BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko dhënë për gazetën ''Albanian Daily News''

Data e publikimit: 18.04.2017

 

1. Z. Guvernator, si fillim faleminderit për mundësinë që na dhatë për këtë intervistë. Kanë kaluar tre muaj që nga fillimi i vitit 2017. A mund të na jepni një panoramë të situatës ekonomike të Shqipërisë, dhe si është situata e sistemit bankar në mbështetje të rritjes së pritshme ekonomike, sikurse është deklaruar nga autoritetet më të larta të qeverisë?

Së pari, më lejoni t'ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për të ndarë me lexuesit tuaj opinionet tona për zhvillimet aktuale dhe të pritshme të ekonomisë shqiptare.

Lidhur me situatën ekonomike në Shqipëri, analizat tona të të gjithë treguesve të disponueshëm ekonomikë dhe financiarë përvijojnë tablonë e një rimëkëmbjeje të vazhdueshme. Sipas INSTAT-it, PBB-ja në Shqipëri u rrit me rreth 3.5% në vitin 2016. Rritja ekonomike u mbështet gjerësisht nga konsumi dhe investimet e brendshme në masë të madhe, si dhe nga kërkesa e jashtme e përmirësuar. Sipas sektorëve, shohim një rigjallërim të fortë të veprimtarisë së ndërtimit, një rritje të vazhduar të shërbimeve, dhe zhvillime më të larmishme në sektorin e industrisë, ku degë të saj janë të ekspozuara ndaj uljes së çmimeve të huaja të mallrave bazë; ndërkohë degët e industrisë së lehtë dhe të asaj agroushqimore po ecin në mënyrë të qëndrueshme.

intervista ang guv

Sigurisht, si politikë-bërës dhe bankierë qendrorë, ne nuk duhet ta kufizojmë veten vetëm tek historia e faqes së parë; për më tepër, duhet të vlerësojmë me kujdes mbështetësit e rritjes ekonomike, të jemi të kujdesshëm ndaj balancave ekonomike dhe financiare, dhe të vëmendshëm ndaj tendencave e sfidave afatgjata. Më lejoni ta shtjelloj më tej.

Faktorët e rritjes ekonomike që kanë mbështetur rigjallërimin e vazhdueshëm gjatë tri viteve të fundit duket se janë duke u forcuar. Mjedisi i jashtëm po përmirësohet gradualisht; ndonëse jo saktësisht rozë, kërkesa e jashtme dhe kushtet e jashtme financiare janë më pak sfiduese krahasuar me disa vite më parë. Në mjedisin e jashtëm, bilancet e agjentëve të sektorit privat dhe atij financiar po përmirësohen dhe pritshmëritë e tyre janë në rritje. Treguesit e tregut të punës, gjithashtu, janë duke u përmirësuar, ku shifrat e punësimit janë në rritje me rreth 7%, vit më vit, në vitin 2016, ndërsa norma e papunësisë u ul në një pikë të ulët ciklike prej 14.2% në fund të vitit. Së fundi, kushtet financiare janë mjaft mbështetëse për rigjallërimin e ekonomisë. Për shkak të qëndrimit të politikës sonë monetare, të vendosur dhe lehtësuese, kostot e financimit janë në nivelet e tyre të ulëta historike, ndërsa kushtet e kreditimit janë stabilizuar. Rigjallërimi i kreditimit ende mbetet në tentativë, megjithëse kreditimi në lekë është rritur me rreth 11% gjatë 12 muajve të fundit. Rregullimi prudencial nga ana jonë dhe mbikëqyrja e duhur dhe e vazhdueshme e sistemit bankar ka siguruar që bankat të mbeten likuide, me fitim dhe të mirë kapitalizuara; ato mbeten një vend i besueshëm për të investuar kursimet e qytetarëve, megjithëse duhet të bëjnë më shumë për të financuar rigjallërimin e vazhdueshëm. Më tej, rruga e konsolidimit e ndjekur nga autoritetet publike ka ulur rreziqet e përgjithshme financiare dhe ka plotësuar e përforcuar stimulin monetar të ofruar nga banka qendrore.

Lidhur me balancat makro-ekonomike, ekonomia shqiptare është afruar pak më shumë pranë ekuilibrit në 2017. Pavarësisht goditjeve të rënda që pësoi gjatë tremujorit të parë të vitit 2016 , inflacioni u rrit drejt objektivit tonë prej 3% gjatë vitit 2016. Për më shumë, deficiti aktual i llogarisë korrente u ngushtua me rreth 7% në vitin 2016, ndërsa financat publike shënuan një tepricë primare dhe borxhi publik u zvogëlua me rreth 0.7 pikë përqindje të PBB-së.

Në lidhje me të ardhmen, në mënyrë të arsyeshme, jam i sigurt për perspektivat tona afatshkurtra deri në afat të mesëm. Në bazë të tendencave dhe politikave aktuale, rritja ekonomike duhet të mbetet pranë ose mbi nivelet aktuale gjatë këtij horizonti kohor; inflacioni duhet të arrijë objektivin tonë në mes të vitit 2018; shifrat e punësimit duhet të vazhdojnë të rriten dhe treguesit e shëndetit financiar duhet të përmirësohen më tej.

Përmbushja e këtij projeksioni kërkon ruajtjen e kursit të politikave aktuale dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Megjithatë, duke pasur parasysh historinë tonë në të kaluarën dhe përmirësimet institucionale, unë jam në mënyrë të arsyeshme optimist për arritjen e rezultateve.

Duke iu kthyer pjesës së dytë të pyetjes suaj, do të doja të jepja një përshkrim fotografik të tendencave më të fundit të industrisë bankare.

Veprimtaria e sistemit financiar u zgjerua gjatë gjysmës së dytë të vitit 2016, dhe treguesit e saj financiarë mbetën relativisht të qëndrueshëm. Pesha e aktiveve të sektorit bankar ndaj PBB-së u rrit në 94.9%. Veprimtaria bankare rezultoi me fitim, me nivelet të mira të treguesve të kapitalit dhe të likuiditetit. Në zgjerimin e veprimtarisë së sektorit bankar, kontributi kryesor erdhi nga veprimet me titujt, investimet e tjera dhe kreditimi, nga ana e aktiveve; dhe veprimet me thesarin dhe ato ndërbankare, depozitat dhe fondet e veta, nga ana e detyrimeve. Në terma vjetorë, sektori bankar e rriti pozicionin e tij neto (kreditor) me jo-rezidentët, kreditimi me 2.5% dhe depozitat me 5.2%. Segmenti financiar jo-bankë e ruajti peshën ndaj PBB-së dhe veprimtaria e tij u ndikua pozitivisht nga ecuria e institucioneve financiare jo-bankë (të përfshira në kreditim dhe pagesa) si dhe nga kompanitë e sigurimeve. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj segmentit financiar jo-bankë mbetet i ulët, por qëndrueshmëria e sektorit bankar është thelbësore për veprimtarinë dhe qëndrueshmërinë e segmenteve financiare jo-bankare të sistemit financiar.

Lidhur me ekspozimin e sektorit bankar ndaj rreziqeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se:

a) rreziku i kredisë u ul gjatë periudhës, megjithëse mbetet pranë niveleve të vitit të kaluar. Vlera e kredive me probleme u ul me 8% dhe raporti i kredive me probleme u ul gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2016, në 18.3%. Kontributi kryesor në këtë ecuri erdhi nga procesi lidhur me mbledhjen dhe ristrukturimin e kredive dhe me fshirjen e kredive të humbura. Rënia e kredive me probleme lidhet me përmirësimin e mbulimit të tyre me fonde rezervë dhe fonde për kapital, ndërsa nivelet e kolateralizimit të kredisë mbeten të qëndrueshme.

b) Rreziku i likuiditetit në veprimtarinë bankare vlerësohet i ulët. Vlera e ulët e raportit të huave ndaj depozitave, vazhdimi i rritjes së depozitave dhe prania e lartë e aktiveve likuide mbi nivelet e kërkesës minimale rregullatore tregojnë një situatë shumë të mirë të likuiditetit në sektorin bankar, në përgjithësi, dhe sipas monedhave kryesore.

c) Vlerësimi për sistemin bankar dhe kontrolli për rrezikun operacional duhet të përmirësohen më tej. Megjithëse raportimet bankare tregojnë përmirësim të mbulimit të tyre me kapital ndaj të gjithë rreziqeve operacionale, veprimtaria mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë thekson nevojën për të përmirësuar më tej procesin e identifikimit dhe raportimit të humbjeve operacionale në përputhje me profilin e veprimtarisë bankare.

Në përgjithësi, treguesit nuk tregojnë rreziqe ndaj stabilitetit financiar gjatë periudhës. Ulja e fitimeve të sektorit bankar dhe rënia e lehtë e treguesve të likuiditetit (të cilët gjithsesi mbeten në nivele të larta) janë balancuar nga zhvillime pozitive në ekonominë reale, në lidhje me përmirësimin e rritjes ekonomike dhe të situatës financiare të individëve dhe bizneseve. Akumulimi i rreziqeve është dobësuar për shkak të ngushtimit të kreditimit në monedhë të huaj, përmirësimit të treguesve të borxhit publik dhe ecurisë pozitive të tregut të banesave. Nga ana tjetër, probabiliteti i materializimit të rrezikut sistemik është ulur, në kushtet ku treguesi i cilësisë së kredisë është përmirësuar, papunësia ka rënë dhe luhatshmëria e kursit të këmbimit ka qenë e ulët.

2. Mund të na thoni diçka për bashkëpunimin e Bankës së Shqipërisë me Bordin Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Bankave? Cilat janë fushat kryesore të bashkëpunimit?

Banka e Shqipërisë ka një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe frytdhënës me Shoqatën Shqiptare të Bankave. Ajo e sheh këtë bashkëpunim të ngushtë si lidhje të rëndësishme, një urë, midis nesh dhe industrisë bankare në Shqipëri duke përfshirë të 16 bankat tregtare. Gjatë vitit, janë organizuar takime të shpeshta me përfaqësues të komiteteve teknikë të shoqatës apo grupe të tjera të ngritura për qëllime të posaçme ( ad- hoc) për të diskutuar mbi nisma të ndryshme rregullative, ndryshime të rregulloreve ekzistuese apo dhe për rregullore të reja.

Banka e Shqipërisë i është mirënjohëse Shoqatës së Bankave që ka mbështetur përpjekjet tona nëpërmjet një numri veprimtarish dhe projektesh bashkëpunimi. Ngjarja e fundit ishte festimi i Javës Globale të Parasë. Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe me mbështetjen e institucioneve të tjera, si Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ka organizuar disa veprimtari edukative të përshtatura sipas kategorive të publikut.

Banka e Shqipërisë ka besim në forcimin e mëtejshëm të lidhjes produktive midis këtyre dy institucioneve.

3. Është folur shumë për çështjen e kredive me probleme. Cili është roli i Bankës së Shqipërisë në menaxhimin e këtij problemi?

Kjo është një nga sfidat kryesore me të cilën po përballemi aktualisht. Dëshiroj të përmend disa nga drejtimet ku po punojmë për të ulur nivelin e kredive me probleme.

Trajtimi i huamarrësve më të mëdhenj me probleme dhe ristrukturimi i borxhit jashtë proceseve gjyqësore.

Në bashkëpunim me projektin FinSAC të Bankës Botërore, ne kemi nisur një projekt për çështjen e kredive me probleme, i cili konsiston në dy pjesë:

- Rishikim i udhëzimeve të Bankës së Shqipërisë për ristrukturimin e huave, duke përfshirë parimet e praktikave më të mira ndërkombëtare për trajtimin e huamarrësve me probleme.

- Zhvillimin e një skeme kuadër bashkëpunimi për koordinim midis bankave për gjetjen e zgjidhjeve për huamarrësit që janë të ekspozuar në të njëjtën kohë ndaj disa bankave, duke specifikuar ndër ta kush mund të nisë procedurë falimenti dhe kush mund të zgjidhet jashtë procesit ligjor.

Dhënia e kredisë bazuar në pasqyrat financiare zyrtare

Bazuar në planin kombëtar për trajtimin e kredive me probleme, detyra e Bankës së Shqipërisë është të vendosë dispozita rregullatore për dhënien e kredive të reja vetëm mbi bazën e pasqyrave financiare zyrtare ose të audituara, këto brenda tremujorit të parë të vitit 2018.

Regjistri i kredive

Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar për përmirësimin e informacionit në Regjistrin e Kredive. Për këtë qëllim, në fund të vitit 2015, në Regjistrin e Kredive u pasurua më tej informacioni për huamarrësin rreth ekzekutimit të kolateralit dhe fshirjes së kredive. Në vitin 2016, filloi një tjetër proces përmirësimi. Me ndihmën e asistencës financiare dhe teknike të ofruar nga Banka për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), nisi një projekt për rishikimin e plotë të Regjistrit të Kredive për të zbatuar një platformë të avancuar dhe për të dhënë informacion të zgjeruar për huamarrësit në vend.

Gjithashtu, dua të theksoj se niveli i kredive me probleme ra më tej në 18% në Shkurt, dhe kjo gjithashtu falë "Planit të masave për reduktimin e kredive me probleme" të ndërmarrë në bashkëpunim me faktorë të tjerë kombëtarë vendim-marrës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, i cili u zbatua gjerësisht vetëm në vitin 2016.

4. Duke folur për inflacionin, jeni të shqetësuar për nivelin e tij aktual prej 2.1%, ose më mirë të themi për tendencën rënëse të tij gjatë viteve të fundit?

Inflacioni i IÇK-së ka qenë poshtë objektivit tonë prej 3%, gjatë viteve të fundit. Shkurtimisht, ky rezultat është pasqyrë e presioneve inflacioniste të brendshme të ulëta, duke reflektuar një kërkesë agregate të dobët dhe mbizotërimin e kapaciteteve të lira në ekonomi, si dhe inflacion të ulët te partnerët tanë tregtarë.

Një rezultat i tillë, dhe duke pasur parasysh mandatin tonë institucional, atë të arritjes dhe ruajtjes së stabilitetit e çmimeve, e ka kushtëzuar Bankën e Shqipërisë të angazhohet në një nivel të paprecedent të zgjerimit monetar. Ne e kemi ulur normën bazë të interesit në nivelin e ulët historik prej 1.25%, kemi zgjeruar programin e injektimit të likuiditetit dhe kemi përdorur instrumentin e komunikimit të kahut të pritur të politikës monetare, si instrument i kësaj politike për të informuar agjentët e tregut financiar dhe për të ankoruar pritshmëritë e tyre.

Në tërësi, kemi qenë të suksesshëm me politikën tonë monetare. Ashtu si e shpjegova më lart, ekonomia shqiptare dhe inflacioni i IÇK-së po ndjekin tendencë rigjallërimi, dhe kjo është rezultat, në një masë jo të vogël, i politikës monetare që ne kemi ndjekur.

Analizat tona tregojnë se, në përgjithësi, presionet inflacioniste u forcuan në vitin 2016. Ne përjetuam një goditje të rëndë negative ndaj çmimeve gjatë tremujorit të parë, por situata u kthye shpejt dhe ky gjallërim i shpejtë, në vetvete, ishte pjesërisht një dëshmi e besimit të agjentëve ekonomikë në aftësinë tonë për të përmbushur angazhimet tona.

Kështu, duke iu kthyer pyetjes suaj, po, me të vërtete ne jemi të vetëdijshëm se inflacioni është poshtë objektivit, por jam i sigurt se do të jemi në gjendje ta arrijmë objektivin brenda një kohe të arsyeshme, domethënë brenda vitit tjetër.

5. Norma bazë e interesit është mbajtur e pandryshuar, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuara normat e interesit për depozitën njëditore dhe kredinë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.25% dhe 2.25%. Mendoni se kjo ulje në këto nivele, më kujtohet që kjo ka qenë rreth 13%, ose më e lartë, është e shëndetshme për ekonominë në përgjithësi?

(Korrigjim: Norma bazë e interesit nuk ka qenë kurrë shifër dyshifrore në Shqipëri. Gjatë 15 viteve të kaluara, ajo vetëm ka arritur një kulm prej 8.5%. Megjithatë, pyetja ende qëndron).

Niveli aktual i normave të interesit në Shqipëri me të vërtetë është në nivele të ulëta historike. Gjithashtu, ju jeni të saktë kur thoni që ky nivel i normave bazë të interesit është tregues i përpjekjeve tona për të stimuluar ekonominë nëpërmjet ndjekjes së një politike monetare mjaft zgjeruese. Më tej, do të thoja se kjo politikë është e duhura dhe absolutisht e nevojshme si për ekonominë edhe për sistemin financiar shqiptar.

Si e shpjegova më parë, kthesa zgjeruese e politikës monetare gjatë fundit të kësaj dekade, është nxitur nga një kërkesë e mangët agregate dhe është ndërmarrë gjatë kohës së një krize të thellë ekonomike dhe financiare ndër partnerët tanë të huaj. Për pasojë, kjo situatë u reflektua në papunësi më të lartë, në vështirësi financiare në sektorin privat, dhe në normë inflacioni nën objektiv. Politika monetare është instrument i përsosur për të luftuar një situatë të tillë të vështirë, dhe të gjitha bankat qendrore që janë përballur me rrethana të ngjashme e kanë përdorur gjerësisht politikën monetare. Banka e Shqipërisë nuk është e panjohur me librin e menaxhimit të mirë ekonomik.

Intensiteti i stimulit monetar në vetvete përcaktohet nga thellësia e goditjes dhe forca e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare. Do të thoja se, duke i vlerësuar me kujdes të dy këta faktorë, ne kemi arritur në përgjigjen e duhur ndaj sfidave që po hasim, dhe sot po shohim rezultatet konkrete pozitive të politikave tona: kredia në lek është duke u rritur; konsumi dhe investimet e sektorit privat janë në rritje, rritja ekonomike dhe punësimi kanë tendencë rritëse, dhe inflacioni po konvergjon gradualisht drejt objektivit tonë. Në të njëjtën kohë, ne nuk po shohim ndonjë ndikim të pafavorshëm ose të paqëllimtë nga lehtësimi i politikës sonë monetare.

Në tërësi, kam besim se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë veprimin e duhur në kohën e duhur.

6. Së fundmi keni njoftuar një fokus të ri të institucionit që ju drejtoni, atë drejt deuroizimit të ekonomisë shqiptare. A mund të na jepni disa detaje se në çfarë konsiston kjo gjë? Si po planifikon Banka e Shqipërisë ta trajtojë këtë çështje dhe cilat mund të jenë aspektet pozitive dhe negative të këtij procesi?

Nivelet e larta të euroizimit, veçanërisht në veprimtarinë e sektorit bankar, përbëjnë një sfidë për efektivitetin e politikës monetare dhe për stabilitetin financiar.

Lidhur me politikën monetare, niveli i lartë i euroizimit do të thotë se kredia dhe kanali i kursit të këmbimit i mekanizmit të transmetimit të politikës monetare mund të mos funksionojë mirë. Në lidhje me stabilitetin financiar, niveli ende i lartë i kredive në monedhë të huaj (euro), veçanërisht i atyre ku huamarrësit nuk kanë nivelet e duhura të burimeve në monedhë të huaj për të shërbyer borxhin, përbejnë një rrezik të konsiderueshëm të kursit të këmbimit dhe të kredisë, që mund të materializohet në qoftë se ekonomia ose sistemi financiar përballen me goditje që shkakton nënçmim të kursit të këmbimit. Për më shumë, nivelet e larta të depozitave në monedhë të huaj e ekspozojnë sistemin ndaj rrezikut të likuiditetit në monedhë të huaj, ku aftësia e bankës qendrore për të ndihmuar, nëse do të jetë e nevojshme, është e kufizuar. Si rrjedhim, ka kuptim që të ketë kërkesa rregullative për aktive likuide të detyrueshme në monedhë të huaj më të larta në banka, me qëllim forcimin e kapaciteteve të tyre për t'u përballur me të tilla situata, nëse do të ndodhnin.

Lidhur me këtë, Banka e Shqipërisë ka intensifikuar masa të ndryshme që në fillim do të kenë për qëllim: të ofrojnë një diferencë midis normave të interesit të depozitave në monedhë të huaj dhe të atyre në monedhën vendase (norma e Rezervës së Detyrueshme në valutë do të rritet, ndërsa e asaj në monedhën vendase do të ulet); të kërkojnë nivele më të larta të aktiveve likuide në monedhë të huaj krahasuar me ato në monedhën vendase; dhe të përmirësojnë ndërgjegjësimin e huamarrësve për rreziqet që lidhen me huamarrjen në monedhë të huaj.

Ne e kuptojnë se procesi është i ndërlikuar dhe sfidues. Përpjekja për të ulur nivelet e eurozimit vetëm tek sektori bankar (sistemi financiar) pa ofruar stimuj të ngjashëm për agjentët e ekonomisë reale nuk është e mjaftueshme dhe mund të mos jetë e suksesshme. Si rrjedhim, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, nëpërmjet një Memorandumi Bashkëpunimi, që do të nënshkruhet së shpejti, do të ndiqet një përqasje më strategjike afatgjatë për de-euroizimin, ku autoritetet do të koordinohen dhe do të paraqesin gradualisht masat në fushat e tyre të kompetencës.

Duhet kuptuar që kjo përqasje nuk ka për qëllim nivelin "zero" të euroizimit për ekonominë shqiptare. Kjo do të ishte tërësisht jo reale dhe ekonomikisht kundër-produktive. Ne po synojmë të frenojmë dhe të reduktojmë euroizimin e ekonomisë shqiptare dhe të sistemit financiar, gjatë periudhës afatmesme deri në periudhën afatgjatë, në ato nivele të cilët dukshëm reduktojnë ekspozimin ndaj rreziqeve dhe përmirësojnë kapacitetet e autoriteteve në zbatimin e politikave përkatëse makroekonomike. Ne mendojmë që, në qoftë se stabiliteti makroekonomik në vend ruhet dhe autoritetet tregojnë konsistencë në të tillë përqasje, masat që do të merren do t'ia arrijnë qëllimit për ta ulur euroizimin në nivele më të përshtatshme.

7. Lidhur me investimet e huaja. Cili është vlerësimi juaj për të ardhmen, duke ditur se Shqipëria është në një atmosferë elektorale? Cili është roli i Bankës së Shqipërisë në këtë drejtim?

Flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte kanë qenë të larta në Shqipëri. Ato kanë pasur një mesatare rreth 7% të PBB-së gjatë katër viteve të fundit, dhe u rritën më tej, 10% në vitin 2016, duke arritur pranë 9% të PBB-së. Ky është burim i dukshëm i financimit nga jashtë dhe ne mund të jemi të kënaqur për këtë fakt.

Ka një sërë arsyesh se përse flukset e IHD-ve vlerësohen shumë në një vend në zhvillim si Shqipëria. Së pari, ato përfaqësojnë një rritje të kapitalit për ekonominë tonë, rritje të investimeve, të kapaciteteve prodhuese, të punësimit dhe të ekspertizës. Së dyti, ato janë flukse jo-borxh krijuese, dhe si të tilla janë më pak të luhatshme ndaj goditjeve.

Duke pasur parasysh se Shqipëria është një ekonomi konvergjuese, Banka e Shqipërisë ka folur në mënyrë konstante për nevojën për të tërhequr IHD. Sipas këndvështrimit tonë, janë të paktën tre parakushte që vendi duhet të plotësojë për të qenë tërheqës për kapitalin e huaj. Së pari, vendi duhet të ofrojë një mjedis të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe financiar. Nuk duhet të harrojmë se IHD-të janë në pjesën më të madhe kapital privat dhe janë tejet të ndjeshme ndaj çdo burimi pasigurie. Së dyti, vendi duhet të ofrojë një perspektivë të mirë biznesi, jo vetëm gjatë periudhës afatshkurtër deri në atë afat-mesme, por gjithashtu, dhe veçanërisht, gjatë periudhës afatgjatë. Së treti, vendi duhet të ofrojë një mjedis miqësor ndaj biznesit, që do të thotë praktika të parashikueshme ligjore dhe juridike dhe administrim publik efektiv. Shqipëria ka bërë progres të mirë gjatë viteve të fundit duke plotësuar plotësisht ose pjesërisht parakushtet, megjithëse nuk duhet të mendojmë se e kemi përfunduar punën tonë.

Banka e Shqipërisë, sigurisht, është e angazhuar në transmetimin e mjedisit ekonomik dhe financiar të qëndrueshëm, si dhe në nxitjen e zhvillimit të tregjeve financiare. Kjo është një çështje tejet e rëndësishme për çdo investitor potencial dhe mendoj se kemi bërë një punë të mirë lidhur me këtë çështje. Pjesa më e madhe e vlerësimit të jashtëm të pikave të forta dhe të dobëta të Shqipërisë e kategorizojnë stabilitetin ekonomik dhe financiar si një plus, dhe kjo nuk do të kishte qenë e mundur pa angazhimin tonë të plotë.

8. Kanë ndodhur disa incidente në të cilat janë grabitur vlera të mëdha monetare. Çfarë masash po merr Banka e Shqipërisë dhe me cilat institucione të zbatimit të rendit dhe ligjit po bashkëpunoni për të parandaluar ngjarje të tilla? Dhe së dyti, a kanë krijuar këto incidente pasiguri në sistemin bankar në Shqipëri?

Së pari, duhet të them se ajo çfarë ka ndodhur është një tipologji shumë e ndërlikuar dhe specifike e krimit, ku përfshirja e Bankës së Shqipërisë është e kufizuar. Roli ynë konsiston kryesisht në sigurimin e udhëzimeve të caktuara, se si duhet të zbatohen standardet përkatëse, përfshirë politikat e sigurimit të vlerave monetare.

Nga ana tjetër, për transportin e vlerave monetare, ku është përqendruar kryesisht aktiviteti kriminal, Banka e Shqipërisë ka përcaktuar si detyrim për bankat tregtare të sigurojnë vlerat monetare ndërsa transportohen (kompanitë e sigurimit duhet të jenë të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare). Lidhur me sigurinë fizike, dispozitat ligjore parashikojnë që bankat duhet të përdorin shërbimet e Kompanive Private të Sigurisë Fizike, të cilat sipas ligjit licencohen dhe mbikëqyren nga Policia e Shtetit.

Ne u kemi kërkuar vazhdimisht bankave tregtare të raportojnë tek Policia e Shtetit, të gjitha problemet lidhur me aktivitetin e përditshëm të kompanive të sigurisë që ato punësojnë.

Megjithatë, duke konsideruar episodet e grabitjeve të ndodhura, dua të përmend se kohët e fundit ne kemi bërë disa rishikime dhe kemi adoptuar rregullore që kanë të bëjnë me transportimin dhe ruajtjen e vlerave monetare.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë i ka propozuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, disa ndryshime të akteve normative, të cilat rregullojnë transportimin e vlerave monetare në Shqipëri.

Në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, kemi propozuar një tërësi standardesh minimale detyruese që duhen zbatuar gjatë transportimit të vlerave monetare. Ndër të tjera, drafti përcakton specifikime të qarta për klasën/kategorinë e mjeteve të blinduara, duke përfshirë karakteristikat e niveleve të blindimit të mjeteve që do të përdoren për transportimin e vlerave monetare. Këto standarde pasqyrojnë të njëjtat standarde që aplikohen në Bashkimin Evropian.

Së fundi, dëshiroj t'u kthehem shpjegimeve që dhashë në fillim lidhur me qëndrueshmërinë e sistemin bankar. Sistemi bankar në Shqipëri është i sigurt dhe i shëndetshëm. Disa episode të përshkruara këtu, përveç ndikimit momental në opinion publik, nuk mund të zbehin përpjekjet rigoroze të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë, në kontekstin e shëndetit financiar dhe besimit të publikut në industrinë bankare. Megjithatë, së bashku me të tjera agjenci private dhe publike, ne po punojmë intensivisht për shmangien e episodeve të tilla kriminalë në të ardhmen.