BANKA E SHQIPËRISË

Përtej parasë

Data e publikimit: 17.05.2004

 

Në vend të hyrjes.

Teksa bisedoja për reduktimin e cash-it (veprime me para në dorë) me komunitetin e biznesit në Vlorë, Sarandë dhe Gjirokastër, në një të ashtuquajtur "tour" nga media, më befasuan pozitivisht disa argumenta. Realiteti "jashtë Tiranës" gjykoj se jo në pak raste është më ndryshe kur e shikon nga afër dhe në kontakte të drejtëpëdrejta me jo-kryeqytetasit. Punonjësit e portit, ujësjellësit dhe të një shërbimi të policisë private në Vlorë, i marrin pagat mujore me Kartë Debiti në makinat ATM (të tërheqjes së parave). Tashmë janë grup reference për punonjësit e administratës publike, qëndrore dhe lokale, që duke filluar nga muaji qershor do tí drejtohen gradualisht bankave për të tërhequr pagat e tyre. Një biznesmen në Vlorë, në një kohë që po mundohesha të shpjegoja avantazhet e veprimeve me bankat për sektorin privat, më tha se sistemi bankar është i vonuar në procesin e tregtisë nëpërmjet internetit (e-commerce). Ndërsa një përfaqësuese e shoqërisë civile në Gjirokastër shkon edhe më tej kur shprehet se Shqipëria ka vakuum ligjor sa i përket internet-banking.

Sigurisht, që situata në procesin e reduktimit të parasë në dorë me veprime bankare, nuk është kaq "rozë" pasi problemet që has çdo ekonomi në process reformimi janë bashkëshoqëruese në procesin e përafrimit me standartet ndërkombëtare. Vakuumi në kulturën bankare dhe marketingu ende i zbehët i shërbimeve të bankave, mungesa e energjisë, vonesat në marrjen e hipotekës nga Zyrat e regjistrimit të Pasurive të Patundshme, konfliktet biznes-banka me organet fiskale mbi çështjen e ndërhyrjes në llogaritë bankare etj., ishin argumenta të qënësishëm që sigurisht do të jenë objekt diskutimi të Programit afatmesëm të Bankës së Shqipërisë e qeverisë të quajtur "Përtej parasë".

Në 2005 me karta krediti.

Shqiptarët, nuk janë dhe nuk mund të mbten më pas fqinjëve ballkanikë në procesin e përqafimit dhe përkrahjes së inovacioneve. Familjariteti i menjëhershëm me celularët, është shembulli më i mirë se shqiptarët nuk mund dhe nuk duhet të mbeten prapa edhe në drejtim të paisjes me karta debiti dhe krediti dhe në përgjithsi në komunikimin me bankat. Ndoshta teksa lexon këto rradhë, një mësues, infermier, oficer, pensionist apo student mund të thotë se ç'më duhet karta e debitit ku të ardhurat e mia mujore nuk tejkalojnë 15 mijë lekë dhe janë të pamjaftueshe për të përballuar shpenzime më minimale të jetesës. Sigurisht që duhet. Banka, siç dihet, është institucion besimi. Të shkosh në sportelet e bankës, minimalisht do të njihesh nga bankierët, do të krijosh curriculën tënde të marrëdhënies me bankën dhe në këtë mënyrë marrja e një kredie qoftë konsumatore apo investimi është më e lehtë dhe me kushte më të favorshme. Të parët që do të përfitojnë kartat e tërheqjes së parave, gjykohet se do të jenë nënpunësit e administratës publike. Ministria e Financave, ekzekutivi në përgjithsi dhe Banka e Shqipërisë janë të angazhuara seriozisht në procesin e kalimit të pagave nëpërmjet sistemit bankar në një proces transparent të përzgjedhjes së bankës ku do të kryhen veprimet. Më pas, ministri, institucione dhe shoqëri të tjera publike do tí bashkohen këtij procesi dhe gradualisht viti i ardhshëm shpresoj ta gjej administratën publike minimalisht me llogari bankare dhe karta krediti.

Edhe shoqëritë private, nga kontaktet që pata, pritet tí bashkangjiten kalimit të pagave nëpërmjet sistemit bankar. Madje, siç ndosh jo rralë, disa prej tyre të njohura ndërkombëtarisht janë më të avancuara në këtë proces. Nga ana tjetër, vetë sistemi bankar është i angazhuar dhe ka vlerësuar si fitimprurëse pagesat e pagave dhe kryerjen e shërbimeve për faturat e telefonisë, energjisë elektrike, ujit etj., nëpërmjet bankave.

Konkurrenca mes bankave.

Në i referohemi shifrave, rezulton se sistemi bankar për vitin 2003 rezultoi me 4.45 miliardë lekë fitim, pavarësisht se janë të njohura faktet se bankat në Shqipëri nuk janë mjaftueshëm agresive në ofrimin e të gjitha shërbimeve bankare në vendet e zhvilluara. Me marrjen e Bankës së Kursimeve, Raiffeisen pritet të sjellë konkurencë jo të paneglizhueshme për bankat e tjera të nivelit të dytë në Shqipëri. Por, vetë këto të fundit, duken se kanë marrë seriozisht rritjen e konkurencës dhe po nxitojnë të ofrojnë shërbime nga më modernet bankare. Marketingu i tyre sa vjen e shtohet dhe konkurenca duket qartazi në plan-bizneset për të hapur sa më shumë e degë e për të ofruar shërbime me komisione minimale apo pa komisione. Banka e Shqipërisë, pavarësisht se është autoritet qëndror, e rendit veten në rradhët e sistemit bankar në sfidën e reduktimit të cash-it në ekonomi. Përgjithësisht, shqiptarët kur ka angazhime dhe detyra për të realizuar e fillojnë nga të tjerët. Fillimisht po ndalem te angazhimet dhe detyrat e vetë sistemit bankar të cilin e përfaqësojmë së bashku me bankat e nivelit të dytë. Si bazë e programit do të shërbejnë dy studime që do të kryhen nga Banka e Shqipërisë: shkaqet kryesore dhe ndikimi i cash-it në ekonomi dhe potenciali gjeografik i Shqipërisë në rezerva cash-i..Rishikimi i kuadrit ligjor, që lidhet me sistemin e pagesave në vend, duke i drejtuar vëmendje të veçante zhvillimit dhe përmirësimit të pjesës (ligjore dhe rregullative) që mbështet e instrumentet dhe aktorët e rinj të pagesave në vend, do të jetë hapi pasues në këtë proces. Zgjerimi i rrjetit te ATM-ve, POS (point of sale) duke i bere standarde dhe integruar ne rrjetet e shoqerive te medha te kartave plastike do të jenë ndoshta veprimi më i dukshëm i sistemit bankar. Ne kete drejtim, mendohet te kryhet dhe nje fushate marketingu dhe sensibilizimi masiv. Nga ana tjetër, zgjerimi i rrjetit dhe prezences se sherbimeve, nepermjet zyrave bankare duhet te vijoje të thellohet. Zbatimi i projektit për kryqëzimin e pagesave në vlerë të vogël (AECH), i cili mendohet të përfundojë gjatë gjysmës së parë të vitit 2005, vlerësohet si mjaft i rëndësishëm për shtimin e shërbimeve bankare, përmirësimin cilësor të shërbimeve ekzistuese, përafrimin e mëtejshëm të sistemit me popullatën vendase dhe me bizneset e mëdha etj.. Vetë sistemi bankar duhet të përgatitet për të përballuar fluksin e hyrjeve të parasë kryesisht cash, si rezultat i kalimit të detyrueshëm të veprimeve që lidhen me pagesa për qeverinë apo me arkëtime në favor të saj apo të institucioneve dhe shoqërive shtetërore, nëpërmjet transfertës bankare. Në mënyrë të veçantë, mendohet të ketë impakt realizimi i detyrueshëm i kalimit të pagave të punonjësve nëpërmjet llogarive. Në mbështetje të këtij procesi të rëndësishëm dhe për të siguruar përfitueshmërinë dhe efikasitetin e këtij veprimi, bankat duhet të krijojnë kushte për rritjen e përfitimeve të klientëve të rinj. Për këtë bankat, mendohet të krijojnë apo të përmirësojnë një paketë të veçantë shërbimesh që lidhen me aktivitetin e "pagave në llogari".Nga ana e saj, Shoqata e Bankierëve duhet të përshpejtojë punën për krijimin e Zyrës së Informacionit të Kredive si dhe kryerjen e rregullimeve të nevojshme për mbështetjen e operimit të saj. Çdo vonesë ndikon drejtpërdrejt në numrin dhe në cilësinë e produkteve bankare që lidhen me kreditimin. Bankat nuk do të lënë jashtë vemendjes edhe realizimet e studimeve të përbashkëta rreth dobishmërisë së krijimit dhe zgjerimit të shërbimeve që lidhen me e-banking, e-payment dhe pagesave nëpërmjet celularit. Gjithashtu, mendojmë që bankat duhet të rrisin transparencën për konsumatorët lidhur me produktet dhe komisionet bankare të aplikuara në to. Për këtë, mendohet të publikohen dhe të mirëmbahen në mënyrë të krahasueshme, lista e produkteve bankare që ofrohen nga bankat së bashku me komisionet e aplikuara nga secila prej tyre.

Biznesi, partner real.

Biznesi konsiderohet palë e rëndësishme në këtë përpjekje të Bankës për të pakësuar përdorimin e cash në ekonomi. Si i tillë do të vendoset në qendër të një marrëdhënieje treshe: qeveri- biznes - bankë - të ndërtuar mbi bazë mirëkuptimi dhe rregulli. Që kjo marrëdhënie të funksionojë normalisht, duhet që: përveç interesit të biznesit bankar për më shumë punë, përveç angazhimit të insitucioneve shtetërore duhet të kemi edhe një biznes elitar, të edukuar dhe me etikë, të orientuar drejt inovacionit. Biznesi duhet te kuptoje qe menyra e vetme per te perfituar nga sherbimet bankare, ne menyre te vecante nga sherbimi i kredise, eshte hapja dhe perdorimi i llogarive bankare. Ka pjesë të biznesit që tashmë e ka një traditë marrëdhënieje me bankën. Në grupin tjetër përfshihen bizneset që akoma nuk janë familjarizuar me bankën. Me këtë grup do të zhvillohet një fushatë e mirëfilltë edukimi me qëllim shpjegimin e mënyrës konkrete të vendosjes së lidhjeve me bankën; të përfitimeve nga shërbimet që ajo ofron; të kostos së këtyre shërbimeve etj.

Banka e Shqipërisë është shumë e hapur madje dëshiron me sinqeritet të njihet me vetë opinionin e biznesit në lidhje me çka propozohet për realizimin e këtij programi. Detyrimi i biznesit të madh dhe të vogël për të hapur llogari bankare eshte nje nga hapat e rendesishem te Programit. Sipas disa sondazheve numri i bizneseve që kryejnë pagesat nëpërmjet transfertave bankare është në rritje. Megjithatë, për shumë arsye ekziston besimi se një pjesë e madhe e tyre vazhdon të kryehet në cash. Veçanërisht kur bie fjala për pagesa të vogla, sidomos ato midis biznesit të vogël me atë madh. Në këtë pikë, pjesë e këtij programi do të jetë përpjekja për të imponuar zbatimin e ligjit deri dhe kerkuar penalizimin per mosbatimin e tij, për përdorimin e llogarisë bankare për shuma mbi 500 mijë lekë.

Mbështetja dhe kundërshtarët!

Mbështetja e shoqërisë civile dhe medias pritet t'i sigurojnë shkallë më të lartë besueshmërie zhvillimit të të gjithë programit dhe do të rrisë faktorët pro suksesit të tij. Kjo, jo sepse besimi i publikut tek banka kalon nëpërmjet medias dhe shoqërisë civile, por sepse shkalla e mirëkuptimit dhe dëshira e publikut për të përqendruar vëmendjen e tij në çdo zhvillim të ri, që fillon të ravijëzohet në ambientin e përgjithshëm të shoqërisë sonë janë mjaft të përcaktuara nga vëmendja dhe pozicionimi i shoqërisë civile ndaj tij.

Media nga ana e saj, nëpërmjet ndjekes së vazhdueshme të programit, shpresoj se do të jetë edhe "skaneri" më transparent i procesit të realizimit të angazhimeve që do të marrin autoritetet publike dhe sistemi bankar në këtë process. Nga ana e saj Banka e Shqipërisë do të jetë e hapur dhe e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë aktorët dhe regjizorët e kësaj sfide, ndoshta më e rëndësishmja aktualisht dhe në një periudhë afatmesme për sistemin bankar. Jam i sigurtë që përfitimet do të jenë të gjithanshme ashtu siç jam i vetëdijshëm që mund të ketë edhe rezistencë nga të "dëmtuarit" e mundshëm, që nga arkatarët e shoqërive publike e deri te ata që bëjnë dhe përfitojnë nga evazioni fiskal apo veprime të tjera joligjore si pastrami i parave etj., të cilat sigurisht veprimet bankare i reduktojnë në mënyrë të ndjeshme. Të reduktosh "cash"-in nënkupton që të reduktosh edhe ekonominë gri, segmente informale të tregjeve dhe biznese të fuqishme ndaj dhe Banka e Shqipërisë është e vetëdijshme që do të ketë edhe rezistencë. Por, personalisht jam i bindur se vendosmëria e autoriteteve publike, interesi i komunitetit të ndershëm të biznesit, agresiviteti i bankave për të shtuar numrin e degëve dhe llojshmërinë e shërbimeve, mbështetja si deri më tani e shoqërisë civile dhe medias, do të sigurojnë edhe përfundimin me sukses të Programit afatmesëm të autoriteteve shqiptare për reduktimin e cash-it dhe familjarizimit të shqiptarëve me bankat, pjesë e procesit integrues që aspirojmë.

______________________________
Shkrim i Prof.Dr.Shkëqim Canit, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, në gazetën "Korrieri" të datës 16 maj 2004.