BANKA E SHQIPËRISË

Sfida e vitit 2001 quhet Banka e Kursimeve.

Data e publikimit: 20.03.2001

 

Ecuria e sistemit bankar në Shqipëri dhe e procesit të privatizimit të bankave shtetërore. Nën këtë temë ministri Angjeli dhe unë menduam t'ju ftonim në një diskutim kolegësh për çështje të reformës së sistemit bankar dhe sidomos për një element të rëndësishëm të kësaj reforme, privatizimin e bankave shtetërore.

Viti 2000 është viti i tretë rradhazi gjatë të cilit situata makroekonomike e vendit është brenda kornizave të programit të zhvillimit afatmesëm. Zbatimi i këtij programi ka siguruar qëndrueshmëri makroekonomike duke krijuar premisa për të mbështetur zhvillimin afatgjatë dhe për të patur mundësi për hartimin e strategjive të zhvillimit të sektorëve të
veçantë të ekonomisë së vendit, për të forcuar institucionet dhe për t'u angazhuar në ato aspekte që përbëjnë prioritet. Të rëndësishme do të konsideroja veçanërisht zhvillimet në sistemin bankar shqiptar ku ndër më kryesoret mund të përmend: zhvillimet në kuadrin e zbatimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, shtimin e kredive për ekonominë si dhe përmirësimin e situatës së sistemit të bankave tregtare.

Në vitin 2000 Banka e Shqipërisë mori të gjitha masat e nevojshme për të realizuar kalimin nga instrumentet direkte në ato indirekte të zbatimit të politikës monetare. Është fakt i njohur që për të dhënë sinjalet në treg, banka qendrore nuk bazohet më në kufirin e kreditit apo në normën minimale të interesit për depozitat me afat në lekë. Të dyja këto instrumente janë "shfuqizuar". Rolin e normës referencë ose bazë e luan tashmë norma e interesit të ankandeve për marrëveshjet e riblerjes. Në këtë proces zëvendësimi të instrumenteve Banka e Shqipërisë veproi me maturi dhe arriti të realizojë synimet e saj. Por, suksesi u ndihmua edhe nga mjedisi ekonomik relativisht i favorshëm i krijuar në vend si edhe nga bashkëpunimi më i mirë i siguruar me Ministrinë e Financave në drejtim të administrimit të
procesit të financimit të brendshëm të deficitit buxhetor.

Stabiliteti makroekonomik i arritur dhe nevoja për të siguruar rritje ekonomike i krijoi mundësi Bankës së Shqipërisë që, për të tretin vit rradhazi, të zbuste politikën monetare duke reduktuar vazhdimisht normat e interesit. Në tërësi, normat e interesit në ekonomi u ulën. Këta faktorë vlerësohet të kenë ndikuar edhe në rritjen e kredisë së dhënë nga sistemi bankar për ekonominë. Jam i ndërgjegjshëm që reagimi i parë i çdokujt prej nesh në sallë do të
jetë një nënqeshje ironike sa herë që diskutohet për kreditimin e ekonomisë. Por, nuk mund të mos quaj zhvillim faktin që në vitin 2000 gjendja e kredive rezulton tri herë më shumë se në vitin 1999; se kreditë e reja, gjatë vitit 2000, janë pothuaj sa teprica në fund të këtij dhe se i konsiderueshëm ka qenë dhe niveli i shlyerjeve të
kredive.

Në vitin 2000 gjendja në sistemin bankar shqiptar vlerësohet relativisht e sigurt dhe e shëndoshë. Ndër zhvillimet më të rëndësishme mund të rendis zgjerimin e rrjetit bankar, ndryshimin e strukturës së pronësisë së këtij sistemi, kapitalizimin e sistemit si dhe gjendjen financiare të tij.

Lexo fjalën e plotë.