BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Konferencë për shtyp e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani.

Data e publikimit: 23.01.2002

 

Mirëdita dhe mirëseardhët.

Në këtë konferencë shtypi dua të shtjelloj dy çështje, që kanë të bëjnë me funksionet e bankës qëndrore dhe me aktualitetin. E para është inflacioni dhe çështja e dytë që doja të trajtoja është euro, futja e euros në Shqipëri. Lidhur me inflacionin, duke qënë treguesi kryesor i çdo banke qëndrore të çdo vendi, më duhet të them që në Shqipëri në vitin 2001 u vërtetua një inflacion vjetor 3.5 për qind. Shifra është përfundimtare. Ajo është brënda intervalit të deklaruar nga Banka e Shqipërisë 2 deri në 4%. Natyrisht që është gjë e mirë që u vërtetua brënda intervalit. Ndërkohë inflacioni i muajit dhjetor ishte 5.3 për qind. Edhe këtu, deri diku mund të themi që u vërtetua parashikimi, ose ajo pritje e Bankës së Shqipërisë, që do të kishim një rritje të inflacionit.

Natyrisht që nuk jam i kënaqur që vërtetohet rritja e çmimeve, por jemi përpara një fakti dhe ne bëmë parashikimet lidhur me këtë çështje. Ndikuesi kryesor në inflacionin e vitit 2001, pothuajse si për traditë, është zëri "ushqime, pije dhe duhan", i cili si zë është rritur me 6.4% dhe ka dhënë një ndikim në inflacion me 4.4 për qind, ndërsa vetë nënzëri "fruta-perime" ka patur një rritje prej 19.8 për qind. Është pothuajse po kaq sa ç'është rritur në muajin dhjetor në vitin 2000. Natyrisht ky është zëri që na jep të drejtën ne të nxjerrim konkluzionin që ka dhe një rritje spekulative të çmimeve, për arësye se është një rritje e fortë në një muaj dhe dihet që lidhet me tre festat që kanë shoqëruar vitin 2000 dhe vitin 2001. Thashë tre festat që kanë shoqëruar, pse në vite të tjera bëhen dy, ngaqë festa e Ramadanit zhvendoset në kohë. Me të trija festat rrjesht, kjo jep një hapësirë më të madhe për spekullim, për arësye se ka një rritje të kërkesës të shpejtë, të fortë dhe të vazhdueshme në kohë.

Gjithashtu në inflacionin e muajit dhjetor ka ndikuar dhe rritja e çmimeve të konsumit të energjisë elektrike që më 1 dhjetor me 50 për qind për pjesën mbi 300 kilovat/orë. Përllogaritjet janë që në inflacion kjo të ketë ndikuar diku tek 1 përqindëshi. Ka edhe zëra të tjerë që kanë ndikuar në inflacion.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.