BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në emisionin ''Argument'', në televizionin Scan*

Data e publikimit: 30.06.2017

 

Pyetje: Z. Guvernator ju falënderoj jashtëzakonisht shumë që na pritët në zyrën tuaj. Fillimisht dua t'ju falënderoj që na keni pritur, dua t'ju uroj punë të mbarë, duke qenë se kjo është intervista ime e parë që ju marr. Edhe faleminderit në këtë momente duke e konsideruar për ne përfundimin e një sezoni të madh me aktivitete, dhe me vendimet e Bankës së Shqipërisë.

Guvernatori: Faleminderit ju që erdhët, ju falënderoj dhe unë juve për intervistën.

skan dsc7899

Pyetje: Z. Guvernator, po e nis me politikën më të re apo me vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, deklarata që kanë ardhur edhe nga ju lidhur me deeuroizimin. I keni vënë këtë emër dhe unë po e mbaj atë. Nëse mund të na shpjegoni shkurtimisht, çfarë është kjo politika e deeuroizimit për të gjithë ata që po na ndjekin?

Guvernatori: Politika e deeuroizimit në fakt ka filluar dhe është ndjekur edhe më herët nga banka qendrore, por dhe nga vetë sistemi financiar, duke pasur një orientim dhe tendencë drejt rritjes së përdorimit të lekut, si monedhë vendase. Aktualisht ne e kemi adresuar këtë çështje dhe jemi fokusuar më shumë, duke qenë se niveli i euroizimit ka marrë disa përmasa të cilat konsiderohen relativisht të larta. Raporti kredi - depozita (ku raporti i depozitave është 50% në euro, po ashtu raporti i kredive, i ekspozimeve, në sistemin bankar është mbi 45%), pavarësisht se ka rënë si rezultat i politikës monetare lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, vazhdon të mbetet në nivele të konsiderueshme. Ne kemi nivele euroizimi të larta, si në sektorin financiar që unë sapo përmenda ashtu edhe në sektorin real. Të gjithë e dinë se çmimet e kuotuara të disa produkteve, që tregtohen në tregun shqiptar, vazhdojnë të mbeten në euro. Apartamentet, makinat por kemi dhe raste ku pagat në sektorë të caktuar mund të paguhen në euro. Në këtë kontekst, kemi një nivel konsiderueshëm të lartë të euroizimit të ekonomisë. Dikur ka qenë dollarizimi, pra ka qenë i njëjti fenomen në dollarë, por me rritjen e nivelit të shkëmbimeve tregtare në partneritet me Eurozonën, euro është bërë monedha mbizotëruese. Në këtë kontekst ne jemi orientuar për të ulur nivelin e euros, pra euroizimi që e quajmë në ekonomi, si në sektorin financiar ashtu edhe në sektorin real të ekonomisë.

Pyetje: Ka një tendencë besimi që Shqipëria ashtu siç kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, mund të konsiderojë edhe përdorimin e monedhës euro. A shkon kjo politikë ndesh me këtë perceptim apo janë dy çështje të ndryshme?

Guvernatori: Nuk shkon absolutisht, përkundrazi kjo shkon paralel. Perceptimi është, - dhe kjo është e vërtetë por duhet shpjeguar dhe duhet sqaruar që ky është perceptim i gabuar, - se pikërisht meqë po shkojmë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ne duhet të vazhdojmë dhe t'i adresohemi përdorimit të monedhës vendase, në mënyrë që të rrisim fleksibilitetin e politikës monetare dhe efektin e transmetimit të politikës monetare, por gjithashtu duhet të rezervojmë dhe të ruajmë stabilitetin financiar. Në raport me stabilitetin financiar, unë përmenda që ne kemi rreth 45% të kredive në euro, ku një pjesë e mirë e këtyre klientëve janë të pambuluar, pra i gjenerojnë të ardhurat në lekë ndërkohë që kredinë e kanë në euro dhe janë të ekspozuar ndaj riskut të kursit të këmbimit. çka do të ndikonte në performancën e kredive me probleme. Pra kemi një efekt negativ në stabilitetin financiar, por edhe nga krahu i politikës monetare përmenda që ne do të donim që të kishim monedhën vendase më shumë të përdorshme. Pikërisht për këto arsye, ne synojmë të kemi një sërë reformash që do të ndikojnë në një rritje ekonomike të përgjithshme, ku dhe banka qendrore ka rolin e saj me instrumentet e saj, siç janë instrumentet e politikës monetare. Përdorimi më i gjerë i lekut do të sillte një performancë më të mirë ekonomike, e cila do të përafronte më shpejt me standardet evropiane.

Ne kemi shtete, siç është Çekia që është një shtet mjaft i zhvilluar, anëtar i Bashkimit Evropian dhe ka një nivel shumë të ulët të euroizimit dhe vazhdon të përdorë monedhën e saj. Kemi dhe shtete si Polonia dhe Kroacia që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe kanë ndërmarrë fushata kundër euroizimit pikërisht për këto arsye. Ulja e nivelit të euroizimit është një proces i cili është ndjekur edhe nga shtete të tjera të cilat janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe mbajnë monedhën e tyre. Shqipëria ka nevojë të forcohet ekonomikisht, ka nevojë të zbatojë reformat, të përafrohet me Bashkimin Evropian, në këtë kontekst ka nevojë që të përdorë më shumë monedhën e saj, pra për të rritur fleksibilitetin e politikës monetare, për të pasur një stabilitet makroekonomik dhe stabilitet financiar. Për këto arsye ne po ndërmarrim këtë fushatë kundër euroizimit, por jo se ne po vrasim euron. Duhet theksuar që ne synojmë si bankë qendrore, që të kemi një ulje graduale në nivele të përafërta me shtetet e tjera me ekonomi të ngjashme me ne. Ky është qëllimi, ne nuk synojmë me këto masa që të heqim euron nga qarkullimi, pasi jemi të ndërgjegjshëm se partnerët tanë tregtare janë në Eurozonë. Ka shumë klientë që aktivitetin e tyre e kryejnë në euro, kreditë i kanë me euro, dhe normalisht që këta persona do të vazhdojnë të bëjnë aktivitet, të kryejnë transaksione në euro, sidomos aktivitetin eksport - import. Qëllimi është që në përgjithësi në një masë të madhe të shmanget përdorimi i euros, në ato raste kur është i panevojshëm. Ka një rritje artificiale të përdorimit të euros që është e panevojshme. Dhe ky është synimi, që ne të shmangim përdorimin artificial të euros. Natyrisht nëse ju do të shkoni me pushime diku jashtë do të shkoni me euro, dhe pagesat do të bëhen në euro dhe jo në lekë, por nëse ju do të blini një apartament apo një makinë, çfarëdo qoftë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nuk ka arsye pse të blihet me euro, kur të ardhurat tuaja janë në monedhën vendase dhe kur mund të blihet me lekë. Pse duhet kjo? Ju ekspozon ndaj një kursi këmbimit, në rast se juve pagën e keni në monedhën vendase, atëherë pse duhet të merrni një kredi në euro, dhe pse duhet të ekspozoheni ndaj riskut të kursit të këmbimit në të ardhmen?! Për më tepër që kreditë për pasuri të patundshme janë afatgjata, dhe askush nuk e parashikon dot se si mund të jetë kursi në afat 10-15-20-vjeçar.

Pyetje: Pikërisht qasja ndaj euros mbi të gjitha reflekton dëshirën për të pasur një monedhë kombëtare të fortë, një lek të fortë. Aktualisht kursi i këmbimit me euron ka marrë shumë vëmendje sepse euro është zhvlerësuar kundrejt monedhës tonë kombëtare, por mbi të gjitha me lekun në vetvete, pavarësisht euros apo dollarit. Ka faktorë që e cënojnë apo e favorizojnë apo mbështesin fuqizimin e lekut?

Guvernatori: Është shumë e vërtetë kjo që thoni ju, leku është forcuar së fundmi, por përgjithësisht gjatë periudhës 10-9 vjeçare, leku ka qenë një monedhe e qëndrueshme, ka pasur shumë pak luhatje në raport me monedhat e tjera, kryesisht me euron dhe dollarin. Goditjen e ka marrë në vitin 2008, kur u godit e gjithë Eurozona, pati një zhvlerësim të lekut kundrejt euros si pasojë e krizës, por që nga ajo periudhë leku ka rezistuar shumë mirë. Së fundmi, ne kemi një forcim të lekut. Ne sigurisht ndjekim një regjim të lirë të kursit të kursimit, nuk kemi një regjim fiks të kursit të këmbimit, pra kursi i këmbimit përcaktohet si pasojë e kërkesë -ofertës në treg. Natyrisht kemi një ofertë më të madhe të euros, gjë që ka bërë të forcohet leku, kjo është logjike, është e ditur. Forcimi i lekut ka ardhur si pasojë e një oferte të madhe të euros, një hyrjeje të madhe të euros, nga disa faktorë. Ne i referohemi shifrave dhe gjithmonë flasim mbi bazën e analizave tona dhe të dhënave që ne kemi apo disponojmë; hyrjet si pasojë e turizmit kanë qenë më të larta në Shqipëri, niveli i import- eksporteve ka qenë pozitiv, pra kemi një rritje të eksporteve shqiptare. Gjithashtu kemi pasur edhe rritje të investimeve tv huaja, ka mjaft hyrje në euro nga këto aktivitete, përgjithësisht ka edhe një cikël historik, i cili i referohet periudhave të veçanta, sidomos periudha e verës dhe e dimrit, me ndikimin e emigrantëve ka shumë prurje në euro, Një rezultat i gjithë këtyre faktorëve ka sjellë që ne të kemi një nivel të lartë të ofertës së euros, gjë që ka sjellë edhe një forcim të kursit të këmbimit. Gjithmonë duke iu referuar luhatjeve historike, kursi i këmbimit gjatë periudhës së verës është forcuar në këtë periudhë pasi kemi një ofertë më të madhe të euros në treg dhe kjo ka bërë që të kemi një euro të dobët, pra parashikohet të kemi një euro të dobët gjatë gjithë periudhës së verës.

Pyetje: Për ta mbyllur me çështjen e monedhës, meqë ju e përmendët që gjithmonë dollari ka qenë më shumë afër ekonomisë ndërkombëtare, aktualisht është në nivele shumë më të ulëta se euro apo ekziston mundësia që dhe dollari...?

Guvernatori: Dollari nuk është një monedhë me përdorim të gjerë, pasi partnerët tanë kryesorë tregtarë janë në Eurozonë. Euro është monedha që ka një përdorim më të madh edhe në sistemin financiar, depozitat në dollarë zënë një peshë më të vogël dhe kreditë në dollarë zënë një peshë më të vogël. Përdorimi i dollarit adresohet vetëm në rastet e aktiviteteve të import - eksportit për bizneset (klientët e bankave) që punojnë me naftë, ndërsa pjesa tjetër është kryesisht me euro. Dollari nuk ka pasur luhatje të mëdha në këtë kontekst, sigurisht ato shkojnë bashkë, por efekti euro është më i ndjeshëm tek ne. Theksoj se partnerët tregtarë janë në Eurozonë, sikurse edhe emigrantët në pjesën më të madhe janë në Eurozonë, pra është euro, pastaj janë dollari dhe paundi britanik.

Pyetje: Z. Guvernator ka pasur një lajm të mirë në muajt e fundit, por edhe më parë, ka nisur dhe është konsoliduar ulja e kredive me probleme. Jemi në nivelin 16% nga një rrezik i madh që diskutohej dy vite më parë, kur flitej për 25% të totalit. Pse u ulën kreditë me probleme dhe vazhdon ky ritëm i ulët?

Guvernatori: Kreditë me probleme kanë qenë problem jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha shtetet e rajonit, por edhe në Eurozonë. Që pas fillimit të krizës në vitin 2008, niveli i kredive me probleme është rritur ndjeshëm, bankat kanë qenë shumë më "agresive" në drejtim të kreditimit para krize duke marrë më shumë rreziqe dhe kanë pasur një qasje më të pranueshme ndaj tij. Me ato goditje që pësuan pas krize, pati një ngërç dhe një tërheqje, një filozofi më konservatore në politikat e kreditimit. Kjo erdhi si pasojë e një kërkese të ulët agregate për kredi pra e një tkurrjeje në nivelin e kërkesës, por edhe si pasojë e rritjes së kredive me probleme. Pra duke qenë që kreditimi ishte dhënë pa marrë në konsideratë disa kritere të caktuara të rrezikut, bëri që shumë nga këto kredi të mos performonin si duhet në kthim. Kjo ndodhi në Shqipëri, sikurse ndodhi edhe në shumë shtete të tjera. Rritja e kreditimit para vitit 2008 ka qenë në nivele të larta deri në 25% në vit, dhe sigurisht që nivelet e rritjes së kreditimit me përmasa kaq të mëdha do të sjellin edhe disa kredi edhe jo të performuara, pasi kriteret e riskut mund të jenë anashkaluar. Ne si Bankë e Shqipërisë e kemi adresuar seriozisht çështjen e kredive me probleme, kemi bërë një plan masash në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ku kemi prekur të gjitha elementet të cilat do të ndihmonin sistemin financiar dhe me këto elemente jemi përpjekur të ulim kreditë jo performante. Këtu diskutojmë për një raport që është raporti midis totalit të kredive me kreditë me probleme, dhe raporti i kredive me probleme ka të bëjë edhe me kredinë e re. Ndërkohë, plani i masave i është adresuar pjesës së keqe të portofolit, ky plan masash ka konsistuar në fshirjen e kredive të humbura, në ristrukturimin e kredive me probleme, por edhe në performancën e bankave në tërheqjen e kthimit të kësteve të kredive.

Pyetje: Ka dhe një instrument që nuk është aktivizuar, që është rritja e kreditimit të ri?

Guvernatori: Ne paralelisht me planin e masave për trajtimin e kredive me probleme, kemi punuar edhe me një plan tjetër masash ose me një filozofi për të nxitur kreditimin, për të riorientuar sistemin financiar, ndaj atyre sektorëve potencialë të ekonomisë, të cilët kanë më shumë kërkesë dhe kanë më pak risk, dhe do të kishte më shumë kuptim për bankat që të orientoheshin. E thënë me fjalë të thjeshta, në rast se deri para krizës, bankat ishin të orientuara për kreditim ndaj sektorit të ndërtimit, sektorit të pasurive të patundshme ose sektorëve të tjerë të lidhur me ndërtimin, si çimento hekur etj., normalisht bankat duhen të riorientohen ndaj sektorëve si turizmi, bujqësia apo sektorë të tjerë që aktualisht kanë më shumë frymëmarrje dhe janë më të suksesshëm dhe performues. Në këtë kontekst, ne kemi punuar ngushtë me Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe sistemin financiar, me Ministrinë e Financave, me Ministrinë e Ekonomisë. Kemi bëre disa forume në bashkëpunim edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Çdo vit ne kemi organizuar një forum të caktuar për nxitjen e kreditimit në Republikën e Shqipërisë, pasi kemi pasur edhe një gjendje të bollshme likuiditeti, raporti kredi - depozita ka qenë 50% dhe vazhdon të mbetet, pra ka një situatë likuiditeti mjaft të mirë. Bankat janë me tepricë likuiditeti, mbi kërkesën e bankës qendrore, dhe sfida jonë ka qenë që të kthehej në kredi të shëndetshme për ekonominë, jo në kredi të mbingarkuara, të cilat mund të krijonin kredi joperformante, por kredi të shëndetshme të orientuara pikërisht në këta sektorë. Pikërisht nga këto forume që kemi bërë, kemi dalë në disa memorandume. Në çdo forum bashkëpunimi midis palëve që kanë marrë pjesë në këto forume, Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Shoqata e Bankave, institucionet e tjera rregullatore, si Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, apo ajo e sigurimit të depozitave ku secila ka pasur një rol për të riorientuar tregun financiar ndaj një kreditimi të shëndetshëm. Kjo ka sjellë që kreditimi është rritur në mënyrë të moderuar, gjatë viteve të fundit me një mesatare të nivelit 3-3.3% vit pas viti. Pra ne nuk kemi pasur rënie, por kemi pasur rritje në nivelin e kreditimit, rritje të moderuar, ku synimi ka qenë që të kemi një rritje pak më të lartë se kjo, mbi 5% deri në 10% nuk mund të them një shifër të saktë, por të kemi rritje e cila të ketë një ndikim në nivelin e rritjes ekonomike. Por pavarësisht, rritja e kreditimit ka vazhduar, kredia e re ka qenë në përmasa të mira gjithmonë duke krahasuar vështirësitë ekonomike financiare dhe periudhën e krizës që ka kaluar Eurozona dhe rajoni. Pra nuk flasim në një kontekst të ndryshëm, ne kemi pasur një rritje të kreditimit, kemi pasur tkurrje të portofolit të kredisë në euro dhe rritje të portofolit të kredisë në lekë.

Po t'i rikthehem edhe një herë nivelit të kredive me probleme në lekë që është ulur konsiderueshëm. Objektivi im ka qenë që të shkonim në nivelin 15% dhe po i afrohemi shumë këtij niveli, pasi pas shifrës së prillit kemi një ulje të mëtejshme të kredive me probleme. Në maj, shifra nuk është konfirmuar akoma, sapo të konfirmohet do e publikojmë këto dite, pra ka vazhduar ulja si pasojë e këtij plani masash, ky plan masash ka funksionuar dhe ka qenë shumë i detajuar dhe ka qenë një kooperim shumë i mirë edhe me qeverinë shqiptare në drejtim të performancës, një bashkëpunuar më të mirë dhe të organizuar e koordinuar që i ka dhënë një konfidencë edhe sistemit financiar. Sistemi financiar kryesisht bankat, pasi 95% e sistemit financiar përbëhet nga bankat, kanë ndjerë mbështetjen e rregullatorëve dhe autoriteteve në punën e tyre të përditshme. Një problem ka qenë pjesa ligjore, ekzekutimi i kredive mbetet një problem për bankat pasi shpeshherë klientët e këqij, të cilët nuk janë në gjendje të shlyejnë detyrimet e tyre ndaj sektorit bankar në momentin e ekzekutimit, i kanë bllokuar bankat, proceset gjyqësore të cilat kanë bërë shlyerjen e këtyre rasteve dhe kjo ka ndikuar negativisht në normën e kredive me probleme.

Gjithsesi edhe në këtë aspekt janë bëre adresime dhe ndryshime ligjore, siç ka qenë ligji i falimentit dhe shumë ndryshime të tjera ligjore që kanë të bëjnë me përmbaruesit, me ekzekutimet kolaterale dhe me të gjitha elementet e tjera. Ky është një proces gradual i cili vjen hap pas hapi, nuk bëhet me një të rënë, është e pamundur, kjo është bërë edhe në shtetet e tjera, por ne po e ndjekim edhe po e monitorojmë.

Pyetje: Kemi pasur në rajon një problem që kishim nivelin më të lartë të kredive jo performante, tani mund të krahasohemi edhe me rajonin besoj?

Guvernatori: Shqipëria dhe Serbia ç'është e vërteta kemi pasur nivelin më të lartë. Dua të sqaroj një moment në këtë pikë se ne kemi qenë më konservatorë në trajtimin e raportit të kredive me probleme. Pra ne i kemi marrë kreditë me probleme dhe i kemi futur edhe ato kredi që janë tërësisht të kolateralizuara, të mbuluara në kolateral. Kreditë me probleme neto kanë qenë në nivelin e 6%, mund të jenë më poshtë sot të pambuluara. Ne kemi marrë masa në mënyrë sa më serioze dhe për t'a adresuar problemin, shumë shtete të tjera marrin raportin e kredive me probleme të pambuluara në raste se do të kishim llogaritur edhe ne këtë normë, mbi këtë bazë do të kishim një nivel më të ulët. Shpeshherë bëhen objekt vëmendjeje ose objekt spekulimi, e rëndësishme është që shifrat po bien, ne jemi të krahasueshëm me rajonin, unë kam besim që shifrat do të bien dhe ky raport do të vazhdojë të bjerë si pasojë e masave që ne po marrim. Po përgatisim një platformë të mëtejshme në koordinim me sektorin bankar me shoqatën e bankave, ku banka qendrore do të vazhdojë të ketë një rol koordinues dhe rregullator. Veçanërisht për rastin e kredive të mëdha që kanë nevojë për ristrukturim dhe që kanë ekspozime në më shumë se një bankë.

Pyetje: Përveç kësaj çështjeje, ka pasur një diskutim, që flitej për përqendrim të lartë për kredinë me probleme në pak subjekte? Është me ky problem?

Guvernatori: Ky problem është. Sigurisht ka qenë një përqendrim i kredive me probleme, të cilat kanë qenë të përqendruara në një numër të kufizuar huamarrësish 25-30-35% nuk ka rëndësi, por kjo përbën 60-70% të portofolit të kredive me probleme, që kanë qenë klientë të mëdhenj, korporata të cilët kishin ekspozime në më shumë se një bankë. Normalisht ka disa kompani jo të gjitha të dështuara, një pjesë të suksesshme një pjesë të pasuksesshme. Ishte një kompleks problematikash ku një klient me një numër të madh kompanish me ekspozime, në më shumë se një bankë, përdorin të ardhurat e kompanisë më të suksesshme për të mbuluar humbjet nga kompanitë e pasuksesshme. Pikërisht këtu duhet të hyjë edhe ligji i falimentit, por edhe filozofia e vetë biznesmenëve të mëdhenj për të hequr dorë nga disa biznese të cilat nuk kanë të ardhme, për t'u fokusuar në ato biznese të cilat kanë të ardhme. Sigurisht ky është një proces i vështirë, ka të bëjë edhe me mentalitetin e pjesës së biznesit dhe jo vetëm nga trajtimi nga ana e bankave, pra duhet të ketë një kooperim të të gjitha palëve dhe vetë biznesi duhet të kuptojë që edhe nëse një projekt është i dështuar nuk duhet të vazhdojë të investojë më në të. Duhet të ketë një politikë ndalimi humbjesh në këtë kontekst, pra një pjesë e mirë e këtyre bizneseve dhe në koordinimin tonë janë ristrukturuar. Ka një dalje nga lista të një numri të konsiderueshëm, rreth 11 biznese janë ristrukturuar dhe janë kthyer në një gjendje që kanë perspektivë për të ardhmen e tyre dhe në këtë mënyrë mund të performojnë.

Dhe ky është një rrezik më pak?

Guvernatori: Ky është një rrezik më pak, kjo ka ndikuar dhe kjo ka bërë që të dalim nga kreditë e këqija dhe janë ristrukturuar dhe po vazhdojnë të performojnë ose po paguajnë në banka. Ndërkohë ky është një rrezik më pak që ka ndikuar në uljen e performancës. Një pjesë janë fshirë sepse janë raste të humbura prej më shumë se 4-5 vjetësh, dhe bankat duhet t'i heqin nga bilancet e tyre për efekt treguesish. Bankat do t'i ndjekin këto, shpeshherë koncepti "fshirje" duket sikur bankat do t'i falin, por duhet sqaruar se këto kredi nuk falen por do të vazhdojnë të ndiqen me gjyq dhe me të gjitha masat e tjera ligjore rregullative nga ana e bankave deri në rimarrjen e maksimumit të mundshëm të kthimit të aseteve që kanë këta klientë. Këto hiqen nga bilancet e bankave për të përmirësuar treguesit, gjithë qëllimi është që të rikthehet normaliteti në bilancet e sistemit financiar dhe të rikthehet optimizmi i sistemit bankar. Këtu ka shumë elemente, kredia me probleme është një nga elementet, ka edhe faktorë të jashtëm. Të jemi të qartë, ne ulëm normën e kredive me probleme por shpeshherë, një element i caktuar merr vëmendje më shumë dhe duke marrë këtë vëmendje duket se gjithë problematika është këtu. Sigurisht që sektori financiar përbëhet nga bankat që janë në Eurozonë dhe ato kanë pasur vështirësitë e tyre, kanë pasur politikat dhe strategjitë e tyre, për uljet e ekspozimeve të caktuara në rajon, pra edhe të mos kishte qenë problem i kredive me probleme, kreditimi do të kishte disa pikëpyetje të tjera që do të pengonin rritjet normale, të cilat vinin nga faktorë të jashtëm. Ne po e adresojmë këtë problem që e kemi brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, na takon ne të merremi si rregullator i autoriteteve publike për ta trajtuar. Të paktën të jemi të qetë që kemi bërë detyrat tona.

Në fakt i gjithë angazhimi i Bankës së Shqipërisë dhe i qeverisë shqiptare, të parlamentit dhe aktorëve të tjerë, po rezulton në ulje?

Guvernatori: Kredia po rritet, kredia në lekë po rritet kjo është e dukshme dhe kjo është rritur mbi 10%, dhe kredia me probleme po ulet. Ky është një element pozitiv për stabilitetin e sistemit financiar dhe për ndikimin e sektorit financiar në rritjen e ardhshme ekonomike të Shqipërisë.

Është cilësuar si sektori më i suksesshëm shqiptar, më i suksesshëm, më i qëndrueshëm, më modern, aty ku investohet më shumë dhe çelësi i sigurisë së qytetarëve shqiptarë vazhdon të jetë sektori financiar, kryesisht sektori bankar në Shqipëri, një bazë besimi për funksionimin e ekonomisë shqiptare?

Guvernatori: Po vazhdon plotësisht të jetë një bazë besimi, një sektor shumë i rregulluar, i monitoruar dhe i mbikëqyrur nga ne, por edhe nga institucionet ndërkombëtare si Banka Qendrore Evropiane dhe institucione të tjera. Është një sistem model ç'është e vërteta, jo për të bërë komplimente, në krahasim me sektorët e tjerë është më i rregulluar dhe me standardet më të mira. Ka pasur një ndikim në rritjen e ekonomisë shqiptare ndër vite. Në radhë të parë nëpërmjet kreditimit të ekonomisë, por ka pasur një ndikim mjaft të madh edhe me sjelljen e teknologjive të reja dhe produkteve të reja të afruara për klientët në nivelin e edukimit financiar pra jo vetëm në ndikimin në ekonomi me kreditim, por dhe në ndikim në rritjen e edukimit financiar të popullsisë shqiptare ka qenë si pasojë e këtij sistemi sigurisht të mbikëqyrur dhe të rregulluar nga Banka e Shqipërisë. Duhet t'i jemi mirënjohës sistemit bankar për rolin që ka kryer në këtë kontest, por sigurisht që ka edhe probleme si çdo sektor tjetër dhe ne si rregullator dhe mbikëqyrës jemi të detyruar t'u drejtohemi këtyre problemeve, pasi sektori financiar është sektori më delikat bazuar në faktin që punon me depozitat e popullatës. Pikërisht nga ky këndvështrim dhe ne jemi shumë të kujdesshëm, konservatorë mund të jetë fjala e duhur, për të monitoruar dhe mbikëqyrur në mënyrë që sistemi financiar të performojë por gjithmonë brenda kornizave ligjore, brenda rregullave të caktuara në mënyrë që ekspozimet e sistemit financiar të jenë brenda parametrave të riskut dhe të mos kemi të papritura të pakëndshme për të ardhmen. Për momentin, ne kemi një sistem bankar që përfaqëson rreth 90% të sistemit financiar shqiptar, rreth 10% janë institucionet financiare jobanka, pra sistemi bankar duhet thënë që është boshti kryesor i sistemit financiar. Sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar mirë, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është në nivelin 16%, pra mjaftueshëm më lart se niveli 12%, niveli minimal i kapitalit të kërkuar nga Banka e Shqipërisë, por edhe raporti i likuiditetit është 50 me 50. Ne kemi një tepricë të madhe likuiditeti që kemi një sfidë për ta përkthyer në mënyrë të shëndetshme për ekonominë. Ne jemi në këto raporte që janë raportet kryesore të prudencës për sistemin financiar, por sistemi bankar dhe sistemi financiar kanë qenë edhe me një përfitueshmëri të mirë gjatë viteve të fundit, ku kjo ka qenë shpeshherë objekt vëmendjeje apo "xhelozie" nga disa sektorë të tjerë apo nga disa analistë të tjerë, të cilët kanë komentuar se sistemi bankar është në përfitim, sepse po përfiton në kurriz të kësaj dhe asaj... Duhet të jemi koshient që sistemi bankar në radhë të parë ka një nivel të lartë formaliteti, pra është i formalizuar mirë, këto historitë me dy bilance, tre bilance nuk ekzistojnë, raporton sipas standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar është i mbikëqyrur dhe i monitoruar nga ne, por shumë banka kanë dhe mëmat e tyre që operojnë në Eurozonë. Pra në aspektin e formalizmit ne nuk kemi pikëpyetje në formalizmin e sektorit bankar. Nga ky këndvështrim, kemi besueshmëri të plotë tek shifrat dhe bazuar në këto shifra që ne kemi, shikojmë që nuk ka devijime nga kërkesat tona rregullatore, të cilat japin siguri për vazhdueshmërinë e këtij procesi. Lënda e parë e sektorit financiar janë depozitat, dhe kryesisht depozitat e individëve, popullatës dhe jo të biznesit. Natyrisht që ky është një lajm shumë pozitiv, kur ne themi se kemi një sektor financiar të mirëkapitalizuar, me tepricë likuiditeti dhe me përfitueshmëri. Pra, ne duhet të jemi të kënaqur nga përfitueshmeria e sektorit financiar pasi sa më i shëndetshëm të jetë, aq më të sigurta janë depozitat tona.

Krahasuar me rajonin, sektori bankar shqiptar është sektori më stabël dhe më i sigurt në të gjithë rajonin e Ballkanit?

Guvernatori: Sektori bankar është stabël, është i sigurt! Shumica e bankave që ne kemi, (që të jemi realistë dhe të përmendim të gjitha problematikat), për fatin tonë të mirë shumica e bankave që operojnë në Shqipëri janë banka të Eurozonës, banka italiane, franceze, greke, me kapital grek por banka shqiptare në fakt, të cilat kanë mbijetuar shumë mirë në periudhën e krizës në Greqi dhe vazhdojnë të performojnë shumë mirë. Edhe banka të tjera të Eurozonës që përbëjnë dominancën, ku këto banka kanë sjellë njohuri, produkte, kapital. Sikurse edhe e përmenda, me fillimin e krizës ka pasur një stepje nga mëmat e tyre, kjo ka sjellë që këto banka kanë ulur nivelin e kreditimit, por nga ana tjetër ne kemi qenë dakord relativisht me këtë politikë, sepse nuk do të donim të ekspozoheshim dhe të dilnim jashtë parametrave tanë si bankë qendrore, pasi këtu janë depozitat.

Pra, ne kemi pasur fat që këto banka janë të mirërregulluara. Banka Qendrore Evropiane, Autoriteti i Mbikëqyrjes Evropiane ushtrojnë kontroll me mëmat e tyre. Ne koordinojmë, shkëmbejmë informacione pra është një aktivitet rregullator mbikëqyrës i harmonizuar dhe i koordinuar me institucione të tjera ndërkombëtare. Performanca e këtyre bankave nuk është delikate vetëm në Shqipëri, por në të gjithë rajonin, si pasojë e ekspozimeve të mëdha të këtyre bankave në Eurozonë, shumë vendime të tyre kanë qenë për të mos u shtrirë ose për mos t'u zgjeruar më tej në këtë aktivitet kreditues, pra kanë pasur një tkurrje në aktivitetin e tyre në përgjithësi si në Eurozonë ashtu dhe jashtë. Së fundmi këto politika kanë filluar ndalimin e tyre pasi ka një përmirësim të gjendjes financiare si pasojë e masave të marra edhe nga Banka Qendrore Evropiane, këto banka janë përmirësuar, pra kanë ndaluar. Sigurisht që kthimi i optimizmit dhe i kreditimit pra aktivitetit në parametrat e parakrizës do kohën e tij, por procesi po shkon drejt kahut pozitiv. Pra, nga kontaktet që ne kemi me bordet drejtuese të këtyre bankave, që unë kam në mënyrë të vazhdueshme, por edhe nga kontaktet që kemi me rregullatorët ndërkombëtarë ne njoftohemi që kjo politikë ka ndaluar kryesisht, pra pjesa më e vështirë ka kaluar tashmë dhe tani po mendojmë për rritjen.

Interesat e ulëta janë një lajm i mirë për kredimarrësit dhe jo i mirë për depozituesit, por ama janë politikë e normës bazë të interesit e nisur nga Banka e Shqipërisë dhe ka qenë e vazhdueshme. Kemi lexuar nën rreshta që deri në fund të vitit të paktën me parashikimet që mund t ë dimë tani, nuk do ketë rritje bazë të normës së interesit. A është transmetuar kjo politikë tek të gjitha bankat tregtare? A është e vërtetë që deri n ë f und të vitit brenda parashikimeve që njohim sot, nuk do kemi rritje të normës bazë të interesit?

Guvernatori: Është e vërtetë, ne kemi theksuar në deklaratat tona për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që Banka e Shqipërisë do të vazhdojë me politikën e saj monetare lehtësuese dhe nuk do të ketë ndryshim para tremujorit të parë të vitit 2018. Ne nuk parashikojmë sipas këtyre deklaratave dhe analizave tona që të kemi ndryshim, të themi rritje ose ulje në varësi të tregueseve makroekonomikë, para tremujorit të parë të vitit 2018, ky është parashikimi ynë. Sikurse kemi theksuar që parashikojmë që të mbyllet hendeku i prodhimit dhe të kthehet ekonomia në ekuilibër në gjysmën e dytë të vitit 2018. Ne kemi pasur një rritje ekonomike graduale vit pas viti, duke filluar nga niveli 1% në 2-3.5%, parashikojmë të kemi një rritje të mëtejshme ekonomike, duke pasur parasysh klimën e mirë dhe kalimin me qetësi të situatës zgjedhore. Parashikojmë të vazhdojmë të kemi një performancë ekonomike në rritje, kjo do të çojë gradualisht në ndryshimin e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, por është herët për ta thënë, ne të vazhdojmë njëlloj si Banka Qendrore Evropiane, e cila ka elementet e para të përmirësimit të situatës ekonomike, por ka lajmëruar që do të vazhdojë me politikën e saj monetare lehtësuese. Natyrisht ata kanë marrë edhe disa masa dhe përdorur instrumente të tjera të lehtësimeve sasiore, të cilat kanë qenë të panevojshme që ne t'i përdorim si Bankë Qendrore. Ne kemi pasur një plan rezervë masash që do të përdorim në rast se do të kishim një përkeqësim, por për fat ekonomia jonë ka rezistuar, ka qenë fleksibël dhe nuk kemi pasur nevojë për të përdorur masa të tjera. Instrumenti i politikës monetare, ulja e normës së interesit ka rezultuar e mjaftueshme dhe është transmetuar mjaft mirë në tregje. Si pasojë e uljes së normës bazë të interesit disa herë, pra niveli 6% i para disa viteve që ka qenë niveli minimal historik është sot 1.25% dhe kjo ka bërë të transmetohet në uljen e normës së interesit në të gjitha segmentet e tjera të sistemit financiar, si në uljen e interesit të normave të kredisë, në uljen e interesit të bonove të thesarit dhe në uljen e normave të depozitave. Ka qenë një transmetim i mirë, i plotë nuk mund të quhet për sa kohë kemi një nivel të lartë të euroizimit flasim për pjesën e monedhës vendase, ku 50% është në varësi të politikës monetare që ndjek Banka Qendrore Evropiane.

Meqë jemi këtu, nga vendimet e Bankës Qendrore Evropiane, apo nga vendimet e Rezervës Federale Amerikane, dy bankat më të mëdha të hemisferës perëndimore, a kanë efekte vendimet e tyre në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë?

Guvernatori: Patjetër që ne i marrim në analizë duke pasur një nivel të lartë të euroizimit, vendimmarrja e Bankës Qendrore Evropiane reflektohet direkt. Po të kishim nivel të lartë ekspozimi në monedhën dollar, sigurisht që do të kishte efekt edhe politika e Rezervës Federale Amerikane. Ne kemi efekt më të lartë të euroizimit dhe në sektorin financiar në kredi dhe në depozita. Ulja e normës së interesit nga ana e Bankës Qendrore Evropiane ndikon në uljen e normës së interesit dhe ky është një element pozitiv dhe shkon paralel me politikën monetare të Bankës së Shqipërisë. Edhe pjesa e politikës monetare të Bankës Qendrore Evropiane, pasi ulen normat e interesit të kredive në euro, ulja e normave të interesit të kredive bën që të ketë një tërheqje më të madhe, pra të ketë një nivel më të lartë kreditimi. Në kahun e ofertës, sistemi financiar ka këtë instrument pastaj kahu tjetër është kërkesa e ulët agregate. Dua të them që kreditimi vjen edhe si pasojë e një kërkese të ulët agregate, iniciative për projekte të ndryshme etj., por institucionet e tjera financiare dhe banka qendrore kanë për detyrë të ulin ofertën, të krijojnë një ofertë më të lehtësuar për ekonominë. Banka Qendrore Evropiane me uljen e normës së interesit ka bërë të kemi ulje në normat e interesit dhe në pjesën e kredive dhe të depozitave në lekë. Po ashtu edhe Banka e Shqipërisë me politikën e saj monetare lehtësuese ka pasur si qëllim të nxisë kreditimin, konsumin dhe investimet private. Ky është qëllimi. Kreditimi është nxitur dhe është reflektuar, transmetimi i politikës monetare ka qenë i mirë, në nivelin 10-11%, rritja e kredisë ka ardhur si pasojë e rritjes së kredisë në lekë, sepse rritja e kredisë në euro është tkurrur, dhe ky është një element shumë i mirë.

Parashikoni se kur mund të arrijë një nivel të pranueshëm të euroizimit? A do të ndodhë një ulje e mëtejshme?

Guvernatori: Po, ne kemi përgatitur një memorandum mirëkuptimi me aktorët e tjerë, me Ministrinë e Financave, dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në Grupin Këshillimor të Stabilitetit Financiar ku minimalisht një herë në tre muaj e mbledhim dhe po të ishte e nevojshme mund ta mbledhim edhe më shpesh. Herën e fundit, kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, duke përcaktuar masat dhe detyrat për çdo institucion për uljen e nivelit të euroizimit që ne e trajtuam në fillim të emisionit. Sigurisht që marrja e këtyre masave do të bëjë që të kemi një ulje graduale. Unë e përmenda, jemi në diskutim me Shoqatën e Bankave në mënyrë që të shikojmë efektet dhe të jemi të sigurt për efektet që do të ketë aplikimi. Këto masa kanë të bëjnë me nivelin e rezervës së detyrueshme, me transparencën ndaj publikut, por mund të ketë një efekt të caktuar në sektorin financiar dhe duhet të jemi gati të sigurt që çdo lloj marrje mase nga ana e Bankës së Shqipërisë si rregullator të ketë një ndikim të mitiguar të menaxhuar në sektorin financiar, që të mos ketë goditje negative në sektorin financiar. Në këtë kontekst, ne parashikojmë që këto masa do fillojnë të implementohen, pra rritja e nivelit të detyrueshëm për euron ose raportet e likuiditetit për të ndikuar tek bankat do të fillojnë nga viti 2018. Implementimi i këtij plani do të fillojë vitin tjetër, kemi firmosur memorandumin e mirëkuptimit dhe po bashkëpunojmë me aktorët të cilët preken nga ky plan masash, për mirë apo edhe për keq. Duhet të kemi një parashikim shumë të saktë në efektet. Ruajtja e ekuilibrit midis instrumenteve të politikës monetare dhe stabilitetit financiar është një nga qëllimet tona kryesore. Ne duam të ushtrojmë një politikë monetare lehtësuese, të ushtrojmë instrumentet tona të politikës monetare, pa pasur ndikim negativ në stabilitetin financiar të vendit, dhe ndërthurja dhe marrja në konsideratë e të dy elementeve është detyrë e jona si Bankë Qendrore dhe e bëjmë këtë në mënyrë të vazhdueshme.

Zoti Guvernator kam një çështje të fundit por që do të doja ta ndaja në dy pyetje. Lidhet me përfundimin e fushatës dhe të zgjedhjeve e numërimeve që pothuajse gjithçka ka mbaruar. Dua t'ju pyes për pjesën e fushatës përgjatë gjithë muajit në aspektin e stabilitetit financiar e ecurisë së monedhës apo edhe ndjesitë që kanë dhënë të gjithë qytetarët edhe kompanitë e të gjithë sektorit bankar ndaj fushatës zgjedhore duke e parë që ishte një fushatë më e qetë se të tjerat, në bazë të një marrëveshjeje që funksionoi të paktën në kohën e fushatës. A mund t ë themi që pati ndikim negativ në sistemin financiar, në ecurinë e monedhës dhe në të gjithë këta tregues mund ta themi tashmë?

Guvernatori: Dua të jem shumë i kujdesshëm, i saktë, korrekt dhe do të thoja se në vija të përgjithshme nuk ka pasur ndikim negativ. Por nëse ka pasur, sa ka qenë ndikimi që ne si Bankë Qendrore e masim nëpërmjet treguesit të ndjesisë ekonomike. Treguesi i ndjesisë ekonomike për tremujorin e parë ka pasur një rritje të konsiderueshme. Treguesi i ndjesisë ekonomike nëpërmjet një pyetësori merr perceptimin e biznesit dhe individëve të disa shtresave të ndryshme dhe të sektorit financiar, ka një korrektim të ulët për tremujorin e dytë, ky është elementi kryesor me të cilin masim perceptimin, pastaj janë shifrat e tjetra, shifrat e rritjes, kreditimi, shifrat e tjera që tregojnë nivelin e ecurisë ekonomike dhe treguesit e tjerë makroekonomikë që dalin nga Banka e Shqipërisë, ashtu edhe nga Instituti i Statistikave. Këto janë në aspektin e të qenit korrekt me shifrat dhe me treguesit. Në përgjithësi unë do të thosha që për të qenë realist dhe për të lexuar situatën sipas pyetjes që ju bëni, ne jemi koshient që këto ishin zgjedhjet më të mira të mundshme që ne kemi pasur si Shqipëri, si pasojë e marrëveshjes ose jo, realiteti është qe ne kemi pasur një palë zgjedhje më të mira se herët e kaluara.

Gjithë faktorët politikë kanë ushtruar një rol jashtëzakonisht stabilizues pa bërë analizë politike se nuk më takon ta bëj. Leximi është që investitorët e huaj në Shqipëri po ashtu edhe investitorët shqiptarë, i gjithë mjedisi ekonomik e ka lexuar pozitivisht ecurinë e zgjedhjeve dhe jo negativisht, nuk ka pasur asnjë pasiguri që sidomos pas momentit të marrëveshjes, siguria është konsoliduar, ne këtë e kemi parë po t'i referohemi vetëm aktivitetit të turizmit nuk ka stanjacion, nuk ka rënie, por rritje dhe kjo tregon perceptimin që ka ndaj sektorit zgjedhor. Procesi i zgjedhjeve është kryer në një proces normal. Natyrisht që fushatat kanë tensionet e tyre, këto janë krejt normale, por kemi shmangur shumë elemente negative që janë vënë re në fushatat e mëparshme dhe këto kanë konsoliduar konfidencën dhe besimin e investitorëve dhe të ekonomisë në përgjithësi.

Se desha t'ju pyes tashmë rezultati zgjedhor është i qartë, Partia Socialiste i ka marrë 74 mandate ,duket që pavarësisht se çfarë vendosin forcat politike duket se do e ketë më të lehtë të ndërmarrë reforma dhe t'i mbështesë ato në parlament. Në katër vitet e ardhshme në kuadrin e reformave ekonomike ka disa çështje që duhet të jenë në fokus dhe në vëmendje të qeverisë së ardhshme shqiptare me kryeministër zotin Edi Rama.

Guvernatori: Ne normalisht kemi ndjekur një plan reformash me kryeministrin Rama të cilin përfitoj nga rasti ta uroj për fitoren edhe në emisionin tuaj. Janë ndjekur një sërë reformash, sigurisht që rritja ekonomike që ne kemi pasur nuk ka rënë nga qielli por është si pasojë e këtyre reformave sigurisht që është dhe pasojë e faktorëve të jashtëm, por kryesisht është pasojë e reformave të ndërmarra dhe ka një set me reforma, të cilat qeveria shqiptare dhe ne si Bankë Qendrore i kemi elaboruar me shumë kujdes. Natyrisht që këto reforma janë bërë edhe në kuadrin e programit në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me konsulencën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, pra këto reforma janë monitoruar, janë ngritur, janë ndërtuar duke iu janë adresuar sektorëve kritikë të ekonomisë siç ka qenë energjia dhe sektorë të tjerë. Këto reforma kanë pasur rezultatin e tyre pozitiv në rritjen e ekonomisë shqiptare dhe në ruajtjen e parametrave makroekonomikë dhe stabilitetit ekonomik dhe financiar në vend.

Shqipëria nuk ka rënë në recension. Shqipëria arriti doli nga kriza dhe vazhdoi rritjen ekonomike në mënyrë të moderuar, dhe Shqipëria parashikon të vazhdojë të ketë rritje ekonomike.

Rezultati i fundit zgjedhor është një siguri më tej për vazhdimin e këtyre reformave. Këto reforma do të duhet të vazhdojnë. Shpeshherë Banka e Shqipërisë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë dhe unë në emër të Këshillit Mbikëqyrës kemi bërë thirrje për vazhdimin e reformave strukturore. Kjo thirrje në fakt është bërë nga shumë banka qendrore në botë dhe në rajon por edhe ne si Bankë e Shqipërisë kemi bërë thirrje për vazhdimin e reformave strukturore nga të gjithë aktorët. Reformat strukturore janë një gamë e gjerë aktorësh, qeveria ka një rol kryesor, por të gjithë faktorët e tjerë dhe sistemi ligjor, sistemi financiar dhe qeveria dhe parlamenti të gjithë kanë një rol në performancën e reformave strukturore dhe ne si Bankë e Shqipërisë kemi bërë thirrje për harmonizimin e përpjekjeve të të gjithë aktorëve.

Rezultati i fundit na jep konfidencë të mëtejshme që reforma strukturore do të vazhdojnë dhe rritja ekonomike dhe performanca do të vazhdojë gjithmonë e më tej, pra kemi besim që vazhdimi i reformës strukturore do të jetë në drejtimin e duhur dhe me një performancë pozitive, bile mund të parashikojmë që do të ketë një përshpejtim në ritmet e rritjes, gjithmonë duke parashikuar, duke pasur shpresë pozitive. Banka qendrore brenda kuadrit të saj ligjor, legjislativ dhe rregullator do të kryejë, unë personalisht angazhohem në emër të bankës qendrore, që ne do të kryejmë të gjithë detyrat tona dhe do të vazhdojmë me reformat tona në drejtim të stabilitetit të çmimeve, arritjes së nivelit të inflacionit prej 3% në afatin e duhur, por edhe të ruajtjes së nivelit të stabilitetit financiar. Harmonizimi i politikave, i strategjive tona si bankë qendrore me politikat dhe strategjitë e politikës shqiptare do të sjellin një performancë më të mirë, do të ketë një ndikim më të madh në nivelin e rritjes ekonomike dhe në nivelin e rritjes së mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Ju falënderoj që pranuat intervistën.

*Intervista u realizua datë 28 qershor 2017