BANKA E SHQIPËRISË

PRESS RELEASE
Fjala përshëndetëse e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani në takimin - Dita e komunikimit biznes - banka, Hotel Tirana International, 20 tetor 2005

Data e publikimit: 20.10.2005

 

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ritmet premtuese të rritjes së kreditimit të ekonomisë nga sektori bankar kohët e fundit, të bëjnë të mendosh se takimet e shumta të organizuara për të afruar bankat me bizneset më në fund po japin rezultatet e tyre. E megjithatë është ende herët për të thirrur fitore. Pa minimizuar rëndësinë e këtyre takimeve, mendoj se zgjerimi i kreditimit të bizneseve nuk është një çështje e lehtë për t'u zgjidhur, sidomos në një ekonomi në tranzicion si ekonomia jonë. Shpesh zgjidhja e çështjeve të ngritura shkon përtej dëshirës së mirë të komunitetit të biznesit dhe atij bankar. Ndaj duke iu shmangur retorikës së takimeve të mëparshme, që zakonisht vë përballë pretendimet e njërës palë ndaj tjetrës, do të doja të theksoja nevojën e një koordinimi më të mirë të përpjekjeve të të dy komuniteteve për zgjidhjen e problemeve të ndryshme.

Disa ditë më parë në përvjetorin e privatizimit të njërës prej bankave pjesëmarrëse në këtë takim, ndërmjet të tjerash theksova nevojën për intensifikimin e lidhjeve institucionale të sistemit bankar me shoqatat e ndryshme të biznesit. Takimi i sotëm është një shembull i shkëlqyer i vënies në praktikë të kësaj ideje, dhe shpresoj se do të shërbejë si fillim i kontakteve të rregullta midis shoqatës së bankave dhe asaj të bizneseve.

Institucionalizimi i marrëdhënieve bankë-biznes mund të ndihmojë në zgjidhjen e një sërë çështjeve, të cilat mund të jenë të vështira për t'u adresuar individualisht nga ana e bankave apo e bizneseve, qofshin këto dhe të mëdha. Shembulli më i mirë është përpjekja për reduktimin e ekonomisë informale. Të gjitha palët e ftuara në këtë takim janë shprehur pro luftës kundër evazionit dhe informalitetit. Megjithatë, në realitet konkurrenca e pandershme detyron shumë prej tyre të zgjedhin rrugët informale sepse në të kundërt e gjejnë veten jashtë tregut. Thyerja e këtij rrethi vicioz mund të bëhet duke koordinuar më mirë përpjekjet tona, në mënyrë që të shmanget i ashtuquajturi fenomen free-rider, ku biznesit të pandershëm i lihen hapësira për të përfituar nga situata.

Ndaj përshëndes aktivitetin e sotëm, duke besuar që nuk do të mbetet thjesht në kuadrin e komunikimit, por do të ngrihet në një nivel më të lartë koordinimi.