BANKA E SHQIPËRISË

Sfidat përpara për përmirësimin e statistikave të qeverisjes në Shqipëri.

Data e publikimit: 29.05.2002

 

E gjykoj si një oportunitet të madh për mua dhe për vendin tim të vogël, që të sjell këtu para jush disa nga arritjet si dhe disa prej sfidave më të mëdha, me të cilat aktualisht përballet qeverisja e statistikave në Shqipëri. Megjithëse gjatë periudhës së tranzicionit, Shqipëria ka njohur spirale nga më të ndryshmet, ku mund të përmend edhe anarkinë totale të vitit 1997, përsëri do të thosha se procesi i hartimit të statistikave, në përgjithësi ka ecur mirë, në një progres të vazhdueshëm.

Ky progres kulmoi në vitin 1998, kur autoritetet shqiptare dhanë pëlqimin e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në Sistemin e Pergjithshem te Diseminimit te te Dhenave (GDDS) ne FMN. Më 22 maj 2000, Shqipëria, së bashku me tetë vende të tjera në zhvillim, ishin të parat që u përfshinë kur faqja e GDDSsë u prezantua zyrtarisht. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se më parë Shqipëria ishte zgjedhur prej FMN-së si vend pilot për Europën Lindore në përgatitjen e një grupi të plotë informacioni mbi sistemin statistikor kombëtar (metadata). Metadadat e saj u përdorën si model jo vetëm për Europën, por edhe për shumë vende të tjera.

Shkurtimisht për të kuptuar se në çfarë konsiston seti i statistikave në Shqipëri, si dhe kush përgjigjet për prodhimin e tyre do të doja të sqaroja se aktualisht, kushdo i interesuar mund të disponojë seri të plota kohore, mesatarisht që nga fundi i vitit 1992 e deri në ditët e sotme, për statistikat e parasë dhe të bankave, për statistikat për çmimet e konsumit si dhe për statistikat e bilancit të pagesave. Ndërkohë, me gjithë dëshirën e autoriteteve dhe këmbënguljen e institucioneve ndërkombëtare, Shqipërisë aktualisht i mungojnë statistikat e llogarive kombëtare. Aktualisht, informacioni i sipërpërmendur statistikor prodhohet nga tre institucione të ndryshme: Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe INSTAT.

Banka e Shqipërisë (banka qendrore) është përgjegjëse për prodhimin dhe publikimin e statistikave të parase dhe të bankave (çdo muaj) si dhe për përgatitjen dhe publikimin e statistikave të bilancit të pagesave (çdo tre muaj). Në disa raste, Banka e Shqipërisë ka financuar projekte për mbledhjen e statistikave, të cilat ka qenë kryesisht vrojtime me qëllim vlerësimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.

Ministria e Financave ka përgjegjësinë për prodhimin dhe diseminimin e statistikave financiare të qeverisë (çdo tre muaj). INSTAT (institucioni shtetëror i statistikave), nje agjenci statistikore kombetare, përveç përgjegjësisë për prodhimin dhe diseminimin e statistikave të llogarive kombëtare dhe të atyre demografike, ligjërisht ka dhe të drejtën që të ndërtojë dhe të zbatojë politikat e hartimit dhe të menaxhimit të statistikave në Shqipëri.

Gjithësesi, duhet theksuar se kjo e fundit ende përbën një moment për t'u diskutuar pasi statusi ligjor i institutit ka ende hapësira dhe momente të paqarta për t'u analizuar, sidomos në drejtim të konsolidimit të procesit vendimmarrës. Ajo çfarë dua të theksoj si arritje në fushen e grumbullimit dhe të hartimit të statistikave shqiptare ka të bëjë me një rritje të vazhdueshme të interesimit dhe të ndërgjegjesimit nga ana e publikut për produktet statistikore. Mendoj se ky është një tregues i mire që flet për rritje të shkallës së besimit të publikut duke reflektuar në këtë mënyrë rritje të shkallës se profesionalizmit dhe ndikimin gjithnjë e me të ulët të politikës. Megjithatë, duhet të
synojmë drejt një niveli me të lartë profesionalizmi nga ana e statisticienëve pavarësisht nga paga e ulët që ata marrin aktualisht.

Nga ana tjetër, ne kemi probleme gjithashtu. Per shembull, mbulimi i te dhënave është ende jo i plotë. Me përjashtim të statistikave monetare dhe indeksit të çmimeve të konsumit, ( të cilat nxirren çdo muaj) grupet e tjera te statistikave kane nje periodicitet relativisht të larte (zakonisht tremujor). Koha e publikimit të të dhënave përbën, gjithashtu nje shqetësim të madh. Në shumicën e rasteve, të dhënat diseminohen me një vonesë që varion nga 3 deri në 4 muaj pas mbylljes së periudhës raportuese.

Gjithësesi, ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se pikat e dobta, të cilat karakterizojnë aktualisht sistemin e grumbullimit, të përpunimit, të hartimit dhe të publikimit të statistikave në Shqipëri, janë të njohura dhe, të
paktën në parim, ekziston angazhimi i duhur institucional për t'i eleminuar ato brenda një kohe sa më të shkurtër. Besoj, ky eleminim përbën dhe sfidat kryesore të 2 - 3 viteve të ardhshme, me të cilat autoritetet shqiptare duhet
të përballen për të siguruar një hap cilësor në përsosjen e qeverisjes së statistikave.

Më konkretisht, këto prioritete do t'i listoja si më poshtë:

Së pari, do të përmendja konstituimin e qartë dhe pa ekuivoke të një organizmi politikëbërës. Megjithëse me ligj është cituar se organi më i lartë është Këshilli i Statistikave, duhet theksuar se de facto ai ka vetëm rol konsultativ, ndërkohë që mbetet ende e paqartë se kompetencë e kujt është procesi vendimmarrës në drejtim të statistikave në
Shqipëri. Fatkeqësisht, ky problem ka kohë që është konstatuar dhe akoma nuk është gjetur një zgjidhje për këtë vakum ligjor.

Së dyti, do të evidentoja se pavarësisht nga përmirësimet në rritjen e shkallës së mbulimit statistikor, fatkeqësisht, shkalla e mbikëqyrjes të sektorit privat është ende e ulët. Rëndësi të madhe ka fakti, që përveç rritjes së mbulimit, një rëndësi të madhe do të kishte dhe rritja e vërtetësisë së informacionit të grumbulluar si dhe një rritje e shkallës së besimit tek agjentët privatë, që informacioni i grumbulluar nga agjencitë shtetërore, nuk do të përdoret për qëllime të tjera përveç atyre statistikore. Shkaqet që shtyjnë ndërmarrjet dhe shoqëritë private të injorojnë ose të deformojnë informacionin janë të shumëllojshme dhe varen kryesisht nga moskuptimi i rëndësisë së përdorimit të informacionit prej strukturave shtetërore, nga mosbesimi ndaj këtyre strukturave, nga niveli i konfidencialitetit të informacionit, konkurrenca në treg etj.. Mbase, informacion më i saktë mund të merret nëpërmjet vrojtimeve, ndonëse duhet të pranoj se cilësia e tyre mund të jetë problematike.

Së treti, do të evidentoja si prioritet të një rëndësie të veçantë, krijimin (ngritjen) sa më shpejt, të sistemit të grumbullimit dhe të publikimit të Llogarive Kombëtare. Aktualisht, janë bërë përpjekje serioze nga INSTAT për vlerësimin e llogarive kombëtare dhe ekziston premtimi që, brenda vitit 2002, do të publikohen të gjitha të dhënat për periudhën 1995 - 2000.
Megjithatë, sfida më e madhe në këtë drejtim mbetet besueshmëria mbi saktësinë e shifraveqë do të publikohen. Në një masë të konsiderueshme, kjo do të kuptohet shumë shpejt nga fakti se si do të reagojnë konsumatorët e brendshëm të këtij informacioni ashtu sikurse dhe nga nota që do t'i vënë institucionet ndërkombëtare. Tashmë, kanë nisur disa projekte, të cilat besoj se do të ndimojnë për të sjellë statistikat e llogarive kombëtare më pranë standardeve ndërkombëtare.

Së katërti, do të vlerësoja shumë të rëndësishëm përmirësimin e procesit të shpërndarjes të informacionit statistikor nga prodhuesi tek përdoruesi. Megjithëse, aktualisht autoritetet janë të angazhuara në rritjen e cilësisë dhe të transparencës së të dhënave statistikore, akoma ka nevojë për përpjekje të gjithanshme për hartimin, nga ana e këtyre agjencive, të një kalendari botimesh si edhe për zvogëlimin e periudhës nga llogaritja e treguesve statistikorë në publikimin e këtij informacioni. Ndoshta, sfida më e madhe në këtë drejtim ka të bëjë me shfrytëzimin e Internetit, nëpërmjet ndërtimit të websiteve realisht funksionale, ku kushdo i interesuar të ketë mundësinë që të thithë informacionin e dëshiruar statistikor. Edhe pse Banka e Shqipërise dhe INSTAT kanë lançuar faqet e tyre në internet, duhet pranuar se aksesi në to është i vështirë dhe vlefshmëria e tyre, sidomos në drejtim të informacionit statistikor, lë për të dëshiruar dhe nuk është zgjidhur mbi baza profesioniste. Megjithatë, rritja e numrit të përdoruesve duhet të krijojë një iniciativë për të rritur më tej cilësinë e shpërndarjes së statistikave kombëtare.

Së fundi, dua të theksoj se një prioritet mbetet edhe shfrytëzimi më i mirë i përparësive që ofron sot teknologjia e informacionit. Duhet pranuar, se shkalla e njohjes dhe e shfrytëzimit të Internetit në Shqipëri është ende e vogël, ndërkohë që shumë probleme në infrastrukturën përkatëse nuk lejojnë shfrytëzimin, në shkallë të gjerë, të revolucionit të teknologjisë së lartë që po përjeton sot bota e informacionit. Natyrisht, duhet të kemi parasysh se përdorimi më i gjerë i internetit me qëllim mbledhjen e të dhënave statistikore, nënkupton edhe nevojën për rritjen e masave për ruajtjen e konfidencialitetit.

Në përfundim, besoj se pak a shumë problemet e përmendura më sipër përbëjnë atë grup të njëjtë sfidash, që qëndron përballë çdo vendi në tranzicion. Unë, realisht shpresoj, që nga kjo konferencë do të dalin propozime konkrete, të cilat do t'u adresohen zgjidhjeve, të paktën afatmesme, të pjesës më të madhe të paqartësive që karakterizojnë kuadrin aktual statistikor të vendeve në tranzicion.

Duke ju falenderuar edhe për mirëkuptimin tuaj, shpresoj që tashmë ju dini diçka më shumë rreth një vendi të vogël, i cili, ndonëse gjeografikisht është shumë afër ujërave të Mesdheut; ndonëse në të gjitha ndarjet klasike të kësaj fushe emërtohet si një vend mesdhetar; ndonëse shpirti, mentaliteti, formimi, historia dhe çdo tipar tjetër dallues i një vendi, i japin të drejtën të ndjehet i tillë; ka akoma shumë rrugë për të bërë, për t'u bashkuar denjësisht me të sotmen e zhvilluar të fqinjëve të tij natyrorë.

Unë, shpresoj sinqerisht dhe më vjen mirë të besoj që udhëtimi të mos zgjatë pambarim dhe ne të arrijmë atje ku duhet dhe në kohën e duhur.

Ju faleminderit.