BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në hapjen e seminarit rajonal - Inflacioni i shënjestruar në praktikë, Hotel Tirana International, 10 tetor 2005

Data e publikimit: 10.10.2005

 

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndihem i nderuar që më jepet rasti të përshëndes hapjen e seminarit rajonal "Inflacioni i shënjestruar në praktikë" i organizuar nga Qendra për Studimet e Bankingut Qendror në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë. Më vjen mirë kur shoh se auditori i kësaj salle ka një kompozim ndërkombëtar, ndërkohë që përfitoj nga rasti të falenderoj përzemërsisht zonjën Gill Hammond, Zëvendësdrejtore, dhe zotin Bojan Markovic nga Qendra për Studimet e Bankingut Qendror - Banka e Anglisë, zotin Ludek Niedermayer - Zëvendësguvernator i Bankës Kombëtare Çeke, zotin Mario Holzner - Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, zotin Carel Van den Berg - Banka Kombëtare e Holandës. Nga ana tjetër, përfitoj të falenderoj Bankën e Anglisë dhe veçanërisht Drejtorin e Qendrës për Studimet e Bankingut Qendror, zotin Mario Blejer, një mikun tim të vjetër, i cili ende si shumë vite më parë vazhdon të kontribuojë për imazhin e Shqipërisë në botë.

Ky seminar vjen në një kohë mjaft të përshtatshme për Bankën e Shqipërisë. Në më pak se dy muaj, do të jem përsëri përpara një audience ndërkombëtare shumë të nderuar, për të çelur Forumin e Hapur me temë "Parakushtet për fillimin e zbatimit të inflacionit të shënjestruar në Shqipëri". Qëllimi i këtij forumi është diskutimi i parakushteve të rëndësishme që duhet të përmbushen nga ana e Bankës së Shqipërisë para fillimit të zbatimit të strategjisë së re të politikës monetare, me një theks të veçantë mbi anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian në një periudhë afatgjatë.

Është e vërtetë se këto vitet e fundit kemi qenë të suksesshëm në kontrollin e inflacionit. Kemi arritur një lloj stabiliteti të përgjithëm, ku politika e ndjekur prej nesh mendoj se ka qenë një nga faktorët kryesorë. Por, po kaq i vërtetë është edhe fakti tjetër se prej disa kohësh po mendohemi të hedhim një hap të ri, duke tentuar një përqasje politike monetare më të sofistikuar, më të efektshme dhe sigurisht më të përgjegjshme dhe më transparente. Për këtë qëllim, kemi arritur në konkluzionin se kuadri aktual i politikës monetare duhet plotësuar e përsosur më tej me elemente standarde, që hasen në vende të tjera të botës, ku është verifikuar se regjimi i inflacionit të shënjestruar është i suksesshëm.

Jemi të ndërgjegjshëm që kjo nismë nuk është e lehtë. Prandaj e konsideroj shumë me fat Bankën e Shqipërisë, që në prag të diskutimit të parakushteve për adoptimin e këtij regjimi, të ketë mundësinë të diskutojë dhe të këshillohet nga afër me ekspertët e ftuar në këtë seminar. Unë shpresoj që gjatë të dy takimeve të hasim mendime dhe rekomandime të sinqerta, qofshin këto disi të vështira për t'u arritur.

Sipas teorisë, shënjestrimi i inflacionit është një regjim i drejtpërdrejtë. Banka qendrore parashikon ecurinë e ardhshme të inflacionit; ky parashikim krahasohet me normën e targetuar të inflacionit; dhe diferenca mes parashikimit dhe targetit përcakton rregullimin e duhur në instrumentin e politikës monetare. Por, fatkeqësisht apo fatmirësisht edhe ky regjim, relativisht i ri monetar, nuk është përgjigja shpëtimtare e vuajtjeve të një bankieri qendror. Dhe jam i bindur se pjesëmarrësit e nderuar që do të marrin fjalën në të tre ditët e seminarit, do të shpjegojnë më në detaje, bazuar në përvojat e bankave qendrore që përfaqësojnë, se me çfarë çështjesh e problemesh komplekse u është dashur të përballen, në kushtet e adoptimit të këtij regjimi.

Programi i seminarit gjatë tre ditëve duket shumë premtues, ku të bie në sy gërshetimi i teorisë dhe praktikës. Ai fillon me konsideratat teorike mbi targetimin e inflacionit, vazhdon me tre shtyllat kryesore të komunikimit të politikës monetare: pavarësi, transparencë dhe përgjegjshmëri. Jo më kot, përqasja e re që kërkon regjimi i targetimit të inflacionit është quajtur si "rruga e parashikimit". Dhe ekonomistë të nderuar nga Qendra për Studime e Bankingut Qendror do të na njohin me teknikat ekonometrike, që vijnë në ndihmë të procesit të parashikimit të inflacionit. Së fundmi, Banka e Çekisë sjell përvojën e një ekonomie në tranzicion me adoptimin e këtij regjimi.

Dhe në fund por jo më pak e rëndësishme, më lejoni që në emër të Bankës së Shqipërisë edhe një herë të falenderoj Qendrën për Studimet e Bankingut Qendror (Banka e Anglisë) që i dha shansin institucionit që unë drejtoj, të bashkëpunojë me ne, e për më tepër të pranojë të realizojë këtë seminar rajonal në vendin tonë. Ky aktivitet është i pari në llojin e tij, dhe shpreh vlerësimin e lartë dhe besimin që Banka e Anglisë ka për Bankën e Shqipërisë. Qendra për Studimet e Bankingut Qendror njihet në nivel ndërkombëtar si një qendër e përsosjes intelektuale në fushën e studimeve të bankingut qendror. Duke u nisur nga qëllimi që kjo qendër i ka vënë vetes, si siguruese e mundësive për punonjësit e bankingut qendror për t'u pajisur me perspektiva më të gjera në fushat përkatëse të ekspertizës, ju ftoj të ndiqni me vëmendje atë që ekspertët e ftuar do të thonë. Arritjet e tyre profesionale dhe bankat qendrore që ata përfaqësojnë e garantojnë këtë.

Punë të mbarë!