BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit Sejko dhënë për Zërin e Amerikës

Data e publikimit: 23.04.2015

 

Zëri i Amerikës: Doja ta nisja këtë intervistë me një pyetje mbi problemet ekonomike me të cilat përballet vendi. Duket se rritja ekonomike vitin e kaluar ishte në nivelin 1.89%, nga objektivi 2.1%, pra një rritje jo në nivelin e duhur. Cilat janë problemet sipas jush?

Gent Sejko: Së pari ju falënderoj për këtë ftesë për intervistë në studion tuaj.

Është e vërtetë se rritja ekonomike e vitit të kaluar në Shqipëri, ishte në nivelin 1.9 apo 1.89%. Por nuk ka rëndësi, saktësisht në presje dhjetore, se sa e lartë ka qenë kjo rritje. E rëndësishme është që rritja ekonomike e vitit 2014, ishte më e lartë se sa ajo e vitit 2013. Ne kemi pasur një rritje ekonomike prej 1.4% në vitin 2013 dhe këtë vit kishim parashikuar si Bankë e Shqipërisë një rritje në nivelin 1.8%, ndërkohë që qeveria shqiptare dhe FMN-ja kishin parashikuar një rritje të 2%. Pavarësisht nga diferenca e vogël, kjo shifër tregon që viti 2014 shënoi një rritje ekonomike progresive në krahasim me vitin 2013 dhe kjo është një shenjë e mirë për ekonominë shqiptare. Parashikimet për vitin 2015 janë për një rritje më të lartë. Ne presim që ajo të jetë më e madhe se vitin e kaluar. Por ka shumë faktorë dhe probleme komplekse të cilat ndërthuren me rritjen ekonomike. 

guvernatori ne voa

Zëri i Amerikës: FMN-ja me sa di parashikon një rritje prej 3%, ndërsa BERZH-i me 2.5%. Cila është shifra juaj dhe ku mendoni se do të mbështet kjo rritje?

Gent Sejko: Sikurse theksova, edhe ne parashikojmë të kemi rritje më të lartë. Nuk ka rëndësi nëse është 2.8 apo 3.2%. E rëndësishme është që trendi i rritjes të jetë pozitiv. Dhe Banka e Shqipërisë gjithashtu, njëlloj si FMN-ja dhe në bashkëpunim me FMN-në parashikon një rritje prej 3% në vitin 2015. Por ekonomia shqiptare përballet me shumë sfida dhe vështirësi, sikundër përballen vendet e tjera të rajonit. Aktualisht ne kemi probleme, si çdo vend i rajonit, që lidhen me klimën e investimeve, besimin e konsumatorit dhe nivelin e konsumit. Pak a shumë problemet që sot janë në ekonominë greke nuk mund të mos transmetohen dhe në ekonominë shqiptare. Ky është një element që mund të ketë një impakt negativ në rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2015.

Gjithashtu ekonomia shqiptare ka pasur një impakt jo pozitiv dhe nga niveli i ulët i financimit, niveli i ulët i kreditimit. Ne presim që gjatë vitit 2015 të kemi një nivel më të lartë të financimit të ekonomisë shqiptare. Pra bankat dhe sistemi bankar të jenë më aktive. Do të jetë një faktor që do të japë një impakt shumë pozitiv në rritjen ekonomike...

Zëri i Amerikës: Doja të ndërhyja këtu. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë 13 herë për të ulur normën e interesit me qëllim nxitjen e kreditimit të ekonomisë. Megjithatë kjo nuk ka ndodhur. Çfarë rruge do të zgjidhni ju?

Gent Sejko: Është e vërtetë. Banka e Shqipërisë ka ulur disa herë me radhë, gjatë vitit 2014, normën bazë të interesit. Kjo ka qenë në përputhje me politikën dhe strategjinë e Bankës së Shqipërisë për një politikë monetare lehtësuese. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë këtë politikë dhe gjatë vitit 2015. Vërtet nuk ka pasur një rritje të kreditimit në nivele të larta, por është për t'u theksuar se kemi pasur rritje të kreditimit gjatë vitit 2014. Kjo rritje ka qenë në nivelin 4.6%. Dhe kjo rritje ka ardhur sigurisht si rezultat i politikës monetare lehtësuese të Bankës dhe uljes së normës së interesit në nivelin më të ulët historik prej 2%.

Zëri i Amerikës: A është kjo një tendencë e qëndrueshme apo sezonale...?

Gent Sejko: Kjo është një tendencë e qëndrueshme në afatgjatë. Mund të jetë sezonale në aspektin e tremujorit të parë të vitit 2015, ku nuk kemi një rritje të lartë sa pritshmëria. Kjo ndodh normalisht në çdo fillim viti, po të shikosh historikun e rritjes së kreditimit dhe rritjen ekonomike në vite. Pasi vetë bizneset dhe bankat nuk janë shumë proaktive në financime në fillim viti, pasi kjo është periudhë që përkon dhe me mbylljen e bilanceve. Përgjithësisht mesi dhe sidomos gjashtëmujori i dytë i vitit gjithmonë shoqërohen me një rritje më të lartë si të kreditimit dhe të rritjes ekonomike.

Por duke u rikthyer te politika monetare dhe norma e interesit, për t'iu përgjigjur më saktë pyetjes tuaj. Rritja ka qenë diku te 4.6%, por në rast se Banka e Shqipërisë nuk do të kishte ndjekur politikën e saj me uljen e normës bazë të interesit, ne do të kishim pasur një nivel edhe më të ulët të kreditimit dhe do të kishte pasur një ndikim edhe më të ulët në rritjen e ekonomisë shqiptare. Është për t'u theksuar se instrumenti i uljes së normës bazë të interesit si metodë konvencionale që Banka e Shqipërisë ka përdorur, ka pasur efekt vetëm në portofolin e kredisë në lekë dhe jo në euro. Shqipëria është një ekonomi e euroizuar dhe teprica më e lartë e kredisë konsiston në portofolin në euro. Por një element mjaft pozitiv për t'u theksuar është se pesha e kredisë në lekë ka ardhur duke u rritur dhe po shkon drejt një raporti 50 me 50 me portofolin e kredisë në euro dhe po rritet. Është një element shumë pozitiv me ndikim jo vetëm në rritjen e ekonomisë në monedhën vendase por shmang dhe rrezikun e këmbimit valutor në kreditë e këqija të cilat sot janë shumë problem.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për kreditë e këqija. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, pritej të jepte efekt në rënien e kredive të këqija. Por diçka e tillë nuk u verifikua. A keni ju të dhëna se sa për qind e parave që u shkuan bizneseve i kaluan bankave për shlyerjen e kredive të këqija?

Gent Sejko: Sigurisht që ne kemi të dhëna. Banka e Shqipërisë ka bërë analizat e saj për pjesën e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Është fakt, sikurse ju e thatë, se shlyerja e këtyre detyrimeve nga qeveria kundrejt bizneseve të mëdha nuk ka pasur efekt të ndjeshëm në uljen e kredisë së keqe. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se në rast se nuk do të ishte bërë shlyerja e këtyre detyrimeve, atëherë kreditë e këqija do të ishin në nivel shumë më të lartë. Ajo që ka ndodhur është se bizneset kanë pasur shumë detyrime dhe nevoja shumë të larta për likuiditet. Dhe duhet thënë se shlyerja e këtyre detyrimeve ka qenë një hap shumë pozitiv, që i ka dhënë frymëmarrje biznesit pavarësisht nga ndikimi që ka pasur në uljen e kredive të këqija.

Bizneset përmes marrjes së këtyre detyrimeve kanë shlyer mjaft borxhe që kanë pasur me njëri-tjetrin dhe me shumë nënkontraktorë të tjerë. Kjo ka përmirësuar klimën e biznesit dhe sigurisht që një pjesë e këtyre detyrimeve ka shkuar dhe për uljen e kredive të këqija në banka. Shlyerja e detyrimeve ka përmirësuar bilancet e bizneseve, i ka bërë ato më të mundshme për të përfituar kredi nga bankat dhe në vazhdimësi ky është një faktor pozitiv që do të ndikojë për bashkëpunimin mes bankave dhe biznesit. Ne jemi duke bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në drejtim të të gjithë faktorëve dhe elementëve që do të ndikojnë në uljen e kredive me probleme.

Zëri i Amerikës: Pas misionit të fundit të FMN-së, Ju dhe ministri i Financave u angazhuat për të marrë hapa konkretë për masa që duhen marrë për uljen e kredive të këqija. Si është situata?

Gent Sejko: Ka një nismë shumë serioze nga ana e Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Financave për të trajtuar problemin e kredive të këqija. Kemi një shifër të konsiderueshme pavarësisht se sot është në rënie. Është në nivelin 22.5% nga 25% që ka qenë. Pra trendi është në rënie dhe ky është një element shumë pozitiv. Ne synojmë që ta ulim dhe më tepër, pasi kreditë e këqija dëmtojnë klimën e biznesit dhe frenojnë bankat në drejtim të kredidhënies e që do të ndikonte më pas dhe në rritjen ekonomike. Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Financave po harton një plan konkret masash për të ndihmuar bankat dhe për të trajtuar të gjitha problemet që pengojnë në performancën e kredive dhe në shlyerjen e kredive me probleme. Ne kemi pasur takime intensive me drejtuesit ekzekutivë të bankave të nivelit të dytë, si unë dhe ministri i Financave. Kemi dhënë të gjithë mbështetjen dhe ndihmën tonë për të gjitha problemet që kanë në raport me anën ligjore dhe rregullative, ndërkohë që ne presim nga vetë bankat që të jenë më proaktive në drejtim të trajtimit të portofoleve të kredive të këqija. Praktikisht ka një plan masash që lidhet me ristrukturimin e kredive, me fshirjen e tyre nga bilancet. Por në këtë aspekt, një rol të rëndësishëm ka dhe sistemi ligjor dhe Ministria e Drejtësisë. Në raport me ekzekutimin e kolateraleve, ligji është ndryshuar, por shpesh herë ne shohim që rastet problematike mbeten në gjykata dhe ka një shtyrje në afateve kohore të cilat ndikojnë negativisht në kthimin e cash-it në bankat e nivelit të dytë. Në raport me gjithë këto probleme, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe FMN-në në muajin qershor ne do të organizojmë një forum të posaçëm, ndërsa në muajin shtator do të hartojmë një program strategjik për ta trajtuar këtë problem, që përfundimisht ta zgjidhim si problem.

Duhet pasur parasysh se pavarësisht të gjithë hapave të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, elementi kryesor që do të ndikojë në uljen e kredive me probleme, është rritja e kredisë në ekonomi, pasi kreditë e këqija janë në raport me totalin e kredisë së dhënë. Në rast se do të kemi frymëmarrje, do të kemi financim e proaktivitet nga bankat e nivelit të dytë në drejtim të kredidhënies, atëherë dhe niveli i kredive të këqija do të bjerë. Duke përfshirë dhe masat e marra, natyrisht që kreditë e këqija nuk do të jenë më një problem në sistemin financiar shqiptar. Ajo që presim e që ne kërkojmë dhe synojmë, është që bankat të jenë proaktive në kreditim, por një kreditim të matur, të rregulluar dhe të mirëmonitoruar. Pra që kreditë e reja të jenë të shëndetshme dhe të mos jenë më kredi të këqija.

Zëri i Amerikës: A e ka luajtur Banka rolin e saj në monitorimin e këtyre kredive?

Gent Sejko: Patjetër Banka e Shqipërisë ka luajtur rolin e saj dhe vazhdon ta luajë përmes mbikëqyrjes bankare por dhe përmes funksioneve dhe njësive të tjera të Bankës së Shqipërisë, sikundër janë politika monetare, stabiliteti financiar, analiza dhe statistikat e saj. Ky është një problem më i gjerë se sa Shqipëria. Nga takimet që ne kishim në mbledhjen e pranverës në FMN, u prezantuam dhe pamë që nuk është vetëm Shqipëria por të gjitha vendet e rajonit që përballen me të njëjtat problematika dhe situatë. Kreditë me probleme nuk janë vetëm një problem rajonal por dhe mbarëbotëror në ditët e sotme, që shoqërohen me elementët e krizës dhe Shqipëria nuk është një vend imun. Duke qenë në kufi me shtete që kanë problematikat e tyre, problemet reflektohen pastaj si në gjendjen e import-eksporteve dhe në gjendjen e bizneseve.

Zëri i Amerikës: Duke qenë se jemi te problematika e vendeve fqinje. Gjendja financiare në Greqi vazhdon të jetë shqetësuese për Bashkimin Evropian. Ende nuk është arritur një marrëveshje. A jeni të përgatitur ju për skenarin e mundshëm të daljes së Greqisë nga Eurozona dhe si pritet që kjo të ndikojë te bankat greke që funksionojnë në Shqipëri? 

Gent Sejko: Ne padyshim jemi të përgatitur për çdo skenar të mundshëm. Ne nuk do të donim që Greqia të dilte nga Eurozona, po të marrim skenarin më të keq. Megjithatë është detyra jonë të jemi të përgatitur për çdo skenar. Ky është një ndër rolet dhe detyrat kryesore të bankës qendrore si institucion rregullator dhe ligjvënës në sistemin financiar. Ka kohë, jo tani, që Banka e Shqipërisë po analizon të gjithë skenarët e mundshëm për të qenë të përgatitur në rast se do të kishim një dalje të Greqisë nga Eurozona.

Unë do të doja të theksoja se kriza greke ka kohë që ka filluar dhe ekonomia shqiptare i ka marrë goditjet dhe efektet negative nga kriza greke që disa vite më parë. Praktikisht kemi një rëne të remitancave, pothuajse e kemi pritur këtë, sikurse dhe niveli i lartë i papunësisë në ekonominë greke ka ndikuar që një pjesë e emigrantëve shqiptarë të jenë kthyer dhe me mundësitë e tyre të kenë bërë disa investime. Ndërkohë nga ana tjetër, në raport me nivelin e importeve dhe eksporteve, Shqipëria me të vërtetë ka një nivel të lartë të investimeve të huaja nga Greqia, por niveli i eksporteve të ekonomisë shqiptare drejt ekonomisë greke është i ulët, pra është vetëm 3%. Ky është një faktor pozitiv që tregon se ne jemi të mbrojtur deri diku në nivelin ekonomik, kundrejt eksporteve në ekonominë greke. Ajo që është më e ndjeshme, është sistemi bankar dhe financiar. Ne kemi tre banka greke që veprojnë në Shqipëri. Dua të theksoj për të qenë i sinqertë dhe i saktë, jo për të dhënë mesazh pozitiv, por për të thënë atë që është reale. Këto banka janë të mirëkapitalizuara dhe kanë shtuar kapital nga mëmat e tyre gjatë viteve të fundit. Kanë një normë mjaftueshmërie kapitali në nivelin 17%, që është shumë më i lartë se ç'është niveli i kërkuar nga Banka e Shqipërisë dhe kanë tepricë likuiditeti. Pra dy elementët bazë të sigurisë në këto banka janë shumë të qëndrueshëm dhe në nivele shumë të mira. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë ka marrë masa që ....

Zëri i Amerikës: Sipas shtypit ju i keni bërë thirrje këtyre bankave të mos jenë shumë të ekspozuara...

Gent Sejko: Jo, nuk u kemi bërë një thirrje të tillë. Bankat greke ashtu si dhe të gjitha bankat e tjera të huaja që veprojnë në Shqipëri kanë portofolet e tyre të investimit si në kredidhënie ashtu dhe në vendosje në bankat e huaja, pasi teprica e likuiditetit sigurisht do të vendoset në bankat e huaja, por e rëndësishme është që të jenë banka të shteteve të rëndësishme e të fuqishme, banka të zonës A. Ne kemi parë dhe monitoruar që bankat greke të mos kenë dhe ato nuk kanë ekspozime në shtetin mëmë, në bankat mëmë, kundrejt rrezikut që mund të kenë. Pra bankat greke nuk kanë vendosje me shtetin mëmë, e para. Janë likuide. Këto vendosje i kanë sikurse i kanë dhe bankat e tjera. Ne nuk iu kemi bërë thirrje, sepse nuk shikojmë arsye ta bëjmë këtë.

Nga ana tjetër, ne kemi marrë masa rregullative, që bankat greke të jenë "të izoluara", të jenë imune ndaj çdo goditjeje nga kriza greke. Ato janë të licencuara dhe operojnë në Republikën e Shqipërisë si banka më vete dhe çdo përkeqësim në ekonominë greke, përveç faktorëve të besimit të depozituesve, nuk do të kishte faktorë realë dhe të fuqishëm kundrejt këtyre bankave greke, pasi kapitali është i dedikuar dhe i paguar në Shqipëri. Këto banka janë me vetëfinancim. Kanë depozitat e depozituesve shqiptarë dhe biznesin e tyre e kryejnë në territorin e Shqipërisë. Në këto kushte nuk shikojmë arsye serioze konkrete, por sigurisht besimi. Dhe duhet të jemi të qartë që besimi do të ndikonte jo vetëm ndaj bankave greke, por ndaj çdo banke. Është shumë e rëndësishme të mos tronditim në mënyrë të panevojshme besimin e depozituesve dhe klientëve.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj të fundit, ju prekët çështjen e besimit të bizneseve dhe besimit të konsumatorëve që ka pësuar rënie si pasojë e gjendjes ekonomike dhe financiare të vendit. Si e shikoni ju këtë tendencë? A po ecën ekonomia në drejtimin e duhur?

Gent Sejko: Ne kemi kryer një vrojtim, një vrojtim statistikor që e kryejmë gjithmonë. Në tremujorin e parë të vitit 2015, të dhënat e indeksit të besimit të konsumatorëve dhe të biznesit është e vërtetë që kanë treguar një rënie. Kjo vjen si pasojë e të gjithë situatës në rajon, jo vetëm në Shqipëri por në Itali, Greqi dhe më gjerë.

Zëri i Amerikës: Të flasim për faktorët e brendshëm që kanë ndikuar në këtë besim.

Gent Sejko: Në faktorët e brendshëm do të doja të theksoja nivelin e eksporteve dhe të importeve dhe nivelin e investimeve të huaja që pastaj shoqërohen në punësim. Sigurisht që ne nuk kemi pasur nivelin e duhur të investimeve të huaja dhe do të thosha që sfida e ekonomisë shqiptare, e qeverisë shqiptare dhe e të gjithë faktorëve të tjerë rregullatorë institucionalë në Shqipëri është kundrejt tërheqjes së investimeve të huaja. Pasi nëse do të kemi nivel më të lartë të investimeve, do të rritet punësimi, do të rritet ekonomia dhe financimi, dhe rrjedhimisht edhe besimi i konsumatorit. Nga anketimet e kryera kemi parë që të dhënat janë të ulëta për tremujorin e parë, por pritshmëritë sidomos nga ana e biznesit janë pozitive për pjesën e mbetur të vitit 2015. Është shumë e rëndësishme të theksojmë dhe duhet të jemi të vetëdijshëm që në drejtim të tërheqjes dhe thithjes së investimeve të huaja, rolin kryesor e ka qeveria me reformat strukturore dhe me paketat që duhen përgatitur në drejtim të këtij synimi.

Zëri i Amerikës: Jeni dakord ju me politikat ekonomike që po ndjek qeveria shqiptare?

Gent Sejko: Deri tani qeveria shqiptare ka ndjekur disa reforma strukturore. Ne jemi të qartë dhe të vetëdijshëm se Shqipëria ka shumë probleme dhe nuk mund t'i adresosh të gjitha problemet. Është e pamundur. E rëndësishme është që të fillohet nga problemet më kryesore, më prioritare dhe reformat e qeverisë shqiptare kanë filluar si nga energjia, infrastruktura dhe të tjera që nuk po i përmend. Kanë dhënë efektet e tyre pozitive sigurisht. Duhet kohë që edhe reformat të japin rezultate. E rëndësishme është që ne jemi në drejtimin e duhur dhe rritja ekonomike në vitin 2014 ka treguar që ekonomia shqiptare po shkon drejt rritjes sikurse edhe pritshmëritë dhe bashkëpunimi ynë me FMN-në po tregojnë që ne mund të kemi rritjen e pritshme. Por e ritheksoj edhe njëherë se situata në rajon, situata në Greqi, mund të kishte impaktet e veta negative. Eksportet në fillim të vitit kanë shënuar një rënie. Pra normalisht që ne përballemi me sfida, përballemi me vështirësi, duhet të jemi të vetëdijshëm që ka elementë dhe faktorë pozitivë që na bëjnë optimistë, sikurse ka edhe faktorë që duhet t'i adresojmë. Ne duhet të vazhdojmë të përqendrohemi tek reformat strukturore. Banka e Shqipërisë ka qenë pjesë e këtyre reformave strukturore, sidomos e asaj në sistemin bankar dhe financiar. Kemi përdorur të gjitha instrumentet tona në drejtim të lehtësimeve monetare, në drejtim të stimulimit të kreditimit. Por vetëm me këto mjete është e pamundur në rast se nuk kryejmë reforma të gjithanshme strukturore në ekonominë shqiptare.

Intervista