BANKA E SHQIPËRISË

Prezantimi i Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2000, në Komisionin e Ekonomisë, të Financave dhe të Privatizimit.

Data e publikimit: 23.04.2001

 

Të nderuar zotërinj deputetë,

Raporti Vjetor i vitit 2000, paraqet zhvillimet më të rëndësishme të ndodhura gjatë vitit në Bankën e Shqipërisë dhe në mjedisin ku ajo vepron. Zhvillimet ekonomike të viteve 1998 dhe 1999 ishin në tërësi në përputhje me direktivat e programit afatmesëm trevjeçar të zhvillimit të vendit, të përcaktuar në marrëveshjen ESAF2 me FMN, e cila u zëvendësua në dhjetor të vitit 1999 me marrëveshjen PRGF. Synimet kryesore të këtij programi ishin sigurimi i një rritjeje të shpejtë ekonomike, në kufijtë 7-8 për qind në vit në kushtet e ruajtjes së nivelit të ulët dhe stabël të çmimeve të konsumit dhe të kryerjes së reformave institucionale për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë.

Objektivat për vitin 2000 u përcaktuan duke marrë parasysh që në këtë vit do të ndikonin mangësitë e vërejtura gjatë dy viteve paraardhëse dhe do të shuhej efekti i krizës në Kosovë. Gjithashtu, synimet kryesore ishin që ky vit të arrinte të kapërcente problemet më tipike të viteve të mëparshme si niveli i ulët i investimeve (të huaja apo të vendit), niveli i ulët i privatizimit të ekonomisë dhe i zhvillimit të reformave strukturore. Bazuar në këto konsiderata, parashikimi për rritjen reale ekonomike të vendit, në vitin 2000, u caktua 7 për qind; objektivi për inflacionin vit mbi vit u përcaktua në kufijtë 2-4 për qind; deficiti i përgjithshëm buxhetor në 9.4 për qind e PBB-së, prej të cilit 4.3 për qind e PBB-së do të financoheshin me burime të brendshme; ndërsa niveli i rezervave valutore u parashikua i mjaftueshëm për të përballuar 4.6 muaj importe mallrash e shërbimesh. Kështu, fundi i vitit 2000 paraqet një pamje pak më të ndryshme se sa parashikimet.

Lexo fjalën e plotë të Guvernatorit.