BANKA E SHQIPËRISË

NJOFTIM PËR SHTYP
Intervistë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko për Top Channel

Data e publikimit: 14.01.2016

 

TCH: Sapo kemi lënë pas një vit të vështirë për ekonominë. Cilat janë pritshmëritë? A do të jetë 2016-ta një vit më i mirë për ekonominë, biznesin dhe individin?

Guvernatori: Viti 2015 ka qenë një vit i vështirë, por në vlerësimet 11-mujore të muajit nëntor, shohim se 2015 ka pasur disa rezultate pozitive. Pa hyrë në detaje shifrash, presim që viti 2015 të ketë nivelin e rritjes së PBB-së prej 2.7%, sa ç’ka qenë parashikimi i Bankës së Shqipërisë, por edhe i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Për vitin 2016 kemi një pritshmëri pozitive. Presim një rritje ekonomike mbi nivelin 3%. Kjo do të vijë nga rritja e kërkesës dhe e konsumit të brendshëm, por edhe nga rritja e nivelit të investimeve të huaja. Në vitin 2015 kemi pasur një rritje të nivelit të investimeve të huaja dhe presim të njëjtën gjë edhe për 2016-ën. Përmirësim presim gjithashtu edhe nga rritja e mbështetjes me financim, me kredi, nga ana e bankave të nivelit të dytë.

TCH: Banka e Shqipërisë është e angazhuar në një seri lehtësimi të politikës monetare. Keni ulur normën bazë të interesit 14 herë me radhë dhe rezultatet kanë qenë deri diku të diskutueshme. A jeni duke shqyrtuar forma të tjera të lehtësimit të politikës monetare përtej atyre tradicionale?

Guvernatori: Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë ka dhënë efektet e saj. Ulja e normës së interesit ka ndikuar në rritjen e portofolit të kredisë, por pritshmëritë tona janë më ambicioze. Kërkesa jonë është për një rritje ekonomike më të lartë se ajo e parashikuar, në mënyrë që edhe individët dhe bizneset ta ndjejnë efektin e kësaj rritjeje. Ne si Bankë e Shqipërisë, në mënyrë të vazhdueshme marrim në analizë dhe studiojmë të gjitha mënyrat dhe format e tjera alternative për nxitjen e mundshme dhe formën e investimit, për gjallërimin e ekonomisë. Një nga këto forma është edhe lehtësimi sasior. Lehtësimi sasior për herë të parë është aplikuar nga Banka Qendrore Amerikane. Ne kemi një situatë më specifike pasi bankat kanë tepricë likuiditeti, pra nuk është se kanë nevojë për likuiditet. Sfida është për ta transferuar këtë likuiditet nga sektori financiar në ekonomi. Nuk kemi dalë akoma me përfundime, por jemi duke bërë analiza. Është herët për të dhënë përfundime. Në momentin që do të gjykojmë se do të jetë e nevojshme të ndërhyhet, qoftë me lehtësim sasior (që unë e shikoj pak më të komplikuar sepse nuk ka nevojë), qoftë me mekanizma ose instrumente të tjera përmes mekanizmave financiarë për të mbështetur kreditimin dhe investimet, kjo do të bëhet publike. Por nuk kemi përfunduar ende, jemi në proces analizimi.

TCH: Kjo do të thotë që një opsion janë skemat e targetuara të kreditimit?

Guvernatori: Të gjitha opsionet janë në analizë. Edhe skemat e targetuara të kreditimit janë në analizë. Sigurisht që një nga synimet kryesore është rritja e kreditimit. Paralelisht, ne monitorojmë edhe zhvillimin e ekonomisë. Nëse do të kemi një ecuri të mirë të ekonomisë, një ecuri ose rritje të kreditimit nga ana e bankave, nuk do të jetë e nevojshme që të bëjmë ndërhyrje. Nëse do të shohim që rritja ekonomike dhe kreditimi nuk ecin sipas parashikimit, atëherë ndërhyrja do të jetë e nevojshme.

TCH: Së bashku me Qeverinë ju keni hartuar një plan për reduktimin e kredive të këqija. Si është duke ecur ky plan dhe çfarë parashikoni më tej?

Guvernatori: Ky plan masash ka dhënë efekte. Unë jam i kënaqur të them që rënia e kredive me probleme në fund të vitit ishte nga niveli 25% në nivelin 20% dhe ne presim një rënie të vazhdueshme të kredive me probleme si rezultat i planit të masave. Ky plan masash ka konsistuar në fshirjen e kredive nga bilanci, por gjithashtu konsiston edhe në ristrukturimin e portofoleve që kanë projekte pozitive dhe optimiste për të ardhmen. Ne, së bashku me bankat e nivelit të dytë, jemi të orientuar drejt negocimeve dhe marrëveshjeve të shëndetshme të biznesit. Synojmë ato biznese që kanë projeksione pozitive dhe meritojnë të ristrukturohen dhe të mbështeten për të ardhmen. Sikurse duhen rivlerësuar nga bankat e nivelit të dytë me monitorimin e Bankës së Shqipërisë, edhe ato biznese që nuk kanë më shpresë dhe që nuk kanë të ardhme dhe që është në të mirën e vetë këtyre bizneseve të ndalojnë politikën e humbjeve të mëtejshme. Natyrisht që edhe kjo do të dojë kohën e saj. Ajo që ne shohim dhe gjykojmë pozitive është që ky plan masash po jep efekt dhe pritshmëritë janë që efekti të jetë pozitiv edhe në vitin 2016.