BANKA E SHQIPËRISË

Paraqitje në Komisionin e Ekonomisë, të Financave dhe të Privatizimit

Data e publikimit: 20.12.2001

 

Të nderuar deputetë,
Banka e Shqipërisë, në zbatim të detyrimeve për transparencën dhe llogaridhënien, tashmë e ka bërë traditë raportimin në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me ecurinë e ekonomisë së vendit dhe në veçanti me realizimin e objektivave dhe të detyrave ligjore të bankës qendrore.

Zhvillimet në ekonominë e vendit për vitin 2001, duke iu referuar të dhënave të disponueshme, vlerësohen në përgjithësi pozitive dhe brenda kuadrit të programuar. Në vitin 2001, ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet me ritëm relativisht të shpejtë, në kushtet e mbajtjes së niveleve të ulëta të çmimeve të konsumit dhe të rënies së nivelit të papunësisë. Nga ana tjetër, zhvillimet fiskale dhe ato monetare rezultuan brenda objektivave sasiorë të përcaktuar. Monedha e vendit ka qenë relativisht e qëndrueshme si kundrejt dollarit amerikan ashtu edhe kundrejt euros.
Sistemi bankar shqiptar zgjeroi më tej aktivitetin e tij, rriti nivelin e kreditimit, u bënë disa hapa përpara në drejtim të privatizimit të Bankës së Kursimeve, megjithatë nuk u arrit dot të realizohej përzgjedhja e investitorit gjë që e ka shtyrë këtë proces për të paktën dhe një vit tjetër.

Në vitin 2001, ka patur dhe vazhdon të ketë zhvillime, ndikimi i të cilave krijon vështirësi në arritjen e objektivave dhe madje efekti i tyre mund të shtrihet në periudhë afatmesme. Bëhet fjalë për problemet e shumta në furnizimin me energji elektrike e rritjen e çmimit të saj, konflikti në rajon, sidomos kriza e Maqedonisë si dhe problemet në ekonominë botërore të theksuara më tepër pas sulmit të 11 shtatorit 2001. Ashtu siç edhe është paralajmëruar kohë më parë nga ana e Bankës së Shqipërisë, problemet në furnizimin me energjinë elektrike po marrin, nga pikëpamja ekonomike, përmasat e një krize. Për më tepër, efektet negative të situatave të tilla, ndonëse mund të mos dallohen në periudha afatshkurtra, në periudha afatgjata bëhen më të prekshme.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.