BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhënë Zërit të Amerikës, gjatë zhvillimit të Mbledhjeve të Pranverës të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar

Data e publikimit: 19.04.2007

 

Pyetje: Zoti Guvernator, ju keni ardhur në Uashington në kuadrin e takimeve të pranverës që zhvillohen në Fondin Monetar Ndërkombëtar, çfarë keni diskutuar gatë takimeve me zyrtarët e Fondit?

Takimet e pranverës janë një rast mjaft i rëndësishëm për vendet anëtare, për të zhvilluar takime me nivelet më të larta të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por njëkohësisht për të bashkëbiseduar dhe me kolegë të tjerë, përfaqësues të institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare mbi politikat e zhvillimit, mbi perspektivat e zhvillimit të një vendi, dhe mbi politikat që një vend do të ndjekë, në bazë të programeve ekonomiko - politike, të cilat ka marrë përsipër të realizojë.

Veçoria e kësaj rradhe ishte se Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, zoti Murilo Portugal, konfirmoi ardhjen e tij në Tiranë, në muajin maj. Është hera e parë që një personalitet kaq i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar vjen në Shqipëri dhe pa diskutim, kjo tregon një maturim të Shqipërisë dhe një angazhim më të madh të Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të mbështetur reformat në Shqipëri.

Duke qëndruar pak te stabiliteti makroekonomik i vendit. Ka disa vjet që thuhet se Shqipëria ka një situatë makroekonomike të qëndrueshme dhe një rritje që luhatet në kufijtë e 5-6 për qind, ndërkohë që dihet se ekonomia shqiptare mbështetet gjerësisht te sistemi i shërbimeve, në vend që të mbështetet te prodhimi industrial. Si mund të ruhet në të ardhmen kjo rritje ekonomike në këto kushte?

Rritja ekonomike e një vendi është e rëndësishme. Dhe temat ekonomike janë gjithmonë të hapura në këto takime me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe më gjerë. Elementet kryesore janë ato që lidhen me reformën strukturore. Prandaj, është shumë e rëndësishme që për të mbajtur këto ritme të larta të zhvillimit, të realizohen reformat me ritmet e planifikuara.

Cilat janë disa nga këto elemente?

Energjia, është një nga problemet kyçe, të cilës ne duhet t'i kushtojmë një rëndësi mjaft të veçantë. Zgjidhjet e problemit të energjisë, duhet të jenë zgjidhje afatgjata dhe të qëndrueshme, të cilat garantojnë furnizimin e ekonomisë me energji, por dhe me kosto të ulët.

Flitet gjerësisht për informalitetin e ekonomisë shqiptare, sa e ka dëmtuar kjo ekonominë realisht?

Unë nuk jam i mendimit që informaliteti në Shqipëri ose dhe kudo, eliminohet me slogane ose me fushata. Kjo ka qenë dhe strategjia jonë: zbutja e informalitetit vjen natyrshëm nëpërmjet krijimit të një strukture të gjerë shërbimesh. Vetë zhvillimi i sektorit bankar dhe financiar, zhvillimi i sektorit të kreditit, zhvillimi i sektorit të pagesave dhe i shërbimeve bankare e atyre financiare në tërësi, kanë çuar aty ku Shqipëria të gëzojë sot një shërbim cilësor financiar me një gamë të gjerë produktesh, që pa dyshim, çon në zbutjen e informalitetit. Rritja e kreditimit në vend, 50 deri në 60 për qind në vit, rritja e veprimeve bankare nëpërmjet sporteleve të bankave, ku sot vëllimi i veprimeve të kryera nëpërmjet bankave është më i lartë se sa ai me lekë në dorë, zhvillimi i pagesave ndërkombëtare, si dhe zhvillimi i mjaft produkteve të reja bankare për thithjen në mënyrë zyrtare të dërgesave nga emigrantët, janë të gjithë faktorë që kanë ndikuar në mënyrë të dukshme në uljen e informalitetit në Shqipëri.

Shikoni rrezikshmëri në shtimin kaq të madh të kreditimit në Shqipëri, në kushtet kur nuk ekzistojnë rregullat e nevojshëm për kontrollin e këtij fenomeni?

Duhet të kemi parasysh që dy vjet më parë, kreditimi i ekonomisë shqiptare ishte në nivelin 7 për qind të PBB-së, ndërsa sot ka arritur në nivelin 21 për qind të PBB-së. Vërtet ka një proces rritjeje konstante dhe të qëndrueshme, por në bazë të analizave tona, kjo nuk është një rritje e pakontrolluar. Vihet re një rritje në financimin jo vetëm të mallrave të konsumit, por dhe të investimeve. Gjithashtu, është rritur gama e produkteve të ofruara nga bankat, në lidhje me kreditimin e shtëpive dhe ka patur një zhvillim të natyrshëm edhe të kreditimit të konsumatorit.