BANKA E SHQIPËRISË

Prezantim i Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2001

Data e publikimit: 07.05.2002

 

Viti 2001 ishte i katërti vit rradhazi gjatë të cilit programi i zhvillimit ekonomik u respektua në tërësinë e tij. Ndonëse, në pjesën më të madhe të vitit, pati situata mjaft të vështira, të shkaktuara nga kriza e thelluar energjitike, u arrit që të ruhej një ekuilibër i përshtatshëm në treguesit kryesorë makroekonomikë. Mbështetur në vlerësimet më të fundit të autoriteteve përkatëse, rritja e prodhimit në fund të vitit arriti në 6.5 për qind.

E gjej me vend të përsëris edhe një herë shqetësimin e ngritur vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë për cilësinë e informacionit statistikor që ofrohet si dhe nivelin e ulët të transparencës dhe shkallës së shkëmbimit të informacionit nga ana e institucioneve shtetërore. Autoritetet duhet t'i kushtojnë vëmendjen e duhur për të mbështetur zhvillimin e statistikave dhe për të rritur shkallën e raportimit në publik të tyre.

Duke u kthyer në vlerësimet për ecurinë e ekonomisë vërehet që prodhimi i sektorit të bujqësisë është në ritme më të ulëta se sa parashikimi. Nga 4 për qind rritje, e parashikuar në fillim të vitit, autoritetet vlerësojnë që prodhimi është rritur me 1.4 për qind. Thellimi i krizës energjitike u reflektua në zhvillimet më të përkeqësuara sidomos në muajt nëntor-dhjetor; ndërsa ndërtimi, një tjetër kontribues i rëndësishëm në prodhimin kombëtar, nuk ruajti të njëjtat ritme rritjeje. Zhvillimet e tremujorit të fundit të vitit të kaluar ishin të kundërta me zhvillimet ciklike pozitive të periudhave të kaluara. Sidoqoftë, Banka e Shqipërisë i vlerëson zhvillimet ekonomike në tërësi si pozitive, sidomos ato në sektorin e shërbimeve dhe më saktësisht në fushën e telefonisë celulare ku gjatë vitit 2001 janë bërë investime të rëndësishme.

Lexo tekstin e plotë.