BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Fjalimi i mbajtur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Konferencën e Nivelit të Lartë organizuar nga BERZH, ''Çështje kryesore lidhur me Politikat e Remitancave në Ekonomitë në Tranzicion: Pikëpamje nga një vend pritës''

Data e publikimit: 29.09.2005

 

Në ditët e sotme remitancat mund të klasifikohen lehtësisht si një nga burimet më të rëndësishme financiare për ecurinë e vendeve në zhvillim, duke e lënë në hije financimin e zakonshëm siç është kreditimi bankar. Fluksi i remitancave në mbarë botën i kalon 100 miliardë usd në vit, ku më shumë se 60 përqind e kësaj shume të konsiderueshme shkon drejt vendeve në zhvillim. Remitancat shpesh vlerësohen më të larta se flukset hyrëse nga tregtia apo financimi dhe investimi i huaj. Për këtë arsye, ato janë kthyer në një mekanizëm të rëndësishëm për kanalizimin e fondeve dhe burimeve nga vendet e zhvilluara drejt vendeve në nevojë. Gjithashtu, remitancat, sikurse investimet e huaja direkte (FDI), konsiderohen si flukse kapitali të sigurta, të cilat ndihmojnë vendet në zhvillim për të arritur norma rritjeje të larta e të qëndrueshme.

Në vitet e fundit, kemi parë një rritje të interesit lidhur me remitancat si një burim i rëndësishëm financiar për zhvillim. Kjo çështje u përfshi edhe në axhendën e takimit të G8-ës në vitin 2004 dhe në takimin e pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore në fillim të këtij viti, duke theksuar rëndësinë në rritje të migracionit, dhe brenda tij, të remitancave të emigrantëve, si edhe duke bërë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve drejt përmirësimit dhe identifikimit të shkaqeve të tyre, dhe krijimin e një ambjenti i cili do të mund të rriste ndikimin e remitancave në procesin e zhvillimit.

Më lejoni të ndaj shkurtimisht me ju përvojën tonë (shqiptare) me remitancat si edhe disa sugjerime mbi përmirësimin e përdorimit dhe efikasitetit të tyre në ekonomi.

Gjatë viteve ‘90-të, Shqipëria përjetoi një lëvizje masive të emigracionit jashtë, i cili shpejt u bë një burim i rëndësishëm financiar për ekonominë e re të tregut. Sipas disa studimeve (Barjaba, 2004; INSTAT, 2002; Kule et al, 2002, 2002), që prej vitit 1990, afërsisht 800,000 shqiptarë mund të jenë larguar nga vendi përgjithmonë ose për një periudhë të përkohshme. Disa vlerësime më të fundit tregojnë se numri i shqiptarëve që jetojnë jashtë mund të ketë arritur në 1 milion. Kjo është një shifër e konsiderueshme për një vend të vogël si Shqipëria me vetëm 3 milionë banorë. Për rrjedhojë, fenomeni i eksodit ka tërhequr një vëmendje të madhe si në qarqet politike ashtu edhe në ato ekonomike.

Roli i remitancave në ekonomi është rritur dukshëm me kalimin e kohës. Ne mund ta vlerësojmë më lehtë rëndësinë e tyre, nëse i krahasojmë me disa tregues kryesorë ekonomikë. Megjithatë, përpara se ta bëj diçka të tillë, do të doja të thoja disa fjalë mbi besueshmërinë e të dhënave mbi remitancat. Është shumë e vështirë që të bëhet një vlerësim i saktë i remitancave në Shqipëri duke patur parasysh që një pjesë e madhe e tyre nuk kalon përmes kanaleve formale (zyrtare) të transferimit, duke i shpëtuar kështu regjistrimit zyrtar të fluksit të kapitalit. Banka e Shqipërisë regjistron vetëm atë pjesë të remitancave, e cila kalon përmes rrjeteve zyrtare, që përfshijnë bankat dhe agjencitë e transferimit të parave. Remitancat e dërguara në rrugë jozyrtare, siç janë paratë e sjella nga emigrantët apo miqtë e tyre gjatë vizitave në Shqipëri, mbeten për t'u vlerësuar.

Përvoja e tranzicionit deri tani ka treguar se deficitet e larta tregtare nuk janë financuar vetëm përmes flukseve zyrtare të kapitalit, të cilat pa diskutim kanë luajtur një rol të rëndësishëm, por gjithashtu përmes remitancave të cilat kanë rritur mundësitë financuese brenda llogarisë korente. Gjatë periudhës 1994 - 2004, nga 6.3 miliardë usd në formën e transfertave korente që kanë hyrë në vend, 5.8 miliardë vlerësohen të jenë kontribut i emigrantëve shqiptarë.