BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhënë për Zërin e Amerikës

Data e publikimit: 20.04.2016

 

 Z. Sejko, tema qendrore e takimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore ka qenë nxitja e rritjes ekonomike. Duke u ndalur tek Shqipëria, ka pasur përparim por jo sipas pritshmërive. Për vitin 2015, parashikimi ishte 3% dhe shifra u ul në 2.6%. Për vitin 2016 ishte parashikuar që do të ishte 3.4%, por Banka Botërore para disa ditësh e rishikoi me ulje këtë parashikim rritjeje. Sipas jush, çfarë po e pengon përshpejtimin e rritjes ekonomike të vendit tuaj?

Guvernatori: Siç e thatë edhe ju, rritja ekonomike për vitin 2015 ishte në nivelin 2.6%. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë, në rakordim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, u rishikuan për poshtë gjatë vitit 2015. Këtu ndikuan dy faktorë kryesorë, që ne i kemi përmendur dhe më parë. Së pari, përmbytjet e ndodhura në fillim të vitit 2015 ndikuan çmimet e produkteve bujqësore dhe për rrjedhojë nivelin e rritjes ekonomike. Së dyti, gjatë periudhës së verës, kriza në Greqi ndikoi konsiderueshëm nivelin e rritjes ekonomike si faktor kryesor, pasi këtu përfshihen dhe shumë faktorë të tjerë të jashtëm dhe të brendshëm. Gjatë deklaratave tona, ne jemi shprehur se kemi korrektuar parashikimin e rritjes ekonomike nga niveli 3%, në nivelin 2.5 deri në 2.7%. Ky ka qenë parashikimi i dhënë nga Banka e Shqipërisë. Dhe de facto në mbyllje të vitit, sipas shifrës së fundit zyrtare, rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë në nivelin 2.6%.

Sikurse e kemi deklaruar më parë, doja ta ritheksoja dhe njëherë se rritja ekonomike duhet të ishte më e lartë. Megjithatë, trendi i rritjes ekonomike po vjen në rritje dhe kjo tregon që ekonomia ka një tendencë pozitive zhvillimi. Në vitin 2013 ne kemi pasur një rritje ekonomike në nivelin 1.1%, në vitin 2014 në nivelin 2%, dhe viti 2015 është mbyllur në nivelin 2.6%. Parashikimi i Bankës së Shqipërisë për vitin aktual është më konservator, në nivelin 3 deri në 3.2%. Parashikimi i Bankës Botërore është në nivelin 3.4 % apo 3.2, nuk ka rëndësi.  Ajo që dua të theksoj është se nuk ka rëndësi nëse përqindja është 2.7, 2.6 apo 3.2, rëndësi ka trendi pozitiv. Në rast se ne do të ruajmë një trend pozitiv atëherë jemi në një drejtim pozitiv.

Gjatë vitit 2016, rritja ekonomike pritet të mbështetet kryesisht tek investimet e huaja, falë edhe dy projekteve të mëdha që janë projekti i TAP-it që ka filluar të zbatohet, si dhe ai i ndërtimit të një hidrocentrali në jug të Shqipërisë. Ndërkohë sondazhi i kompanive gjermane ka treguar për një përkeqësim të situatës së biznesit, çka është vënë re edhe nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë apo nga shoqatat dhe investitorë të tjerë të huaj. Në një vend si i juaji që pret zhvillimin kryesor kryesisht nga investimet e huaja, a përbën shqetësim një përkeqësim apo një shqetësim i ngritur pikërisht nga investitorët e huaj për klimën e biznesit?

Guvernatori: Sigurisht që përbën një shqetësim i cili duhet të jetë patjetër në qendër të vëmendjes, kryesisht në qendër të vëmendjes së qeverisë por edhe të të gjithë aktorëve të tjerë, të cilët kanë një rol dhe një ndikim në mjedisin e përgjithshëm të biznesit, në mjedisin ekonomik si dhe në çdo lloj politike zhvillimi në Republikën e Shqipërisë. Sigurisht që ka një sërë faktorësh që ndikojnë në klimën e biznesit, faktorë të jashtëm dhe faktorë të brendshëm. Dihet që situata në rajon dhe në Eurozonë nuk është pozitive, partnerët tanë tregtarë në Eurozonë nuk janë në ditët e tyre më të mira dhe eksportet shqiptare ndikohen ndjeshëm nga vështirësitë ekonomike që kanë këta partnerë. Vetëm çmimi i naftës dhe çmimi i produkteve bujqësore ka pasur një ndikim të fortë në eksportet shqiptare. Përveç këtyre, ka dhe shumë elementë e faktorë të tjerë, të cilët duhen marrë në konsideratë.

Sigurisht që synimi kryesor është rritja e investimeve të huaja. Gjatë vitit 2015 kemi parë një rritje të investimeve të huaja prej 11.5%. Kjo rritje ka ardhur dhe si rezultat i zgjerimit apo i riinvestimit të investimeve të huaja ekzistuese në Shqipëri. Për vitin 2016, ne kemi dy investime të mëdha që janë projekti TAP dhe hidrocentrali që ju përmendët. Sigurisht që ne synojmë që me politikat tona të zhvillimit të tërheqim investimet e huaja në Shqipëri. Prandaj, ne kemi koordinuar politikat tona monetare dhe financiare me politikat fiskale dhe politikat e qeverisë në mënyrë që Shqipëria të jetë një treg sa më tërheqës për investimet e huaja.

Ditët e fundit, INSTAT-i publikoi një studim, i cili vendoste theksin tek shpenzimet e konsumatorëve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpenzimet e konsumatorëve janë motori i ekonomisë. Në Shqipëri, shpenzimet e konsumatorëve kanë shënuar rënie, çfarë do të thotë kjo për ekonominë dhe a do të ketë ndikim rënia e tyre apo jo?

Guvernatori: Niveli i konsumit është një nga elementët kryesorë të cilët ndikojnë në zhvillimin ekonomik, pasi është i lidhur me investimet. Sa më i lartë të jetë konsumi, aq më shumë prodhim dhe punësim do të ketë. Niveli i konsumit është i lidhur me faktorë realë që kanë të bëjnë me punësimin si dhe me faktorë psikologjikë. Gjithmonë në një situatë stanjacioni ekonomik, situatë krize ose postkrize, niveli i konsumit është i goditur nga tendenca drejt kursimeve. Pra, konsumatorët kanë tendencë të kursejnë me psikologjinë e frikës ndaj të ardhmes. Praktikisht, ajo çka ne po përpiqemi të bëjmë është që të japim një informacion real mbi ekonominë dhe normalisht çdo rritje në nivelin e konsumit do të ndikonte pozitivisht në rritjen ekonomike të vendit.

Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një studim ku tregon se besimi i konsumatorëve ka rënë në lidhje me ekonominë, gjë që automatikisht sjell uljen e konsumit. Nga na tjetër vihet re në Shqipëri një lloj rënieje e inflacionit në nivele tepër të ulëta. A rrezikon Shqipëria nga këto prirje deflacioniste?

Guvernatori: Këto janë prirje disinflacioniste dhe jo deflacioniste, pasi inflacioni nuk ka qenë në nivele negative. Ka qenë në nivele të ulëta, 0.2% në shkurt dhe 0.3 % në muajin mars. Rënia e inflacionit ka ardhur si pasojë e ndikimit të rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe e çmimeve bujqësore. Parashikimin për inflacionin për vitin 2016, Banka e Shqipërisë e ka korrektuar për poshtë. Nga niveli 2.3%, ne e kemi korrigjuar në nivelin 1.9%. Pra në fund të vitit 2016, ne parashikojmë që inflacioni të jetë në nivelin 1.9%. Ne parashikojmë që inflacioni të kthehet në objektivin 3% të synuar nga Banka e Shqipërisë në mesin e vitit 2018, parashikim të cilin nuk e kemi rishikuar.

Për sa i përket konsumit, sikurse ju thatë, po përpiqemi me politikën tonë monetare lehtësuese, me anë të uljes së normës së interesit, të ndikojmë në nivelin e konsumit. Ulja e normës së interesit në monedhën vendase ndikon jo vetëm në rritjen e nivelit të kredidhënies por edhe në rritjen e nivelit të shpenzimeve dhe investimeve nga ana e mbajtësve të këtyre depozitave. Me uljen e normës së interesit të depozitës do të kishte një interes më të madh nga individët, por edhe nga bizneset, të gjenin forma alternative investimi.

Ju jeni shprehur në të kaluarën se leva që disponon Banka e Shqipërisë është pikërisht norma e interesit dhe kjo vlen vetëm për një pjesë të ekonomisë, të asaj që kryhet me monedhën vendase. Ju tashmë mund të jeni pranë ezaurimit të levave tuaja dhe keni thënë se nuk jeni të vetmit që mund ta nxirrni ekonominë nga vështirësitë ose ta stimuloni zhvillimin e saj. Ku mendoni se duhet vënë theksi për ta nxitur ekonominë të ecë më shpejt, pasi ju të mos i keni më këto leva në duart tuaja, në cilat reforma strukturore?

Guvernatori: Bankat qendrore të çdo vendi levën e tyre kryesore kanë politikën monetare, nëpërmjet të cilës përpiqen të stimulojnë rritjen ekonomike, të ruajnë parametrat makroekonomikë dhe monetarë, si dhe të ruajnë edhe stabilitetin financiar. Sigurisht që vetëm me instrumentet e Bankës së Shqipërisë nuk mund të arrihet objektivi i rritjes ekonomike. Kjo është e qartë dhe e ditur se në të kundërt do të ishte shumë e thjeshtë dhe do ta kishim arritur objektivin.

Ky është një fenomen ndërkombëtar. Sapo vijmë nga mbledhjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore dhe në prezantimet e personaliteteve më të larta të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Drejtores Lagarde thuhej qartë se bankat qendrore të vetme nuk mund të arrijnë dot objektivin e rritjes ekonomike, pa pasur një koordinim sa më të mirë të politikës monetare me politika fiskale, por ndërkohë dhe me reforma të studiuara specifike sipas çdo vendi.

Këto arrihen me një lidership dhe përkushtim politik të orientuar dhe me strategji të qarta. Shqipëria i ka shpallur dhe i ka ndërmarrë reformat strukturore dhe është në procesin e vazhdimësisë së këtyre reformave. Sikurse i kemi parë, disa reforma kanë dhënë efekt pozitiv si për shembull reforma në energji, reforma territoriale, ndërkohë që reforma kundër informalitetit është në proces dhe është shumë e rëndësishme. Këto reforma, e kemi theksuar dhe më parë, duan kohën e tyre që të japin efekte. Ajo që dua të them është se pa një koordinim të politikave monetare me një reformë në sektorin fiskal dhe në reformat e tjera strukturore nuk mund të arrihet rritja e synuar e ekonomisë.

Shënim : Intervista është realizuar në date 19 prill 2016

 

Për të vizituar faqen e vjetër të internetit, klikoni këtu