BANKA E SHQIPËRISË

Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Z. Ardian Fullani, dhënë Revistës Monitor të datës 3 nëntor 2004.

Data e publikimit: 04.11.2004

 

1 - Si do ta vlerësonit ecurinë e sistemit sistemin bankar në Shqipëri dhe pritshmëritë për të ardhmen?

Sistemi bankar në vite ka arritur rezultate të kënaqshme. Me krijimin e sistemit dynivelor, pra me krijimin e Bankës Qendrore dhe bankave private shqiptare dhe me kapital të huaj janë arritur rezultate mjaft të mira, të cilat kanë sjellë zhvillim të mëtejshëm të sistemit, i cili ka influencuar në përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit. Hapja e degëve të bankave në rrethe të ndryshme të vendit ka bërë që bankat të jenë të pranishme, jo vetëm në kryeqytet, por dhe atje ku shërbimet bankare mungonin ose duheshin krijuar. Në këtë koncept vlerësimi për sistemin bankar vjen duke u rritur, megjithatë viti 2005 do të sjellë ndryshime të mëtejshme dhe kërkon ritme të tjera zhvillimi të sistemit bankar.

2 - Po rolin e Bankës Qendore si do ta vlerësonit?

Banka Qendrore është një nga institucionet më të rëndësishme në vend, e cila padiskutim ka bërë hapat e saj drejt konsolidimit. Në të njëjtën kohë Banka Qëndrore ka një ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin e ekonomisë së vendit, duke qenë institucioni më i rëndësishëm financiar në vend. Ajo kontriubon me anë të përpjekjeve për të përmbushur objektivin e saj kryesor, arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve. Ky kontribut në ekonomi nuk sigurohet thjesht nga arritja e një norme të ulët inflacioni, por sepse duke mbajtur çmimet relativisht të qëndrueshme, ajo siguron një klimë të mirë për zhvillimin e biznesit për nxitjen e investimeve publike e private të vendit e të huaja, të kreditimit dhe të kursimeve (duke i depozituar ato në banka). Në këtë mënyrë banka qendrore siguron rritjen e sigurisë për rezultatet e ardhshme të aktivitetit investues, ruhet vlera reale e kursimeve dhe për pasojë rritet besueshmëria tek sistemi bankar.

Në këtë mënyrë krijohet në tërësi një klimë më e mirë për të përqëndruar vëmendjen në programet afatgjata, në hartimin e politikave ekonomike dhe sociale.

Në këtë kuptim unë do të thoja, që banka qëndrore ka dy parime (kolona) mjaft të rëndësishme. Së pari, është e përgjegjshme për politikën monetare dhe për rregulliminn e kërkesës dhe ofertës për para në treg në përputhje me zhvillimin ekonomik të vendit. Së dyti, është sistemi bankar i qëndrueshëm. Banka Qendore është përgjegjëse për rregullimin e këtij sistemi por dhe për mbikëqyrjen e tij.

Qëndrueshmëria e sistemit bankar është e lidhur kryesisht me besimin e publikut në sitemin bankar dhe varet nga faktorë të ndryshëm si stadi i zhvillimit të vendit revolucioni i tregut financiar, parësor dhe dytësor, kultura e punës me bankat dhe të tjera në lidhje me këto. Këto dy shtylla duhet të zhvillohen njëherazi dhe rëndësia për to duhet t'i vihet maksimalisht në të njëjtin kah dhe me të njëjtën forcë, sepse vetëm në këtë mënyrë ne mund të kemi një bankë qëndrore jo vetëm të qëndrueshme, por do të shtohet mundësia që politikat e saj makro të gjejnë një zbatim të plotë dhe efikas në sistemin bankar. Sa më i organizuar, i shëndetshëm dhe i mbikëqyrur të jetë sistemi bankar aq më lirshëm zbatohen objektivat e BSH, aq më efikase bëhen ato, aq më i sigurt është ky sistem jo vetëm për veten e tij, por edhe për huadhënësit, depozituesit dhe njëkohësisht aq më efikas është ai për të përshpejtuar ritmet e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në këtë kuptim, unë do të thoja që vëmendje e veçantë do të ketë gërshetimi i politikave makro me ato mikro dhe nga ky këndvështrim roli i sistemit bankar merr një rëndësi mjaft të veçantë. Privatizimi total i tij me privatizimin e Bankës së Kursimeve dhe nxjerrjes për shitje të dy bankave të tjera me kapital shtetëror shqiptar tregon për rëndësinë e programit për reformat strukturore. Shqipëria në vitin 2005 do të hyjë në vendet me një sistem bankar tërësisht privat. Në këto kushte unë do të thoja që rritet përgjegjësia e BSH-së në përsosjen e instrumenteve monetarë, por njëkohësisht rritet përgjegjësia dhe roli i saj në përshtatjen e politikave aftashkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Padyshim këto privatizime do të ndikojnë ndjeshëm në konsolidimin e sistemit bankar dhe zgjerimin e tij. Prania e bankave në çdo vend të Shqipërisë do të bëjë që tregu të bëhet më likuid, të bëhet më i përdorshëm për klientelën dhe të kemi një asistencë sa më të madhe bankare kudo në vend.

3 - Si do ta vlerësonit rolin e luajtur nga Banka e Shqipërisë vitet e fundit dhe çfarë duhet përmirësuar më tej?

Banka e Shqipërisë, pa dyshim, ka luajtur një rol mjaft të mirë në procesin e stabilizimit të tregut, të politikave për ruajtjen e normës së inflacionit, gjë që është shprehur në mbarëvatjen e zhvillimeve ekonomike në vend. Megjithatë, krahas ndjekjes së objektivit kryesor apo zbatimit të një politike monetare të qëndrueshme e të përshtatshme, rëdësi do të kishte edhe kujdesi i veçantë për zhvillimin e sistemit bankar, sistemit të pagesave, sistemit të kleringut dhe për një sërë rregullimesh në funksion të kreditimit të ekonomisë.

Vitin tjetër pa dyshim rritja e kërkesës për kredi do të jetë më e madhe, më e larmishme, do të rritet kërkesa për një bashkëpunim më të mirë midis bankave me moton "të bashkëpunohet, duke konkurruar". E them këtë se të gjitha bankat pretendojnë të rrisin cilësinë e shërbimeve për të rritur standardet e tyre dhe për një llojshmëri më të madhe të produkteve të tyre. Konkurrimi nuk shihet vetëm me hapjen e degëve të reja ose me praninë në qytete të tjera. Konkurrimi do të shtrihet në llojshmërinë e produkteve, rritjen e cilësisë dhe risitë e teknikave dhe produkteve në përgjithësi. Në këtë kuptim roli i BSH-së do të rritet për të bërë rregullimet përkatëse në mënyrë që objektivi kryesor të bëhet futja e parave në banka. Çdo të thotë kjo? Ky nuk është tashmë një slogan, por do të jetë objektiv i qartë i bashkërenduar me të gjithë aktorët e interesuar të ekonomisë shqiptare, duke bërë rregullimet e legjislacionit përkatës, por njëkohësisht duke mirëorganizuar këtë treg në funksion të sistemit bankar. Objektiv kryesor siç e thashë, do të jetë riorganizimi i sistemit të pagesave, përdorimi gjerësisht i kartave të kreditit dhe përdorimi i tyre për reduktimin e cash-it në ekonomi. Kjo do të bëhet me një fushatë të fuqishme dhe konkrete publicitare, me ndërgjegjësimin e publikut dhe me rritjen e transparencës, e cila do të jetë në qendër të vëmendjes së BSH.

4 - Ju po kaloni nga drejtues i një banke të nivelit të dytë dhe kryetar i Shoqatës së Bankave në një nivel tjetër në Bankën Qendore. Si do të jenë tani raportet tuaja me bankierët e nivelit të dytë?

Ardhja ime si guvernator është e natyrshme, një lëvizje brenda sistemit. Natyrisht kjo rrit detyrimin dhe përgjegjshmërinë time ndaj sistemit bankar, gjë që do të thotë, se nga njëra anë sistemi bankar do të ketë një besim më të madh në zbatimin e politikave monetare të BSH-së sepse drejtuesi i saj është i dalë direkt nga gjiri i sistemit bankar dhe natyrisht vjen me njohuritë përkatëse për këtë system, por gjithashtu duke sjellë me vete dhe një bagazh të mirë përvoje dhe dijenish për perspektivat e këtij sistemi. Ky njeri vjen me një aleat të fuqishëm në shpatulla me sistemin bankar, i cili padyshim do të jetë një aktor mjaft i rëndësishëm në të gjithë aktivitetin e BSH-së. BSH do t'i shohë me një sy më të kujdesshëm ecurinë e këtij sistemi në funksion të zhvillimit, përsosjes dhe përdorimit të politikave të saj.

5 - Ku e shikoni sistemin bankar pas dy ose tre vjetësh?

Edhe dikur në "Monitor" kam shkruar për sfidat e sistemit bankar. Mendoj që sistemi bankar do të ketë zhvillime mjaft të vrullshme, të cilat pa dyshim do të kërkojnë një rritje më të madhe përgjegjësie nga banka qëndrore për hapjen e hapësirave përkatëse dhe për shtrimin e rrugës për një ecje sa më të shpejtë e më të sigurt të sistemit bankar shqiptar drejt integrimin në sistemin bankar europian. Kjo do të thotë që BSH-ja do të krijojë partneritete të qëndrueshme me banka të tjera të rëndësishme të rajonit, për të krijuar kushtet që banka qendrore dhe sistemi financiar shqiptar të bëhen mundësia e parë për kalimin natyrshëm të ekonomisë shqiptare në përshpejtimin e ritmeve të cikleve ekonomike që të bëjë të mundur përshpejtimin e futjes së Shqipërisë në Bashkimin Europian.

6 - Një nga objektivat e Bankës së Shqipërisë është dhe pavarësia e saj. Ju, sa do të arrini të jeni i pavarur?

Do të thoja që pavarësia e BSH është arritur me ligjin dhe ne vijmë pikërisht me një besim të madh në ligj dhe nga ana e sistemit bankar vijmë me një zbatueshmëri të përpiktë të ligjit. Mos harrojmë që sistemi bankar është sistemi më i kontrolluar, më i rregulluar, më transparent dhe më zbatues i ligjit në Shqipëri, nëse do ta shikonim bankën si një ndërmarrje. Në këtë kuptim, vetë karriera ime mëse 20-vjeçare më brumos me një parim bazë që është zbatimi i ligjshmërisë. Askush nuk mund ta kompromentojë fjalën pavarësi, por pavarësia e BSH nuk është vetëm me ligj. Ajo shikohet në rradhë të parë në zbatimin me përpikmëri të politikave të saj, gjithmonë në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Natyrisht, unë si gjithmonë do të jem një roje e ligjit.

Banka qendrore është një institucion jo vetëm i pavarur, e cila është e rregulluar me ligj, por paralelisht i përgjegjshëm, që do të thotë realisht transparent në marrjen e vendimeve, bërjen e politikave, realizimin e tyre. Banka qendrore është e rëndësishme të veprojë dhe të marrë vendime të pavarura nga ekzekutivi, politika apo tregjet. Në këtë mënyrë, duke patur parasysh që unë jam një nga hartuesit e ligjit të parë të BSH-së, 12-13 vjet më parë, e di se BSH është konceptuar të jetë një bankë e pavarur qysh në miratimin e ligjit të saj. Zbatimi me rigozoritet i këtij ligji do të jetë angazhimi kryesor në punën e përditshme të bankës qendrore, gjë që do të sigurojë në këmbim veprimtarinë e pavarur. Banka qendrore, ashtu si ne e kemi ideuar, ashtu si dhe ajo kërkohet të jetë sot, do të veprojë me përgjegjshmëri dhe do të jetë realisht transparente për publikun. Kjo është mjaft e rëndësishme në zbatimin e politikave të saj. Pushteti i konsiderueshëm, që i jep ligji institucionit të bankës qendrore, mund të keqpërdoret në kushtet e një përgjegjshmërie dhe transparence formale, që mund të dëmtojë më tej institucionin duke e bërë pre të politikës. Për këtë gjithmonë ne do të kemi si parim që BSH-së të jetë një institucion i pavarur dhe i përgjegjshëm. Kjo do të jetë motoja jonë. Ne do të përpiqemi që Banka qendrore të funksionojë si institucion i ekuilibruar, i logjikshëm dhe që paraqitja e saj të mos shfaqet si një ishull i izoluar, pasi banka qendrore vepron në një mjedis ekonomik të caktuar jeton në një treg financiar dhe ka përgjegjësi për zhvillimin e tij.

7 - Sipas mendimit tuaj, cilat janë pikat më të dobëta të sistemit bankar dhe si do të përpiqeni ju t'i rregulloni ato?

Sistemi bankar tashmë është një sistem që po shkon drejt konsolidimit dhe zgjerimit. Ka 16 banka dhe shumë shpejt gjithë sistemi do të jetë privat. Në vitin 2005 do të kërkohet një rigrupim dhe konsolidim më i mirë i këtij sistemi. Duke pasur parasysh se Raiffeisen ka mbi 60 % të tregut, bankat do të jenë më të përgjegjshme për politikat e tyre dhe për planet e tyre afatmesme dhe afatgjatë. Krijimi i bankave sa më të shëndosha dhe prania e tyre kudo do të jetë nëj objektiv i rëndësishëm për sistemin bankar.

8 - Cilat janë sfidat e sistemit bankar në të ardhmen?

Sfidat janë në radhë të parë futja e parave në banka, lufta për formalizimin e ekonomisë, zbatimi deri më një i ligjit për pastrimin e parasë, lufta kundër korrupsionit, njëkohësisht bashkpunimi dhe bashkërendimi i gjithë politikave bankare për të krijuar një ambjent sa më të përshtatshëm.

Sfidat e sistemit bankar do të jenë me një qëllim final që është formalizimi i ekonomisë, por në të njëjtën kohë do të krijohen të gjitha mundësitë për zhvillimin e produkteve të reja mjaft të nevojshme në treg. Ne jemi të bindur se vetëm nëpërmjet modernizimit të sistemit pagesave, kryerjes së shërbimeve të pagesave me anë të kartave elektronike, mund të arrijmë suksesin e nevojshëm. Për këtë është nevoja për bashkëpunimin e angazhimin e gjithë aleatëve, aktorëve të interesit, të ekonomisë shqiptare për krijimin e një karte kombëtare, të unifikuar, gjë e cila tashmë gjen mbështetjen e sistemit bankar dhe premton sukses. Shqiptarët nuk mund të ndërrojnë xhepin me para me një xhep me karta krediti. Në këtë mënyrë, praktika në çdo bankë të ketë kartën e saj tashmë janë të konsumuara. Bankat siç po gjejnë përkrahje në treg duhet padyshim të shpejtojnë procedurat dhe të krijojnë lehtësirat për krijimin e një karte kombëtare, e cila do t'u japë mundësi të gjithëve ta përdorin atë në transaksionet e përditshme. Kjo padyshim do t'ia bëjë jetën më të lehtë shqiptarëve dhe në këtë mënyrë arritjet nuk do të jenë vetëm në sistemin bankar por do të jenë arritje në rang ekonomie, si në zhvillimin e politikave makroekonomike ashtu dhe në zhvillimin e politikave fiskale.

Privatizimi i bankës më të madhe në vend nga Raiffeisen do të ketë ndikim në treg. Në të njëjtën kohë kreditimi i sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë si ai i tregtisë, industria përpunuese, ajo ushqimore, e pasurive të paluajtshme dhe e turizmit do të rrisë aktivitetin bankar si dhe zhvillimin e ekonomisë. Kreditimi i familjeve dhe individëve do të jetë në vëmendjen e bankave duke kontribuar në rritjen e ekonomisë së brendshme dhe të mirëqenies sociale.

9 - Si do ta mbështesni zhvillimin e tregjeve financiare?

Nuk mund të kemi një sistem bankar të zhvilluar nëse nuk kemi një sistem financiar. Unë e kam thënë vite me radhë dhe ndoshta tani ka ardhur koha të jap dhe ndihmesën time personale në realizimin e këtyre ideve. Ndoshta kjo ka ardhur me pjekurinë e sistemit bankar dhe zhvillimet e tij. Krijimi i një sistemi financiar të qëndrueshëm, i cili do të bashkëpunojë me sistemin bankar do të kontribuojnë vrullshëm në zhvillimin ekonomik të vendit. Këto janë dy sisteme të lidhura pazgjidhshmërisht me njëri- tjetrin dhe ritmet e zhvillimit varen pikërisht nga bashkëpunimi mjaft i mirë i këtyre sistemeve. Tashmë janë qelizat e para të krijimit të një institucioni të qëndrueshëm financiar. Këtu mund të përmend rastin e disa shoqërive krediti, të cilat mund të luajnë rolin jo vetëm të ndërmjetësit financiar e bankar, por edhe një rol përsa i përket bërjes së tregut sa më likuid. Njëkohësisht këto mund të bëhen nesër shoqëri shumë të fuqishme që mund të bashkëpunojnë mjaft mirë me bankat dhe mund të gërshetohen me to. Është rasti për të dhënë shembullin e shoqërive të sigurimit, të cilat jo vetëm po rriten në numër, por po konsolidohen dhe kërkojnë mbështetje dhe riorganizim. Kjo kërkon medoemos rregullimin institucional të tyre, por njëkohësisht dhe mbikëqyrjen e tyre, i cili është mjaft i rëndësishëm për të pasur një ide të qartë mbi aktivitetin e tyre dhe për të rritur standardet e punës së tyre. Në këtë kuptim, një forcë e madhe duhet t'i jepet rritjes së standardeve të këtyre shoqërive.