BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Fjalë përshëndetëse e Guvernatorit Gent Sejko, me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë

Data e publikimit: 06.11.2017

 

I nderuar Guvernator Çetinkajà,

I nderuar zoti Ambasador Bayraktar,

Të nderuar anëtarë të delagacionit të Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë,

Të nderuar miq,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të kem sot të ftuar Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë, z. Murat Çetinkajà, në një vizitë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në qendër të së cilës është nënshkrimi i një Memorandumi Bashkëpunimi mes institucioneve tona. Ky Memorandum është shprehje e vullnetit dhe e dëshirës sonë të përbashkët për të vazhduar dhe intensifikuar bashkëpunimin reciprok që kemi pasur në vite.

Fjalët përshëndetëse duhet të jenë të shkurtra dhe unë nuk do të doja t'i shmangesha kësaj tradite.

Megjithatë, sot e gjej me vend të ndaj me ju disa mendime mbi: (i) kontekstin ndërkombëtar të nënshkrimit të këtij memorandumi; (ii) stadin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Turqisë; dhe së fundi, (iii) drejtimet kryesore të bashkëpunimit në të ardhmen.

1. Konteksti ndërkombëtar

Institucionet tona - bankat qendrore të vendeve respektive - kanë një rol të rëndësishëm për promovimin dhe garantimin e stabilitetit monetar dhe financiar, duke mbështetur kështu zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe rritjen e mirëqenies së shtetasve tanë. Megjithatë, bankat qendrore sot hartojnë, zbatojnë, monitorojnë dhe vlerësojnë politikat e tyre monetare, mikro e makroprudenciale, në kontekstin e një ekonomie botërore tejet të integruar e të ndërvarur, e cila:

  • Nga njëra anë parashikon se integrimi nxit rritjen ekonomike, duke mundësuar një shpërndarje më eficiente të punës dhe të kapitalit, duke lehtësuar transferimin e njohurive dhe të teknologjisë, si dhe duke promovuar adoptimin e praktikave më të mira të administrimit ekonomik dhe financiar.
  • Ndërkohë që nga ana tjetër, eksperienca ka treguar se globalizimi mund të transmetojë e të amplifikojë edhe goditje negative ndërmjet vendeve, duke krijuar rreziqe të stabilitetit financiar, të cilat bien ndesh me mandatet e bankave qendrore.

Eksperienca e Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit dhe në vijim i ka ilustruar më së miri këto aspekte. Ekonomia shqiptare ka përfituar nga integrimi në ekonominë botërore, por së fundmi, ne kemi qenë edhe nën presionin e pasojave të krizës financiare që kaluan një pjesë e partnerëve tanë tregtarë.

Rrjedhimisht, funksionet tona të reagimit janë bërë gjithmonë e më komplekse, të lidhura jo vetëm me përshtatjen e tregjeve të brendshme të produkteve, punës dhe kapitalit ndaj goditjeve të jashtme, por edhe me ecurinë e tregjeve ndërkombëtare. Ky realitet na detyron të jemi të vëmendshëm ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, si dhe të kërkojmë zgjidhje të përbashkëta mbi sfidat me të cilat përballemi.

Në këto kushte, bashkëpunimi, bashkërendimi i politikave dhe forcimi i dialogut efektiv midis bankave qendrore është një parakusht i domosdoshëm për të shfrytëzuar mundësitë që ofron integrimi ekonomik, financiar e teknologjik, si dhe për të rritur imunitetin ndaj sfidave, të cilat e bashkëshoqërojnë atë.

2. Integrimi ekonomik e financiar midis vendeve tona

Vendet tona kanë shumë të përbashkëta - elemente më se të mjaftueshme për të ndërtuar e konsoliduar urat e bashkëpunimit. Turqia është treg i rëndësishëm për Shqipërinë dhe ekonominë e saj.

Për ilustrim:

  • Turqia është partneri i katërt i tregtisë së Shqipërisë dhe partneri i gjashtë nga pikëpamja e investimeve.
  • Në sektorin e shërbimeve, Turqia përfaqëson një destinacion të rëndësishëm për turistët shqiptarë; mesatarisht rreth 80 mijë shqiptarë udhëtojnë drejt Turqisë, ndërkohë që Shqipëria ka mirëpritur rreth 69 mijë udhëtarë turq në vitin 2016 dhe 38 mijë udhëtarë në harkun e gjashtë muajve të parë të vitit 2017.
  • Aktualisht në Shqipëri veprojnë rreth 429 kompani të përbashkëta dhe interesi i investitorëve turq për Shqipërinë është i madh. Stoku i investimeve të huaja direkte nga Turqia llogaritet në rreth 481 milionë euro, duke përfaqësuar rreth 4.3% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Këto investime janë përqendruar kryesisht në fusha si: energjetika, përpunimi i metaleve, telekomunikimi dhe ajo financiare.
  • Veçanërisht e rëndësishme është prania e kapitalit turk në sektorin bankar dhe financiar. Një nga bankat kryesore të sistemit tonë bankar është me kapital turk. Së fundmi, krahas bankingut klasik, kapitali turk është shtrirë edhe në institucione financiare jobanka, duke ndihmuar thellimin dhe zhvillimin e tregjeve alternative financiare.

Të dy vendet tona kanë potencial të madh ekonomik e financiar, i cili nuk duhet të kufizohet brenda territoreve gjeografike të tyre. Banka e Shqipërisë është një mbështetëse aktive e integrimit financiar dhe ekonomik, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat më të rëndësishme për të çliruar potencialin e ekonomisë dhe për të rritur rezistencën e saj ndaj goditjeve.

3. Mbi Memorandumin

Të gjitha sa përmenda më sipër, nënvizojnë rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi ekonomik dhe financiar me Turqinë. Ky bashkëpunim na imponon edhe ne - si politikëbërës - të intensifikojmë shkëmbimin e informacionit dhe opinioneve, si dhe të tentojmë të promovojmë gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për sfida të përbashkëta.

Në këtë frymë, Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore e Republikës së Turqisë nënshkruajnë sot këtë memorandum bashkëpunimi, i cili mund të konsiderohet fare mirë si kurorëzimi i bashkëpunimit tonë të deritanishëm disavjeçar, si dhe i përpjekjeve tona të vazhduara për të hartuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit në një sërë fushash të bankingut qendror.

Ky memorandum i shton një dimension të ri marrëdhënieve midis vendeve tona. Ai konfirmon vullnetin për të rritur më tej këtë bashkëpunim dhe për të konsoliduar lidhjet midis dy vendeve, duke u krijuar të dy institucioneve hapësirën e nevojshme për intensifikimin e shkëmbimit të ndërsjellë të informacionit dhe ekspertizës në fusha të ndryshme të bankingut qendror, si: mbikëqyrja, stabiliteti financiar, puna kërkimore, edukimi financiar etj., si dhe të dialogut të rregullt në nivel teknik e politik. Ai përbën një hap të rëndësishëm për të përfituar maksimalisht nga efektet pozitive të integrimit dhe për të minimizuar ato negative.

Së fundi, gjej me vend të nënvizoj se Banka e Shqipërisë do të bëjë përpjekjet maksimale që bashkëpunimi në kuadër të kësaj marrëveshjeje të jetë sa më konkret dhe me ndikim të drejtpërdrejtë.

Në përfundim të fjalës sime, më lejoni që, në emër të Bankës së Shqipërisë, të falënderoj edhe një herë Bankën Qendrore të Republikës së Turqisë për bashkëpunimin mjaft të frytshëm që kemi pasur në vazhdimësi, si dhe t'i shpreh falënderimet e veçanta për mbështetjen e tij të pakursyer, Guvernatorit Çetinkajà, i cili na ka nderuar sot me praninë e tij në ceremoninë e nënshkrimit të këtij Memorandumi të përbashkët.

Ju Faleminderit!