BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhënë për televizionin Abcnews

Data e publikimit: 16.03.2016

 

Pyetje: Të dhënat e fundit mbi inflacionin duket se po ju sfidojnë në përpjekjet për të rritur konsumin dhe për të pasur inflacionin në objektivin tuaj. Çfarë po mendoni konkretisht ju si Banka e Shqipërisë në radhë të parë, si dhe çfarë sugjerimesh keni për qeverinë, e cila mbase do të duhet të ketë një ndërhyrje në këtë pikë?

Guvernatori: Ne jemi duke kryer analizat dhe duke saktësuar vlerësimet tona lidhur me ndikimin e faktorëve në rënien e nivelit të inflacionit për muajin shkurt. Kjo rënie ka bërë që të marrim edhe një herë në analizë të gjithë situatën dhe faktorët që kanë ndikuar në rënien e nivelit të inflacionit, por duhet të kemi parasysh që kjo është një rënie njëmujore. Në këtë shifër, mund të ketë ndikuar baza e lartë e inflacionit të ushqimeve për muajin shkurt të vitit të kaluar, si pasojë e përmbytjeve të ndodhura. Do të theksoja që ne nuk jemi në një situatë deflacioniste. Sigurisht që jemi nën targetin e synuar të inflacionit të Bankës së Shqipërisë, i cili është në nivelin prej 3%. Unë mendoj dhe gjykoj që rënia në nivelin prej 0.2% është inflacioni vetëm i këtij muaji. Ekonomia shqiptare dhe niveli i inflacionit janë nën potencialin e kërkuar, por nga ana tjetër parashikimet tona janë për një rritje ekonomike më të lartë në vitin 2016. Kjo rënie e inflacionit sikurse e theksova ka ardhur kryesisht nga ndikimi i rënies së çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar dhe jo nga ndonjë rënie drastike e konsumit.

abcnews interv

Pyetje: Megjithatë disa elementë të uljes së konsumit duken apo jo?
Guvernatori: Niveli i konsumit sigurisht nuk është në nivelin më të lartë të mundshëm, pasi ndodhemi në një situatë, në të cilën jo vetëm Shqipëria por i gjithë rajoni përballet me vështirësi ekonomike si dhe një situatë stanjacioni ekonomik. Megjithatë, trendet janë rritëse e pozitive, dhe ne parashikojmë një rritje të konsumit dhe të investimeve në muajt e ardhshëm.
Pyetje: Në fakt edhe të dhënat e kredisë janë në ulje sërish. Përpjekjet tuaja janë dukur shumë mirë tek ulja e kredive me probleme, kemi ulje të theksuar të tyre, por kjo nuk është reflektuar me një rritje të kreditimit. Keni në plan të ndërmerrni masa të tjera?
Guvernatori: Kreditimi gjatë vitit të kaluar ka vazhduar dhe është rritur në nivelin prej 1.76%. Sistemi bankar dhe financiar në Shqipëri, çdo vit gjeneron kredi të reja, në nivelet 400-500 milionë euro. Pra nuk do të thotë që kredia është stopuar, por që janë ngadalësuar ritmet e rritjes së saj në ekonomi nën nivelet që ne synojmë dhe kërkojmë, për të dhënë impaktin e duhur edhe në nivelin e rritjes ekonomike. Kredia me probleme për herë të parë në vitin 2015, shënoi një rënie mjaft pozitive nga niveli 23 në rreth 18%, ose më saktë 17.6% sipas statistikave tona më të fundit. Ky është një tregues pozitiv për t'i dhënë stimulin dhe optimizmin e duhur të gjitha bankave tregtare, por dhe sektorit financiar për rritjen e kreditimit. Duhet të kemi parasysh që Banka Qendrore me politikën e saj monetare stimuluese ndikon në kahun e ofertës, ndërkohë që kreditimi është i lidhur edhe me kahun e kërkesës. Është e qartë se kemi pasur një kërkesë të ulët agregate për kredi, e cila lidhet me shumë elementë si edhe me perceptimin e investitorëve dhe të tregut në lidhje me ecurinë ekonomike. Ka një hezitim. Sigurisht që vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet jo vetëm Shqipëria, por rajoni e më gjerë, ndikojnë në iniciativat e investitorëve si dhe në nivelin e konsumit e të investimeve. I gjithë ky ambient ekonomik sjell një kërkesë jo shumë të lartë e optimiste për kredi. Këto dy elemente janë të ndërthurura. Nga njëri krah, ne si Bankë Qendrore dhe si sistem financiar përpiqemi të stimulojmë kreditimin. Masa në politikën monetare konvencionale janë marrë si nga Banka jonë Qendrore ashtu edhe nga Banka Qendrore Evropiane. Këto masa kanë ndikuar në vazhdimin e kreditimit pasi ka pasur një çmim më të ulët të kredisë, pra politika monetare i ka dhënë efektet e saj në rënien e çmimit në të gjitha segmentet e tregut financiar jo vetëm në kredi por edhe në letrat me vlerë të qeverisë dhe në të gjitha segmentet e tjera, megjithatë sikurse e thashë, ka shumë rëndësi dhe kahu i ofertës.
Pyetje: Në këtë pikë, a po mendoni të ndërhyni apo të sugjeroni ndërhyrje të mundshme?
Guvernatori: Sigurisht që ne jemi duke biseduar me qeverinë. Banka e Shqipërisë është në rolin e këshilltarit, ajo jep këshillat e duhura për ato reforma strukturore për të cilat ka dhe ekspertizën e nevojshme. Ndërkohë, ka mjaft reforma strukturore të cilat janë ndërmarrë dhe po vazhdojnë të ndërmerren nga qeveria, të cilat po japin dhe do të japin efektet e tyre në kohë.
Pyetje: Përkatësisht cilat mendoni se janë?
Guvernatori: Aksioni kundër informalitetit është një element i cili pa diskutim do të ndikojë në shmangien e konkurrencës së pandershme në treg dhe do të mbështesë ato biznese që kanë orientime të qarta në treg. Nga ana tjetër, ky aksion do të ndikojë dhe sistemin bankar e atë financiar. Sikurse e kemi theksuar, do të lehtësohej vendimmarrja e bankave në kreditim, pasi do të shmangeshin standardet e ndryshme në raportimin financiar nga ana e kredimarrësve.
Pyetje: A po mendoni politika jokonvencionale?
Guvernatori: E kam theksuar dhe në diskutime më të hershme, ne nuk jemi në nivelin për të përdorur lehtësimet sasiore që janë përdorur nga shumë banka qendrore të vendeve të ndryshme. Ka shumë elementë dhe kritere të cilat kushtëzojnë dhe përcaktojnë përdorimin e lehtësimit sasior si metodë jokonvencionale të politikës monetare.
Kryesisht, unë do të thosha se ekonomia shqiptare nuk ka qenë në recesion. Ky term zakonisht përdoret kur niveli i rritjes ekonomike është afër zeros. Ne kemi tepricë likuiditeti në bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër, nuk gjykojmë se inflacioni do të jetë në nivele afër zeros. Praktikisht, pavarësisht nga niveli i muajit shkurt të vitit 2016, inflacioni mestar vjetor është mbyllur në nivelin rreth 2%. Kemi nevojë që të shikojmë në kohë si ecurinë e rritjes së inflacionit, por dhe ecurinë e sistemit bankar dhe ecurinë e kreditimit në sistemin bankar. Për momentin, treguesit tregojnë tendenca pozitive rritjeje. Rritja ekonomike e vitit të kaluar ishte në nivelin 2.7% dhe jemi të sigurt se gjatë vitit 2016 do të kemi një rritje ekonomike më të lartë sesa ajo e vitit 2015. Në vitin 2016 ne parashikojmë një rritje ekonomike 3% e lart. Do të jemi të detyruar të bëjmë korrektimet tona në kohë në varësi të ecurisë dhe shifrave që do të dalin, por për momentin ne nuk parashikojmë korrektime në nivelin e rritjes ekonomike. Kur kemi bërë analizat tona, ne kemi marrë parasysh edhe ndikimin e faktorëve ndërkombëtarë dhe ndikimin nga rënia e çmimit të naftës. Sigurisht që në rast se do të ketë zhvillime të mëtejshme dhe faktorë të tjerë që do të kenë efekte negative, ne do të jemi të detyruar të korrektojmë rritjen ekonomike në vitin 2016, por për momentin nuk kemi elementë të tillë. Ne presim që rritja ekonomike të vijë nga rritja e investimeve dhe rritja e konsumit të brendshëm. Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë monetare stimuluese nëpërmjet uljes së normës së interesit si dhe ka njoftuar që kjo politikë monetare do të vazhdojë të jetë stimuluese edhe për dy vitet në vijim, në afatshkurtër dhe në afatmesëm. Sikurse thashë, nuk po mendojmë të implementojmë metodën e lehtësimit sasior, pasi tregu dhe sistemi financiar janë të mbushur me likuiditet. Nga ana tjetër, nëse do të jetë e nevojshme në kohë dhe nëse kreditimi nuk do të ecë me ritmin e duhur ne po vlerësojmë mundësinë për të realizuar skema stimuluese kreditimi. Por kjo nuk do të thotë se do të kryhet, ne jemi thjesht duke analizuar format e këtyre skemave.
Pyetje: Cilët janë sektorët që mendoni se mund të stimulohen dhe të nxitet konsumi pasi besoj se çelësi i gjithë kësaj është vënia në lëvizje e konsumit?
Guvernatori: Nuk jemi në momentin që mendojmë të preferojmë apo të mbështesim më shumë një sektor të caktuar kundrejt një sektori tjetër. Ne do të preferonim që kreditimi të mbështeste të gjithë sektorët dhe të gjitha bizneset. Vëmë re se bankat e nivelit të dytë, me strategjitë e tyre, kanë projektuar më shumë kredi për të mbështetur segmentin e biznesit të vogël. Kjo edhe për arsye të rrezikut të kredisë, pasi bizneset mikro por dhe individët janë më të verifikueshëm dhe bartin një rrezik më të ulët në kredidhënie.
Nga ana tjetër, ne si Bankë Qendrore do të preferonim që kreditimi të ishte në të gjitha segmentet sidomos në segmentin korporatë (biznes i madh). Ky është segmenti më i rëndësishëm, dhe është lokomotiva e ekonomisë, dhe në rast se merr frymë ky segment, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me segmentet e tjera, pasi ato shërbejnë edhe si nënkontraktorë të biznesit të madh.
Pyetje: Politika monetare tashmë është gati e ezauruar, është drejt mundësive të pakta që mund të ketë. A mendoni të jepni ndonjë sugjerim për politikat e qeverisë? Për shembull, në pjesën e pensioneve, sepse mesa duket tek rritja e konsumit duhet shtuar edhe paraja në qarkullim tek pjesa e kërkesës dhe jo tek ajo e ofertës.
Guvernatori: Ne mendojmë se kemi hapësira të mëtejshme për të vazhduar me politikën monetare lehtësuese. Nga ana tjetër, sigurisht që ka dhe shumë forma alternative të nxitjes së konsumit, sikurse ju thatë, qoftë me rritje pensionesh, qoftë me rritjen e asistencës ekonomike, qoftë me forma alternative për të stimuluar çmime të ndryshme të produkteve të ndryshme në sektorë të ndryshëm. Kjo është një fushë shumë e gjerë, në të cilat mund të orientohet dhe fokusohet qeveria. Ne, si Banka e Shqipërisë, kemi rolin tonë dhe jemi të fokusuar në reformat tona lidhur me sektorin financiar të cilat kanë të bëjnë me stimulimin e kahut të ofertës të kreditimit, të rritjes së investimeve dhe të konsumit. Në krahun tjetër, reformat strukturore dhe iniciativat e ndërmarra i përkasin qeverisë shqiptare. Jam shumë i sigurt që qeveria shqiptare, ashtu sikurse dhe ne, do të marrë në analizë dhe do të monitorojë ecurinë dhe zhvillimet e mëtejshme ekonomike dhe do të ndërmarrë vendimet e duhura për të arritur objektivat e saj.

Shënim: Intervista është realizuar në datë 10 mars 2016.