BANKA E SHQIPËRISË

Liberalizimi i Llogarisë kapitale: Pse, Kur dhe Si?

Data e publikimit: 12.09.2003

 

Liberalizimi i llogarisë kapitale është një ndër proceset që duhet të ndërmarrë Shqipëria në të ardhmen e afërt. Kufizimet për lëvizjet e kapitalit nuk janë risi. Ato kanë qenë të pranishme në shumë vende të botës, veçanërisht në kohëra pështjellimesh, si luftërat apo rëniet ekonomike. Dy dekadat e fundit janë karakterizuar nga një lehtësim i vazhdueshëm i kontrolleve mbi lëvizjet e kapitalit, dhe shumë vende i kanë hapur plotësisht llogaritë e tyre kapitale.
Megjithatë, ka një numër vendesh, përfshirë Shqipërinë, në të cilat llogaria kapitale nuk është liberalizuar ende. Ndërkohë që Shqipëria nuk aplikon kufizime apo kontrolle mbi flukset hyrëse të kapitalit, ajo aplikon kontrolle mbi shumicën e flukseve dalëse të tij. Arsyet prapa nevojës së hapjes së llogarisë kapitale lidhen me përfitimet që burojnë nga ky proces, siç janë: rritja më e madhe ekonomike, diversifikim i mundësive të investimit, zhvillimi financiar, përmbushja e kërkesave të përcaktuara nga autoritetet shqiptare në bashkëpunim me Organizatën
Botërore të Tregtisë dhe Bashkimin Evropian, reduktimi i ekonomisë joformale, arritja e një inflacioni të ulët dhe të qëndrueshëm etj..

Liberalizimi i llogarisë kapitale kërkon përmbushjen e disa kushteve të caktuara siç janë: një kuadër makroekonomik i shëndoshë; një infrastrukturë e fuqishme institucionale dhe rregullatore, veçanërisht në sektorin financiar; dhe një regjim i përshtatshëm i kursit të këmbimit. Rrjedhimisht, theksojmë rëndësinë e ruajtjes dhe të përmirësimit të treguesve aktualë makroekonomikë, si rritja e PBB-së dhe inflacioni, rëndësinë e monitorimit të kujdesshëm të niveleve të borxhit total, dhe veçanërisht të borxhit të jashtëm, dhe domosdoshmërinë e menjëhershme për të
zhvilluar një strategji për gjenerimin e valutës, e cila do ta lejojë Shqipërinë të ruajë një gjendje të shëndetshme të bilancit të pagesave.

Përsa i përket hapave të liberalizimit, në përputhje me teorinë dhe me praktikën e deritanishme, sugjerojmë se hapja e llogarisë kapitale në Shqipëri duhet të trajtohet me kujdes. Fazimi ose sekuencimi i hapave të liberalizimit është shumë i rëndësishëm. Ai presupozon renditjen dhe kombinimin gradual të reformave strukturore e makroekonomike, për të mundësuar lëvizjen e lirë të kapitaleve.

Lexo materialin e plotë.