BANKA E SHQIPËRISË

Ndryshimi i strukturës bankare dhe i praktikave të mbikëqyrjes

Data e publikimit: 24.05.2002

 

Duke filluar nga 31 dhjetori 1998, sistemi bankar paraqitej sipas strukturës së mëposhtme si rezultat i ndryshimeve të bëra në favor të bankave private: dy banka me kapital (tërësisht) shtetëror, dy banka me kapital të përbashkët dhe gjashtë banka private.

Viti 2000 shënoi rritje në kreditimin e ekonomisë. Bankat shqiptare, për nga natyra banka universale, përveç aktiviteteve tradicionale si pranimi i depozitave dhe kreditimi, filluan edhe transaksionet e tregtimit me bono, me aksione dhe derivatet. Në përgjithësi, sistemi bankar shqiptar që numëron trembëdhjete banka tregtare është relativisht i sigurt dhe i mbështetur nga një stabilitet i qëndrueshëm makroekonomik. Huaja neto për sistemin bankar u rrit me 28.3 për qind krahasuar me fundvitin 2000. Huaja neto vlerësohet si relativisht e mirë.

Një nga çështjet kryesore të strategjisë së reformës bankare është privatizimi i bankave me kapital shtetëror, proces i cili ka filluar në vitin 1995, në zbatim të ligjit " Mbi transformimin e bankave me kapital shtetëror në kompani tregtare dhe për të lejuar privatizimin e tyre", si dhe bazuar edhe në disa ligje dhe rregullore të tjera. Pjesa më kryesore e strategjisë së privatizimit për sektorët strategjikë është privatizimi i Bankës së Kursimeve, për vetë pozicionin monopol që kjo bankë zë në treg.

Ndryshimet në mbikëqyrjen bankare Miratimi, në vitin 1992 i ligjeve "Mbi Bankën e Shqipërisë" dhe " Mbi bankat në Republikën e Shqipërisë", e njohu Bankën e Shqipërisë si autoritetin e vetëm bankar, i cili jep licencë dhe mbikëqyr të gjitha bankat në Republikën e Shqipërisë. Në këtë kuadër, u krijua Departamenti i Mbikëqyrjes Bankare, i cili u organizua duke zbatuar ligjin dhe parimet e Komitetit të Bazelit mbi Mbikëqyrjen Bankare si dhe të akteve dhe praktikave të tjera ndërkombëtare.

Kuadri rregullator i këtij departamenti ka qenë objekt i përmirësimeve të vazhdueshme gjatë periudhës 1998 - 2001. Kështu, ky departament zbaton metodat më të reja dhe bashkëkohore, siç janë zbatimi i vlerësimeve sasiore të kushteve të bankës bazuar në sistemin CAMEL të Klasifikimit dhe Vlerësimit si dhe të zbatimit të një metodologjie më të zhvilluar të licencimit për institucionet jobankare. Aktualisht, ky departament operon duke zbatuar variantin më të fundit të Manualit të Procedurave të Ekzaminimit, që është Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm. Ky e ka rritur procesin e transparencës përmes hartimit të Manualit të Veprimeve të Masave Korrektuese. Për t'i bërë më efektivë ekzaminuesit në procesin e përcaktimit të objektit të ekzaminimit, është hartuar edhe moduli i përcaktimit të
Qëllimit sipas Shkallës së Rrezikut.