BANKA E SHQIPËRISË

KONFERENCË PËR SHTYP
Deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z.Shkëlqim Cani, në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin e Financave dhe Shefin e Misionit të Fondit Monetar në Tiranë

Data e publikimit: 16.07.2004

 

Banka e Shqipërisë shpreh falenderimet e saj për Bordin Ekzekutiv të FMN-së mbi rishikimin e katërt të Programit të Ecurisë Ekonomike të Shqipërisë dhe vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Misionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe përfaqësuesin e përhershëm në Tiranë, z.Olters.

Zhvillimet kryesore makroekonomike
Sa i përket treguesve makroekonomikë do të theksoja shkurtimisht se rritja ekonomike gjatë tre viteve të fundit ka qenë 6.1 për qind, inflacioni brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë dhe politika fiskale ka qenë e harmonizuar me politikën monetare. Kreditimi i ekonomisë ka shënuar zhvillime pozitive me një rritje vjetore 30-40 për qind. Sistemi bankar në përgjithësi paraqitet i shëndoshë dhe me fitim. Të ardhurat nga privatizimi i Bankës së Kursimeve dhe aktivizimi i pritshëm në procesin e kreditimit të Raiffeisen Bank pritet tí japin impulse pozitive zhvillimit ekonomik.
Sa i përket parashikimeve për deri në fund të vitit 2004, Banka e Shqipërisë vlerëson se treguesit makroekonomikë do të jenë në përmirësim dhe sipas objektivave të parashikuar.

Në vijim dëshiroj të ndalem kryesisht në disa nga zhvillimet e fundit që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik:

Ruajtja e objektivit të Bankës së Shqipërisë
Inflacioni gjatë gjysmës së parë të vitit 2004 ka qënë i ulët dhe parashikimet janë që edhe në fund të vitit inflacioni nuk do të tejkalojë objektivin e sipërm. Kanë qenë kryesisht zhvillimet në treguesin e inflacionit dhe kursin e këmbimit që çuan Bankën e Shqipërisë në marrjen e tre vendimeve për uljen respektivisht me 25 pikë përqindjeje të normës bazë të interesit. Politika monetare e Bankës së Shqipërisë është ndjekur edhe nga bankat e nivelit të dytë.

Zhvillimet në kursin e këmbimit
Monedha vendase, leku është forcuar si ndaj dollarit ashtu edhe euros gjatë vitit 2004. Për periudhën dhjetor 2003-qershor 2004 leku është vlerësuar me 6.4 për qind kundrejt euros dhe 5.4 për qind kundrejt dollarit.

Arsyet kryesore të vlerësimit të monedhës vendase lidhen kryesisht me disa faktorë:

I. Nëse i referohemi një periudhe më afatgjatë, shqiptarët kanë rritur besimin ndaj monedhës vendase si pasojë e një stabiliteti të qëndrueshëm makroekonomik.

II. Në periudhën afatshkurtër, sigurisht që ndikimi më i rëndësishëm ka ardhur nga faktorë sezonalë që efektin më të madh e dhanë në muajin qershor.

  • Hyrja e prodhimit vendas më shpejt dhe në vëllime më të mëdha se vitet e tjera, ka ndikuar edhe në pakësimin e importeve për këto mallra, duke bërë që kërkesa për monedhë të huaj të ulet.
  • Ndërkohë, fillimi i efekteve sezonale ka shtuar më tepër ofertën e monedhës së huaj në tregun e brendshëm si pasojë e të ardhurave nga turistët dhe emigrantët.
  • Po ashtu, politikat e ndjekur nga Fed dhe Banka Qëndrore Evropiane me përqindjet e normës së interesit, mbanin një diferencë relativisht të konsiderueshme me normat e interesit në lekë duke bërë që presionet mbi lekun të jenë të forta në drejtim të mbiçmimit të tij. Kjo pasi shqiptarët kanë këmbyer një pjesë të valutës së ardhur në formën e dërgesave në lekë duke rritur kërkesën për monedhën vendase dhe duke sjellë domosdoshmërisht vlerësimin e saj. Kjo duket qartë nëse i referohemi sidomos depozitave në lekë të cilat janë rritur 24 për qind gjatë këtij viti dhe rritjes se ndjeshme të pjesëmarrjes së individëve në ankandet e bonove të thesarit.
  • Efekte në kursin e këmbimit ka patur edhe një politikë më e kujdesshme fiskale falë edhe të ardhurave shtesë nga privatizimi i Bankës së Kursimeve që nuk ka krijuar presione për likuiditet në tregun e parasë.

Në këto rrethana, duke gjykuar mbiçmimin e lekut si një dukuri jo shumë të favorshme, me potencial për të manifestuar lëvizje të anasjellta në një kohë të dytë, pas vendimeve për uljen e normës bazë të interesit, realizuam edhe ndërhyrjeve në tregun e këmbimeve valutore. Si rezultat, gjatë javës së fundit euro është forcuar lehtë me 1.5 për qind kundrejt lekut ndërsa forcimi i dollarit amerikan ka qenë në masën 0.75 për qind.

Gjatë dy javëve të ardhshme do të kemi konsultime të shumta me Misionin e FMN-së përsa i përket zhvillimeve monetare ashtu të kursit të këmbimit.

Efektet e kursit të këmbimit
Sa i përket efekteve të kursit të këmbimit në rënien e eksporteve është e vështirë të vërtetohet plotësisht teoria në rastin e Shqipërisë sipas së cilës një vlerësim i monedhës vendase sjell ndikime të ndjeshme në tkurrjen e eksporteve dhe rritjen e importeve. Sipas të dhënave të bilancit të pagesave gjatë viteve të fundit por edhe sipas zhvillimeve në tremujorin e parë të vitit 2004, rezulton se kanë patur rritje edhe eksportet edhe importet. Importet e kësaj periudhe(451 milionë dollarë) u rritën rreth 14 për qind, ndërkohë që eksportet (136 milionë dollarë) u rritën me 26 për qind, pavarësisht mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe dollarit amerikan. Eksportet shqiptare në një shkallë të lartë janë ri-eksporte dhe në këtë rast ndikimet e kursit të këmbimit prekin si eksportet ashtu edhe importet(pagat, qiratë etj.)

Ju faleminderit!