BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Guvernatori Sejko: Intervistë për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve ''Reuters''

Data e publikimit: 05.06.2017

 

Euro dhe reduktimi i saj në ekonominë shqiptare

"Banka qendrore e Shqipërisë dëshiron reduktimin e përdorimit të euros në ekonominë shqiptare, në mënyrë që politika e saj monetare të transmetohet në mënyrë më efikase në ekonomi, si dhe që të mbrojë sistemin bankar në Shqipëri nga goditjet e kursit të këmbimit"- tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në një intervistë për gazetarin Benet Koleka, të agjencisë ndërkombëtare të lajmeve, Reuters.

 dsc6977-2 - 498

Ndonëse monedha kombëtare është leku, dërgesat e emigrantëve në euro, dhe lidhjet tregtare dhe bankare me vende anëtare të eurozonës, si Italia dhe Greqi, apo edhe me fqinjët si Kosova dhe Mali i Zi, që kanë vendosur në mënyrë të njëanshme ta përdorin euron, janë disa tregues se monedha e përbashkët evropiane përdoret gjerësisht në Shqipëri .

Guvernatori Sejko shtoi se nuk bëhet fjalë për heqjen plotësisht të euros nga ekonomia e Shqipërisë, e cila është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Përkundrazi, plani është për të nxitur gradualisht rritjen e përdorimit të lekut në financa dhe ekonomi.

"Së pari, ne duam të rrisim fleksibilitetin dhe efikasitetin e transmetimit të politikës sonë monetare. Politika monetare stimuluese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë do të transmetohej më mirë nëse do të kishte më shumë transaksione në monedhën vendase," tha Sejko.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë dëshiron "të ruajë dhe të mbrojë stabilitetin financiar, pasi një nivel i lartë i kreditimit në euro do ta ekspozonte sistemin bankar shqiptar ndaj rreziqeve të kursit të këmbimit", shtoi ai.

Një dekadë më parë, 80 për qind e huadhënies ishte në valuta të ashtuquajtura të forta, kryesisht në euro, dhe pjesa tjetër në lekë. Megjithatë, raporti tashmë ka ndryshuar dhe aktualisht qëndron në 55 për qind e kreditimit në euro dhe 45 për qind e tij në lekë. Ky reduktim është ndihmuar edhe nga ulja e normës bazë të interesit në nivelin më të ulët prej 1.25%, duke sjellë edhe ngushtim të kostove relative të huamarrjes dhe huadhënies.

Depozitat në euro përbëjnë 60 për qind të kursimeve. Sejko tha se banka qendrore inkurajon bankat tregtare të mbajnë depozita në lekë dhe ato po u komunikojnë klientëve t'i konvertojnë kreditë në lekë.

"Ne synojmë të rrisim masën e përdorimit dhe ekspozimit të monedhës vendase në një shkallë të krahasueshme me vendet me ekonomi të ngjashme me tonën, në mënyrë graduale," tha Sejko.

Marrëveshja trevjeçare e arritur me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) prej 330 milionë eurosh, ndihmoi në një bashkërendim më të mirë të politikës fiskale me atë monetare, çka solli rritje graduale të qëndrueshme dhe kontroll më të mirë të borxhit publik.

Sejko vijoi se qeveria e re që do të formohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017 duhet të përqendrohet te reformat strukturore.

Ai vuri në dukje se plani i veprimit për reduktimin e kredive me probleme ka sjellë uljen e tyre nga 23.5 për qind e totalit të kredisë që ato zinin në vitin 2013 në 16.6 për qind në muajin prill 2017.

"Kjo ka ardhur falë nxjerrjes së kredive të humbura prej tre vjetësh, jashtë bilancit të bankave, ristrukturimit të tyre dhe performancës së klientëve ekzistues", shtoi ai. "Kjo tregon se politika jonë është duke funksionuar."

Pasi ka ulur normën bazë nga 6.25% në fund të vitit 2008 në 1.25% aktualisht, për të stimuluar investimet dhe konsumin, Sejko tha se Banka e Shqipërisë do ta ruajë natyrën stimuluese të politikës së saj monetare deri në fund të vitit 2017.

"Vazhdimësia e këtij qëndrimi të politikës monetare, do të varet nga treguesit makroekonomikë në të ardhmen," tha Sejko, duke folur për sinjale të përmirësimit të rritjes në eurozonë, të cilat ushtrojnë ndikim në ekonominë shqiptare nëpërmjet kanaleve të tregtisë dhe investimeve.