BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, për gazetën "Panorama"

Data e publikimit: 19.11.2008

 

1. Kriza botërore duket se po rrethon Shqipërinë. Sa do të ndikojë kjo krizë këtu?

Për momentin është ende herët të gjykojmë nëse dhe sa do të ndikojë ngadalësimi i ekonomisë botërore në Shqipëri. Natyrisht që një recesion ekonomik i gjatë dhe i thellë në Eurozonë, partnerin tonë më të madh tregtar, do të kishte implikime negative për disa zëra të bilancit të pagesave, si remitancat, importet, eksportet dhe investimet e huaja direkte. Gjithashtu, shtrëngimi i kushteve financiare botërore mund të ndikojë kushtet financiare në vend, duke u përkthyer në reduktimin e ritmeve të zgjerimit të ndërmjetësimit financiar në vend dhe në kushte më të vështira financimi për huamarrjen e huaj.

Megjithatë, ka disa faktorë që na bëjnë optimistë në lidhje me qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vend. Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë mbështetet në faktorë të brendshëm ekonomikë dhe financohet nga burime të brendshme. Stabiliteti makroekonomik dhe kreditimi i sektorit privat kanë nxitur rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend. Për këtë arsye, ndikimi i krizës ekonomike botërore do të ishte i reduktuar. Unë mendoj se kërkesa e brendshme dhe reformat strukturore të ekonomisë përbëjnë premisa të forta për garantimin e rritjes ekonomike në horizontin afatmesëm. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë dhe aktorët e tjerë që merren me politikat ekonomike, mbeten të angazhuar të ruajnë balancat makroekonomike në vend, duke mos lejuar që elementet e rrezikut të përmendura më sipër, të shkaktojnë deformime ekonomike dhe të cënojnë potencialin e zhvillimit ekonomik në periudhën afatgjatë.

Dëshiroj të theksoj se ky nuk është një zhvillim ekskluziv i ekonomisë shqiptare, por një fenomen që - me përjashtimin e dukshëm të Ukrainës dhe Hungarisë - po vihet re në shumë vende në zhvillim të Evropës Qendrore dhe Lindore. Megjithëse shumë më të ekspozuara se Shqipëria ndaj tregjeve evropiane, këto vende po përballen me një ngadalësim të ritmeve të rritjes, por jo me recesion ekonomik.

2. Përveç shteteve më të fuqishme të botës, SHBA dhe BE edhe Greqia dhe Italia, kanë përcaktuar fonde të veçanta për të përballuar krizën. A duhet që edhe Shqipëria të krijojë një fond të veçantë për skenarë negativë të mundshëm? Në rast se po, sa mund të ishte kjo shifër?

E kam shpjeguar disa herë se ekonomia shqiptare dhe sistemi bankar po operojnë brenda parametrave normalë. Sistemi karakterizohet nga një gjendje e shëndoshë financiare, është likuid, operon me fitim, është i paprekur nga produktet e helmatisura dhe raporti kredi/depozita është ende i ulët rreth nivelit 45 për qind. Momentalisht sistemi ynë është i mirëkapitalizuar, pothuajse 2 herë më shumë se në vendet e zhvilluara. Po kështu edhe raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredive është vetëm 4,1 për qind, një shifër nga më të ultat në rajon. Mos harrojmë, se kur i referohemi këtij raporti nuk duhet të vëmë shenjën e barazisë me kreditë e këqija. Bëhet fjalë për kredi që kanë probleme por që shpresa e arkëtimit ekziston në një masë të konsiderueshme. Në përfundim, do të doja të theksoja se sistemi bankar ka krijuar fonde rezervë të mjaftueshme për këto kredi, duke rritur në këtë mënyrë shkallën e sigurisë. Pavarësisht këtyre që thashë më sipër, më lejoni të shtoj se autoritetet përgjegjëse janë të gatshme dhe në gjendje për t'u përballur me të gjitha situatat e mundshme. Për këtë qëllim, siç e bëri me dije dhe Ministri i Financave, z. Bode, në buxhetin e vitit 2009 janë parashikuar fonde kontigjence shumë të mëdha, destinacioni i të cilave nënkupton edhe rastin, të cilit ju i referoheni, në pyetjen tuaj.

3. Specialistët e ekonomisë botërore kanë nënvizuar frikën e kalimit në deflacion. Çfarë do të thotë kjo për tregun shqiptar, pasi dihet që shumica e mallrave të konsumit vijnë nga jashtë?

Situatat deflacioniste janë situata mjaft të padëshiruara në kontekstin e politikave ekonomike. Si të tilla, unë besoj se autoritetet monetare përgjegjëse do të marrin masat e duhura në rang botëror, për të evituar shfaqjen e tyre. Megjithatë, për t'iu përgjigjur pyetjes tuaj, besoj se ngadalësimi i ekonomisë botërore do të shoqërohet me uljen e çmimeve të disa grupmallrave, si nafta dhe ushqimet, për të cilat Shqipëria është importuese neto. Në këtë kontekst, ky është një zhvillim i mirëpritur për ekonominë shqiptare sepse do të reduktojë presionet mbi inflacion dhe do të lehtësojë faturën financiare mbi bilancin e pagesave. Për më tepër, duke reduktuar pjesën e të ardhurave të agjentëve ekonomikë, e cila shkon për blerjen e mallrave të importit, ai do të krijojë hapësira për një orientim më të madh të konsumit drejt produkteve të prodhuara në vend, çka ndihmon rritjen ekonomike.

4. Ju keni nënvizuar në raportin e fundit se bankat e nivelit të dytë duhet të kenë më shumë kujdes në ekspozimet financiare që kanë me bankat mëmë. A ka banka qendrore ndonjë raport lidhur me këtë? A është matur ndonjë shifër e mundshme dhe detyrimet që dalin prej saj?

Natyrisht që këto janë masa shtesë mbrojtëse, të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në kontekstin e thellimit të krizës financiare globale. Banka e Shqipërisë disponon informacion të plotë në lidhje me ekspozimin që kanë degët apo filialet e bankave shqiptare ndaj mëmave të tyre dhe konstaton se ai është në nivele tërësisht normale. Dua të tërheq vëmendjen se aktiviteti i sistemit bankar shqiptar është në masën dërrmuese një aktivitet që mbështetet në fondet financiare të gjeneruara nga ekonomia shqiptare dhe që shkon pothuaj tërësisht për të financuar aktivitetin ekonomik në vend.

5. Ka disa vendime të Bankës së Shqipërisë për forcimin e kushteve për të dhënë kredi. Më pak kredi do të thotë më pak investime. A mendoni se kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike?

Përfitoj nga rasti që të sqaroj edhe një herë publikun se masat që kemi marrë nuk nënkuptojnë shtrëngimin e kredidhënies. Bëhet fjalë për rregulla shtesë, të cilët synojnë një filtrim më të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm të çdo kërkese, që i bëhet bankës për kredi. E thënë ndryshe, bëhet fjalë për masa që lidhen me aspektin cilësor të tyre dhe stabilitetin financiar. Forcimi i masave rregullative të kredidhënies, si dhe ngritja dhe funksionimi i Zyrës së Regjistrit të Kredive, janë masa të cilat synojnë në vazhdimësinë e garantimit të stabilitetit financiar. Përsa i përket pjesës së fundit të pyetjes tuaj, më lejoni të citoj edhe një herë apelin tim drejtuar sistemit bankar në konferencën e fundit për shtyp, ku në mënyrë të qartë shprehet se "... sistemi bankar, si ai vendas ashtu dhe bankat mëmë, duhet të analizojnë me kujdes ekonominë shqiptare për t'i dhënë asaj shanset reale nëpërmjet mbështetjes me kredi bankare. Kredia bankare ka qenë faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit e për rrjedhim, mendoj se ajo duhet të jetë e tillë edhe në të ardhmen.".

6. A duhet të rishikohet politika fiskale nga ana e qeverisë për të krijuar një hapësirë më të madhe për ekonominë dhe familjet shqiptare?

Pa dashur të komentoj në lidhje me aspektet filozofike të politikës fiskale, mund të them se Shqipëria nuk mund të karakterizohet në një vend me regjim të rreptë fiskal. Parimisht, vendosja e ekuilibrit midis aktivitetit publik dhe privat, si dhe aspektet ndër-gjeneracionale të politikës fiskale, janë një zgjedhje politike dhe sociale e shoqërisë, e cila vendoset me votën e popullit. Vendet në zhvillim kanë nevoja të mëdha për zhvillimin e infrastrukturës, të cilat shpesh kanë si zgjidhje të vetme sipërmarrjen shtetërore, por potencialet e tyre financiare janë të reduktuara. Ajo që ne si autoritet monetar kërkojmë dhe presim nga politika fiskale është ruajtja e një pozicioni të qëndrueshëm fiskal, në funksion të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik të vendit. Ne mbetemi konstantë në idenë se harmonizimi i të dyja politikave bazë (politikës fiskale me atë monetare), duhet të jetë prioritet maksimal edhe në të ardhmen. Për këtë qëllim, ne do të sugjeronim që në paketën fiskale të vitit 2009, të përfshihet një rregull fiskal për perfomancën e politikës fiskale. Ky rregull duhet të jetë sasior, i monitorueshëm në rrjedhën e kohës, i shtrirë për gjithë periudhën e mandatit politik, me prirje të qartë drejt kritereve sasiore të Mastrihtit.

7. Shqipëria deklarohet se deri tani nuk është prekur nga kriza. Por përveç prekjes direkte ka një prekje tjetër, psikologjike. Kjo është një lloj krize jashtë tabelave kontabël, por e cila mund të shkaktojë efekte zinxhir të pariparueshme. A është vënë re nga Banka e Shqipërisë një rritje e shqetësimit të qytetarëve për depozitat e tyre në banka?

Banka e Shqipërisë ka konstatuar dhe mirëkuptuar një rritje të interesimit të qytetarëve për qëndrueshmërinë e institucioneve bankare, ku ata ruajnë kursimet e tyre. Ne kemi qenë të hapur dhe transparentë me publikun, duke shpjeguar situatën reale në të cilën ndodhet sistemi bankar shqiptar. Prononcimet tona në lidhje me qëndrueshmërinë e sistemit bankar kanë qenë të arsyetuara dhe janë mirëpritur nga publiku i gjerë dhe media. Së bashku me zbutjen e krizës financiare globale, këto prononcime kanë ndihmuar në ruajtjen e besimit të publikut ndaj bankave shqiptare. Individëve, publikut të gjerë do t'i sugjeroja të tregohen të qetë, të matur dhe racionalë në mënyrën se si administrojnë portofolin e tyre kursim - investime. Çdo formë kursimi apo investimi jashtë bankave dhe kanaleve të tjera formale, me para në dorë, mbart një rrezik të konsiderueshëm moral, financiar dhe fizik. Apeli im është i thjeshtë: konsultohuni për çdo veprim me bankën tuaj. Sistemi bankar mbetet këshilltari më i mirë për ju. Para se të ndërmerrni një transaksion financiar të çdo lloji, merrni një opinion edhe nga banka juaj.

8. Një pyetje tjetër për të qetësuar konsumatorët. Bursat ndërkombëtare flasin për uljen e aksioneve të shumicës së bankave të huaja që aplikojnë në Shqipëri. Sa do të ndikohen bankat këtu nga kjo ulje e aksioneve?

Për momentin, nuk arrij të shoh ndonjë mekanizëm i cili do të përkthente rënien e aksioneve në tregjet globale në cënimin e aktivitetit të bankave në Shqipëri. Për më tepër, masat e marra për garantimin e aktivitetit bankar në Evropë dhe rikapitalizimin e bankave problematike besoj se i kanë dhënë fund falimentimit të bankave me rëndësi sistemike në Evropë. Kjo do të thotë që paniku bankar është evituar dhe institucionet e shëndetshme, siç janë edhe grupet aksionare që zotërojnë bankat shqiptare, nuk rrezikojnë vazhdimësinë e aktivitetit të tyre.