BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Workshop "Faktoringu në Shqipëri"

Data e publikimit: 05.09.2017

 

Në datën 5 shtator 2017, Banka e Shqipërisë organizoi workshopin "Faktoringu në Shqipëri", në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në këtë workshop morën pjesë përfaqësues të Bankës së Shqipërisë, BERZH-it, bankave tregtare, institucioneve financiare jobanka, etj.

Qëllimi i këtij workshopi ishte ti ndihmojë bankat dhe institucionet financiare të ndërgjegjësohen për avantazhet e zgjerimit të shërbimit faktoring në Shqipëri, si një mundësi për të financuar biznesin, sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Shërbimi faktoring është pjesë e sistemit financiar shqiptar. Kuadri rregullator i Bankës së Shqipërisë lejon licencimin e bankave apo institucioneve financiare jobanka për këtë lloj shërbimi, ku aktualisht janë 8 institucione financiare jobanka dhe 9 banka të licencuara nga Banka e Shqipërisë.

 dsc5022 2

Workshopi çeli punimet e tij me fjalën përshëndetëse të Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, zj. Natasha Ahmetaj dhe përfaqësuesit të BERZH-it në Shqipëri, z. Matteo Colangeli.

Në fjalën e saj, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj, theksoi se faktoringu mund të jetë një shërbim i rëndësishëm në sistemin financiar shqiptar, me potencial zhvillimi. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë dhe grupet e interesit do të punojnë së bashku për të identifikuar pengesat reale për zhvillimin e mëtejshëm të këtij shërbimi, duke qenë se nga vëzhgimet e Bankës së Shqipërisë rezulton se tregu në Shqipëri ka nevojë për këtë lloj shërbimi. Ky shërbim mund të ofrojë më shumë financim se institucionet kredituese tradicionale dhe në të njëjtën kohë redukton rreziqet e kreditimit.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i BERZH-it z. Colangeli nënvizoi se faktoringu nuk është një shërbim shumë i njohur në Shqipëri dhe ka nevojë të zgjerohet. Përveç përfitimeve në financimin e biznesit, ky shërbim rrit edhe konkurrueshmërinë e ekonomisë, një objektiv i mbështetur gjerësisht nga BERZH.