BANKA E SHQIPËRISË

Cani: Bankat, 100% të sigurta

Data e publikimit: 24.03.2002

 

Banka e Shqipërisë ka dalë me një opinion zyrtar, i cili qartë është shprehur se sistemi bankar në Shqiperi është i shëndoshë. Më 31 dhjetor 2001 sistemi bankar ka dalë me fitim prej 4.3 miliardë lekësh. Treguesi kryesor për forcimin e sistemit është treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit, i cili ka dalë 35%, që është rreth tre herë më i lartë se niveli minimal i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe rreth katër herë më i lartë se standartet ndërkombëtare. Njëkohësisht aktivet e sistemit bankar janë rritur me 17 për qind në vitin 2001. Dua të shtoj këtu se është viti i tretë rradhazi që treguesit në sistemin ndërkombëtar janë pozitivë dhe konform të gjitha standarteve, gjë që tregon se ai tashmë është i sigurtë dhe nuk paraqet asnjë krizë për depozituesit shqiptarë. Por ka edhe tregues të tjerë për t'i treguar publikut se ku sistemi bankar i ka investuar 100 për qind depozitat e klientëve. 10 për qind e depozitave janë në Bankën e Shqipërisë dhe mbahen si rezervë e domosdoshme për raste fatkeqesish. Kjo rezervë e domosdoshme mbahet në Bankën e Shqipërisë dhe konsiderohet me risk zero. Rreth 52 për qind e depozitave janë bono thesari të të gjithë sistemit bankar, për të cilat teorikisht dhe praktikisht, sipas të gjitha standarteve, risku është zero. Rreth 28 për qind e totalit të depozitave janë të ridepozituara në banka të huaja dhe në letra me vlerë të shteteve të huaja.

Teorikisht dhe praktikisht këto çmohen me risk zero. Po t'i mbledhësh të gjitha këto, rreth 90 për qind e depozitave janë me risk zero. 10 për qind të tjera janë kredi të dhëna për ekonominë dhe biznesin shqiptar. Në këtë 10 për qind, vetëm 12 përqind çmohen si kredi nën standart. Dhe sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, janë kontrolluar e revizionuar dhe është krijuar një rezervë që është në nivelin 3 për qind. Kështu që teorikisht dhe praktikisht risku në sistemin bankar është zero, sepse depozitat janë të investuara në investime me risk zero.

Lexo intervistën e plotë të Guvernatorit.