BANKA E SHQIPËRISË

Ç'presim nga Raiffeisen!

Data e publikimit: 17.04.2004

 

Autoritetet shqiptare finalizuan me sukses procesin e privatizimit të Bankës së Kursimeve me kalimin e 100 për qind të aksioneve nga Ministria shqiptare e Financave te aksioneri i ri Raiffeisen Zentralbank. Ishte Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë I cili mori vendimin e e fundit dhe ndër më të rëndësishmit për miratimin e aksionerit të ri të Bankës së Kursimeve. Raiffeisen Zentral Bank, që ndryshe do mësohemi ta njohim si RZB, tashmë është prezente në tregun bankar shqiptar. Pyetja më e parë që të vjen ndërmend është se çdo të ndodhë me sistemin bankar, kredtimin e ekonomisë dhe biznesit në veçanti, politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe bankat e tjera në sistem. Banka e Shqipërisë e shoqëroi vendimin për transferimin e pronësisë me një tjetër vendim pot ë rëndësishëm. Këshilli Mbikëqyrës me vendimin nr. 26, i dha lejen Bankës së Kursimeve që të rifillojë kredidhënien menjëherë pas kalimit të pronësisë te Raiffeisen. Një vendim I mirëpritur për shqiptarët pasi kujtojmë se Banka e Shqipërisë kishte qenë e detyruar të ndalonte Bankën e Kursimeve të jepte kredi që nga viti 1998. Arsyeja, tashmë dihet, ishte përqindja e lartë e kredive të pakthyera gjatë periudhës së tranzicionit deri në vitin 1997. Banka iu nënshtrua një procesi të thellë transformimi, monitoruar nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare dhe si bankë qendrore kishim kushtëzuar kredidhënien me privatizimin e saj.

Forcimi i konkurencës.

Për vetë peshën dominuese që ka Banka e Kursimeve në sistemin tonë bankar, si dhe rolin tradicional që ka luajtur për kursimet e publikut në Shqipëri, kalimi i saj tek një investitor i besueshëm, i shëndoshë financiarisht dhe me përvojën e duhur në veprimtarinë bankare, ishte i një rëndësie maksimale.

Përpjekjet e bëra në këtë drejtim nga ana e Qeverisë Shqiptare, vetë Bankës së Kursimeve, Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve financiare ndërkombëtare që asistuan në këtë proces, rezultuan të suksesshme pasi Raiifeisen Bank përfaqëson një zgjedhje shumë të mirë për ecurinë e ardhme të Bankës.

Aksioneri i ri, pritet të sjellë risi në konkurrencën në sistemin bankar ndërsa për vetë Bankën e Kursimeve priten zhvillime pozitive në drejtim të administrimit, të organizimit, të drejtimit dhe të përmirësimit të teknologjisë së informacionit. Marrëdhëniet me klientët, bankat e nivelit të dytë dhe Bankën e Shqipërisë gjykojmë se do të përmirësohen ndjeshëm sipas standardeve më të mira të bankingut perëndimor.

Nën pronësinë e re, Banka e Kursimeve do të fitojë një dimension të ri nën këndvështrimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Banka qendrore do të vijojë të jetë maksimalisht e angazhuar që vendimet në sferën e politikës monetare të realizohen mbi bazën e një komunikimi të drejtpërdrejtë, intensiv dhe transparent me të gjithë industrinë bankare, dhe veçanërisht me aktorët më të rëndësishëm të saj.

Banka e Shqipërisë duke patur parasysh se ky privatizim pritet të sjellë ndryshime strukturore në sistem, do të ndjekë me kujdes zhvillimet dhe do t'i përmbahet me përpikmëri standarteve të mbikëqyrjes bankare sipas planit të zhvillimit të mbikëqyrjes, i cili është hartuar me asistencën e Bankës Botërore.

Kreditimi dhe shërbimet, supriza e Raiffeisen.

Miratimi i aksionerit të ri, shoqëruar me heqjen e kufizimit të angazhimit të bankës në aktivitetin e kredidhënies, do të sjellë aktivizimin e saj në kreditimin e ekonomisë dhe në mënyrë të veçantë kreditë për biznesin privat.

Nëpërmjet shërbimeve bankare cilësore, banka do të vijë më pranë publikut dhe së bashku me bankat e tjera të nivelit të dytë, do të jetë aleate e Bankës së Shqipërisë në procesin e zëvendësimit të "cash"-it në ekonomi dhe iniciativat e tjera për zhvillimin dhe konsolidimin e sistemit bankar.

Ne besojmë që nën pronësinë dhe administrimin e ri, Banka e Kursimeve do të sjellë në këtë marrëdhënie bashkëpunimi, besueshmëri, reciprocitet, parime dhe rregullat më të mirë të tregut.

Banka e Shqipërisë vëren me kënaqësi që publiku shqiptar ka reguar pozitivisht ndaj këtij privatizimi. Kjo tregon që publiku ka informacionin e nevojshëm për gjendjen aktuale të bankës, njeh aksionerin e ri dhe ka besim në të ardhmen e bankës nën administrimin e tij.

Si Guvernator, i uroj Bankës së Kursimeve dhe aksionerit të saj të ri, suksese në aktivitetin e tyre për ta shndërruar këtë bankë në "motorrin" e sistemit bankar shqiptar drejt kryerjes së një aktiviteti gjithnjë e më të sigurtë dhe të shëndoshë, drejt përmirësimit cilësor dhe sasior të shërbimeve për klientelën, drejt rritjes së rolit zhvillues të sistemit bankar në ekonominë shqiptare.
_____________________________________________________
Koment nga z.Shkëlqim Cani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, botuar në gazetën "Panorama" të datës 16 prill 2004.