BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit Sejko në takimin e Komitetit Rajonal për Evropën të Organizatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave, 4 prill 2019

Data e publikimit: 04.04.2019

 

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

I nderuar z. Boccuzzi,

Të nderuar pjesëmarrës,

Mirëmëngjesi! Kam privilegjin dhe kënaqësinë t’ju uroj ngrohtësisht mirëseardhjen në Tiranë dhe në Bankën e Shqipërisë dhe t’i drejtohem kësaj audience me përfaqësues nga vende dhe organizma të ndryshme ndërkombëtare. Është kënaqësi e veçantë t’ju mirëpresim sot në ambientet e Bankës së Shqipërisë për takimin e Komitetit Rajonal Evropian (ERC) të Shoqatës Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI). Më pas, do të vijohet me Seminarin e Asistencës Teknike gjatë ditës së sotme në vazhdim dhe ditën e nesërme. Shpresoj të që kjo do të jetë një kohë e frytshme, me diskutime interesante dhe konstruktive. Gjej rastin të falënderoj Shoqatën Ndërkombëtare të Siguruesve të Depozitave (IADI) dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave (ASD) në Shqipëri që mundësuan organizimin e kësaj veprimtarie në Tiranë.

DSC 5934 - Copy 498

Gjatë të gjitha fazave të zhvillimit të ASD-së, kontributi dhe informacioni i IADI-së për përcaktimin e standardeve ka qenë tejet i vlefshëm. Lidhur me këtë, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm, si një forum ku siguruesit e depozitave nga e gjithë bota mblidhen dhe shkëmbejnë njohuri dhe ekspertizë. IADI-ja ka ofruar gjithashtu trajnime dhe programe edukimi intensive si edhe kërkime e udhëzime për çështje që lidhen me sigurimin e depozitave. Disa prej tyre përfshijnë: krijimin e sistemeve të reja të sigurimit të depozitave dhe forcimin e atyre ekzistues, dhe kontributin për ruajtjen e stabilitetit të sistemeve financiare, duke nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar dhe duke inkurajuar kontaktin e gjerë midis siguruesve të depozitave dhe palëve të tjera të interesuara në nivel ndërkombëtar. Të gjitha këto përpjekje kanë ndihmuar që skema jonë e sigurimit të depozitave të rritet.

Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar që në gjenezë të ASD-së për ngritjen dhe ruajtjen e një skeme eficiente dhe të efektshme të garantimit të depozitave në Shqipëri. Një nga përgjegjësitë e para të Bankës së Shqipërisë ka qenë zhvillimi i një sistemi bankar të qëndrueshëm dhe të sigurt. Kështu, ajo ka punuar për ndërtimin e arkitekturës së re të sektorit bankar, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe parimet e mbrojtjes së konsumatorit, dhe në bashkërendim me qeverinë. Në kuadër të kësaj pune,  ka ndihmuar për ngritjen e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Sipas ligjit për ASD-në të miratuar nga Kuvendi në vitin 2002, Banka e Shqipërisë është autoriteti mbikëqyrës i ASD-së.

Roli që luajnë siguruesit e depozitave është thelbësor për parandalimin dhe administrimin e krizave, siç është provuar tashmë nga eksperienca gjatë krizës financiare globale. Ky rol ka evoluar në mënyrë pro-aktive drejt zbutjes së dobësive të pranishme në sistemin financiar, edhe në mungesë të rasteve të tërheqjes masive të depozitave apo të bankave që përballen me paaftësi paguese. Sot është fakt që skemat e sigurimit të depozitave e zbutën krizën e fundit financiare, duke përdorur çdo instrument në dispozicion të tyre, të tillë si rritja e kufirit të mbulimit të depozitave, zgjerimi i objektit të skemës së garantimit, dhe ofrimi i pagesave më të shpejta të depozitave të siguruara, madje edhe mbështetje me likuiditet. Rezultati i këtyre zhvillimeve është se, pas periudhës së krizës, u vendos një fokus i ri në lidhje me sigurimin e depozitave. Sigurimi i tyre konsiderohet tashmë si një instrument thelbësor për administrimin e krizave, si dhe një mjet i rëndësishëm për likuidimin me rregull të një institucioni financiar jo të shëndetshëm. Një skemë e mirëndërtuar për garantimin e depozitave jep mbështetje të gjerë për stabilitetin financiar dhe zgjidhjen e krizave financiare, duke zbutur kështu rreziqet dhe duke ruajtur besimin në sistemin financiar.

Megjithatë, duke risjellë në vëmendje një nga mësimet e rëndësishme që kemi nxjerrë nga kriza financiare globale, pavarësisht nga mandati që i është dhënë çdo institucioni, asnjë aktor nuk mund të përballet i vetëm me një krizë sistemike apo me pasojat e efekteve të forta të përhapjes së krizës dhe të rreziqeve të kontaminimit. Secili element i asaj që quhet rrjeta e sigurisë do të duhet të zhvillojë mekanizma të fortë që kanë për qëllim të shpëtojnë institucionet financiare dhe të stabilizojnë sistemin financiar, në mënyrë sa më butë, duke minimizuar kostot në ekonomi. Për më tepër, ruajtja e stabilitetit financiar mund të arrihet vetëm nëpërmjet një rrjeti të mirë koordinuar të sigurisë financiare, i cili mbështetet nga një kuadër ligjor i qëndrueshëm, nga instrumente e duhura dhe nga një plan i kujdesshëm emergjence për secilin element.

Në 10 vitet e fundit, Banka e Shqipërisë i ka kushtuar një pjesë të madhe të kohës dhe punës së saj integrimit të mësimeve të nxjerra nga kriza e fundit financiare në një kuadër të ri rregullator. Rrjeta jonë e sigurisë financiare është përafruar më tej me praktikat më të mira ndërkombëtare, pasi ne bashkërendojmë rolet që kemi si autoritet mbikëqyrës, huadhënës i fundit në radhë, dhe së fundmi edhe si autoriteti i ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Kuadri ynë rregullator i periudhës së pas-krizës synon një sektor bankar më të fuqishëm, mbështetur në krijimin e një baze më solide të kapitalit që shërben për të ruajtur depozitat dhe paratë e taksapaguesve. Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë ka rritur pozicionin kapital të bankave nëpërmjet kërkesave më të larta për kapitalin bazë dhe po zhvillon kërkesa të reja për masat makro-prudenciale me qëllim rritjen e kapaciteteve të bankave për të absorbuar humbjet në raste krizash financiare.

Për më shumë, rrjeta ekzistuese e sigurisë financiare u forcua më tej me një përgjegjësi tjetër për Bankën e Shqipërisë, atë të autoritetit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme. I transpozuar nga Direktiva për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme dhe Rimëkëmbjen, ligji i ri për ndërhyrjen e jashtëzakonshme vendos në dispozicion të Bankës së Shqipërisë mjetet dhe instrumentet e nevojshme për të ndërhyrë në një bankë në vështirësi pa ndikuar në stabilitetin financiar.

Megjithatë, duke iu rikthyer mësimeve të rëndësishme të nxjerra nga kriza financiare, këto përpjekje nuk do të jenë të pamjaftueshme nëse nuk ndërmerren në bashkëpunim me institucione dhe aktorë të tjerë përkatës të platformës për administrimin e krizave. Administrimi efektiv i krizave kërkon në mënyrë të qartë komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm midis mbikëqyrësve dhe autoriteteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, autoriteteve të tregut financiar, siguruesve të depozitave dhe qeverisë. Kështu, Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF) i është ngarkuar roli i rëndësishëm për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të tregjeve financiare në Republikën e Shqipërisë. GKSF-ja u krijua në vitin 2006 dhe përfshin Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, Bankën e Shqipërisë, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe Agjencinë e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri. Në vitin 2014, pjesëmarrësit nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, i cili mbështet punën e GKSF-së për monitorimin e zhvillimeve dhe rreziqeve ndaj sistemit bankar dhe financiar; angazhimin në hartimin e planeve të emergjencës; dhe përgatitjen për raste krize me qëllim parandalimin dhe trajtimin e rreziqeve sistemike.

Si rezultat i masave prudenciale të ndërmarra në bashkëpunim me institucionet përkatëse, ekonomia shqiptare ka një sistem financiar të shëndetshëm, me banka të shëndetshme, likuiditet të bollshëm dhe sjellje të kujdesshme ndaj marrjes së rreziqeve. Sektori bankar vepron në një mjedis makroekonomik të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, i mbështetur nga një sistem financiar që funksionon mirë dhe me tregues të shëndetshëm. Jemi të kënaqur të vërejmë se cilësia e kredisë është përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme dhe se sektori bankar është konsoliduar, ndonëse më shumë pritet për sa i përket thellimit financiar dhe rritjes së kreditimit. Nisur nga ky këndvështrim, përpjekjet tona në të ardhmen do të synojnë drejt ruajtjes së praktikave dhe politikave prudenciale të shëndetshme dhe zhvillimit të mëtejshëm të disiplinës së tregut, për të siguruar një sistem financiar të qëndrueshëm.

Në këtë linjë, ndër vite, Banka e Shqipërisë dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri e kanë forcuar vazhdimisht bashkëpunimin midis tyre duke e shndërruar në një nga partneritetet më të forta, duke u mundësuar institucioneve tona të përmbushin me sukses misionet përkatëse, dhe në të njëjtën kohë të plotësojnë njëri tjetrin.

Për Bankën e Shqipërisë, si dhe për shumë prej institucioneve përgjegjëse për stabilitetin financiar në vend, tema e përzgjedhur për Seminarin të Asistencës Teknike përbën shumë interes. Ne presim të dëgjojmë dhe të mësojmë mbi këndvështrimet dhe qasjet e ndryshme që do të shkëmbehen mbi këtë temë gjatë ditëve të seminarit. Sigurisht që kjo temë seminari bëhet akoma më e rëndësishme në kuadrin e zhvillimeve komplekse në kontekstin aktual global financiar, të cilat ndryshojnë me ritme të shpejta, si edhe në këndvështrimin e funksioneve të reja që i janë ngarkuar Bankës së Shqipërisë dhe ASD-së nga ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka në Republikën e Shqipërisë”. Ky ligj përcakton se Banka e Shqipërisë është Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, ndërsa Agjencia e Sigurimit të Depozitave në Shqipëri është përgjegjëse për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, çka përfshin investimin e këtij fondi në përputhje me politikën e miratuar nga Autoriteti i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Për më shumë, ligji i jep një rol të ri ASD-së në Shqipëri, si partnere e rëndësishme në hartimin e planeve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, dhe si një burim i ri financimi për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, duke rritur kështu burimet në dispozicion të Bankës së Shqipërisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme në ato banka që përballen me paaftësi paguese.

Në mbyllje, edhe një herë faleminderit për mundësinë për t’iu drejtuar kësaj audience të nderuar. Edhe njëherë, shpreh kënaqësinë që jeni me ne sot dhe ju uroj t’ia kaloni sa më bukur gjatë qëndrimit tuaj në Tiranë!

Ju uroj një takim të frytshëm e të suksesshëm!

Faleminderit!