shqipërisë ndërmori hapa të guximshme dhe të vendosura, për të kontrolluar këto probleme dhe për të rikthyer besimin te sistemin bankar. Ndërkohë që efektet e stimulit fiskal filluan të veniten dhe u rikthye besimi ndaj sistemit bankar, ne ulëm normën bazë të politikës monetare në vlerën më të ulët historike, me qëllim që t’i siguronim ekonomisë stimul të mëtejshëm fiskal. Ajo që është edhe më e rëndësishme, ne forcuam mbikëqyrjen e sistemit bankar, duke krijuar një departament krejt të ri, atë të Stabilitetit Financiar dhe duke i sjellë çështjet e stabilitetit financiar në procesin vendimmarrës të politikës monetare.

Si rezultat, është zgjeruar tërësia e mjeteve që Banka e Shqipërisë ka në dispozicion, me qëllim përfshirjen e disa masave makroprudenciale, të cilat synojnë të trajtojnë njëkohësisht rritjen ekonomike dhe problemet e stabilitetit financiar.

Besoj se hapa të ngjashme janë ndërmarrë nga shumë banka qendrore në botë. Me dashje apo pa dashje, objektivi i stabilitetit financiar tashmë konsiderohet si detyrë themelore e institucioneve tona. Nuk ka rëndësi nëse është ndryshuar apo jo mandati ligjor i bankës qendrore për përfshirjen e këtij objektivi. Çfarë ka vërtet rëndësi është fakti që stabiliteti financiar është një kusht paraprak për stabilitetin e përgjithshëm makroekonomik dhe atë monetar. Sfida me të cilën po përballemi ka të bëjë me mënyrën se si ta përfshijmë këtë objektiv të ri në politikën tonë, a mund të ndërthuret shënjestrimi i inflacioni me stabiliteti financiar, apo a nevojitet një regjim tërësisht i ri.

Deri tani janë përmendur qasje të ndryshme, të reja e radikale. Megjithatë, besoj se nuk duhet të heqim dorë nga të gjitha mësimet e nxjerra dhe sukseset e arritura në të kaluarën. Stabilizimi i inflacionit duhet të jetë diçka që i bën bankierët qendrorë të krenohen, diçka që duhet ta ushqejmë dhe për të cilën duhet të vazhdojmë të përpiqemi.
Inkorporomi i objektivave të stabilitetit financiar me regjimin e shënjestrimit të inflacionit duhet të shihet si mundësi për të kuptuar zhvillimet ekonomike dhe rreziqet potenciale makro-financiare, me qëllim arritjen e të dyja këtyre objektivave dhe ruajtjen e stabilitetin ekonomik afatgjatë. Besoj se drejtimi i politikës monetare do të vazhdojë të diskutohet gjerësisht në të ardhmen, duke përfshirë kuptimin tonë të përmirësuar mbi rolin e çmimeve të mjeteve dhe konfliktet financiare (financiar frictions).

Në këto rrethana, bankat qendrore më të mëdha të vendeve të zhvilluara i kanë shtrirë teorinë dhe praktikat e bankingut qendror përtej aktiviteteve tradicionale. Bilancet e tyre janë rritur përtej imagjinatës dhe në disa raste, përfshijnë edhe pasuritë private;ato kanë pranuar një rol më të zgjeruar dhe kanë marrë përsipër më shumë përgjegjësi.

Ky lloj i ri dhe i paprovuar i bankingut qendror do të ndikojë fuqishëm, jo vetëm në natyrën e politikës monetare dhe ndërveprimin e saj me objektivat e tjera të bankës qendrore, por edhe në pavarësinë dhe besueshmërinë e vetë bankës qendrore. Natyra e ardhshme e politikës monetare do të varet shumë nga suksesi i bankave qendrore kryesore për daljen nga kjo situatë në mënyrë të kontrolluar dhe në kohën e duhur, pa rritur inflacionin dhe pa dëmtuar besueshmërinë e bankave qendrore, gjë që është fituar me aq vështirësi.

Këto zhvillime do të ndikojnë në politikën monetare të vendeve me ekonomi tregu në zhvillim, nëpërmjet kurseve të këmbimit dhe normave të interesit, por çka është edhe më e rëndësishme, edhe në mënyrën se si bankat qendrore e drejtojnë politikën monetare.

Të ndikuara nga praktikat aktuale të bankave kryesore qendrore, disa banka të tjera qendrore i kanë riorientuar objektivat e tyre dhe janë angazhuar në aktivitete tradicionale për bankat e zhvillimit dhe qeveritë. Ne kemi qenë të kujdesshëm për të qëndruar larg miratimit dhe synimit të këtyre objektivave, jo vetëm në politikën monetare, por edhe në politikën tonë makroprudenciale.

Banka e Shqipërisë, tradicionalisht e ka bazuar politikën e saj mbi dy shtylla të rëndësishme. Fokusi ynë i parë ka qenë arritja e objektivit të inflacionit dhe menaxhimi i pritjeve të inflacionin, me qëllim ruajtjen e fuqisë blerëse të monedhës sonë kombëtare. Kjo politikë ka siguruar njëkohësisht nxitjen e nevojshëm për aktivitetin ekonomik. Fokusi ynë i dytë ka qenë mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar, gjë që ka rritur besimin në sistemin tonë financiar, e për rrjedhojë, ka rritur eficiencën dhe besueshmërinë e politikës monetare.

Siç jam shprehur edhe në prill të vitit 2008, në konferencën vjetore me sistemin bankar në Shqipëri, "Çdo investim që bëjmë sot për të garantuar stabilitetin financiar na kthehet në eficiencë të shtuar të politikës monetare".

Kohët e fundit, Banka e Shqipërisë e ka paraqitur rritjen e kulturës financiare si shtyllën e  tretë të politikës dhe pavarësisë tonë. Ky objektiv bazohet në besimin tim se dy shtyllat e para fitojnë qëndrueshmëri, vetëm nëse publiku e kupton rolin e bankës qendrore, pavarësinë dhe politikën e saj.

E fundit por jo më pak e rëndësishmja, do të doja të theksoja nevojën për bashkëpunim dhe bashkërendim me politikën fiskale. Politika fiskale dhe ndikimi i saj janë fakte të jetës që nuk mund të lihen mënjanë. Ndaj, politikat monetare dhe makroprudenciale duhet të hartohen dhe zbatohen duke pasur parasysh ekzistencën e saj.

Banka qendrore nuk jeton në një ishull të izoluar; suksesi i saj varet, ndër të tjera, edhe nga aftësia e saj për të vepruar në bashkëpunim dhe bashkërendim me politikën fiskale, pa humbur pavarësinë e saj.

Përfshirja e këtij kuptimi në teorinë dhe praktikën e bankës qendrore kërkon përshtatje dhe fleksibilitet, por njëkohësisht, kërkon që bankat qendrore të ruajnë fokusin dhe pavarësinë, si dhe të pranojnë kufizimet e tyre.

Në tërësi, këto ndryshime do ta bëjnë bankën qendrore dhe regjimin e shënjestrimit të inflacionit një mjet të dobishëm në duart e autoriteteve monetare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar pas krizës financiare globale.

Faleminderit për vëmendjen.