BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, takon Ambasadoren e re të Republikës Franceze, në Tiranë

Data e publikimit: 09.10.2017

 

Në datë 9 tetor 2017, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi takimin e parë zyrtar në ambientet e Bankës së Shqipërisë, me Ambasadoren e re të Republikës Franceze, në Tiranë, SH. S. Zj. Christina Vasak.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu vlerësimet Ambasadores së Republikës Franceze në Shqipëri, SH. S. Zj. Christina Vasak, për marrëdhëniet e ngushta të bashkëpunimit midis dy vendeve.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Sejko, prezantoi për Ambasadoren zhvillimet ekonomike në vend, ku u shpreh se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka ndihmuar duke influencuar pozitivisht në trajektoren e zhvillimit ekonomik, në qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit, si dhe në stabilitetin financiar të vendit. 

dsc6097  498

Më tej, Guvernatori Sejko e njohu Ambasadoren Vasak me zhvillimet financiare në vend, me fokus të veçantë në sektorin bankar. Guvernatori Sejko theksoi se sistemi financiar karakterizohet nga nivele të kënaqshme kapitalizimi dhe likuiditeti. Në panoramën e sektorit bankar, Guvernatori Sejko veçoi përmirësimin e treguesit të kredive me probleme, duke u shprehur se plani ndërinstitucional i ndërmarrë i ka dhënë efektet e tij duke bërë që raporti i tyre ndaj kredisë totale të zbresë në nivelin më të ulët që prej vitit 2011.

Në vijim bisedat u përqendruan në marrëdhëniet ekonomike dypalëshe si dhe në rëndësinë e promovimit të potencialeve të vendit tonë. Në këtë drejtim u theksua rëndësia e investimeve të huaja franceze në Shqipëri, mundësitë e rritjes së mëtejshme të shkëmbimeve tregtare, si dhe forcimit të marrëdhënieve në sektorë strategjikë të zhvillimit të vendit, si në industri, bujqësi, turizëm etj.

Guvernatori Sejko përfitoi nga rasti të falënderojë Ambasadoren Vasak për bashkëpunimin e suksesshëm të Bankës së Shqipërisë me Bankën e Francës, veçanërisht për asistencën e dhënë prej saj në projekte të përbashkëta të zhvilluara në disa fusha të aktivitetit të Bankës së Shqipërisë.

Nga ana e saj, Ambasadorja SH. S. Zj. Christina Vasak vlerësoi rolin e rëndësishëm që ka Banka e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian nëpërmjet kontributit të dhënë në përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e BE-së. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë e vazhdimit të reformave strukturore, e në veçanti të asaj në drejtësi, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit dhe në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në përfundim, Ambasadorja e Republikës Franceze në Tiranë, SH. S. Zj. Christina Vasak, falënderoi Guvernatorin Sejko për takimin dhe shprehu vlerësimet e saj për kontributin e qenësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.