BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Pyetje-përgjigje të konferencës për shtyp të Guvernatorit datë 05.07.2017

Data e publikimit: 05.07.2017

 

Pyetje: Konfindustria në një deklaratë për shtyp ka bërë përgjegjëse Bankën e Shqipërisë për mosndërhyrjen në tregun monetar nga zhvlerësimi i madh i euros dhe një vlerësim artificial i lekut dhe kjo ka ndodhur sipas tyre për shkak të informalitetit të shpenzimeve të partive politike gjatë fushatës zgjedhore. A ka pasur probleme sipas jush?

Guvernatori: Banka e Shqipërisë ndjek një regjim të lirë të kursit të këmbimit. Ajo ndërhyn në treg në ato raste kur treguesit e kërkojnë këtë. Aktualisht, Banka e Shqipërisë nuk ka gjykuar dhe nuk ka vlerësuar se ka qenë e nevojshme ndërhyrja në treg për të ndikuar kursin e këmbimit.

Ne kemi patur një vlerësim të lekut në raport me euron gjatë kësaj periudhe. Kemi dhënë disa shpjegime, por gjithsesi meqë ju pyesni do të doja të sqaroja edhe një herë. Bazuar në të dhënat, kemi patur ofertë të rritur të euros; gjithmonë flasim bazuar në të dhënat zyrtare që ne kemi si Bankë e Shqipërisë.

Kemi pasur një aktivitet pozitiv të shkëmbimeve tregtare me jashtë. Bilanci i shkëmbimeve tregtare dhe financiare me vendet partnere ka ardhur në përmirësim dhe kjo ka krijuar një rritje të ofertës së euros. Gjithashtu kemi pasur dhe një rritje të fluksit të investimeve të huaja, sidomos për tremujorin e parë, por dhe për pesëmujorin e vitit 2017. Hyrjet neto nga investimet e huaja direkte kanë qenë 174 milionë euro për tremujorin e parë, rreth 26 milionë euro më shumë se një vit më parë. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve kanë qenë 772 milionë euro ose 163 milionë euro më tepër se një vit më parë. Hyrjet neto nga investimet e portofolit (kredimarrja e qeverisë nga jashtë, etj.) kanë qenë 126 milionë euro në krahasim me 106 milionë euro dalje në vitin e kaluar, pra efekti ka qenë 232 milionë euro. Pra, shifrat vërtetojnë se ka një ofertë të madhe të euros. Gjithashtu, ka patur ndikim dhe nga turizmi. Situata zgjedhore nuk ka krijuar pasiguri të mëdha në flukset turistike. Tani, pas zgjedhjeve janë rritur flukset e turistëve.

Paraja në qarkullim është gjithmonë ajo që krijon kërkesë-ofertën e valutës me lekun dhe nuk shmang edhe informalitetin, por ne si institucion flasim mbi bazën e të dhënave. Dhe këto të dhëna na vërtetojnë që kemi një ofertë të rritur lidhur me këta faktorë. Kjo ka çuar në forcim të monedhës vendase kundrejt monedhës euro. Gjatë periudhës së verës, si pasojë e ciklit historik të forcimit të monedhës vendase si dhe për shkak të hyrjeve të turistëve, do të kemi ndoshta një euro më të dobët. Megjithatë, e theksoj edhe një herë, se kursi përcaktohet si pasojë e kërkesës dhe ofertës në treg dhe është i paparashikueshëm. Askush nuk mund ta parashikojë sesi do të shkojë kursi i këmbimit. Gjithsesi, ne si Bankë e Shqipërisë po analizojmë dhe shqyrtojmë me vëmendje të gjithë faktorët që kanë ndikuar dhe që do të ndikojnë kursin e këmbimit. Kjo është detyra jonë dhe ne do të ndërhyjmë në kursin e këmbimit në ato raste që vërtet do të kishte shmangie nga parametrat tanë. Tani nuk kemi në plan.