BANKA E SHQIPËRISË

Cani: Rritja e kreditimit, sinjale pozitive për rritjen ekonomike.

Data e publikimit: 28.05.2004

 

TIRANE, Maj 27 (Reuters) - Banka qëndrore e Shqipërisë është optimiste se do të përmbushë objektivat e saj të inflacionit dhe rritjes ekonomike për vitin 2004, duke përmendur si faktor kyç rritjen e kredidhënies nga bankat tregtare.

Guvernatori i Bankës Qëndrore, Shkëlqim Cani, tha se kredidhënia nga 13 ndër 16 banka tregtare në Shqipëri, është rritur 58 për qind në tremujorin e parë të vitit 2004 krahasuar me një vit më parë. "Parashikimet tona për inflacionin dhe rritjen ekonomike (për vitin 2004) janë respektivisht brenda intervalit 2-4 për qind dhe 6 për qind" tha Cani në një intervistë për Reuters.

"Banka qëndrore mbetet optimiste për përmbushjen e objektivave", tha z.Cani. "Në e mbështesim parashikimet tonë tek treguesit paraprakë, që flasin për prodhim bujqësor më të mirë, 58 për qind më shumë kredi të re gjatë tremujorit të parë të vitit 2004 në krahasim me vitin 2003, dhe situatë të përmirësuar në drejtim të energjisë elektrike", shtoi Z. Cani. Kredia e re ndaj biznesit në tremujorin e parë arriti shifrën totale prej 27.9 miliardë (266 milionë $) krahasuar me 17.5 miliardë lekë (166 milion ($) në tremujorin e parë të vitit 2003. Ajo është rritur 39 për qind gjatë këtij viti ndërsa në total ishte 91 miliardë lekë në vitin 2003.

"Një zhvillim i ri inkurajues është fakti se agro-biznesi dhe blegtoria kanë marrë kredi që arrijnë vlerën prej 144 milionë lekë," tha Z. Cani për sektorin që ka patur vështirësi për t'iu drejtuar bankave, për shkak të titujve të paqartë të pronësisë për tokën. Bujqësia, ndërtimi dhe shërbimet zënë pjesën më të madhe në Produktin e Përgjithshëm Bruto të Shqipërisë, e cila duke u vlerësuar me çmimet korrente ishte 744.6 miliardë lekë (7 miliardë dollarë/6.5 miliardë euro) në vitin 2003.

Shifrat më të larta të inflacionit të regjistruara në muajt e kaluar si rezultat i rritjes së çmimeve nga monopolet shtetërore të energjisë elektrike dhe të telefonisë fikse duken se "po veniten", tha Cani. Çmimi i telefonisë u ul përsëri më pas. Inflacioni vjetor arriti në 3.2 për qind në Janar dhe 4.4 për qind në Shkurt. Ai ra në 4.0 për qind në Mars dhe zbriti në 3.4 për qind në Prill pasi autoritetet vendosën uljen e tarifave të telefonisë.

Duke kërkuar të nxisë kreditimin dhe rritjen ekonomike, banka qëndrore uli normën e repo-ve me gjysëm pikë përqindje gjatë këtij viti duke e çuar në 6 për qind, por Cani shikon pak hapësirë për ndonjë ulje tjetër. Gjatë 13 muajve të fundit norma bazë e interesit është ulur në total me 2.5 pikë përqindje.

Megjithatë, shtoi ai, paqëndrueshmëritë e tregjeve botërore mund të japë ndikime negative në ekonominë e vogël dhe të hapur shqiptare. "Në qoftë se këto zhvillime rrezikojnë objektivin tonë të inflacionit, ne do të konsiderojmë mundësinë e ndryshimit të politikës tonë monetare", shtoi Cani. Gjithashtu, lidhur me atë që pritet si zhvillim madhor për industrinë bankare, Cani tha se bankat do të përballen me një konkurencë më të fortë dhe mundësisht me norma interesi në rënie, sapo Banka e Kursimeve, tashmë e zotëruar nga Banka Raiffeisen e Austrisë, të fillojë huadhënien ndaj biznesit.

"Si rezultat, ne mund të shohim ulje të normave të interesit, veçanërisht për klientët e mëdhenj", tha Cani. "Në këtë mënyrë, Raiffeisen mund të shkaktojë probleme për disa banka që mund të jenë mësuar me aktivitet më të qetë, duke i detyruar ato të bëhen më koherente dhe më konkurruese në industrinë bankare", shtoi ai.

__________________________________
E enjte, 27 maj 2004 16:17:22