BANKA E SHQIPËRISË

Pyetje përgjigjet e konferencës për shtyp 06 qershor 2018

Data e publikimit: 06.06.2018

 

Pyetje: Ju sapo deklaruat që do të blini valutë në tregun valutor. Si mund ta quajmë këtë z. Guvernator, një ndërhyrje direkte nga ana e Bankës së Shqipërisë në kursin e këmbimit?

Guvernatori: Kjo është një ndërhyrje për blerje të tepricës së valutës në tregun valutor, në mënyrë që të frenohet përshpejtimi i mëtejshëm i mbiçmimit të kursit të këmbimit, i cili është konstatuar që ka pasur ritme të shpejta gjatë muajit maj. Ky mbiçmim ka dalë përtej parametrave dhe kritereve që ne kemi si Bankë e Shqipërisë, kur monitorojmë tregun e lirë të kursit të këmbimit. Pra, në këtë situatë, kuptohet janë plotësuar gjithë kriteret ligjore dhe rregullative të Bankës së Shqipërisë, të cilat e kanë detyruar Këshillin Mbikëqyrës të marrë një vendim të tillë për të kufizuar një mbiçmim të mëtejshëm të kursit të këmbimit.

Pyetje: Pse është ky mbiçmim i lekut, ka më shumë sasi eurosh në treg apo ka më shumë sasi lekësh?

Guvernatori: Tregu ka pasur një rritje të sasisë së euros, pa diskutim. Kjo rritje e sasisë së euros ka qenë konstante, duke filluar që nga viti 2015. Natyrisht që mbiçmimi i kursit të këmbimit nuk ka ardhur vetëm si rritje e sasisë së euros në treg, por ka ardhur më shumë si rritje e pritshmërisë së agjentëve të tregut valutor për një mbiçmim të kursit të këmbimit. Kjo pritshmëri e përcaktuar nga faktorë specifikë që i përmenda gjatë fjalës sime, ka shtyrë drejt mbiçmimit kursin e këmbimit në mënyrë ndoshta edhe psikologjike. Pra, pritshmëria e agjentëve ekonomikë ka qenë drejt një mbiçmimi dhe i ka orientuar të gjithë agjentët: bankat dhe agjencitë e këmbimit valutor që të kenë një kurs të mbiçmuar të këmbimit. Kjo ka dalë jashtë parametrave normalë të një regjimi të lirë të kursit të këmbimit dhe na ka detyruar ne si bankë qendrore që në këtë situatë të ndërmarrim operacionet e ndërhyrjes në tregun valutor për të siguruar një treg normal valutor.

Pyetje: Në konferencën e fundit ju na siguruat që nuk ka nevojë për ndërhyrje në tregun e këmbimit valutor. Çfarë ndryshoi në kaq pak kohë që Banka e Shqipërisë ndërhyri me operacion dhe me blerje valute?

Guvernatori: Në konferencën e fundit e kemi thënë qartë se kemi regjim të lirë të kursit të këmbimit dhe Banka e Shqipërisë ka kritere për ndërhyrjen në treg. Ne nuk kemi ndërhyrë për efekt të kursit të këmbimit, por kemi ndërhyrë për të ndaluar përshpejtimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit, i cili godet parametrat kryesorë makroekonomikë dhe sidomos objektivin tonë kryesor të inflacionit. Qëllimi ynë kryesor për ndërmarrjen e këtyre operacioneve është të ndalojmë përshpejtimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit i cili është jonormal për arsyet që shpjegova dhe ka ndikim mjaft negativ në objektivin tonë të inflacionit në afat të gjatë. Analizat e politikës monetare të udhëhequra nga objektivi ynë kryesor kanë përcaktuar pikërisht këtë element. As kemi patur as kemi për qëllim të ndërhyjmë, duke qenë se është regjim i lirë i kursit të këmbimit. Në Shqipëri do të vazhdojë regjimi i lirë i kursit të këmbimit, por për sa kohë ka një pritshmëri tregu e nxitur nga faktorë specifikë që i përmenda më parë, Banka e Shqipërisë, në mandatin e saj ligjor, në përputhje me ligjet dhe rregulloret, ka të drejtën e saj për të rregulluar parametrat e tregut.