BANKA E SHQIPËRISË

Sfida e vitit 2004: reduktimi i parasë cash dhe zëvendësimi me veprimet bankare
Leksion i Guvernatorit, z.Shkëlqim Cani, në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Aleksandër Xhuvani të Elbasanit

Data e publikimit: 01.04.2004

 

Sot Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z.Shkëlqim Cani zhvilloi një leksion special me studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit Aleksandër Xhuvani të qytetit të Elbasanit, me teme "Sfida e vitit 2004 : reduktimi i parase cash dhe zevendesimi me veprimet bankare".

Në parashtresën e leksionit, z.Cani u ndal kryesisht në shkaqet e qarkullimit të parasë cash në ekonominë shqiptare dhe ndërvarësinë e saj me ekonominë informale dhe jozyrtare.

Banka e Shqipërisë e konsideron reduktimin e përdorimit të cash-it në ekonomi, si një problem kompleks, jo vetëm i institucionit të Bankës Qendrore. Programi i BSH-së për reduktimin e cash-it dhe zëvendësimit me veprime me bankat, kërkon bashkëpunimin e të gjithë pjesëmarrësve të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të vendit.

Faza e parë e programit të Bankës së Shqipërisë për reduktimin e cash në ekonomi u mbyll në nëntor të vitit 2003, me realizimin e tryeze të rrumbullakët, ndërinstitucionale. Gjatë kësaj faze u zhvilluan takime dhe diskutime ndërmjet Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë dhe bankave të nivelit të dytë, KESh-it, Albtelecom-it, Albapostës. Kjo fazë është konsideruar si periudha e sensibilizimit, kryesisht të institucioneve shtetërore në lidhje me problemin e pranisë së gjerë të përdorimit të cash -it në ekonominë tonë.

Qeveria Shqiptare, është mjaft e interesuar për të reduktuar këtë fenomen, sepse ai ndikon drejtpërdrejtë në gjetjen e rrugëve efikase për rritjen ekonomike të vendit. Kjo për faktin se paratë kanalizohen nëpërmjet rrugëve zyrtare dhe kthehen në të shfrytëzueshme nëpërmjet sistemit bankar. Në këtë mënyrë, pjesë të aktivitetit ekonomik të vendit kthehen nga ‘të paidentifikuara' në ‘të identifikuara'. Ky element, bën që me të drejtë qeveria shqiptare (Ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë) të konsiderohet bashkëpunëtorja më e afërt e Bankës së Shqipërisë në këtë program.

Si mund të reduktohet cash-i në ekonominë shqiptare?

Bankat, biznesi dhe individët janë njëra anë e marrëdhënies që lind për t'i shërbyer reduktimit të cash-it, ndërsa qeveria me strukturat përkatëse administrative (Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave), ka një rol përcaktues në rregullimin e kësaj marrëdhënie në favor të jocash-it.

Administrata shtetërore, mund të veprojë në disa drejtime të rëndësishme duke përmbushur kështu, rolin rregullativ që shteti ka në këtë marrëdhënie të gjerë. Le të listojmë disa prej drejtimeve:

  1. pagesat dhe arkëtimet në favor të buxhetit të shtetit duhet të kryhen maksimalisht nëpërmjet sistemit bankar. Kjo masë synon përfshirjen e biznesit në kryerjen vetëm të transfertave bankare.
  2. detyrim për çelje llogarish dhe kryerje transfertash bankare edhe në marrëdhënie me organet fiskale, duhet t'i ketë jo vetëm biznesi i madh, por në tërësi biznesi shqiptar;
  3. stimulimi i përdorimit të gjerë të formave te ndryshme bankare te pagesave si si psh çekut etj. Shtytje e madhe i duhet dhënë edhe biznesit të vogël në këtë drejtim jo për shumën, por thjesht për numrin e madh të tyre;
  4. gjykohet se ka ardhur koha që shlyerja e detyrimeve në formën e pagave dhe shpërblimeve të tjera të administratës shtetërore të kryhet nëpërmjet llogarive bankare. Këtu mund të trajtohet edhe ideja e kalimit të pensioneve nëpërmjet llogarive bankare;
  5. instalimi dhe fillimi nga puna i sistemit të kleringut, është një hap që ndihmon marrëdhënien: bankë - klient (biznes ose individ) - tatime dhe dogana - sistem informacioni statistikor.
  6. rishikimi i kuadrit ligjor dhe rregullativ që ndihmon problemin për të cilin diskutohet sot;
  7. kryerja e likuidimeve të detyrimeve mujore (energji, ujë, telefon, rimbursime shëndetësore) të punonjësve të administrates publike nëpërmjet transfertës bankare.

Bankat e nivelit të dytë, janë aktore që luajnë një rol mjaft të rëndësishëm në marrëdhënien ekonomi - klient - cash. Gjykojme se ka ardhur koha që sistemi bankar të veprojë më me agresivitet, sidomos sot, kur pritet që konkurrenca në tregun bankar do të rritet me tej veç te tjerash edhe me ardhjen e Raiffeisen Zentral Bank.

Sa i perket sistemit bankar, gjykohet se masa te nevojshme jane:

  • prania e agjencive bankare pranë pikave ku arkëtohen detyrimet periodike si dhe të tjera detyrime me natyrë fiskale; pranë komunave dhe bashkive të vogla.
  • ndërtimin e një sistemi elektronik që do të verifikojë on - line gjendjet e kartave elektronike, një hap ky që do të inkurajonte përdorimin masiv të kartave të kreditit dhe të debitit.
  • rritjen e shërbimeve bankare dhe uljen e mundshme komisioneve që sistemi bankar përdor.
  • shtimin e marketingut të biznesit bankar.

Biznesi, është pjesë e rëndësishme e marrëdhënies qeveri - biznes - bankë, e ndërtuar mbi bazë mirëkuptimi, rregulli dhe respektimi të rregullave nga të gjithë dhe për të gjithë njësoj.

Publiku, është një aktor i kudondodhur i këtij programi. Së pari, ai duhet të mirëkuptojë qëllimin e programit, më pas të njohë dhe të përdorë instrumentet bashkëkohore të pagesave duke rritur vëllimin e transaksioneve që kryen nëpërmjet sistemit bankar.

Leksioni i plotë "Sfida e vitit 2004 : reduktimi i parasë cash dhe zëvendësimi me veprimet bankare" (pdf).

Prezantimi i leksionit (ppt).