BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, dhënë revistës Klan

Data e publikimit: 23.06.2007

 

Shëndeti kalon nga...banka

- Zoti Fullani, fillimisht donim komentin tuaj mbi përpjekjet e qeverisë për të kanalizuar transaksionet financiare të biznesit përmes bankave: A është disi e sforcuar kjo përpjekje, duke patur parasysh se pala tjetër (biznesi) shprehet që komisionet e larta të transaksioneve të bankave të nivelit të dytë shtojnë kostot e biznesit dhe vetë bankat nuk janë gati të përballojnë transaksionet?

Kanalizimi i transaksioneve financiare nëpërmjet sistemit bankar, si një proces i testuar tashmë dhe në zhvillim, është një veprim i shumëpritur, i cili jashtë kontureve propagandistike do të kontribuojë realisht në dobësimin e infrastrukturës që ushqen informalitetin. Vitet e fundit sistemi bankar ka kaluar nëpër një proces të pandalshëm zhvillimi dhe konsolidimi.Tashmë mund të thuhet pa hezitim se sistemi bankar në Shqipëri është plotësisht i aftë të përballojë me dinjitet këtë kërkesë të kohës.

Duke u ndalur shkurtimisht në dy-tre momente të rëndësishme, do ta filloja me vënien në funksionim të dy sistemeve moderne të pagesave: sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe (AIPS), ku shlyhen bruto dhe në kohë reale pagesat kryesisht me vlerë të madhe, dhe sistemin e kryqëzimit të pagesave në vlerë të vogël (AECH). Më tej do të evidentoja rritjen e ndjeshme të pagesave elektronike, hyrjen në sistem të dy bankave shumë të njohura ndërkombëtare, shtimin e numrit të degëve, si dhe rritjen e automatëve (ATM) dhe pikave të shitjeve (POS) për pagesat me kartë në të gjithë vendin. Përballimi me sukses i kalimit të pagave të sektorit publik nëpërmjet llogarive bankare, i pasuar edhe me pagat e sistemit privat si dhe një sërë shërbimesh të tjera bankare mendoj se janë tregues të rolit proaktiv, gjithnjë e në rritje të sistemit bankar.

Mjafton të përmendim disa statistika për të kuptuar më qartë se çfarë progresi kemi bërë në këtë drejtim. Numri i pagesave të procesuara në sistemin AIPS është rritur me 11 për qind, ndërsa vlera me 21 për qind, në krahasim me vitin 2005. Ndërkohë, të dy sistemet, AIPS dhe AECH, kanë kapacitet shumë herë më të lartë sesa numri aktual i pagesave që procesohen në to. Në fund të vitit 2006 në krahasim me fundin e vitit 2004 numri i P0S-ve është 7 herë më i madh, ndërkohë që numri i kartave elektronike në përdorim është rritur mbi 10 herë dhe transaksionet e kryera me to kanë qenë mbi 12 milionë, me një vlerë prej rreth 188 miliardë lekësh. Gjatë vitit 2006, janë hapur 62 degë dhe agjenci të bankave tregtare, duke arritur në fund të vitit 294 të tilla.

Në këtë kuptim, vlerësoj se infrastruktura aktuale e sistemit kombëtar të pagesave që ne ofrojmë është plotësisht në gjendje të përballojë kërkesat e tregut shqiptar për shpejtësinë, numrin, cilësinë, madhësinë dhe sigurinë e pagesave të kryera nëpërmjet këtyre sistemeve. Për më tepër, Banka e Shqipërisë, në rolin e rregullatorit të këtij sistemi, po punon në drejtim të standardizimit të mëtejshëm të instrumenteve të pagesave, gjë që do të çojë drejt rritjes së cilësisë së shërbimeve të ofruara nga bankat për klientët e tyre.

Nga ana tjetër, fluksi i shtuar i transaksioneve në sistemin bankar do të nxiste akoma më shumë konkurrencën brenda vetë sistemit bankar. Bankat do të ishin të nxitura që në këmbim të komisioneve sa më të ulta, të joshnin sa më shumë klientë të cilët në përgjigje, do të sillnin më shumë burime financiare për vetë bankat. Aktiviteti bankar, ashtu si çdo biznes tjetër ka për qëllim maksimalizimin e fitimeve. Prandaj është e natyrshme që shërbimet që ofron sistemi të komisionohen, ndërkohë që masa e tyre është një politikë individuale që nga njëra bankë tek tjetra ndryshon, në përputhje me madhësinë dhe specifika të tjera. Jam i bindur se rritja e vëllimit të punës do të sjellë uljen e komisioneve bankare. Në këtë pikë nuk kam mëdyshje. Ajo çka do t'ju garantoja unë, nisur nga pozicioni i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ka të bëjë me përmbushjen e një detyrimi të kahershëm të sistemit bankar për të qenë tejet transparent në lidhje me produktet, shërbimet, komisionet, çmimet që ato aplikojnë në përgjithësi.

- Meqënëse procesi i kanalizimit të transaksioneve financiare të biznesit nëpërmjet bankave duhej kryer me kohë, a është më mirë të kalohen kostot e momentit dhe ekonomia të kanalizohet përmes sistemit bankar?

"Kostot e momentit" do t'i quaja "përfitime të së ardhmes". Imagjinoni anën tjetër të medaljes. Sa i informuar do të jetë sistemi bankar në lidhje me potencialin që kanë biznese të ndryshme, e për rrjedhim sa i sigurtë do të ndjehet ai në kreditimin pa hezitim të tyre. E pra, nga ky këndvështrim konkludohet se veprimi është i domosdoshëm dhe për më tepër, në analizë të fundit të fituarit do të jenë biznesi dhe sidomos individët. Në një aspekt më të gjerë do të rritej informacioni mbi potencialin ekonomiko- financiar të vendit; do të rritej efektiviteti i sistemit bankar; do të rritej gama e produkteve dhe e shërbimeve bankare; do të shtohej mbulimi gjeografik me shërbime bankare e për rrjedhim, dhe mobilizimi dhe rishpërndarja e fondeve do të ishte më e përshtatshme; do të rritej konkurrenca dhe do të uleshin kostot. Të gjitha këto arritje do të ndihmonin në krijimin e një infrastrukture më të plotë ekonomike të vendit, e cila do të rriste formalizimin e ekonomisë dhe përshpejtonte ritmet e rritjes ekonomike të vendit.

- Dhënia e kredive është katërfishuar gjatë katër viteve të fundit,por kjo nuk ka ndikuar tek ulja e interesave: A është normale kjo?

Është e vërtetë që gjatë viteve të fundit kemi patur një rritje të shpejtë të kreditimit. Gjatë vitit 2005 kreditimi është rritur me 57.6 miliardë lekë ose me rreth 82 për qind në terma vjetorë, ndërsa gjatë vitit 2006 rritja ka qenë me 70.2 miliardë ose rreth 55%. Prirjet rritëse janë po kaq të forta edhe në pjesën e parë të vitit 2007. Sipas vlerësimeve më të fundit, teprica e kredisë në fund të vitit 2007 do të jetë rreth nivelit 21 për qind të PBB-së. Kjo tablo nuk lë mëdyshje se edhe Shqipëria ashtu si shumica e vendeve të ngjashme me të, ka hyrë në grupin e vendeve me norma të larta të rritjes së kredisë për ekonominë. Si shkak të parë ekspertët rendisin të ashtuquajturin "catching - up process" i cili në fjalë të tjera do të thotë, rritje e lartë që shkaktohet nga një bazë shumë e ulët nisjeje.

Sigurisht ka dhe faktorë të tjerë si: stabiliteti makroekonomik, ku spikat inflacioni nën kontroll, normat e ulëta të interesit në Shqipëri, Evropë dhe SHBA, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit, ka rritur ambiciet e bankave për të kredituar si dhe besimin e publikut për të marrë kredi. Zhvillimi i sistemit bankar këto vitet e fundit, privatizimi i suksesshëm i tij dhe procesi i konsolidimit që e karakterizoi atë në vitin 2006 janë të tjerë faktorë që kanë ndikuar në rritjen e shpejtë të kreditimit. Po kështu mund të përmendim edhe prezantimin e produkteve të reja të kredisë si kredia konsumatore, kredia për shtëpi dhe përpjekjet për t'i bërë ato sa më popullore nëpërmjet formave agresive të marketingut.

Rritja e kredisë për ekonominë në nivele kaq të larta, mbart në vetvete potencialin për të ulur përqindjet e interesit me të cilën ajo ofrohet. Duke i'u referuar statistikave të Bankës së Shqipërisë, në qoftë se një kredi në lekë me afat maturimi 6-12 mujor në fillim të vitit 2002 është dhënë mesatarisht me mbi 18 për qind, në muajin prill 2007 ajo është dhënë me vetëm 10.16 për qind. Gjithsesi, duhet të jemi të kujdesshëm dhe gjithnjë të mbajmë parasysh faktin që rreth 75 për qind e kredisë është në monedhë të huaj e për rrjedhim, në formimin e çmimeve për këtë Iloj kredie, bankat i referohen përqindjeve të tregut financiar ndërkombëtar siç janë euribor për euron dhe libor për dollarin amerikan. Ajo çka evidentohet kohët e fundit, falë konkurrencës në rritje shikohet se përqindjet e kreditimit në valutë si shprehje mesatare për kreditë e reja, kanë mbetur pothuajse konstante gjatë vitit të fundit, ndonëse euribor është rritur për pothuajse gjatë gjithë periudhës.

- A është rreziku i moskthimit të kredive, ai që mban interesa të lartë apo kemi një situatë përfitimi prej bankave nga një ekonomi në tranzicion, siç ndodh rëndom?

Nuk është niveli i lartë i rrezikut të moskthimit të kredive ai që i detyron bankat të aplikojnë përqindje të larta. Në politikat e formimit të çmimeve, bankat përveç të tjerash faktorizojnë dhe rrezikun që karakterizon vendin, i cili për shumë arsye objektive është më i lartë se ai i vendeve të zhvilluara. Po kështu, përveç këtij rreziku ekziston dhe informaliteti në ekonomi, problemet me pronësinë, hipotekimin e pronave dhe ekzekutimin e kolateralit. Të gjithë këta faktorë i detyrojnë bankat të kryejnë një vëllim të madh pune në sigurimin e informacionit mbi kredimarrësit. Kjo ndikon në rritjen e kostove si dhe në rrezikun që analiza e gjendjes financiare të kredimarrësit të jetë larg asaj reale, çka do të ndikonte negativisht në cilësinë e portofolit të kredisë në të ardhmen.

- Ju kohë më parë, keni lëshuar paralajmërimin mbi rrezikun e "kredive të këqija"; cila është aktualisht situata në këtë drejtim?

Një Guvernator duhet të jetë gjithnjë i shqetësuar rreth një problemi kaq të rëndësishëm, që lidhet me cilësinë e portofolit të kredive. Situata aktuale e cilësisë së kredive mbetet e kënaqshme. Raporti "kredi me probleme/tepricës së kredisë (bruto)" llogaritet 3.3 për qind, ndërsa treguesi "kredi me probleme / tepricës së kredisë (neto)", i cili mat madhësinë neto të ekspozimit ndaj rrezikut të kredisë, llogaritet 1.5 për qind.

Në vazhdimësi vëmendja e Bankës së Shqipërisë ka qenë tek forcimi i masave të mbikëqyrjes bankare. Janë kryer disa përmirësime të rregullores së administrimit të kredisë, të cilat konsistojnë në përmirësimin e procesit kreditues të bankave, në përmirësimin e administrimit të rrezikut si dhe janë marrë disa masa për rritjen e transparencës me publikun. Gjithashtu, në këtë rregullore janë vendosur disa kërkesa për kapital shtesë nga bankat nëse ato kanë një ritëm të lartë kreditues.

Megjithatë, bëhet fjalë për një proces, i cili nuk përfundon asnjëherë dhe vazhdimisht do të jetë në top-listën e përparësive të Bankës së Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë me kujdes rritjen e kredive dhe cilësinë e saj. Ne do të përmirësojmë më tej normat e mbikëqyrjes së kujdesshme, duke i përputhur ato me standardet më të mira që përdorin bankat qendrore evropiane. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet një cilësi e mirë kreditimi, për të shmangur kështu pasoja të mundshme negative mbi stabilitetin financiar të vendit.

- Deri një vit e ca më parë, bonot e thesarit mund të bliheshin vetëm në sportelet e bankës qendrore, ndërkohë që shitja e bonove të thesarit mund të bëhet edhe pranë disa bankave të nivelit të dytë. A ka ndikuar procesi i liberalizimit në uljen e yieldit?

Mundësia e pjesëmarrjes së individëve në tregun primar të bonove të thesarit nëpërmjet sistemit bankar daton në vitin 1996, ndërsa vetë Banka Shqipërisë është përfshirë në këtë proces vetëm gjatë gjysmës së dytë të vitit 2001. Banka e Shqipërisë, në rolin e një banke qendrore, e cila ka si objektiv kryesor arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, që në momentin e hapjes së sporteleve të saj e ka konsideruar këtë prezencë të përkohshme. Në thelb ngritja e këtyre sporteleve ishte një mundësi më shumë për popullatën për të pasur akses më të madh në blerjen e bonove të thesarit. Pjesëmarrja e individëve në tregun primar është e natyrës jokonkurruese, që do të thotë se ata nuk ndikojnë në formimin e çmimit. Ata thjesht pranojnë çmimin që rezulton nga ankandi. Për këtë arsye, mund të thuhet se ndikimi i tyre në luhatjen e normave të yield-it është pothuajse i pamatshëm. Që në momentin e ardhjes sime në detyrë kam këmbëngulur se shitja e bonove të thesarit është një veprim që natyrshëm i takon bankave tregtare. Për këtë qëllim, ne kemi diskutuar më shumë se një herë me sistemin bankar dhe Ministrinë e Financave për të ndërtuar një strategji të daljes graduale të Bankës së Shqipërisë nga ky "biznes" jo i natyrshëm për të, duke besuar se duhet të jenë forcat e tregut dhe parimet e tij që duhet ta administrojnë këtë proces. Për këtë arsye sistemit bankar i'u kërkua që të ishte agresiv në këtë drejtim, duke i ofruar si shërbim klientelës shitblerjen e bonove të thesarit në tregun primar ashtu edhe në atë sekondar.

Paralelisht Banka e Shqipërisë për shërbimin e saj në sportel hodhi dy hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, duke prezantuar një komision shërbimi i cili mbulonte kostot e lidhura ashtu sikurse vendosi të mos pranonte prurje në cash nga individët që synojnë të investojnë në bono thesari. Që nga ai moment, pjesëmarrja në ankandin e bonove të thesarit nëpërmjet sportelit të Bankës së Shqipërisë mund të bëhet e mundur vetëm në rast se shuma e synuar për investim vjen tek ne në formën e një transferte bankare.

- Mund të na thoni se cilat janë anët pozitive të këtij liberalizimi?

Këto masa me të drejtë mund të krijojnë idenë e një procesi liberalizimi, i cili mendoj se do të çojë realisht në thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri. Aktualisht, po punohet për prezantimin e një praktike të re në tregun primar të letrave me vlerë të qeverisë, atë të ndërmjetësve kryesorë apo siç njihet në terma të tjerë "primary dealers". Ne besojmë se kjo periudhë relativisht e gjatë në tranzicion ka shërbyer si një shkollë edhe për publikun e gjerë. Ajo që është më e rëndësishme në të gjithë këtë proces është fakti që individët njohin çdo ditë e më shumë instrumentet e tregut. Sa më mirë dhe në mënyrë më të ndërgjegjshme t'i njohin ato, aq më e lehtë është rruga për zhvillimin e tregjeve reale financiare. Në një ekonomi të tillë janë individët që zgjedhin.

- Së fundmi keni marrë vlerësime, pasi institucioni që drejtoni ka arritur të ruajë parametrat makroekonomikë dhe nivelin e çmimeve. A mund të thoni disa nga masat që keni marrë gjatë kësaj kohe?

Është e vërtetë që kohët e fundit roli i Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, në veçanti në kontrollin e presioneve inflacioniste, është evidentuar nga një sërë institucionesh brenda dhe jashtë vendit. Gjithsesi, unë do të veçoja vlerësimin e publikut për institucionin që unë drejtoj si suksesin më të madh që ne kemi arritur. Ky vlerësim është shprehur qartë në ankorimin e pritjeve inflacioniste rreth niveleve të ulëta, në forcimin e besimit ndaj institucioneve financiare në vend dhe në rritjen e shkallës së përdorimit të produkteve të tyre. Natyrisht që unë e konsideroj atë një reflektim direkt të investimit të madh teknik e profesional që ka bërë Banka e Shqipërisë në ndërtimin e një kuadri të ekuilibruar të politikave makroekonomike, në rritjen e tregjeve financiare, në zhvillimin e infrastrukturës së tregut monetar dhe në konsolidimin e institucioneve bankare. Në planin politik, Banka e Shqipërisë ka ruajtur të pandryshuar fokusin e politikës monetare, drejt garantimit të stabilitetit të çmimeve në ekonomi. Ajo ka monitoruar me kujdes kushtet e likuiditetit dhe të normave të interesit në ekonomi si dhe faktorët e tjerë me ndikim potencial negativ në inflacion, duke rritur dy herë normën bazë të interesit në ekonomi. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka qenë një partner produktiv në koordinimin e politikave ekonomike në vend dhe në ecurinë e marrëveshjes me FMN.

Në planin e zhvillimit të tregut financiar, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar një sërë nismash për plotësimin e infrastrukturës bankare dhe të kuadrit ligjor. Duke reflektuar në një masë të madhe stabilitetin makroekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës bankare, kreditimi i ekonomisë ka njohur ritme mjaft të shpejta gjatë tre viteve të fundit. Nga ana tjetër, forcimi i masave të mbikëqyrjes bankare dhe të normave të prudencës, shërbejnë si garanci që zgjerimi i sistemit bankar dhe kreditimi i shpejtë i ekonomisë nuk do të përbëjnë probleme për shëndetin financiar të bankave dhe për qëndrueshmërinë e tyre afatgjatë. Banka e Shqipërisë po rrit shkallën e profesionalizmit, i cili është garant për forcimin e pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies. Për rrjedhim, procesi vendimmarrës është perfeksionuar më tej, duke rritur kredibilitetin e Bankës së Shqipërisë në publik.