BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit Sejko, në Konferencën e II-të të Muzeut të Bankës së Shqipërisë

Data e publikimit: 20.09.2018

 

Të nderuar profesorë, të nderuar të pranishëm,

Është kënaqësi e madhe për mua t’ju uroj mirëseardhjen përmes kësaj përshëndetjeje të regjistruar. Do të dëshiroja të isha mes jush për të dëgjuar punimet e Konferencës së II të Muzeut të Bankës së Shqipërisë, por agjenda tepër e ngjeshur nuk e mundësoi diçka të tillë. Megjithatë, do të kem kënaqësinë të lexoj sa do të diskutohet sot, në librin përmbledhës të punimeve të kësaj konference.

 DSC0275-2 - 498

Ashtu si e kam theksuar edhe më parë, Konferenca e Muzeut është një prej zhvillimeve më të rëndësishme të tij, i cili na ndihmon ne për të pasuruar dhe vijuar studimin e koleksioneve të ekspozuara në të, dhe gjithashtu i shërben studiuesve vendas si një platformë diskutimi për punën e tyre kërkimore. Ndaj jemi të lumtur që Muzeu i Bankës së Shqipërisë, mbledh për të dytën herë përfaqësues nga institucionet më të rëndësishme kërkimore si Institutet e Arkeologjisë dhe Historisë, universitete evropiane dhe banka homologe, për të prezantuar punimet e tyre mbi rolin e monedhës gjatë luftërave.

Këtë vit, konferenca i dedikohet rolit të parasë gjatë luftërave. Në kohë luftërash dhe konfliktesh - siç dëshmon edhe historia e vendit tonë që megjithëse relativisht i vogël, ka përjetuar shumë të tilla - njerëzit i janë kthyer parasë dhe metaleve të çmuara. Kështu p.sh. rreth 100 vite më parë, në fillim të Luftës I Botërore, Evropa u zhyt në një prej krizave më të njohura financiare të shekullit të kaluar dhe shumë njerëz e biznese vrapuan të ndërronin llogaritë bankare dhe asetet e tyre në para kesh dhe monedha ari. Ndërkohë, në Shqipëri, këto ngjarje u pasqyruan në një situatë kaotike të qarkullimit monetar, ku në mungesë të një monedhe kombëtare dhe si pasojë e zhvillimeve politiko-ushtarake e ekonomike gjatë Luftës, qarkulluan një shumëllojshmëri monedhash të huaja, kryesisht të vendeve fqinje evropiane, amerikane dhe turke. Këtë konglomerat prerjesh mund ta shihni në vitrinat e Muzeut dedikuar periudhës së Pavarësisë dhe Luftës I Botërore. Gjithashtu, vitrinat mbi qarkullimin monetar në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore, por edhe ato të Antikitetit e Mesjetës, prezantojnë prerje të cilat flasin mbi marrëdhënien e rëndësishme dhe të ndërlikuar midis parasë dhe luftës. Këto momente të rëndësishme për historinë ekonomike dhe monetare të Shqipërisë, por edhe më gjerë, do të keni mundësinë t’i diskutoni në konferencën e sotme. 

Të dashur pjesëmarrës,

Konferenca nuk është i vetmi aktivitet i Muzeut dedikuar numizmatikës, historisë ekonomike, monetare dhe financiare. Gjatë këtij viti kemi realizuar disa takime drejtuar publikut të gjerë përmes ciklit të leksioneve “Netët e Muzeut”, ku audienca pati rastin të dëgjojë prezantime nga personalitete të fushave të numizmatikës, historisë dhe ekonomisë. Gjithashtu, përmes një bashkëpunimi me Institutin e Arkeologjisë, u zhvillua një kurs njëjavor mbi numizmatikën antike, me pjesëmarrjen e studentëve të degëve të arkeologjisë, historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Duke qenë se ky vit shënon dhe “Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastrioti Skënderbeut” nuk kanë munguar as ekspozitat e përkohshme, brenda dhe jashtë Muzeut, mbi figurën e Heroit tonë në prerjet kombëtare.   

Një fokus tjetër tepër i rëndësishëm i punës së Muzeut është edhe edukimi financiar. Gjatë këtij viti, shumë nxënës e të rinj janë përfshirë në aktivitete dhe projekte edukuese, si pjesëmarrës aktivë gjatë Javës së Parasë, apo si dëgjues të leksioneve të mbajtura në Muzeun e Bankës dhe si përdorues të botimeve dhe produkteve tona edukative.

Muzeu do të vijojë punën në të dy këto drejtime, si mbështetës i kërkimit shkencor të historisë ekonomike-monetare të vendit, ashtu edhe në edukimin financiar të brezave të rinj, duke kërkuar gjithmonë mbështetjen dhe bashkëpunimin e aktorëve më të rëndësishëm në këto fusha.     

Si një institucion që ruan dhe promovon një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit, siç është monedha, ne ndjejmë privilegjin dhe detyrimin për të punuar dhe bashkëpunuar që Muzeu i Bankës të mos jetë vetëm një ekspozim koleksionesh të rralla, por një vend ku publiku të gjejë literaturën dhe ekspertizën e duhur për të njohur historinë ekonomike dhe monetare, si dhe për të marrë edukatën financiare, aq të nevojshme për vendin tonë. 

Në fund, dua të falënderoj të gjithë studiuesit, folësit, dëgjuesit dhe bashkëpunëtorët tanë, të cilët iu përgjigjën pozitivisht thirrjes tonë për pjesëmarrje, si dhe t’ju uroj një konferencë të suksesshme.