BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PER SHTYP
Intervista e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, për Radio Televizionin Shqiptar

Data e publikimit: 24.12.2016

 

RTSH: Z. Guvernator jemi në mbyllje të vitit 2016, si do ta vlerësonit ecurinë e ekonomisë shqiptare përgjatë këtij viti?

Guvernatori Sejko: Viti 2016 ishte viti i vazhdimit të trendit pozitiv të rritjes ekonomike. Po t'i referohemi 6-mujorit të parë të vitit 2016, ne patëm një rritje ekonomike në nivelin 3.1%. Shifrat përfundimtare të vitit akoma nuk kanë dalë, por pritshmëritë janë për një rritje ekonomike midis 3.3 dhe 3.5 për qind.

RTSH: Brenda objektivit...

Guvernatori Sejko: Natyrisht brenda objektivit dhe parashikimit. Në fakt, Banka e Shqipërisë ka qenë pak më konservatore në parashikimet e saj, por faktikisht rritja ekonomike ka progresuar mirë. E rëndësishme është që trendi i rritjes ekonomike ka qenë pozitiv, pra për dy-tre vite radhazi ne kemi pasur vazhdimësi të rritjes ekonomike. Kjo rritje ekonomike ka ardhur si rezultat i rritjes së konsumit dhe të investimeve të brendshme private. Ne si Bankë e Shqipërisë kemi ndjekur një politikë monetare lehtësuese, e cila gjithashtu ka ndikuar në burimet e financimit të kësaj rritjeje ekonomike.

RTSH: Po dobësi a ka pasur 2016-a në aspektin ekonomik? Cila ka qenë dobësia më e madhe e ekonomisë shqiptare përgjatë 2016-ës?

Guvernatori Sejko: Dobësi esenciale të ekonomisë shqiptare mund të konsideronim nivelin e ulët të diversifikimit të eksporteve. Shqipëria eksporton kryesisht minerale dhe naftë dhe kjo e bën Shqipërinë dhe ekonominë e saj shumë të ndjeshme ndaj çmimit të këtyre eksporteve. Fillimi i vitit pati një rënie në nivelin e inflacionit, 0.2 - 0.3% në muajt shkurt-mars, rënie e cila erdhi si pasojë e ndikimit të çmimit të këtyre produkteve që ne eksportojmë. Një dobësi tjetër për ekonominë shqiptare është dhe niveli i perceptimit ekonomik. Ka një perceptim i cili është më negativ sesa realiteti për ekonominë shqiptare. Ky perceptim ka një ndikim që lidhet drejtpërdrejt me investimet e huaja dhe të brendshme. Element tjetër negativ për ekonominë shqiptare është edhe informaliteti. Iniciativa për të luftuar informalitetin ka dhënë efektet e saj pozitive në raport me të ardhurat. Pra niveli i të ardhurave është rritur, por gjithsesi niveli i informalitetit në Shqipëri mbetet akoma i lartë.

RTSH: Z. Guvernator, Banka e Shqipërisë së bashku me Qeverinë ndërmorën një plan kombëtar masash për të ulur portofolin e kredive me probleme. Por duhet thënë se përgjatë këtij viti portofoli i kredive me probleme nuk u ul, përkundrazi pati një rritje të lehtë. Pse ndodhi kjo, a mund ta quajmë një plan të dështuar masash, ku çedoi ky plan?

Guvernatori Sejko: Nuk ka qenë një plan i dështuar, përkundrazi ka qenë një plan i mirëstudiuar i cili ka prekur të gjithë elementët dhe të gjithë faktorët, që do të ndikonin në përmirësimin e raportit të kredive me probleme. Kreditë me probleme nuk janë krijuar në një vit të vetëm, ato janë krijuar dhe trashëguar ndër vite. Natyrisht që ka shumë elementë të planit të masave, zbatimi i të cilëve do të shikohet gjatë vitit 2017. Kuvendi sapo miratoi ligjin mbi falimentin, ndërkohë që janë miratuar edhe ligje të tjera, të cilat trajtojnë problematikën e kredive me probleme dhe këto ligje pritet të japin efektet e tyre në vazhdim. Ne presim të ketë përsëri një nxjerrje të kredive të humbura nga bilancet e bankave, çka do të ndikojë në uljen e nivelit të kredive me probleme. Ne gjithashtu presim që të ketë një nivel të mjaftueshëm pozitiv ristrukturimi të portofoleve të kredive me probleme.

RTSH: Cilat janë pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2017, duke qenë se është një vit elektoral dhe dihet se në vite elektorale politika shpeshherë i prish ekuilibrat ekonomikë?

Guvernatori Sejko: Ne nuk parashikojmë luhatje ose shmangie të mëdha nga parashikimet, pavarësisht se do të jetë një vit elektoral. Ka elementë pozitivë dhe negativë, të cilët lidhen me vitin elektoral, për shembull rritja e investimeve publike është një element që ndikon në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, ka elementë negativë, që mund të jetë një mbledhje më e ulët e nivelit të të ardhurave. Megjithatë, në balancën e tyre këto elemente mund të kompensojnë njëra-tjetrën dhe mund të mos kenë një ndikim. E rëndësishme është që procesi zgjedhor të kryhet në mënyrë korrekte dhe të mos ketë problematika politike. Në rast se ne do të jemi në gjendje të kemi një vit zgjedhor normal sikurse është provuar dhe herë të tjera në Shqipëri, pra në rast se ne do ta mbyllim me sukses, sigurisht që parashikimi ekonomik nuk do të ndryshojë. Dhe ne parashikojmë që vitin tjetër të kemi një rritje ekonomike më të lartë sesa rritja ekonomike e këtij viti.

RTSH: Z. Guvernator, edhe një pyetje të fundit, çfarë po ndodh me hotel Dajtin?

Guvernatori Sejko: Hotel Dajti do të jetë pjesa tjetër e godinës së Bankës Qendrore, pasi ne kemi një numër punonjësish që vazhdojnë të jenë me qira në disa ambiente, dhe ky staf do të akomodohet pikërisht në ambientet e hotel Dajtit.

RTSH: A ka ndonjë afat?

Guvernatori Sejko: Ne mendojmë që në një afat dy-trevjeçar rikonstruksioni do të ketë përfunduar. Besoj se nga fillimi i vitit do të fillojnë punimet për rikonstruksionin. Ka shumë defekte, shumë probleme, pasi është një godinë e rrënuar dhe ne do të synojmë ta kthejmë në të njëjtat parametra, pra të ruajmë autenticitetin e godinës, që ajo do të jetë njëlloj siç ka qenë, pa asnjë ndryshim.