BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Ardian Fullani, në Forumin e Hapur "Parakushtet për shënjestrimin e inflacionit në Shqipëri", Tiranë, 1-2 dhjetor 2005

Data e publikimit: 01.12.2005

 

Zonja dhe Zotërinj,

Është një kënaqësi e madhe t'ju uroj mirëseardhjen në Forumin e Hapur "Parakushtet për Shënjestrimin e Inflacionit në Shqipëri". Ndihem me të vërtetë i lumtur dhe krenar që kam nderin t'iu uroj mirëseardhjen kaq shumë të ftuarve të nderuar nga vendi dhe bota.

Është hera e parë që Banka e Shqipërisë organizon një Forum të kësaj natyre dhe me kaq të ftuar të nderuar. Jam mirënjohës që pranuat ftesën time dhe ngrohtësisht ju uroj mirëseardhjen. Me padurim pres të dëgjoj komentet tuaja mbi propozimet që Banka e Shqipërisë do të paraqesë gjatë ditës së sotme dhe të nesërme. Koha është e mjaftueshme për të dëgjuar të gjitha diskutimet tuaja si dhe për të shkëmbyer ide mbi politikat shqiptare.

Tema kryesore e këtij Forumi ka të bëjë me objektivin kryesor të bankës qendrore. Sipas ligjit të bankës qendrore "Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është të arrijë dhe të ruajë stabilitetin e çmimeve" (Neni 3,1). Për arritjen e këtij objektivi, regjimi të cilin do të diskutojmë në këtë forum është shënjestrimi i inflacionit.

Regjimi formal i politikës sonë monetare është aktualisht, në një kuptim të gjerë, ai i shënjestrimit monetar. Brenda bankës [tonë] në fakt, herë - herë i referohemi me emra disi të ndryshëm. Disa e përcaktojnë këtë regjim si një përqasje e "dy shtyllave", pasi përmban tiparet e shënjestrimit monetar dhe të inflacionit. Shpesh madje, regjimi aktual quhet dhe shënjestrimi i inflacionit.

Në kushtet e regjimit aktual të politikës monetare, Banka e Shqipërisë i përmbahet programit monetar. Politika monetare synon të administrojë ofertën e parasë dhe normat e interesit, në mënyrë që të arrijë stabilitetin e çmimeve në periudhën afatshkurtër dhe afamesme. Kursi i këmbimit luhatet lirisht. Banka e Shqipërisë është duke konsideruar kalimin drejt regjimit formal të shënjestrimit të inflacionit. Bazuar në informacionin e disponueshëm, ne e konsiderojmë këtë regjim, si një zgjedhje të mirë. Lëvizja drejt këtij sistemi të ri është menduar të jetë e butë brenda një hapësire kohore realiste. Qëllimisht e theksoj "e butë", sepse shumë hapa duhen hedhur gradualisht në kohë. Për më tepër, ne duhet të analizojmë me kujdes të gjithë ardhjen e informacionit të ri.

Arsyet kryesore për adoptimin e shënjestrimit të inflacionit lidhen me përmirësimin e transparencës dhe të besueshmërisë. Banka qendrore dëshiron të shkojë drejt një regjimi më transparent të politikës monetare dhe më efektiv në fiksimin e pritshmërive [inflacioniste] në periudhën afatmesme. Në këtë aspekt, Banka e Shqipërisë, gjykon se shënjestrimi i inflacionit është regjimi më i përshtatshëm për politikën monetare të Shqipërisë. Aktualisht, për drejtimin e politikës monetare ne zbatojmë disa parime [teorike/teknike], por një vend të rëndësishëm zë dhe gjykimi [praktik/ekonomik]. Një regjim i cili bazohet në objektiva të mirëpërcaktuar dhe të qartë, do të na mundësonte një "gjykim të strukturuar" më mirë.

Diskutimet gjatë ditës së sotme dhe të nesërme do të përqëndrohen mbi kushtet, të cilat duhet të plotësojmë përpara fillimit të zbatimit formal të shënjestrimit të inflacionit. Këtu në Shqipëri jemi të vetëdijshëm se zbatimi i suksesshëm i shënjestrimit të inflacionit, kërkon përmbushjen e disa kërkesave thelbësore. Disa prej këtyre parakushteve nuk varen nga Banka e Shqipërisë, siç është për shembull, situata fiskale. Parakushtet e tjera varen vetëm pjesërisht nga Banka e Shqipërisë, siç janë për shembull reformat strukturore apo zhvillimi i sistemit financiar. Gjatë këtyre dy ditëve shpresoj të mësoj ato parakushte, për të cilat ndajmë të njëjtat mendime në rastin e Shqipërisë, dhe ato për të cilat mendimet tona ndryshojnë.

Krahas diskutimit të hapur për kushtet e një regjimi të suksesshëm të politikës monetare, ka dhe një arsye tjetër pse jemi mbledhur këtu. Përmes këtij Forumi banka qendrore rrit transparencën dhe kontribuon në zgjerimin e bashkëpunimit rajonal. Këtu i referohem rajonit në një kuptim të gjerë. Banka e Shqipërisë i konsideron marrëdhëniet e mira me vendet fqinje mjaft të rëndësishme. Përpjekjet e koordinuara për të plotësuar kushtet dhe kërkesat e përcaktuara në nivelin ndërkombëtar kanë një rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit për të arritur vendin që meritojnë në Evropë.

Shqipëria është një vend relativisht i vogël ndaj duhet të mbetemi modestë. Megjithatë, ndershmërisht them se ndihem krenar, tejet krenar, që banka qendrore e Shqipërisë mund të ndihmojë në hapjen e rrugës drejt konvergimit, shpresojmë të shpejtë, të Shqipërisë me Evropën dhe me vendet e tjera më të zhvilluara. Linjat më të mira të komunikimit ndërmjet Bankës së Shqipërisë, bankave qendrore rajonale dhe organizatave ndërkombëtare do të hapin rrugën për një zhvillim të mëtejshëm të bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve të tjera. Dikur, një urë e fortë dhe e qëndrueshme do të ndërtohet mes Shqipërisë dhe botës, që do të ketë një sistem financiar të zhvilluar, një nivel të qëndrueshëm rritjeje ekonomike dhe nivele më të larta mirëqenieje për Shqipërinë.

Për të patur diskutime më frytdhënëse do të dëshiroja të theksoja natyrën e hapur të këtij takimi. Qëllimisht ky forum është quajtur "i Hapur". Personalisht, do të vlerësoja çdo lloj komenti i cili do të kontribuonte në ngritjen e mëtejshme institucionale të bankës qendrore të Shqipërisë, deri në nivelet më të larta ndërkombëtare. Vetëm një diskutim - siç i themi ne në gjuhën shqipe - "i hapur" do të mund të na sillte më pranë njëri-tjetrit në këto nivele të larta.

Në përfundim të fjalës time, më lejoni t'ju uroj ditë të frytshme dhe të këndshme këtu në Tiranë. Jam i bindur se përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë do t'i paraqesin pikëpamjet e tyre kryesore në mënyrë mjaft transparente, ndërkohë që pres me padurim diskutimet e anëtarëve të paneleve.

Më lejoni tani t'i jap fjalën Kryetarit për fillimin e Forumit të Hapur.