BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani, dhënë Zërit të Amerikës në përfundim të mbledhjeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

Data e publikimit: 23.10.2007

 

Zëri i Amerikës: Zoti Fullani! Për inflacionin ju fajësoni krizën energjitike, rritjen e çmimeve të konsumit, deficitin buxhetor dhe nivelin e lartë të kreditimit. Cili nga këta faktorë ka peshën më të madhe në këtë rritje?

Ardian Fullani: Thelbësore për rritjen e presioneve inflacioniste në Shqipëri ka qenë kriza energjitike. Banka e Shqipërisë ka bërë me dije, dhe jo vetëm aq, por ka marrë edhe masat e nevojshme për të ankoruar sa më mirë prirjet inflacioniste të ardhura kësaj radhe nga dy faktorë; kemi anën e faktorit të kërkesës e cila është rritja e kreditimit. Të mos harrojmë se dy vjet përpara ishte vetëm 7 për qind e PBB-së dhe tani pretendojmë të shkojmë deri në fund të vitit 29-30 për qind. Kështu që është një rritje e shpejtë e kreditimit pavarësisht se tregu është i zhvilluar, kërkesa është në rritje, ç'ka do të thotë se ekonomia shqiptare po zhvillohet me ritme të qëndrueshme dhe kur një ekonomi rritet në mënyrë të tillë, Banka Qendrore duhet të jetë shumë e kujdesshme në programimin e politikave për ta mbështetur këtë rritje. I vlerësuar nga ana e kërkesës e cila ka qenë në rritje dhe ne po e vlerësojmë me kujdes, kësaj radhe kemi dhe një fenomen tjetër që është ana e ofertës, që fillon me krizën energjitike që ka sjellë një rritje totale të kostos ekonomike të vendit në çdo qelizë të saj, vjen me një thatësirë të tejzgjatur dhe që ka shkaktuar dëme në kulturat bujqësore që janë fondamentale për ushqimin e përditshëm, vjen njëkohësisht nga një presion i përgjithshëm botëror mbi rritjen e çmimit të lëndëve të para që është një fakt, rritjen e çmimit të produkteve bujqësore në total, dhe ky është një diskutim i gjerë i bërë gjatë tre ditëve të takimeve të Fondit Monetar dhe rritjen kohët e fundit me rritme të shpejta të naftës. Kombinimi i këtyre dy factorëve ka bërë që Banka e Shqipërisë të jetë mjaft e kujdesshme jo vetëm për situatën e sotme por për të ankoruar sa më mirë prirjet inflacioniste tek publiku një vit më vonë. Banka e Shqipërisë kërkon që të jetë mbi kurbën, që do të thotë, që ne nuk ndjekim inflacionin por e parashikojmë dhe me një komunikim sa më të mire me publikun, i bëjmë të qartë ku janë rreziqet dhe çfarë masash duhet të merren në mënyrë që këto rreziqe të zbuten.

Zëri i Amerikës: Ju keni paralajmëruar për një rritje të mëtejshme të normës së interesit, duke marrë parasysh krizën energjitike që pritet të përkeqësohet. Ministri i Financave i quan këto parashikime jo realiste. Qeveria ka në plan të shtojë shpenzimet buxhetore në vitin 2008 dhe ka një projektbuxhet ambicioz. Inflacioni do të vështirësonte realizimin e tyre. Keni fërkime me qeverinë në këtë aspekt?

Ardian Fullani: Do të thoja që ne jemi në një bashkëpunim mjaft të mirë dhe kjo ka sjellë edhe në përsosjen e rolit të agjentit të Bankës së Shqipërisë me disa marrëveshje që ne do të bëjmë në të ardhmen, njëkohësisht edhe me bashkëpunimin që ne bëjmë për zhvillimin dhe eficiencën e tregjeve financiare. Përsa i përket inflacionit unë do të thoja që buxheti i shtetit nuk ka qenë një prodhues, nuk ka qënë inflacionist. Përkundrazi, konsolidimi fiskal ka ndihmuar Bankën e Shqipërisë për të përmbushur më mirë detyrat e saj në mbrojtjen e inflacionit. Pa dyshim, që programi i sivjetshëm me FMN-në është një program i ngjeshur përsa i përket infrastrukturës, shpenzimeve për infrastrukturën dhe ato do të realizohen, sepse ne jemi të bindur që vetëm kështu do t'i hapim rrugë vendit për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë por njëkohësisht, aty ku ne shohim vështirësi dhe kjo ka të bëjë pa diskutim me manaxhimin e borxhit të brendshëm, me shpenzimet kapitale dhe përqendrimin e tyre në periudhat në fund të vitit është ajo temë që ne e diskutojmë mjaft për ta përsosur. Nga ana tjetër, përsa i përket presioneve inflacioniste, në të gjitha diskutimet me Fondin Monetar, ne jemi mjaft transparentë dhe jemi në një akord që këto vijnë nga ana e kërkesës dhe ofertës, dhe pa diskutim që duhet të jemi mjaft vigjilentë për të mbajtur inflacionin në këta terma. Mos harrojmë që mbajtja e inflacionit në terma të qëndrueshëm është një benefit për vendin.

Zëri i Amerikës: A i bashkoheni ju shqetësimit të FMN-së për investimet në projektet rrugore për të cilat nuk dihen ende kostot totale dhe burimet e financimeve të tyre apo i bashkoheni optimizmit të qeverisë për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm?

Ardian Fullani: Ne po e diskutojmë projektbuxhetin. Fondi Monetar do të vijë javës tjetër për të diskutuar në detaje buxhetin. Unë mendoj që do të jetë një buxhet realist dhe ajo që Banka e Shqipërisë mendon është që ne pa diskutim, me një program sa më të mirë, duhet t'i hapim rrugë infrastrukturës dhe energjisë. Unë personalisht jam i bindur, por kjo e konsultuar edhe me mjaft kolegë të mirë ndërkombëtarë, jo vetëm me Fondin Monetar, por edhe me banka të tjera qendrore, se nëse ne zgjidhim këto probleme kryesore sot për Shqipërinë, që janë shumë të rëndësishme si energjia, që është e rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm, energjia do të rrisë eficiencën e tregjeve shqiptare, energjia një; në radhë të dytë, infrastruktura do të bëjë të mundur që ne të kemi një komunikim sa më eficient me botën globale dhe të hymë natyrshëm në tregun ndërkombëtar. Është e domosdoshme që Shqipëria të ketë një program të realizuar mirë, të bazuar mirë në kosto dhe eficiencën e tyre përsa i përket infrastrukturës.

Zëri i Amerikës: Niveli i kredive u rrit shumë gjatë dy viteve të fundit, kryesisht nga rritja e tregut të huave për shtëpi banimi. Një nivel i lartë dhe pa kriter i kreditimit në tregun e shtëpive këtu në Shtetet e Bashkuara shkaktoi një rënie në mbarë ekonominë amerikane. Si e shihni ju nivelin e problemit në Shqipëri dhe a ka nevojë që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë për të paraprirë probleme me përmasa të mëdha dhe me efekte për mbarë ekonominë shqiptare?

Ardian Fullani: Kreditimi i ekonomisë është një element i domosdoshëm jo vetëm për sot por edhe për të ardhmen e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm të vendit. Banka e Shqipërisë, megjithë presionet që vijnë nga ana e kërkesës është e bindur që Shqipëria duhet të vazhdojë me një rritje të qëndrueshme të kreditimit. Ka qenë një proces "catching-up" këto dy vite, por ne patjetër duhet të akomodojmë një kreditim eficient të ekonomisë. Pa diskutim që ne kemi monitoruar, personalisht unë kam një karrierë të suksesshme për veten time në sektorin privat, në bankën private e shoh me mjaft kujdes ndjekjen e kreditimit të ekonomisë jo vetëm përsa i përket presioneve inflacioniste por edhe stabilitetit financiar, që është shumë i rëndësishëm. Makroprudenca sot jo vetëm që është një temë e modës por është një domosdoshmëri mbas problemeve që ndodhën me këtë turbulencën financiare këtu. Pavarësisht që ne nuk jemi prekur, unë do të thoja që kujdesi duhet të jetë mjaft i madh. Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë nuk mund të marrë përsipër të gjitha rolet. Të gjithë aktorët e interesuar të merren me këtë punë, për titullin e tokës, ekzekutimin e kolateralit, ligji do të kalojë shumë shpejt për përmirësimet ligjore të nevojshme në këtë anë, njëkohësisht për rritjen e transparencës në kreditim dhe në të gjitha marrëdhëniet bankë-klientë. Banka e Shqipërisë është mjaft e angazhuar përsa i përket rritjes së qeverisjes së brendshme të bankave, transparencës dhe kontrollit të brendshëm. Ne duhet t'i vëmë një rëndësi mjaft të madhe prudencës në dhënien dhe monitorimin e kredive.Banka e Shqipërisë nuk ka qenë kurrë për një stopim ose frenim mekanik të kreditimit të ekonomisë, por është për një monitorim të kujdesshëm dhe rritjen e eficiencës së kreditimit që jo vetëm nuk do të pengojë, por do t'i hapë rrugë zhvillimit që Shqipëria të bëhet sa më tërheqëse ndaj investitorëve të huaj.

Zëri i Amerikës: Viti i ardhshëm do të shënojë diplomimin e Shqipërisë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pra Fondi nuk do të jetë më mbikëqyrësi i politikave fiskale të Shqipërisë. A është Shqipëria gati për t'u shkëputur nga ky institucion dhe për të ecur me këmbët e saj? A ka nevojë për struktura më të forta kontrolli nga Banka e Shqipërisë?

Ardian Fullani: Sinqerisht, unë me firmosjen e marrëveshjes së fundit me Fondin Monetar Ndërkombëtar kam ngritur publikisht problemin e një vëmendjeje sa më të madhe të të gjitha strukturave shtetërore dhe më gjerë, për një pjesëmarrje sa më të madhe në vendimmarrjen ekonomike, hapjen e një debati, hapjen e një konsultimi dhe ngritjen e një infrastrukture të posaçme, e cila do të jetë e aftë që ne jo vetëm të programojmë por edhe të çertifikojmë këto politika, të ndjekim këto politika, të cilat do të jenë politika evropiane pa diskutim. Në këtë drejtim do të thoja që ajo që është arritur këto dy vjet është e suksesshme. Ajo që aprovohet sot nga Fondi Monetar është që Shqipëria është në fazën e maturimit, Shqipëria ka shumë më tepër pronësi në produktin midis marrëdhënieve tona dypalëshe dhe po përgatitet për një raund tjetër që me mbarimin e kësaj marrëveshjeje ne do të diskutojmë çfarë marrëdhëniesh do të kemi me Fondin. Personalisht, unë mendoj që do të jetë një marrëdhënie tjetër që do të na shoqërojë deri në portat e Bashkimit Evropian, por këtë radhë jo me marrëveshje të tilla siç kishim por me marrëveshje përmes të cilave do të ketë konsultime të vazhdueshme dhe do t'i japin besim dhe kredibilitet Shqipërisë, gjë e cila i duhet ndaj tregjeve financiare dhe institucioneve të rëndësishme. Kjo them unë është mjaft e rëndësishme. Ajo që ne duhet të bëjmë, dhe ne si Bankë Shqipërie po e bëjmë, është që në politikat tona të vendimmarrjes të jemi të aftë personalisht jo vetëm për t'u përballur dhe diskutuar si profesionistë me FMN-në por për të marrë autorësinë e këtyre politikave. Mendoj që në diskutimet e gjata që kemi bërë me Ministrinë e Financave dhe me Qeverinë ka një mirëkuptim, natyrisht kjo e parë dhe në konceptin e infacionit të shënjestruar që ne pretendojmë në një hark kohor të mesëm, në qoftë se të gjitha kushtet janë si sot mund të shikojmë aplikimin e tij. Kemi bërë disa diskutime të rëndësishme me Ministrinë e Financave të cilat rrisin pavarësinë e Bankës së Shqipërisë, konsolidojnë akoma më mirë anën fiskale dhe zhvillojnë tregjet financiare. Këto tre elemente janë të domosdoshme për të çuar në atë që thatë juve, që a do të jemi ne të aftë nesër të marrim përsipër zbatimin e këtyre politikave. Unë personalisht jam i bindur që ne do të jemi të aftë ta bëjmë këtë punë nëse realizojmë këto detyra.