BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Leksioni i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, në Universitetin e Bocconi-t "Konvergimi i ekonomive dhe i institucioneve të Evropës Juglindore drejt BE-së: Pikëpamja e Shqipërisë", 10 tetor 2007, Milano, Itali

Data e publikimit: 12.10.2007

 

Zonja dhe zotërinj, mirëdita!

Të nderuar studentë, jam i lumtur që dal përpara jush sonte. Ky është një rast shumë i mirë dhe unë jam i kënaqur që po ndaj me ju disa nga mendimet dhe pikëpamjet e mia mbi vendin tim dhe mbi rajonin e Ballkanit.

1. PAK FJALË MBI SHQIPËRINË

Do të doja ta filloja prezantimin tim duke thënë pak fjalë mbi vendin tim, mbi zanafillën, të kaluarën dhe e të tashmen e tij.

Shqipëria është një vend i vogël në Evropën Juglindore, i lagur nga deti Adriatik dhe nga deti Jon, dhe në kufi me Greqinë, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi.

Sot, njihet botërisht se shqiptarët janë një nga popujt më të lashtë të Evropës Juglindore. Të gjitha të dhënat të çojnë në faktin se ata janë pasardhës të ilirëve. Autorët e lashtësisë tregojnë se ilirët ishin njerëz miqësorë dhe mikpritës, të njohur për trimërinë dhe guximin e tyre në luftë. Gratë ilire kishin status të barabartë me burrat, edhe për sa i përket të qenurit prijëse të bashkësive fisnore. Toka e Ilirisë ishte e pasur me minerale hekuri, bakri, ari, argjendi dhe ilirët ishin mjaft të aftë në nxjerrjen dhe përpunimin e metaleve. Ata ishin mjeshtër të mëdhenj në ndërtimin e anijeve dhe madje, detarë shumë të aftë. Në të vërtetë, galerat e tyre të lehta dhe të shpejta të njohura si "liburne" ishin të ndërtuara aq mirë, saqë romakët i trupëzuan ato në flotën e tyre si një lloj luftanijeje të quajtur "Liburnia".

Oratori i famshëm romak Ciceroni, i mahnitur nga bukuria e Apollonisë e quajti atë në Philippics, si magna urbs et gravis - një qytet madhështor dhe i rëndësishëm. Në shekullin e parë p.k., Oktavian Augusti studioi filozofi në Apolloni, deri në momentin që dëgjoi për vrasjen e Çezarit në Senat dhe u kthye që të bëhej perandori i ardhshëm romak.

Më shumë se një mijë vjet më pas, kalaja e Skënderbeut në qytetin malor të Krujës, u bë mjaft e rëndësishme për popullin shqiptar, pasi përforcoi solidaritetin e tij, e bëri më të vetëdijshëm për identitetin kombëtar dhe më vonë shërbeu edhe si burim i madh frymëzimi në luftën e tij për bashkim kombëtar, liri dhe pavarësi. Arritjet ushtarake të Skënderbeut zgjuan interesimin dhe admirimin e shtetit papal, të Venecias dhe të Napolit, të cilat gjendeshin të kërcënuara nga forcat e fuqizuara otomane përtej Adriatikut.
Kushdo që ka vizituar Shqipërinë është mrekulluar nga bukuritë dhe nga shpirti i banorëve të saj. Mjaft figura të shquara botërore ishin aq të prekur në vizitat e tyre, saqë bënë që emri i Shqipërisë të përjetësohej në kryeveprat e tyre artistike.

Shqipëria gëzon famën e një toke me bukuri dhe romanticitet të lartë natyror. Të dyja këto karakteristika e kanë bërë atë më tërheqëse, më misterioze, më të ndaluar dhe më sfiduese për të huajt, qofshin ata udhëtarë, studiues, diplomatë apo tregtarë. Shumë prej tyre i janë referuar asaj si "Zvicra e Ballkanit" ose si "kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore". Nga ana tjetër, izolimi i pazakontë i vendit nga pjesa tjetër e botës, si rezultat i terrenit të thyer malor, ka bërë që të huajt t'i referohen si "Tibeti i Evropës" ose si një vendi më të mistershëm sesa Afrika Qendrore.

Historiani i madh anglez i shekullit të tetëmbëdhjetë Edward Gibbon, duke folur për Shqipërinë, ka thënë se ajo është "një vend brenda fushëpamjes së Italisë, i cili është më pak i njohur sesa brendësia e Amerikës".

Largësia dhe izolimi i vendit u kthye në një legjendë dhe shumë shpesh, ato u bënë shkas për relacione dhe përshkrime të vendit dhe të njerëzve - madje edhe në libra dhe në enciklopedi - të cilat ngjanin më shumë me legjendat sesa me realitetin. Ndoshta për shkak të largësisë së saj romantike dhe për arsye të tjera, Shqipëria ka magjepsur vazhdimisht artistët, përfshirë këtu poetët, dramaturgët, kompozitorët dhe kohët e fundit, regjisorët e filmave dhe producentët e programeve televizive.

Shekspiri krijoi komedinë e tij "Nata e dymbëdhjetë në Iliri", emër me të cilin Shqipëria njihej në kohët antike. Lord Bajroni, i cili vizitoi Shqipërinë Jugore në vitin 1810, shkroi disa vargje prekëse për peizazhin e këtij vendi në poemën e tij "Çajlld Harold".

"Agimi lind; me të po çohen brigjet e Shqipëris' së rreptë...
çuka mjegull veshur, të lara prrenjsh të bardhë si dëbora.."

Në operën komike të Moxartit "Così fan tutte", personazhet kryesorë mashkullorë, Ferrando dhe Guglielmo, shfaqen në pjesën më të madhe si dy "fisnikë shqiptarë", me një plan mendjehollë për të provuar dashurinë e të fejuarave të tyre.

U përpoqa t'ju sillja pak nga atmosfera e vendit tim nëpër shekuj. Duke qenë një udhëkryq, porta kryesore e lindjes drejt perëndimit, Shqipëria e sotme përfaqëson një faktor të rëndësishëm, roli i vetëm i së cilës është sigurimi i paqes dhe stabilitetit në rajon.

2. SHQIPËRIA GJATË TRANZICIONIT

Për shumë dekada me rradhë, Shqipëria u izolua nga vendet e tjera evropiane, përfshirë këtu edhe ato të Evropës Qendrore dhe Lindore, për shkak të centralizimit ekonomik të tejskajshëm dhe të ndjekjes së parimit të mbështetjes në forcat e veta. Tranzicioni solli një ndryshim strukturor të parimeve të filozofisë ekonomike. Forcat e tregut morën nën kontroll shpërndarjen e burimeve ekonomike dhe reduktimin e zhbalancimeve ekonomike ekzistuese. Ky proces çoi në rritjen e papunësisë, në uljen e prodhimit dhe të konsumit, në një kohë kur çmimet e mallrave të konsumit u rritën me mbi 100 për qind. Nën presionin e uljes së prodhimit dhe të zhvlerësimit të madh të monedhës vendase, rezervat valutore u zhdukën pothuajse menjëherë. Besimi i publikut ra në masë të madhe dhe shumë shqiptarë emigruan kryesisht në vendet fqinje. Gjendja financiare gjithashtu, u përkeqësua në mënyrë të shpejtë. Siç e dimë, politika monetare nuk ekzistonte në atë kohë, pasi Shqipëria nuk kishte një bankë qendrore moderne.

Reformat e para strukturore u përqendruan në shkurtimin e subvencioneve për ndërmarrjet shtetërore në gjendje falimentimi, në liberalizimin masiv të çmimeve, në procesin e privatizimit dhe në reformën e tokës. Ato u shndërruan në një nxitje të nevojshme për konsolidimin e shpejtë makroekonomik gjatë viteve 1993 - 1995. Gjatë viteve ‘90, rruga e Shqipërisë ka qenë mjaft e çrregullt, duke përbërë një nga përvojat më unike të tranzicionit. Ishte një eksperiment, një "provo e gabo!" nga të gjithë. Ishte kërkimi i të kuptuarit të rolit dhe të pozicionit në këtë ekonomi të re tregu; i rizbulimit të stimujve të sipërmarrjes private dhe të rrezikut që përfshihej në vendimmarrjen ekonomike. Gjatë këtij procesi, shoqëria shqiptare hodhi themelet e konsolidimit makroekonomik që filloi me mijëvjeçarin e ri, si dhe të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për një periudhë të gjatë kohore, ekonomia është rritur me rreth 6 për qind në vit, duke kontribuar në tendencën rritëse të PBB-së për frymë e duke kapur shifrën prej rreth 2.500 euro. Inflacioni ka qenë mjaft i qëndrueshëm, duke mbetur brenda intervalit tonë të synuar prej 2 - 4 për qind, i mbështetur nga politika e përgjegjshme monetare dhe fiskale.

Reformat e tjera strukturore përmirësuan funksionimin e ekonomisë së tregut. Privatizimi i ndërmarrjeve të mesme e të mëdha, privatizimi i ish-bankave publike, modernizimi i kuadrit ligjor, si dhe shumë reforma të tjera të rëndësishme ndihmuan në ecurinë e mëtejshme të ekonomisë shqiptare.

Vitet e fundit, unë mendoj që vendi ka bërë hapa të konsiderueshëm në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Pasi humbëm shanset tona gjatë viteve ‘90, unë mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe personalisht, kam bindjen se distanca që na ndan nga destinacioni ynë përfundimtar, Brukseli, po shkurtohet dita-ditës. Vitet në vijim kanë një rëndësi jetike për anëtarësimin në BE, duke qenë se Shqipëria po përgatitet për të ecur me këmbët e veta. Marrëveshja aktuale me FMN-në përfundon në fund të vitit 2008. Shpresoj që Acquis Communautaire do të shndërrohet në një motor të jashtëm që do të drejtojë vendin tonë drejt familjes evropiane.


3. BANKA E SHQIPËRISË

Shqipëria krijoi për herë të parë institucionin e bankës qendrore në vitin 1913. Ky institucion u krijua si rezultat i një marrëveshjeje të qeverisë së Ismail Qemalit me disa përfaqësues të një grupi bankar austro-hungarez dhe të Banca Commerciale Italiana. Institucioni nuk pati jetë të gjatë për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe aktiviteti i bankës rifilloi vetëm në vitin 1925, nën emrin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Gjatë viteve 1944-1992, institucioni u quajt Banka e Shtetit Shqiptar, e cila në atë kohë ushtronte së bashku funksionet e një banke qendrore dhe ato të një banke tregtare. Vetëm pas vitit 1992, në Shqipëri u vendos sistemi dynivelor dhe Banka e Shqipërisë mori funksionet e një banke qendrore moderne. Në bazë të ligjit të Kuvendit, ajo ka mandatin e autoritetit monetar dhe mbikëqyrës të vendit.

Objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve. Duket se në këtë mënyrë, Banka e Shqipërisë ka gjetur zgjidhjen e dilemës së objektivit themelor të politikës monetare në favor të stabilitetit të çmimeve, i cili do të kontribuojë në një rritje të qëndrueshme dhe në arritjen e një ekuilibri të tregut të punës, në periudhën afatgjatë.

Nga një këndvështrim historik, që në fazat e para të tranzicionit, ne adoptuam regjimin e shënjestrimit monetar. Zgjedhja u bë duke besuar në thënien e Friedmanit se "inflacioni është kudo dhe gjithmonë një fenomen monetar". Kontrolli i drejtpërdrejtë mbi rritjen e parasë, mbi rritjen e kredisë dhe mbi normat e interesit përbënin instrumente operacionale të politikës monetare, që kishin për qëllim kontrollin e ofertës së parasë, e cila shërben si objektiv i ndërmjetëm.

Për të arritur objektivat monetarë, u zgjodh një regjim i luhatshëm i kursit të këmbimit. Format e tjera të regjimeve të kursit të këmbimit nuk u diskutuan asnjëherë, për shkak të mungesës së rezervave të mjaftueshme valutore e për pasojë, të paaftësisë për të mbështetur një normë fikse të monedhës vendase. Për më tepër, regjimi fleksibël u zgjodh si një stabilizator automatik i rritjes së shpejtë të deficitit korent. Si rrjedhojë, zgjedhja midis alternativave të ndryshme të programit të stabilitetit ishte e kushtëzuar (dhe e thjeshtë).

Në përgjithësi, ky regjim ka rezultuar i suksesshëm dhe vazhdon të jetë ende kuadri operativ i politikës monetare. Unë kam bindjen, se suksesi i tij është përcaktuar nga ndërhyrjet financiare të pakta dhe nga tregjet e pazhvilluara financiare. Marrëdhënia e supozuar e qëndrueshme ndërmjet parasë dhe transaksioneve mundësoi një programim të sigurtë monetar, të bazuar në ekuacionin e këmbimit të Fisherit. Megjithatë, me rritjen e efikasitetit dhe të shpejtësisë së ndërmjetësimit financiar dhe me vënien në lëvizje të risive financiare, kjo politikë është vjetëruar. Banka e Shqipërisë është zhvendosur nga kontrolli i drejtpërdrejtë i parasë, drejt kontrollit jo të drejtpërdrejtë të ofertës së parasë në ekonomi.

Në kontekstin e rishikimit të mënyrës së drejtimit të politikës monetare gjatë viteve të fundit, ne i kemi kushtuar pjesën kryesore të burimeve tona kërkimore dhe analitike të kuptuarit më mirë të lidhjes dhe të shkakësisë midis inflacionit dhe faktorëve ekonomikë, që kanë ndikim mbi të në kuadrin e ekonomisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi harmonizuar në politikën tonë, elemente të rëndësishme të politikës monetare, të cilat përcaktojnë karakteristikat kryesore të regjimit të inflacionit të shënjestruar. Ekspertë të ndryshëm të politikës monetare, të njohur në arenën ndërkombëtare kanë krahasuar kuadrin aktual të politikës monetare me kuadrin e plotë të inflacionit të shënjestruar.

Gjatë viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka bërë publik një objektiv numerik prej 3 për qind, me një zonë tolerance +/-1 për qind për inflacionin e 12 muajve të ardhshëm. Për më tepër, norma e marrëveshjeve të riblerjes me maturim njëjavor është kthyer në instrumentin më të rëndësishëm sinjalizues të politikës monetare. Ne ende jemi në procesin e kërkimit empirik dhe të kuantifikimit të kanaleve të transmetimit monetar, me vëmendje të veçantë mbi eficiencën e tregjeve ndërbankare.

Më duhet të pranoj se efektiviteti i politikës tonë monetare është rritur. Në përgjithësi, ne jemi të kënaqur me reagimin e normës së interesit, e cila modelon zhvillimet e normës bazë të Bankës së Shqipërisë në një vonesë të duhur kohore. Gjithashtu, komunikimi në rritje dhe më efikas me publikun reflektohet në ruajtjen e pritshmërive të inflacionit, të cilat ankorohen në objektivin numerik të shpallur nga Banka e Shqipërisë. Ne jemi të kënaqur të konstatojmë se rezultatet e vrojtimeve të besimit të konsumatorit dhe të biznesit, si edhe vrojtimet mbi pritshmëritë e tregjeve financiare dëshmojnë për këto tendenca. Dihet se këto përfundime janë rezultat i vëmendjes së vazhdueshme që i është kushtuar përmirësimit konstant të kuadrit institucional dhe rregullativ, nën të cilin vepron Banka e Shqipërisë. Në veçanti, kjo vlen për aspektin e pavarësisë, të transparencës dhe të përgjegjshmërisë. Institucionet vendase dhe të huaja janë të vetëdijshme për faktin se statusi i pavarësisë ligjore dhe reale të Bankës së Shqipërisë gëzon standarde të kënaqshme. Nga ana tjetër, ne besojmë se pavarësia përfaqëson një proces dinamik e jo një proces statik. Për rrjedhojë, ne kemi adoptuar praktika bashkëkohore të komunikimit, me qëllim shpjegimin e vendimeve tona publikut shqiptar.

Ky proces është konkretizuar në përmirësimin e vazhdueshëm të raportit të politikës monetare, në komunikimin zyrtar të Këshillit Mbikëqyrës lidhur me vendimet e politikës monetare, në përmirësimin e analizave dhe të kërkimeve, dhe e fundit por jo më pak rëndësishmja, në aktivitetin publik të shpeshtë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, mbajtur me grupe të ndryshme të interesit në të gjithë vendin. Të gjitha këto të marra së bashku kanë përmirësuar aftësinë e të kuptuarit të publikut dhe ndërtimin e pritshmërive nga ana e tij lidhur me zhvillimet aktuale dhe ato të ardhshme të inflacionit dhe të aktivitetit ekonomik.

Mënyra e komunikimit të Bankës së Shqipërisë ka rritur më tej përgjegjshmërinë, besueshmërinë dhe autoritetin tonë përpara publikut shqiptar. Gjatë 2-3 viteve të fundit, ne kemi rritur rolin tonë në programet afatshkurtra dhe afatmesme të zhvillimit ekonomik dhe financiar. Që nga fillimi i periudhës së tranzicionit, programi ekonomik është hartuar dhe zbatuar me mbështetjen e programeve të FMN-së. Programi aktual do të përfundojë në vitin 2008. Duke filluar nga viti 2009, Banka e Shqipërisë dhe autoritetet e tjera shqiptare do të marrin tërësisht pronësinë e hartimit dhe të zbatimit të politikave financiare dhe monetare. Ndërkohë bashkëpunimi ynë me Fondin Monetar Ndërkombëtar do të vazhdojë sipas Artikullit IV, për më tepër, ndihma e FMN-së do të shihet gjithmonë si një faktor i mirëpritur dytësor.

Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme shqiptare, së pari dhe më së shumti me autoritetet fiskale, me banka qendrore evropiane të ndryshme, këshilltarë financiarë ndërkombëtarë dhe akademikë, për të identifikuar regjimin e ri të politikës monetare. Regjimi i ri duhet të jetë eficient, i parë në dritën e ndryshimeve të fundit në tregjet financiare dhe më e rëndësishmja, ai duhet të sigurojë pika referimi të shëndosha për politikën monetare dhe për sovranitetin e saj.

Më lejoni të përshkruaj shkurtimisht karakteristikat kryesore të regjimit të ri që ne mendojmë të zbatojmë.

A. Regjimi i politikës monetare. Sikurse e përmenda më lart, kemi më shumë se dy vjet që po punojmë për regjimin e ri. Gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi rrahur mendime dhe kemi studiuar në mënyrë të hollësishme regjimin e inflacionit të shënjestruar në formën e plotë të tij. Siç mund ta kuptoni fare thjesht, jemi gati të fillojmë zbatimin e këtij regjimi në fillim të vitit 2009. Analizat tona tregojnë, se duke pasur parasysh karakteristikat aktuale dhe zhvillimet e pritshme të tregjeve financiare, inflacioni i shënjestruar siguron zgjedhjen më të mirë të politikës monetare për të ardhmen. Një histori relativisht e gjatë e një inflacioni të ulët dhe të qëndrueshëm, një politikë monetare eficiente, një sistem bankar i shëndoshë, një kurs këmbimi valutor i luhatshëm, një konsolidim fiskal dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishmja, një kuadër i përshtatshëm dhe i besueshëm institucional, janë faktorë të rëndësishëm, të cilët na kanë bindur në suksesin potencial të regjimit të inflacionit të shënjestruar.

B. Kuadri institucional. Harmonizimi i politikës monetare dhe i asaj fiskale do të vazhdojë të përbëjë një sfidë. Besoj se suksesi i gjatë dhe pavarësia e vërtetë e politikës monetare arrihen me funksionimin e duhur të kësaj lidhjeje të njëkohshme. Kushtetuta e Shqipërisë dhe ligji aktual "Për Bankën e Shqipërisë" i japin ekskluzivisht Bankës së Shqipërisë përgjegjësinë për hartimin dhe zbatimin e politikës monetare. Ne besojmë, se ky kuadër ligjor dhe aspiratat dhe angazhimet e shoqërisë shqiptare për kriteret e konvergjencës së Maastrichtit japin siguri për një përputhje të politikës monetare dhe të asaj fiskale, në të ardhmen.

C. Eficienca e tregut financiar. Shqipëria është një ekonomi e vogël, e hapur dhe tejet e euroizuar. Në përgjithësi, tregjet financiare karakterizohen nga vëllime të ulëta tregtare dhe nga një paqëndrueshmëri e normave të interesit. Kjo gjendje përfaqëson një përqendrim të lartë të mjeteve dhe detyrimeve në sistemin bankar si dhe një ofertë shumë të kufizuar të instrumenteve financiare në monedhën vendase. Për këtë arsye, ne jemi treguar shumë agresivë në drejtim të hartimit dhe të nxjerrjes së një sërë rregullave të rinj për kuadrin operacional. Rregullorja e re ka për qëllim rritjen e eficiencës së aftësisë së tregut ndërbankar të huamarrjes. Ajo gjithashtu, synon të ulë shpeshtësinë e organizimit të ankandeve të bonove të thesarit, si dhe të përmirësojë rregulloren "Mbi rezervën e detyruar". Objektivi ynë është që kjo paketë të vihet në zbatim që në fillim të vitit 2008.

D. Stabiliteti financiar. Ky proces ka përparuar me rritjen e aktivitetit bankar. Megjithatë, më duhet të pranoj se rritja dhe konsolidimi i aktivitetit bankar shoqërohet me rritje të shpejtë të kredisë për ekonominë. Kjo rritje e shpejtë e kredisë është kthyer në sfidën e momentit. Por unë besoj, se eficienca dhe shëndeti i sistemit financiar është një proces dinamik dhe një sfidë e vazhdueshme. Shpesh, kjo sfidë mund të shkaktohet dhe nga tregjet financiare ndërkombëtare. Globalizimi i tregjeve financiare ka rritur rrezikun e kontaminimit. Zhvillimet e fundit në huatë hipotekore, të cilat u jepen individëve me cilësi të ulët të kredisë, duhet të na kujtojnë përherë që surprizat nuk mbarojnë kurrë; e këto surpriza e bëjnë gjithmonë më të vështirë ekuilibrin midis politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Dëshiroj të bëj të qartë se me stabilitet financiar unë nuk po flas vetëm për mungesën e një krize financiare, por për një sistem financiar që funksionon siç duhet. Unë mendoj, se rregulloret tejet të shtrënguara, të cilat në mënyrë përfundimtare minimizojnë të gjitha rreziqet, nuk çojnë në rritje të qëndrueshme. Kështu që, sfida e vërtetë për të cilën ne punojmë shumë është të gjejmë një ekuilibër optimal ndërmjet liberalizimit, i cili nxit forcat e tregut dhe risitë financiare, me pasojat negative që rrjedhin nga dështimet e mundshme të tregut dhe nga krizat e mundshme financiare.


4. RAJONI I BALLKANIT: PRIRJET DHE KARAKTERISTIKAT KRYESORE

Të dashur studentë,

Pjesa e mbetur e diskutimit tim do të përfshijë disa përfundime të arritura mbi zhvillimet në rajonin e Evropës Juglindore. Do të komentoj shkurtimisht problemet dhe karakteristikat e përbashkëta të rajonit dhe do të shpreh mendimin tim, lidhur me drejtimin e mundshëm të zhvillimit dhe të konvergimit në politika.

Kohët e fundit, guvernatorët e bankave qendrore të rajonit kanë qenë vazhdimisht të shqetësuar për çështjet, që lidhen me veprimtarinë e sistemit bankar, me efektivitetin e tregut, me stabilitetin financiar, me ekspozimin ndaj rrezikut dhe sigurisht, me rolin e bankës qendrore. I gjithë ky diskutim bëhet në kontekstin e aspiratave rajonale për integrimin në Bashkimin Evropian.

Jo vetëm pse jam guvernator, por sepse kjo është dhe filozofia ime, kam arritur të besoj se nuk mund të ketë integrim të vërtetë politik, kulturor dhe shoqëror, pa një integrim të arsyeshëm financiar. Unë ndaj të njëjtin mendim me vlerësimet e tjera evropiane, për vlerat dhe rëndësinë e konsolidimit të shoqërisë demokratike dhe për përqafimin e mendësive të reja shoqërore dhe kulturore. Me të vërtetë, mendoj se procesi i transformimit, që ka ndryshuar shoqëritë tona që nga momenti i rënies së Murit të Berlinit, është i pakthyeshëm. Pyetja e duhur do të ishte, sa kohë duhet që të përfundojë ky proces? Besoj se hedhja e themeleve të forta për shpërndarje efektive të mbështetjes dhe të ndërmjetësimit financiar do ta shkurtonte mjaft kohën e përfundimit të këtij procesi. Kjo do të siguronte gjithashtu, kuadrin e duhur të infrastrukturës për objektivat e integrimit dhe do ta plotësonte këtë proces me mbështetjen e iniciativave private.

Një rajon i zhvilluar dhe financiarisht i integruar do të jetë më tërheqës për investitorët e huaj strategjikë, duke hapur rrugën drejt projekteve të zhvillimit rajonal, veçanërisht të atyre që lidhen me infrastrukturën, me tregun e punës dhe me pronat e patundshme, ku bankat e rajonit mund të jenë financuese dhe bashkëfinancuese.
Nëse do të më kërkonin që të përkufizoja me fjalë të thjeshta mënyrën se si e kuptoj unë procesin e konvergimit, përgjigjja ime do të ishte shumë e thjeshtë: Konvergim do të thotë tërësia e standardeve, që lidhen me kriteret e ecurisë dhe me reformat strukturore. Kjo do të thotë, se çdo vend duhet të zbatojë standardet që rrjedhin nga Acquis Communautaire dhe nga kode të ndryshme ndërkombëtare (Bazel II). Ato gjithashtu, duhet të hedhin hapa të shpejtë në drejtim të përmirësimit të ekonomisë, të shoqërisë, të kulturës dhe të mjedisit. Mendoj se kjo, përbën një domosdoshmëri për nxitjen e eficiencës së tregut financiar në mbarë rajonin.

Më lejoni të bëj një përmbledhje të sistemit financiar në rajon, sipas karakteristikave të mëposhtme:

- Sistemi mbizotërohet nga bankat tregtare. Roli i ndërmjetësit financiar i institucioneve të tjera financiare është i dobët. Industria e sigurimeve në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit është krejtësisht e vogël dhe e pazhvilluar. Një qeverisje e varfër tradicionale, praktika të papërshtatshme të administrimit të rrezikut dhe mungesa e besimit të konsumatorit kanë kufizuar totalin e mjeteve të zotëruara nga këto institucione, duke kufizuar në të njëjtën kohë deri diku mundësinë për të paraqitur një burim të rrezikut sistemik ndaj sektorit financiar. Megjithatë, zgjerimi i shpejtë i këtij sektori në disa vende, përfshirë Shqipërinë, kërkon hartimin e kuadrit të duhur ligjor mbi veprimtarinë e kompanive të sigurimit, si dhe forcimin e kuadrit mbikëqyrës. Ndërmjetës të tjerë financiarë, të tillë si aktivitetet e leasing-ut janë rritur ndjeshëm vitet e fundit (Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë), duke përfaqësuar një burim të rëndësishëm financues për investimet fikse dhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Subjektet që ofrojnë mikrokredi, mjaft prezente në Bosnje dhe Hercegovinë, janë krijuar kryesisht me fonde të dhuruara, por gjatë viteve të fundit, e kanë zhvendosur burimin e financimit të tyre drejt kredive bankare. Konsolidimi në unione më të mëdha të kreditit do të ofrojë mundësinë për kredi më të mëdha dhe sigurimin e shërbimeve të ngjashme bankare. Programi për Vlerësimin e Sektorit Financiar (FSAP) ka evidentuar fuqizimin e mëtejshëm të kornizave mbikëqyrëse, pavarësisht faktit se mbikëqyrja e unifikuar nën një agjenci mbikëqyrëse të vetme konsiderohet ende si e pa si e parakohshme. Tregjet e kapitalit dhe të parasë janë të vogla ose joekzistente. Në këtë fazë të zhvillimit është e nevojshme që politika e institucioneve rregullatore të fokusohet në përmirësimin e infrastrukturës dhe të qeverisjes.

- Rreth 100 për qind e kapitalit të sistemit bankar në rajon zotërohet nga kapitali privat, ku mbizotëron në mënyrë të dukshme ai i huaj. Sistemi bankar në rajon përbën nga 40 për qind të totalit të aktiveve ndaj PBB-së në Maqedoni, në 119 për qind të totalit të aktiveve ndaj PBB-së në Kroaci dhe mbizotërohet nga banka me kapital privat të huaj ose me kapital të përbashkët. Privatizimi i bankave të mëdha shtetërore ka përfunduar në të gjitha vendet, përveç Serbisë, duke përbërë rreth vetëm 38 për qind të kapitalit të përgjithshëm në sistemin bankar. Sistemi mbizotërohet nga një numër i kufizuar i bankave të mëdha evropiane, të cilat janë të pranishme në të gjitha vendet e rajonit. Së fundmi, vërehet edhe një rritje e interesit nga ana e grupeve të tjera bankare.

- Ndërmjetësimi financiar në rritje, vitet e fundit ka çuar në një zgjerim të shpejtë të kredisë. Kjo prirje, pasqyron një integrim financiar në rritje me vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe mbështet rritjen e tregtisë, të investimeve, si dhe forcimin institucional. Zgjerimi i sektorit financiar dhe të ardhurat nga kursimet në valutë mund ta mbështesin fuqimisht procesin e konvergimit real. Megjithatë, edhe rritja e raportit të kredisë ndaj PBB-së, nga 23 për qind në Maqedoni në 76 për qind në Kroaci, shton shqetësimet për një boom të mundshëm të kreditimit. Vlen të theksohen disa prirje të rëndësishme: Përbërja e kredisë mbizotërohet nga kredia konsumatore dhe më pak nga kredia për biznese; raporti kredi/depozitë është rritur vazhdimisht duke dëshmuar për gatishmërinë e bankave për të zgjeruar aktivitetin e tyre kreditues me një ritëm më të shpejtë sesa rritja e kursimeve. Megjithatë, mesatarja e raportit kredi/depozitë për rajonin është akoma nën nivelin e vendeve të reja anëtare të Bashkimit Evropian. Në pjesën më të madhe, kredia është në monedhë të huaj, si rezultat i euroizimit të lartë të ekonomive dhe të normave më të ulëta të interesit në monedhë të huaj; një ndryshim tjetër strukturor në portofolin e kredive, lidhet me prirjen në rritje drejt kreditimit afatgjatë, e cila të paktën në tre vende të rajonit (Shqipëri, Maqedoni dhe Bosnjë dhe Hercegovinë) përbënte 50 për qind ose më shumë të totalit të kredisë; diferenca midis normave të interesit të depozitave dhe të kredive mbetet e lartë. Mund të jepen shpjegime të ndryshme për këtë fenomen, të tilla si mungesa e efektivitetit dhe e konkurrencës ndërmjet bankave, rreziqe të larta të primeve të ekonomive në periudhën e tranzicionit, probleme me kolateralin, pengesa të sistemit ligjor etj.. Megjithatë, ia vlen të përmendim se diferenca midis interesave të depozitave dhe të kredive ka pësuar rënie vitet e fundit, si rezultat i konkurrencës në rritje në sistemin bankar.

Pavarësisht këtyre karakteristikave duhet të pranohet, se sipas standardeve evropiane, pjesa që zë sistemi bankar në ekonomi është relativisht e vogël. Totali i mjeteve aktive bankare, i matur si përqindje ndaj PBB-së, tregon se rajoni ynë është mbrapa në krahasim me ekonomitë e zhvilluara. Ndërkohë, masat prudenciale identifikojnë probleme që lidhen me cilësinë e portofolit të kredive, si dhe që shpejtësia e rritjes është tej asaj që përgjithësisht mund të pranohet si e shëndoshë. Rreziqet, që zakonisht shoqërojnë rritjen e shpejtë të kredisë mundet që jo shumë larg, të ushtrojnë presione në politikën monetare dhe në stabilitetin financiar.

Për mendimin tim, integrimi i ngadaltë i sistemit financiar dhe i ekonomisë reale të vendeve të rajonit përbën, ashtu sikurse dhe tregjet financiare ndërkombëtare, një tjetër problem madhor të rajonit. Ky problem, mund të rëndohet edhe më, po të kemi parasysh strukturën e kapitalit tejet të integruar të sistemit bankar në rajon.

Veprimet huadhënëse e huamarrëse ndër-rajonale ose format e tjera të flukseve financiare ndërkombëtare vazhdojnë të jenë relativisht të pakta. Me stabilizimin e ekonomisë dhe riskedulimin e borxhit, këto vende dhe sektorët e tyre financiarë kanë nisur të integrohen dalëngadalë në tregjet ndërkombëtare.

Këto zhvillime janë shoqëruar, e në disa raste, përshpejtuar nga indeksi i aftësisë së shërbimit të borxhit sovran që është ofruar për këto vende. Ndërkohë që sektorët financiarë dhe veçanërisht bankat tregtare, kanë përforcuar lidhjet e tyre ndërkombëtare dhe janë integruar në mënyrë graduale në tregjet financiare ndërkombëtare, konkurrenca në veprimtaritë bankare ndër-rajonale vazhdon të mbetet e kufizuar. Aktiviteti huadhënës ndër-rajonal është rritur në mënyrë të ngadaltë në vendet e rajonit. Megjithatë, edhe në këtë drejtim ka mundësi për progres më të shpejtë. Hyrja e kapitalit të huaj në vendet për të cilat po flasim, është ende e ulët dhe në shumicën e rasteve, ai është tregues i paaftësisë së sistemeve tona financiare për të lehtësuar thithjen e investimeve të huaja në ekonomitë tona.

Së fundi, duke patur parasysh prirjet e mësipërme të zhvillimit të ndërmjetësimit financiar, mund të evidentojmë disa burime specifike të rrezikut në rajon të cilat kërkojnë mjaft vëmendje, siç janë: rreziku i kredisë, rreziku i tërthortë i këmbimit valutor, si dhe rreziku që lidhet me krijimin dhe dominimin e degëve të bankave të huaja.

- Rreziku i kredisë.

Normat e shpejta të rritjes së kredisë në disa vende të rajonit mund të konsiderohen si një paralajmërim, nëse ato shoqërohen me rritjen e raportit të kredive me probleme. Fatkeqësisht, ka të ngjarë që rritja e rrezikut të kredisë mund të nënvlerësohet. Përkeqësimi i cilësisë së kredive të disbursuara nuk është menjëherë i dukshëm, duke qenë se rritja e kredive të reja mund të ulë përkohësisht kreditë me probleme të raportuara. Kështu, problemet që lidhen me cilësinë e kredive shfaqen zakonisht më me vonesë. Si rrjedhojë e përkeqësimit të portofolit të kredive, po evidentohet një rrezik i ri në rritje i tkurrjes së kredidhënies. Kur bankat ndërgjegjësohen për shtrirjen dhe akumulimin e këtij fenomeni, ato mund të reagojnë duke ndërprerë ose pakësuar huadhënien.

Në mënyrë të veçantë, dominimi i bankave të huaja në rajon mund të sjellë rreziqe të tjera, të shoqëruara me një tkurrje të kredidhënies. Për sa kohë degët e bankave të huaja realizojnë fitime të mëdha, ato e kanë të lehtë të thithin kapitale të reja nga shoqëritë-mëmë, duke qenë se janë përgjegjëse për një pjesë të vogël të portofolit të kredive të grupit bankar ndërkombëtar ku bëjnë pjesë. Nëse akumulimi i rrezikut të kredisë do të nënvlerësohet, bankat e huaja do të priren që të përcaktojnë tregues të ekzagjeruar për kthyeshmërinë nga kapitali (ROE). Dhe kur ato do të ndërgjegjësohen për këtë nënvlerësim, do të detyrohen të rrisin normën e provigjonimit për të kompensuar rivlerësimin në rritje të rrezikut të kredisë, duke reduktuar kështu parashikimet për kthyeshmërinë nga kapitali. Një gjë e tillë mund t'i detyrojë drejtuesit e grupeve të mëdha bankare që të mendojnë se objektivat e vendosur për ROE-në nuk mund të arrihen, e për rrjedhojë, të kundërpërgjigjen duke reduktuar huadhënien.

Hyrja e grupeve të mëdha ndërkombëtare e rrit konkurrueshmërinë për të fituar huamarrës brenda gjithë sistemit bankar. Megjithatë, ekziston rreziku që rritja e kredisë të shoqërohet me standarde të ulëta të huadhënies, shtuar këtu edhe mungesën e informacionit financiar tek huamarrësit potencialë, rrezik ky që vazhdon të jetë një problem për rajonin. Siç e tregon edhe FSAP për Shqipërinë, në fushën e huadhënies për korporatat, bilancet e shoqërive dhe pasqyrat e të ardhurave mund të ndryshohen për t'iu shmangur taksave, ndërkohë që informacioni mbi të ardhurat e individëve nga remitancat është i pasaktë dhe i paverifikueshëm.

Çmimet në rritje të pasurive të patundshme në rajon e kanë nxitur huadhënien, duke përdorur gjerësisht këto pasuri si kolateral për kreditë. Rritja e vazhdueshme e këtyre çmimeve mund të çojë në një ekspansion të kredive dhe nëse tregu i pasurive të patundshme bëhet më spekulativ dhe më i ndjeshëm nëpërmjet kredive bankare, një rënie e kërkesës mund të shkaktojë ulje të çmimeve në këtë treg, duke çuar si në rënien e vlerës së kolateraleve edhe në atë të aftësisë paguese të huamarrësve. Për këtë arsye, është mëse e nevojshme që autoritetet të mbajnë nën mbikëqyrje zhvillimet e çmimeve në këto tregje dhe të paralajmërojnë për rrezikun e rritjes spekulative të tyre, ndërkohë që kolateralet duhet të jenë më heterogjene.

- Rreziku i këmbimit valutor.

Për shkak të shkallës së madhe të euroizimit të mjeteve financiare në të gjitha vendet e rajonit, luhatjet në kursin e këmbimit në këto vende mund të kthehen në një burim të ekspozimit ndaj rrezikut. Stress test-et në pothuajse të gjitha këto vende tregojnë, se ekziston një ekspozim i kufizuar i bilancit të bankave ndaj rrezikut të drejtpërdrejtë të këmbimit valutor, për shkak se bankat arrijnë t'i mbulojnë kreditë në valutë me depozita në valutë dhe me burime nga bankat - mëmë. Megjithatë, dominimi i kredive në valutë ose i kredive në euro për huamarrësit me të ardhura në monedhën vendase, nënkupton që një zhvlerësim i papritur i kursit të këmbimit mund të kërcënojë aftësinë e tyre paguese.

- Rreziku që lidhet me krijimin dhe me dominimin e degëve të bankave të huaja.

Duke iu kthyer çështjes së hapjes së sektorit bankar për investitorët e huaj, autoritetet mbikëqyrëse duhet t'i kushtojnë një vëmendje të veçantë disa aspekteve specifike. Programi i fundit i Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP) në Serbi evidentoi disa përfitime: tërheqja e fondeve nga individët të cilët nuk janë shumë të prirur të depozitojnë në bankat vendase, sigurimi i burimeve të reja të financimit për kreditë e brendshme, hedhja në treg e produkteve të reja financiare dhe e instrumenteve të reja të kreditit, ulja e ndikimit të interesave të grupeve të veçanta, si dhe rritja e konkurrencës nëpërmjet blerjes së bankave me kapital shtetëror dhe rritjes së numrit të aktorëve në treg.

Megjithatë, në praninë si të faktorëve të jashtëm shock, ashtu edhe të atyre të brendshëm, sistemi bankar i vendeve të rajonit mund të vuajë efektet e fitimit të ulët e të mungesës së vullnetit të grupeve bankare për të rritur kapitalin, e si përfundim të gjenerojë një tkurrje të kredidhënies. Në faktorët e jashtëm mund të renditen rritja e normave të interesit në Eurozonë, faktorët shock me ndikim negativ në një ose në disa prej vendeve të origjinës të bankave të huaja dhe "kontaminimi" prej efekteve negative në ndonjë prej vendeve të BE-së, i cili ndikon në perceptimin e investitorëve të huaj për ekonominë vendase. Nga ana tjetër, faktorët shock të brendshëm, si ulja e marzheve nga ana e bankave të huaja me qëllim shtrirjen dhe përhapjen në treg, reduktimi i portofolit të kredive si rrjedhojë e një ekonomie të dobët apo e të papriturave në politikën e një vendi, mund të kenë efekte të mëdha në kushtet e një menaxhimi jo shumë adekuat të rrezikut në kontekstin e një ekspansioni të shpejtë të bankave me kapital të huaj dhe të euroizimit në rritje të mjeteve financiare.


5. POLITIKAT PËR ZBUTJEN E DOBËSIVE FINANCIARE: DETYRIME DHE SFIDA

Për kufizimin e rritjes së masës së kredisë, në disa raste (Serbi, Kroaci), autoritetet mbikëqyrëse kanë aplikuar masa makro-prudenciale, duke mos mbajtur tërësisht në konsideratë tregun. Ndërkohë që kontrolli i kreditimit krijon hapësira për kanalizimin e huadhënies nëpërmjet ndërmjetësve financiarë jobanka më pak të mbikëqyrur, ushtrimi i këtyre kontrolleve në Bullgari dhe në Kroaci u shoqërua me një rritje të huave ndër-rajonale.

Watson (2007) argumenton se politikat prudenciale duhet të mbajnë parasysh faktin që institucionet financiare me kapital të huaj, me shumicë mjetesh në më të shumtën e rasteve, i kanë xhepat plot në terma kapitali dhe likuiditeti. Kështu që, shtrëngimi i masave prudenciale mund të mos transmetohet në një pjesë të konsiderueshme të sektorit bankar, por mund të prekë vetëm bankat e vogla me kapital vendas.

Nga diskutimi ynë del që autoritetet mbikëqyrëse mund të përfitojnë nga rritja e transparencës në tregjet financiare, gjë e cila mund t'i ndihmojë konsumatorët dhe huamarrësit e tjerë që të jenë më të vetëdijshëm për rreziqet që mbart huamarrja në valutë. Një përpjekje për rritjen e transparencës mund të jetë edhe inkurajimi i bankave për të diskutuar hapur me huamarrësit mbi rreziqet e kursit të këmbimit, para nënshkrimit të kontratave. Nga ana tjetër, është e nevojshme që edhe me bankat të diskutohet rreth mënyrave të vlerësimit të rrezikut që vjen nga huatë në valutë, si dhe të axhustohet skema e klasifikimit të kredive ose të provigjonimit nëse duhet (rekomandim i FSAP për Shqipërinë).
Politika monetare është e kushtëzuar nga shkalla e aftësisë së transmetimit të instrumenteve të politikës në ekonomi. Një shtrëngim i efektit të normave të interesit mund të jetë i detyrueshëm edhe në regjime me kurs të luhatshëm ose me ankorë të rregullueshme. Një shtrëngim i lehtë i politikës mund të mos jetë shumë efikas në ngadalësimin e ekonomisë, për shkak të shkallës së lartë të euroizimit dhe të pasigurisë që lidhet me efektin përfundimtar të kursit të këmbimit në bilanc dhe në ekonominë reale.

Duke patur parasysh nivelin shumë të lartë të aksionerëve të bankave të huaja, shumë nga çështjet e mësipërme kërkojnë një shkallë të lartë bashkërendimi midis autoriteteve pritëse e mike, në mënyrë që të plotësohen boshllëqet në fushën e mbikëqyrjes. Në procesin e përmirësimit të bazës rregullatore, standardet e vendosura nga institucionet ndërkombëtare, e veçanërisht nga BQE, janë vendimtare në orientimin e autoriteteve rregullatore.


6. PËRFUNDIME

Mbarë rajoni ndodhet në një proces konsolidimi politik, ekonomik dhe shoqëror. Sot, të gjithë politikanët, vendimmarrësit, analistët e çdokush tjetër, kanë vendosur anëtarësimin në BE si prioritetin kryesor, si sfidën më të madhe për vitet në vijim.

Sa larg jemi nga kjo ditë? Kjo është një pyetje e vështirë për t'iu përgjigjur.

Shpeshherë kthej kokën pas për të parë rrugën që kemi bërë deri tani. Me të vërtetë që është një rrugë e gjatë, plot me ulje dhe me ngritje. Gjatë kësaj rruge, kemi arritur rezultate pozitive, ashtu sikurse kemi hasur dhe në pengesa. Pavarësisht nga këto pengesa, rruga jonë ka ecur drejt progresit. Megjithatë, qëndrimi modern i bankingut qendror kërkon një përqasje të vështrimit nga e ardhmja. Pikërisht për këtë arsye, në prezantimet e mia publike unë kam theksuar gjithmonë rëndësinë e madhe që ka procesi i integrimit dhe çështjet e lidhura me të. Suksesi i këtij procesi do të varet së pari nga përpjekjet dhe nga përkushtimi ynë. Për t'iu afruar vijës së finish-it ekziston vetëm një rrugë. Ajo kërkon që çdo mëngjes të zgjohemi me një mendësi evropiane dhe të përpiqemi maksimalisht që këtë ëndërr ta kthejmë në realitet. Të gjithë ne jemi dakord për faktin, se nuk mund ta mobilojmë shtëpinë tonë me mobilje "Fendi", pa u siguruar më parë që çatia e shtëpisë sonë është e mbuluar mirë.

Personalisht, besoj se shoqëritë tona po bëhen të vetëdijshme për përpjekjet e tyre në drejtim të arritjeve të standardeve evropiane. Ne të gjithë e kuptojmë nevojën për reforma, për rritje më të lartë ekonomike, për stabilitet makroekonomik, për bashkëpunim rajonal, për stabilitet politik dhe për paqe ndërmjet vendeve të ndryshme të rajonit.

Dhe si fjali të fundit, do të theksoja nevojën për reforma më të mëdha, për përpjekje më të mëdha në drejtim të arritjes së demokracisë dhe të ekonomisë së tregut.

Në lidhje me këtë, do të doja të citoja një pjesë të fjalës time mbajtur tre javë më parë në Bosnje-Hercegovinë: "Shoh mundësi të mëdha për bashkëpunim dhe për koordinim të politikave në drejtim të shkëmbimit të informacionit, të ndërtimit institucional, të përmirësimit të infrastrukturës ligjore, si dhe të afrimit me strukturat evropiane. Përballja e këtyre problemeve në grup e jo të vetëm, do të sjellë përfitime dhe do të japë efektet pozitive të "ekonomive të shkallës". Ftoj gjithashtu, Bankën Qendrore Evropiane dhe Komisionin Evropian për të parë mundësinë e adoptimit të një trajtimi "në grup" për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, përmes zbatimit të një programi specifik për një grup të veçantë shtetesh".

Ndoshta tingëllon si tejet optimiste, por e shoh këtë si një marrëdhënie përfitimi të ndërsjelltë. Rajoni, nga ana e tij, ofron disa përparësi të rëndësishme: tregjet e punës ndodhen nga pikëpamja e pozicionit në mes të vendeve të Azisë dhe të anëtarëve të rinj të BE-së; mundësi të mjaftueshme investimi në fushën e pasurive të paluajtshme apo në infrastrukturë, si dhe një kthyeshmëri të lartë nga kapitali; ai numëron rreth 20 milionë banorë dhe përbën një tërheqje turistike fantastike, produkt i një kombinimi interesant të klimave të ndryshme, me veçori gjeografike të shumta dhe i traditave multietnike e kulturore.

Besoj se kjo në terma realë, përkthehet në stabilitet ekonomik dhe në zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme rajonale dhe gjeopolitike.

Duke ju falenderuar për vëmendjen tuaj, jam gati t'iu përgjigjem pyetjeve.