BANKA E SHQIPËRISË

Roli i sistemit bankar në përmirësimin e klimës së biznesit.

Data e publikimit: 17.12.2002

 

Të nderuar pjesëmarrës!

Është kënaqësi për mua të hap një nga konferencat më interesante të ballafaqimit të komunitetit të biznesit me sistemin bankar në Shqipëri pas një serie të gjatë takimesh dhe shkëmbime opinionesh zyrtare apo spontane.
Nuk mendoj se është e lehtë të rrokësh të gjithë gamën e raporteve mes bankierëve dhe biznesmenëve, por mendoj se konferenca "Roli i sistemit bankar në përmirësimin e klimës së biznesit", e organizuar nga Banka e Shqipërisë në
bashkëpunim me Bankën Kombëtare të Greqisë, në mos do të zgjidhë, do të adresojë një sërë problemesh apo çështjesh si pasojë e arsyeve nga më të ndryshmet.

Kam këtë bindje, për faktin se, ashtu si dhe Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë tashmë janë ndërgjegjësuar për rolin e padiskutueshëm të biznesit privat në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sigurimin e një rritjeje ekonomike reale dhe të qëndrueshme, që me fjalë të tjera, do të thotë "kilentelë e shëndoshë" e bankave, pra maksimizim i fitimeve të të dy komponentëve të binomit.

Besoj se ndajmë të njëjtin mendim, se gjatë viteve të fundit është bërë jo pak në drejtim të rritjes së kreditimit dhe formalizimit të biznesit në "kanalet bankare", ashtu siç është e qartë, që mbetet shumë për të bërë si nga bankat ashtu dhe nga biznesi, në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve biznes - banka. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë e pa si të domosdoshëm një proces diskutimesh, proces ballafaqimi mendimesh dhe opinionesh midis bankave dhe biznesit.

Megjithatë, në pozicionin tim të bankierit qendror, dëshiroj që përveç transmetimit në këtë sallë të mesazheve në favor të forcimit të kooperimit midis bankave dhe biznesit, të sjell në vëmendjen tuaj edhe disa çështje të tjera, të cilat ndonëse në shikim të parë mund të gjykohen thjesht biznes i Bankës së Shqipërisë, unë i gjykoj se në një mënyrë apo në një tjetër ndikojnë dhe aktorët e tjerë të ekonomisë sonë kombëtare, pjesë e të cilëve jeni edhe ju.

Lexo tekstin e plotë.